Pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit të parë, spektakli i madh i talenteve “Albania’s Got Talent” rikthehet sërish në ekran, këtë herë me edicionin e dytë, që do të nisë rrugëtimin të hënën në mbrëmje, në orën 21:00, në Vizion Plus.
Spektakli që u ka dhënë zë dhjetëra talenteve nga i gjithë vendi, vjen këtë sezon me shumë risi, por duke ruajtur thelbin e formatit origjinal që ka bërë për vete publikun në mbarë botën.
Anëtarët e jurisë do të përballen me dhjetëra konkurrentë që do të ngjiten në skenë për të treguar aftësitë e tyre në këngë, numra shpejtësie, akrobaci, balet, dhe çdo formë tjetër arti që frymëzon e emocionon.
Një ndër momentet më të pritura është rikthimi i “Golden Buzzer”, butoni i artë që i jep mundësinë secilit prej jurisë të dërgojë drejt gjysmëfinaleve konkurrentin e preferuar, pa kaluar në votim.
Spektakli do të moderohet nga Isli Islami, i cili rikthehet në drejtimin e një formati të madh televiziv që premton argëtim, emocione dhe shumë surpriza.
Sipas organizatorëve, audicionet janë zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë, por edhe në Kosovë dhe në diasporën shqiptare, duke garantuar një përfaqësim të gjerë të talenteve dhe historive që do të befasojnë jo vetëm jurinë, por edhe publikun.
Edicioni i parë i këtij formati pati sukses të padiskutueshëm dhe zbuloi talente të reja, si fituesi 14-vjeçari Tristan Çela. Këtë herë, pritshmëritë janë edhe më të larta dhe gara pritet të jetë më e fortëë.
“Got Talent” është një nga formatet televizive më të ndjekura në botë, që zhvillohet në mbi 30 vende, por në Shqipëri vjen ekskluzivisht në ekranin e Vizion Plus. Ndaj, mos e humbisni këtë sezon të ri të “Albania’s Got Talent”, çdo të hënë në orën 21:00, vetëm në Vizion Plus.
/vizionplus.tv









