Tag: spallettin

  • Juventusi detyron Spallettin të heqë dorë nga supersticioni i veshjes

    Juventusi detyron Spallettin të heqë dorë nga supersticioni i veshjes

    18 Nëntor 2025

    7:56

    Alfred Lleshi

    Luciano Spalletti duhet të heqë dorë nga tutat, të cilat do t’i kishte veshur me dëshirë edhe në aventurën e tij të re te Juventusi. Për të ishte çështje komoditeti, por edhe supersticioni, pasi pikërisht me tuta fitoi titullin te Napoli. “Tuttosport” shkruan se te Juve rregullat janë të qarta dhe nuk lejojnë përjashtime.
    Edhe pse Spalletti do të donte të rikthente në Serie A veshjen e tij “fatlume”, tutat e gjata, gri dhe errët, shpesh të kombinuara me një xhup, për të neutralizuar kabalat dhe ndier më i qetë, kjo nuk është e mundur në klubin bardhezi.
    Te Juventusi, kodi i veshjes në pankinë është i pandryshueshëm; trajnerët shfaqen vetëm me veshje elegante, me kostum, xhaketë dhe kravatë. Ky rregull u forcua pas periudhës së Sarrit, të cilit iu lejua thjesht një polo me mëngë të gjata si kompromis. Për Spallettin nuk parashikohen lëshime, ai do të duhet ta sfidojë fatin duke veshur një komplet formal.

  • Buffon “bekon” Spallettin te Juventusi: Zgjedhja më e mirë, Tudor nuk pati empati me drejtuesit

    Buffon “bekon” Spallettin te Juventusi: Zgjedhja më e mirë, Tudor nuk pati empati me drejtuesit

    Gianluigi Buffon, kapiteni legjendar i Italisë dhe aktualisht shef i delegacionit të kombëtares axurre, foli mbi të ardhmen e tij, kombëtaren dhe Serie A. Ai tha se dëshiron të bëhet drejtues sportiv i një klubi, pa përjashtuar as Juventusin dhe kombëtaren, duke theksuar se duhet të marrë parasysh çdo mundësi profesionale.
    Buffon e vlerësoi Spallettin si zgjedhjen më të mirë për Juventusin, pas shkarkimit të Tudor: “Zgjedhja e Luciano mund të sjellë rezultatet që tifozët dhe klubi presin. Më vjen keq që nuk e pamë nga fillimi i sezonit, me përgatitjen dhe zgjedhjet e lojtarëve”.
    Për shkarkimin e Tudor, tha: “Me të duket se ka pasur një problem empatie me drejtuesit. Duke lexuar gazetat, kjo është ajo që ka dalë, por të vërtetën e di vetëm ai që është brenda. Flas për empatinë me drejtuesit. Duke parë 2-3 intervistat e fundit që ka dhënë, mendoj për atë pas ndeshjes me Como”.
    Për Gattuson te kombëtarja: “Zgjedhje spontane, funksionale për grupin”. Për sfidën ndaj Norvegjisë: “Vlen për autoritetin tonë në mars”. Buffon theksoi rëndësinë e trajnerëve të përshtatshëm për një klub dhe periudhë historike, duke vlerësuar gjithashtu Massimiliano Allegrin te Milani dhe rolin e tij në funksionimin e grupit. Ai nënvizoi se fazat e vështira, pas periudhave me fitore, kërkojnë kohë dhe drejtues të duhur.

  • Comolli mirëpret Spallettin: Zgjidhja më e mirë. Merkato? Të kënaqur me lojtarët që kemi, por…

    Comolli mirëpret Spallettin: Zgjidhja më e mirë. Merkato? Të kënaqur me lojtarët që kemi, por…

    31 Tetor 2025

    12:44

    Alfred Lleshi

    Për herë të dytë më 2025, Juventusi prezanton një fillim të ri teknik, pas periudhave me Thiago Motta dhe Tudor, tani me Luciano Spalletti në stolin bardhezi. Trajneri debuton në Cremona, ndërsa ndryshimet taktike priten pas pushimit. Qëllimi kryesor? Kualifikimi në Champions League dhe performanca maksimale në Europë.
    Damien Comolli, drejtor i përgjithshëm, mirëpriti Spallettin: “Jemi të lumtur ta presim Spallettin, ekspert i madh i futbollit italian. Zgjedhja u mor së bashku me Chiellini dhe Modesto. Është shumë e rëndësishme që vendimi të ishte i përbashkët”. Comolli konfirmoi një kontratë afatshkurtër deri në fund të sezonit, me opsion për zgjatje: “Ai ka fituar trofe edhe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në fund të sezonit do të vendosim për vazhdimin”.
    Për merkaton: “Do respektojmë ‘fair play financiar’. Nëse shfaqen mundësi, do t’i shfrytëzojmë. Jam i kënaqur me lojtarët e merkatos së verës”. Pozita e drejtorit sportiv mbetet e lirë: “Kërkimi vazhdon, do t’ju njoftojmë sapo të ketë zhvillime”.