Tag: spaçit

  • Suvatimi i burgut të Spaçit, akuzat nga Ndregjoni: Po masakrohet një vend kujtese

    Suvatimi i burgut të Spaçit, akuzat nga Ndregjoni: Po masakrohet një vend kujtese

    Punimet që po kryhen në burgun famëkeq të Spaçit, janë kundërshtuar nga Besim Ndregjoni, kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve. Ai ka denoncuar ndërhyrjet si një akt që cenon rëndë autenticitetin historik të këtij vendi simbol të qëndresës antikomuniste.
    Për riparimet, përfshirë suvatimin, janë një “masakër” mbi kujtesën kolektive, duke kërkuar që çdo ndërhyrje të bëhet në përputhje me origjinalitetin e Spaçit dhe statusin e tij si monument kulture.

    ”Riparimet po bëhen për një film. Suvatimi nuk duhej bërë, se ky savatim është sot në burgjet shqiptare e jo në kohën e burgut të Spaçit. Punimet duhet të bëhen me origjinalitetin e Spaçit. Burgu i Spaçit është vizituar nga turistë të huaj dhe nuk është vizituar nga politikanët tanë. Është tjetërsuar edhe burgu i Burrelit barbarisht. Të ndalen punimet dhe restaurimi të bëhet në bazë të rrëfimeve reale”.

  • Aktivistët letër MEKI-t: Spaçi nuk mund të trajtohet si një kantier i zakonshëm ndërtimi apo si dekor për filma

    Aktivistët letër MEKI-t: Spaçi nuk mund të trajtohet si një kantier i zakonshëm ndërtimi apo si dekor për filma

    Nga Julia Vrapi
    Ish-Burgu i Spaçit po restaurohet, por ndërhyrjet janë kundërshtuar nga ish të burgosur politikë dhe aktivistë të mbrojtjes së trashëgimisë, ku sipas tyre nuk mund të trajtohet si një kantier i zakonshëm ndërtimi apo si dekor për filma që i nënshtrohen estetikës dhe jo së vërtetës historike. Ish burgu i Spaçit është monument kulture i kategorisë së dytë, shpallur nga Ministria e Kulturës në vitin 2007. Ndërhyrjet tani janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe kanë karakter konservues-restaurues me aplikues dhe zhvillues Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ku sipas vendimit që mban datën 6.12. 2024 gjatë këtij procesi punimet të mbikëqyren nga DRTK Shkodër. Por aktivistë të mbrojtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore, organizata të ndryshme dhe më gjerë shprehen se këto ndërhyrje po cënojnë identitetin e objekteve.
    Disa organizata, shoqata dhe aktivistë të mbrojtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore i janë drejtuar me një letër të hapur Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, duke kërkuar të ndalen ndërhyrjet e pakontrolluara, që dëmtojnë sipas tyre autenticitetin e burgut të Spaçit. “Ne, organizatat dhe qytetarët e angazhuar në mbrojtjen e kujtesës historike dhe trashëgimisë kulturore, shprehim shqetësimin e thellë lidhur me ndërhyrjet që po bëhen aktualisht në ambientet e ish-Burgut të Spaçit, një nga vendet më simbolike të dhunës politike gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Pamjet e publikuara së fundmi dhe informacionet në terren tregojnë se në zonën e mbrojtur po realizohen punime ndërtimi-mure me blloqe të reja dhe suvatime të objekteve që fshijnë gjurmët e kohës, duke rrezikuar rëndë autenticitetin e objektit. Këto ndërhyrje bien ndesh me dëshmitë e gjalla të ish-të burgosurve politikë në këtë burg dhe të dhënat arkivore të kohës”, thuhet në këtë letër drejtuar MEKI-t dhe IKTK-së.
    Ndërhyrje që bien ndesh me planin e menaxhimit
    Më herët për ish burgun e Spaçit është diskutuar dhe për planin e menaxhimit, por në letrën drejtuar MEKI-t dhe IKTK-së thuhet se këto ndërhyrje bien ndesh dhe me vetë planin, që ndër të tjera shpreh se ndërhyrjet konservuese duhet të jenë të natyrës “arkeologjike”, duke ruajtur rrënojat dhe strukturat ekzistuese në gjendjen që ndodhen. “Po ashtu ndërhyrjet bien ndesh dhe me vetë Planin e Menaxhimit të Spaçit, i cili në mënyrë të qartë thekson se: “Nuk do të merren masa për të rikthyer gjendjen e ndërtesave siç ishin në vitin 1991, por do të kryhet një aktivitet konservues që të dëshmojë këto tre dekada përpjekjesh të shoqërisë shqiptare për t’u përballur me të kaluarën e saj të dhimbshme.” (Plani i Menaxhimit, fq. 37). “ https://konsultimipublik.gov.al/…/RENJK_712_(Draft… ” Gjithashtu, në Aneksin E të planit, qartazi thuhet se ndërhyrjet konservuese duhet të jenë të natyrës “arkeologjike”, duke ruajtur rrënojat dhe strukturat ekzistuese në gjendjen që ndodhen, pa restaurime të plota ose rikonstruksione që mund të deformojnë kuptimin historik të vendit”, thuhet në letër.
    Ndër të tjera në letër bëhet me dije se aktualisht, ndërtimi i mureve të reja dhe mbulimi i fasadave me suva moderne dëmton seriozisht integritetin historik dhe përvojën e kujtesës, duke rrezikuar shndërrimin e Spaçit nga një vend dëshmie të vuajtjeve, në një skenografi artificiale. Për këtë arsye, organizata të ndryshme, shoqata të ish të përndjekurve politikë, aktivistë dhe më gjerë kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në objektin në fjalë, derisa të zhvillohet një verifikim profesional transparent, në bashkëpunim me aktorë të shoqërisë civile, ish-të përndjekur politikë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore.
    “Spaçi nuk është thjesht një monument. Është vend i dhimbjes, i kujtesës, i rezistencës. Ai nuk mund të trajtohet si një kantier i zakonshëm ndërtimi apo si dekor për filma që i nënshtrohen estetikës dhe jo së vërtetës historike”, vijon më tej letra, e cila mbyllet se çdo ndërhyrje në Spaç duhet të bazohet në studime serioze historike dhe konservuese, dhe të realizohet vetëm në frymën e respektimit të kujtesës kolektive dhe dinjitetit të atyre që vuajtën aty. Kjo letër është nënshkruar nga organizata “Tek Bunkeri”, Fondacioni “Kujto Albania”, organizata “Qëndresa Qytetare”, Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë, Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë, Shkodër, Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë, Korçë, Qendra Art Kontakt, Shtëpia botuese Berk, Institute for Democracy, Media and Culture; DebatikCenter of Contemporary Art, Shoqata Sebastia, Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, Zeta Contemporary Art Center, etj.

  • Zhupa kërkon seancë dëgjimore urgjente me Gonxhen: Po fshihen gjurmët në burgun e Spaçit

    Zhupa kërkon seancë dëgjimore urgjente me Gonxhen: Po fshihen gjurmët në burgun e Spaçit

    Blendi Gonxhe dhe Ina Zhupa

    TIRANË-Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa ka reaguar në lidhje me rikonstruksionet që po bëhen në ish-burgun famëkeq të Spaçit. Zhupa ka kërkuar një seancë dëgjimore urgjente me me përfaqësues të MEKI, të IKTK, të shoqata të ish përndjekurve, të organizatave dhe fondacioneve me fokus në këtë çështje.
    Reagimi i plotë:
    Kam ndjekur me shqetësim veprimtarinë ndërtimore në burgun e Spaçit, me punime që fshijnë gjurmët e kohës, duke rrezikuar rëndë vlerat autentike të objektit. Këto ndërhyrje bien ndesh me dëshmitë e gjalla të ish-të burgosurve politikë në këtë burg dhe të dhënat arkivore të kohës. Si kryetare e komision përgjegjës për trashëgiminë kulturore, për edukimin, duke parë edhe mos reagimin e institucioneve kam vendosur të kërkoj në mënyrë të menjëhershme pezullimin e punimeve dhe seancë dëgjimore në komision me ministrin Blendi Gonxhe, drejtoreshën e IKTK, përfaqësues të shoqatave të ish përndjekurve, të organizatave dhe fondacioneve me fokus në këtë cështje. Askush nuk mund të retushoj, zbukuroj, apo tjetërsoj historinë! Historia mësohet dhe trasmetohet për u përsëritur më, nuk zbukurohet për propagandë.
    Rikonstruksionet kanë shkaktuar shqetësime, ku edhe aktivistët kanë ngritur akuza. Një prej tyre aktivisti Arnen Sula thotë se e gjitha po bëhet për të xhiruar një film. Ai bën thirrje që ndërtimet dhe rikonstruksioni që po kryehet në ambientet e ish-burgut, të ndalen menjëherë.

    Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka nisur një projekt me vlerë 4.2 mln euro për rikonstruksionin e ish-burgut të Spaçit. Kjo godinë është përdorur si burg i sgurisë së lartë që u përdor për të internuarit politik gjatë regjimit diktatorial, i cili u hap më 1968 dhe funksionoi deri në ’88, ku pati mbi 1000 të burgosur politikë. Disa prej tyre, 49, janë ende gjallë për të dëshmuar tmerrin dhe mizoritë që kanë përjetuar në ambientet e burgut gjatë regjimit komunist./ZËRI

  • FOTOT/ Ndërhyrje në Burgun e Spaçit, aktivisti: Po zhduket historia me lyerje dhe suvatime…për një film!

    FOTOT/ Ndërhyrje në Burgun e Spaçit, aktivisti: Po zhduket historia me lyerje dhe suvatime…për një film!

    Burgu i Spaçit

    LEZHË- Burgu i Spaçit po rikonstruktohet! Por punimet kanë shkaktuar shqetësime edhe pse ende nuk kanë përfunduar. Aktivisti Arnen Sula, i cili në vitin 2024 ishte edhe kuratori i ekspozitës “E Kaluara e Tashme”, e cila mbart peshën e 49 portreteve të ish-të burgosurve politikë që janë ende në jetë, ka shprehur publikisht kritikat e tij. Në një postim në rrjetet sociale, Arnen Sula ka publikuar pamje nga ambientet dhe godinat e burgut të Spaçit që janë lyer dhe suvatuar. Sula thekson se në këtë mënyrë punimi në fakt po shkatërrohet e shkuara, e gjitha për të xhiruar një film. Ndaj edhe bën thirrje që ndërtimet dhe rikonstruksioni që po kryehet në ambientet e ish-burgut, të ndalen menjëherë.
    “Në ish-Burgun e Spaçit po kryhen ndërtime për xhirimin e një filmi artistik. Pamjet tregojnë se ndërhyrjet janë të pakontrolluara dhe po dëmtojnë rëndë paraqitjen autentike të objektit, duke fshirë gjurmët e së kaluarës dhe duke zhdukur memorien historike që ai mbart.Këto punime duhet të ndalen menjëherë! Çdo ndërhyrje në këtë hapësirë të ndjeshme duhet të bazohet në një studim serioz historik e konservues, duke u mbështetur në rrëfimet e ish-të përndjekurve politikë, por edhe të ish-punonjësve të sistemit që kanë qenë pjesë e strukturës së Spaçit. Vetëm kështu mund të garantohet një restaurim i kujdesshëm që respekton realitetin e Spaçit siç ka qenë në funksion. Boll më me përdorimin e vendeve të kujtesës për ushqimin e egove artistike! Spaçi nuk është skenë filmi për të sajuar imazhe estetike; ai është vend dëshmie, vend dhimbjeje dhe vend kujtese. Spaçi është i të gjithëve. Ta ruajmë!,”-shkruan Sula në postimin e tij. 

    Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka nisur një projekt me vlerë 4.2 mln euro për rikonstruksionin e ish-burgut të Spaçit. Kjo godinë është përdorur si burg i sgurisë së lartë që u përdor për të internuarit politik gjatë regjimit diktatorial, i cili u hap më 1968 dhe funksionoi deri në ’88, ku pati mbi 1000 të burgosur politikë. Disa prej tyre, 49, janë ende gjallë për të dëshmuar tmerrin dhe mizoritë që kanë përjetuar në ambientet e burgut gjatë regjimit komunist./ZËRI
     

  • Revolta e Spaçit, 21 Maj 1973, kur u dëgjua për herë të parë thirrja: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”

    Revolta e Spaçit, 21 Maj 1973, kur u dëgjua për herë të parë thirrja: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”

    Nga Albert Vataj
    Më 21 maj 1973, në thellësitë e minierave të Spaçit, ku shpirtrat e lodhur e trupat e përgjakur të të burgosurve politikë përballeshin çdo ditë me punë të detyruar, urinë dhe poshtërimin sistematik, shpërtheu një ndër ngjarjet më dramatike të rezistencës kundër regjimit komunist në Shqipëri. Kjo revoltë nuk ishte një akt i rastësishëm apo një shpërthim i çastit: ajo ishte pasojë e një përvoje kolektive të vuajtjes, e akumuluar në vetëdijen e atyre që nuk kishin pranuar të nënshtroheshin – përndjekur për mendimet e tyre, për fjalën e lirë, për refuzimin e diktaturës.

    Shkëndija e revoltës
    Gjithçka nisi kur Pal Gjergj Zefi, i dënuar me dhjetë vite burg për agjitacion e propagandë, përfundoi një muaj izolim. Në vend që të zbriste i bindur, ai u ngjit në tarracë, mbante një shufër hekuri në dorë dhe kërcënoi çdo roje që i afrohej. Ky akt i vetmuar i kundërshtimit fizik ndaj një pushteti absolut, shkaktoi një zinxhir solidarizimi mes të dënuarve të tjerë, të cilët për herë të parë, në mënyrë të organizuar dhe publike, sfiduan autoritetin e kampit, të Sigurimit të Shtetit dhe vetë regjimit.
    Simbolet e guximit
    Në ato tri ditë të zjarrta, që nga 21 deri më 23 maj, Spaçi u kthye nga një burg i vuajtjes, në një arenë të lirisë së shpirtit shqiptar. Në mungesë të policëve dhe të rojeve që u tërhoqën përkohësisht, të burgosurit ngritën flamurin kombëtar pa yllin e kuq komunist – një akt thellësisht simbolik që sfidonte drejtpërdrejt mitin e shtetit totalitar. Ky flamur i improvizuar në një prej tarracave të fjetoreve, përfaqësonte një shpirt që s’kishte vdekur, një ideal që s’mund të shtypej: Shqipërinë e lirë, Shqipërinë si gjithë Europa.
    Për herë të parë, dëshmitarët tregojnë se u artikulua thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, një thirrje që do të shndërrohej në një parullë emblemë për brezat që do të vinin pas rënies së komunizmit.
    Shtypja dhe ndëshkimi
    Autoritetet nuk vonuan në reagim. U përdorën mjete ushtarake, forca të ardhura nga Tirana, Sigurimi i Shtetit dhe një aparat i tërë dhune për të shtypur revoltën. Pas rikthimit të kontrollit, filloi hakmarrja.
    U arrestuan dhjetëra të burgosur, 66 prej tyre u ridënuan me shumë vite të tjera burg, ndërsa katër u dënuan me vdekje dhe pushkatim:

    Ekzekutimi i tyre mbetet ende i mbështjellë me mister dhe dyshohet se trupat e tyre u varrosën në një varr të përbashkët në kodrat përgjatë aksit rrugor Tiranë-Elbasan – pa emër, pa shenjë, por me një emër të përjetshëm në ndërgjegjen e popullit shqiptar: martirë të lirisë.
    Nën vështrimin e diktaturës
    Në relacionin sekret të përpiluar nga komisari Shahin Skura dhe komandanti Haxhi Goro, përshkruhet me zell burokratik e gjuhë akuzuese “ngjarja e rëndë e jashtëzakonshme”. Aty përpiqen të minimizojnë motivet politike të revoltës dhe të fajësojnë disa individë të veçuar, por në të vërtetë ajo çka ndodhi në Spaç ishte pasqyrë e një revolte më të thellë: shpërthimi i njeriut kundër robërisë, i mendimit kundër dogmës, i shpresës kundër terrorit.
    Kujtesa dhe domethënia sot
    Revolta e Spaçit nuk është vetëm një kapitull i errët i represionit komunist, por edhe një majë e qëndresës morale, një shëmbëlltyrë e pathyeshmërisë njerëzore. Ajo është dëshmi e faktit se edhe në kushtet më çnjerëzore, ekziston një pikë kur njeriu thotë: mjaft!. Pikërisht në këtë fjalë nis revolucioni i ndërgjegjes, i lirisë dhe i dinjitetit.
    Në këtë përvjetor të Revoltës së Spaçit, kujtojmë jo vetëm katër martirët e pushkatuar, por të gjithë ata që i thanë jo diktaturës me çmimin e jetës së tyre. Ajo revoltë, edhe pse u shtyp, nuk u shua. Ajo ndriçon si një pishtar kujtese, një betim që historia nuk mund ta anashkalojë më:Shqipëria do të jetë si gjithë Europa – e lirë, demokratike dhe dinjitoze.