Kryesocialisti Edi Rama po zhvillon këtë të martë një takim me të rinjtë e Kamzës, në kuadër të fushatës elektorale.
Rama është i shoqëruar nga deputetja Lindita Nikolla, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe kryetari i Bashkisë, Rakip Suli.
Në fjalën e tij, kryeministri renditi benefitet e passaportës së Bashkimit Evropian.
Rama deklaroi se të gjithë të rinjtë duhet të votojnë në garën e madhe të 11 majit, pasi siç shprehet kreu i qeverisë, një njeri që është i lirë, ka pushtetin që me votën e tij të gjykojë se kush duhet të rrijë në qeveri dhe kush në opozitë.
Kryeministri Edi Rama tha i bindur se Partia Socialiste do të arrijë një rezultat spektakolar në 11 maj në Kamëz.
Rama: Pasaporta e BE është një status i ri për shqiptarët. Me pasaportën që kemi sot, ne hyjmë në çdo kufi të BE-së nga një korridor tjetër. Të thonë: “Dil pak anash, futu pak në radhë,” dhe nisin pyetjet: “Ku do shkosh? Sa lekë ke me vete? Kur do ikësh?” Sepse ne kemi liri lëvizjeje, por jo liri qëndrimi. Ne duhet të lëvizim e të ikim, sepse nuk jemi qytetarë të BE-së, jemi të Shqipërisë. Për BE-në, ne jemi të huaj. Por me këtë pasaportë, ti identifikohesh si një nga qytetarët e barabartë të BE-së. Me këtë pasaportë hyn kudo dhe ke të njëjtat të drejta që kanë italianët, francezët. Ju që jeni sot në fillim të rrugës suaj, do të keni mundësinë që të merrni statusin e qytetarëve të BE-së. Duhet të shkohet të votohet, dhe patjetër duhet votuar për të bërë një shumicë më të madhe.
Partia Socialiste e Kamzës është rritur, është fuqizuar. Ajo që duhet të bëjë secili prej jush dhe nëse keni një dyshim, është t’i thoni vetes dhe të tjerëve se ky është momenti për të bërë diçka dhe ajo është gjëja më e thjeshtë, të votosh. Një njeri që është i lirë, ka pushtetin që me votën e tij të gjykojë se kush duhet të rrijë në qeveri dhe kush në opozitë. Në Kamëz ne kemi gjithë mundësinë të marrim një rezultat spektakolar. Kamza mund të bëhet si Tirana në çdo aspekt, madje edhe më mirë, sepse ju keni hapësira. Të gjitha këto do të bëhen duke na dhënë fuqinë.
/vizionplus.tv