Tag: spalletti

  • Spalletti: Një ditë Acerbi do të më shpjegohet, unë do t’i them çfarë mendoj për respektin

    Spalletti: Një ditë Acerbi do të më shpjegohet, unë do t’i them çfarë mendoj për respektin

    Trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, ka folur për “Sky Sport” në prag të sfidës vendimtare ndaj Norvegjisë, ndeshje kyçe për kualifikimin në Kupën e Botës 2026. Ai ka komentuar mungesat, përzgjedhjet taktike dhe çështjen e nxehtë me Francesco Acerbin, duke dhënë mesazhe të qarta.
    Mungesat dhe atmosfera para ndeshjes – “Jemi të gjithë këtu, të lumtur që do të luajmë një ndeshje të këtij niveli. Ka gjithmonë një balancë mes tensionit mendor dhe bukurisë së kësaj sfide unike”.
    Mungesa e Kean dhe zgjedhjet – “Kishim tre lojtarë për atë rol, një duhej të qëndronte jashtë. Tani nuk do kem nevojë të lë askënd në tribunë. Janë 21 lojtarë, plus portierët. 16 do të luajnë, më pas kemi një ndeshje tjetër brenda pak ditësh. Të gjithë do të jenë të përfshirë. Shpesh, më të mirët vendosin ndeshjet në fund”.
    Stili i lojës dhe kontrolli i ndeshjes – “Për të komanduar lojën duhet cilësia e mesfushorëve. Ata e prekin më shumë topin dhe dinë të pozicionohen mirë për të pasur posedim. Në ‘Nations League’ kemi bërë gjëra të mira, do përpiqemi t’i rikthejmë”.
    Dilemat në mbrojtje dhe vlerësimi për Rugani – “E kam vendosur tashmë. Mund të luajë Bastoni, Coppola apo Rugani. E kam parë me vëmendje maksimale, Rugani erdhi menjëherë këtu. Farioli më ka folur shumë mirë për të dhe më tregoi që rikthimi në kombëtare ishte ëndrra e tij”.
    Përplasje me Acerbin dhe ‘like’ e Mancinit – “Një ditë Acerbi do të më shpjegojë ku i kam munguar me respekt. Atëherë do t’i them mendimin tim për respektin dhe çfarë i ka bërë ai kombëtares. Për Mancinin? Mendoj se i kanë vjedhur telefonin, dikush tjetër po i bën ‘like’ për ta nxjerrë keq. Ndodh, telefonat ‘hackohen’, besoj se ka ndodhur kjo”.
    Norvegjia, ndeshja më e rëndësishme – “Po, është ndeshja që na çon në Botëror. Do ta luajmë me të gjitha cilësitë tona”.

  • Spalletti “hap barkun”, tregon konfliktet me De Laurentiis: Nuk telefonoi mbrëmjen që fituam titullin. Urimi? Një rresht e gjysmë…

    Spalletti “hap barkun”, tregon konfliktet me De Laurentiis: Nuk telefonoi mbrëmjen që fituam titullin. Urimi? Një rresht e gjysmë…

    Luciano Spalletti, trajneri i kombëtares italiane, rrëfen për herë të parë karrierën e tij në një autobiografi të titulluar “Parajsa ekziston… Por sa shumë lodhje”. Ja disa pjesë të veçuara nga “Corriere della Sera”, që hedhin dritë mbi marrëdhënien e tij të tensionuar me Aurelio De Laurentiis:
    “E kam mbyllur me të kaluarën, por Napoli dhe napolitanët nuk do të jenë kurrë e kaluara ime. U largova sepse nuk kisha më dëshirë ta përballoja konfliktin e vazhdueshëm karakterial me një sipërmarrës të aftë, të cilit qyteti i detyrohet shumë, por me ego shumë, shumë të madhe, si Aurelio De Laurentiis.
    Presidenti ishte ai që vuloste gjithçka, që certifikonte nëse një zgjedhje ishte e drejtë apo jo. Isha lodhur duke luftuar për çdo gjë, që nga dhënia e një fanelle lojtarëve për fëmijët e tyre deri te ndërrimi i vazhdueshëm i hoteleve për arsyet më të çuditshme. Edhe këtu, ‘Sulltani’ dinte si të na habiste. Njeri shumë origjinal, i paparashikueshëm, me një mënyrë të të menduarit që të çonte në befasi.
    Si ajo herë në fillim të eksperiencës sime te Napoli. Hoteli ynë i zakonshëm ishte në rrugën ‘Vittorio Emanuele’. Vjen Juventusi dhe na njoftojnë se duhet të ndryshonim ‘shtëpi’. Një dëbim i menjëhershëm. Na çojnë në një hotel tjetër në qendër, jo i përshtatshëm për lëvizjen drejt stadiumit, duke krijuar natyrshëm dyshime mes lojtarëve, sikur ishin kundërshtarët ata që përcaktonin zakonet tona. Kjo ndodhi disa herë atë vit, ndërruam 4-5 struktura akomodimi.
    Gjatë gjithë kohës sime te Napoli, luaja dy ndeshje: një me kundërshtarët dhe një tjetër me presidentin. Një përballje e vazhdueshme, shpesh në kufi të konfliktit.
    Gjatë sezonit të titullit, në prag të një ndeshjeje të vështirë, presidenti më shkroi, sipas tij për të më motivuar: “Mund të shkosh 12 pikë distancë në krye, karikoji çunat!” Ia ktheva: “Faleminderit për këshillën e çmuar, president, do ta marr parasysh”.
    Dashurinë për Napolin atë vit e tregoi sidomos kur ndaloi jo vetëm së komentuari formacionet, por edhe së foluri në publik, me gazetarët. Ishte një heshtje që bëri zhurmë, sakrifica më e madhe për dikë si ai, argëtues dhe njeri spektakli që do të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes:
    “Napoli ecte për mrekulli, luante futboll të bukur, të adhuruar në mbarë botën, gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte dhe ai, njeri i mprehtë, e kuptoi shpejt që ajo bukuri do të sillte edhe shumë përfitime ekonomike.
    Mund të themi që heshtja e tij heroike dhe zgjedhja për të mos folur me mediat u përputh me zgjedhjen time për të jetuar si murg në strehën e ‘Castel Volturno’. Dy njerëz shumë të ndryshëm që bënë betimin e tyre të pastërtisë për kauzën e Napolit. Secili në mënyrën e vet.
    Ndoshta, po e imagjinoj, ishte pikërisht ajo ndrojtje, ajo dëshirë për të mos u dukur si protagonist, që e shtyu të mos na kontaktonte atë mbrëmje të titullit. Rezervimi i tepruar e bëri që të mos bënte as një telefonatë për të ndarë të paktën suksesin, ndërkohë që i gjithë qyteti ishte në ekstazë.
    Nuk na telefonoi atë mbrëmje që fituam kampionatin, as trajnerin, as lojtarët, as drejtorin, as menaxherin. Askush nuk mori telefonatë prej tij. Ishte shumë i zënë duke ‘luajtur’ ndeshjen e tij personale në fushën festive të ‘Maradona’. Telefonoi të nesërmen, sepse kishte organizuar uljen tonë në aeroportin ushtarak të Grazzanise në vend të Capodichinos. Në atë telefonatë, si njeri i edukuar që është, na pyeti si kishte shkuar udhëtimi.
    Më pas, një tjetër heshtje… Disa kohë më vonë, presidenti më dërgoi përmes drejtorit të ri të qendrës së ‘Castel Volturno’, që pothuajse nuk e njihja, një letër të shkruar me dorë. Pasi përfundonte urimet formale për titullin në një rresht e gjysmë, më kujtonte detyrimin për të respektuar kontratën, me zgjatjen automatike për një tjetër vit. Ishte një opsion që i jepte të drejtën ta aktivizonte njëanshmërisht. Kur firmosëm kontratën, ai donte të bënte dy vite, plus dy si opsion. Me vështirësi arrita t’i heqja një vit opsioni.
    Me entuziazmin e tij të lindur, që ndonjëherë kalon në vetëbesim të tepruar, presidenti harroi se pas kontratave nuk ka vetëm të punësuar, por ka njerëz. Siç ia theksova në një letër timen, gjithashtu të shkruar me dorë, do të kishte qenë e dobishme dhe e drejtë të flisnim, për të mirën e Napolit. Ndoshta, një bisedë do ta kishte ndryshuar rrjedhën e gjërave.
    Por ai, që në mars, gjatë një ceremonie në ‘Maschio Angioino’, ku mora çmimin ‘Bearzot’, mori mikrofonin dhe bëri pyetjen që askush nuk e kishte bërë: A donit të më pyesnit nëse Luciano Spalletti do të qëndrojë te Napoli? Dhe ia ktheu përgjigjen vetes: Luciano Spalletti do të qëndrojë te Napoli. Ishte i bindur se mund të më impononte vullnetin e tij.
    Edhe sot e kësaj dite, shumë më pyesin: Po sikur presidenti të ishte sjellë ndryshe atëherë, të kishte treguar më shumë vëmendje dhe ndjeshmëri, a do të kishe marrë një vendim tjetër? A do kishe qëndruar te Napoli? Është një pyetje që gjithmonë e kam lënë në heshtje.
    Sot përgjigjja është po. Nëse do kishte pasur më shumë respekt njerëzor, më shumë dialog dhe më shumë hapje për të kuptuar se çfarë duhej për të fituar sërish, në fund do të kisha qëndruar. Gjithsesi, do ta falënderoj gjithmonë që më dha mundësinë ta stërvitja Napolin”.