Tag: slush

  • Albania Future Now: ekosistemi i inovacionit shqiptar, prezantohet në një tjetër arenë ndërkombëtare.

    Albania Future Now: ekosistemi i inovacionit shqiptar, prezantohet në një tjetër arenë ndërkombëtare.

    Pas prezantimit dinjitoz në konferenca globale si ITB Berlinit, Gitex, Viva Tech në Paris, Shqipëria po ngjitet në një tjetër arenë të madhe ndërkombëtare: në Slush, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në botë për startup-e, investitorë dhe profesionistë të teknologjisë, që po zhvillohet në Helsink, në datat 19-20 nëntor.

    Nën sloganin “Albania Future Now”, Shqipëria po prezantohet me disa nga talentet, startup-et dhe mbështetësit e ekosistemit të saj, të inovacionit, që do të përfitojnë nga mundësitë e mëdha që Slush ofron për prezantime përpara investitorëve ndërkombëtarë dhe fondeve, që mund të nxisin e mbështesin zhvillimin e mëtejshëm të tyre; për lidhje me mentorë, partnerë teknologjikë dhe kompani të mëdha; për fitim përvojash nga historitë e suksesit të themeluesve, që kanë ndërtuar kompani të mëdha, nisur nga ide, në dukje të të vogla.

    Një nga shtyllat më të forta të progresit të inovacionit në Shqipëri është kapitali njerëzor, njerëzit me ide të guximshme, vizion dhe pasion për të krijuar ndryshim. Shqipëria po dëshmon se ka një bazë të gjerë talentesh, profesionistësh dhe sipërmarrësish, që mendojnë ndryshe, që nuk kanë frikë të eksperimentojnë e të ndërmarrin nisma të reja. Të mirë arsimuar, të lidhur me botën përmes dijes, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ata po e kthejnë kreativitetin e tyre në motor zhvillimi për Shqipërinë. Është pikërisht ky potencial njerëzor, që po tërheq vëmendjen e investitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe po e bën Shqipërinë një vend gjithnjë e më interesant në hartën rajonale të inovacionit.

    Rrugëtimi i këtyre startup-eve, është dëshmi e qartë e progresit, jo vetëm individual të tyre, por dhe i të gjithë ekosistemit në Shqipëri. Ajo çka filloi më pak se një dekadë më parë, me përpjekje sporadike të disa individëve dhe donatorëve, sot në Shqipëri, ka marrë formën e një ekosistemi të mirëfilltë, ku startup-et me ide të guximshme në mendje, gjejnë mbështetje në programe të ndryshme akselerimi, ku marrin mentorimin e duhur për t’u zgjeruar nga një fazë zhvillimi të startup-eve të tyre në tjetrin (programet e akselerimit tashmë organizohen nga aktorë lokalë, të cilët për shkak të vëmendjes ndërkombëtare, që tashmë Shqipëria e ka marrë, bashkëpunojnë me emra të mëdhenj, ndërkombëtarë: Growpreneur me Deep Ecosystem; Piramida/ Innovation Hub me Plug and Play).

    Produktet, shërbimet, kompanitë e tyre, marrin pjesë aktivisht në evente të ndryshme, “pitching“ për t’u prezantuar tek investitorë të ndryshëm. I tillë ka qenë rasti me Tirana Slush’d, modeli finlandez, që erdhi në Tiranë, për të dytin vit rradhazi, ku fituesi i këtij edicioni, përftoi një investim deri në 300,000, mundësuar nga investitori Fil Rouge Capital, një nga fondet më të njohura të kapitalit në rajon.

    Në këtë edicion të Slush, ku të pranishëm janë 200 folës dhe vendimmarrës, 1700 partnerë dhe ndërtues të ekosistemit, 3500 investitorë dhe 6000 startup-e, Shqipëria merr pjesë me 8 startup-e, të mbështetur nga EU4Innovation: DollAPP, Katalogim, LekoTech, PayStorm AI, Great Shift si edhe TeutAI, MedApp dhe Avenirs. Ata po përfaqësojnë në Slush Helsinki, jo vetëm kompanitë e tyre, por denjësisht edhe ekosistemin shqiptar, duke treguar qartë se Shqipëria ka talente, ide dhe energji për të qenë pjesë e hartës globale të inovacionit, se ekosistemi shqiptar i startup-eve po rritet e konsolidohet me hapa të sigurt, drejt një të ardhmeje më inovative dhe të lidhur me tregjet globale.

  • “Tirana Slush’D”/ Fituesit e edicionit të dytë do të përfaqësojnë Shqipërinë në Slush Helsinki

    “Tirana Slush’D”/ Fituesit e edicionit të dytë do të përfaqësojnë Shqipërinë në Slush Helsinki

    “Tirana Slush’D” përmbylli me sukses edicionin e dytë të saj, duke e kthyer kryeqytetin tonë në një qendër rajonale që promovon startup-et dhe krijon atyre ura bashkëpunimi me mentorë e investitorë ndërkombëtarë.

    Pas suksesit të parë, edicioni i dytë erdhi më i madh, më ambicioz dhe më i guximshëm.

    Organizuar nga B Limitless Agency, nën drejtimin e Boralda Minaj, në bashkëpunim me Enxhi Minaj dhe Tai Tran, ky event solli në Tiranë për herë të dytë shpirtin e Slush Helsinki, një nga skenat më të mëdha botërore të teknologjisë dhe inovacionit.

    Në këtë edicion morën pjesë mbi 50 startup-e nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe investitorë ndërkombëtarë nga Finlanda, Norvegjia, Holanda, Ballkani, Europa dhe Silicon Valley. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që njiheshin nga afër me potencialin e inovacionit shqiptar. Në finale, 10 startup-e të përzgjedhura prezantuan idetë e tyre përpara një jurie prestigjioze ndërkombëtare, duke garuar për çmime që mund të ndryshojnë rrjedhën e zhvillimit të tyre.

    Çmimin kryesor, “Opportunity Prize” me vlerë deri në 300,000 euro, e fitoi LekoTech, startup-i i themeluar nga Nikolin Ngjela, një projekt që u vlerësua për potencialin e lartë teknologjik dhe zhvillimin e tij në tregun global. Ky çmim u mundësua nga Fil Rouge Capital, një nga fondet më të njohura të kapitalit të rrezikut në rajon.

    Falë mbështetjes së EU4Innovation, pesë startup-e finaliste, LekoTech, PayStorm AI, Doll’App, Katalogim dhe Great Shift, do të përfaqësojnë Shqipërinë në Slush Helsinki 2025, më 19–20 Nëntor, ku do të kenë mundësinë të takohen me qindra investitorë, mentorë dhe partnerë potencialë nga mbarë bota. Gjithashtu, startup-i Pronto Korrier u shpërblye me dy bileta hyrëse për në Slush Helsinki, të mundësuara nga Business Finland. Tirana Slush’D 2025 solli një momentum të ri për inovacionin shqiptar. Me panele tematike, takime “face to face” dhe hapësira për të njohur e kuptuar njerëz dhe horizonte të reja, nëpërmjet Tirana Slush D, u krijuan ura bashkëpunimi mes aktorëve publikë, privatë dhe ndërkombëtarë.

    “Ky edicion tregoi se Shqipëria ka talente, ide dhe energji për të qenë pjesë e hartës globale të inovacionit. Falë partnerëve tanë, arritëm të krijojmë një platformë reale që lidh idetë me kapitalin dhe ëndrrat me mundësitë,”- u shpreh Boralda Minaj, Themeluese dhe Administratore e B Limitless / Tirana Slush’D.

    Ky edicion u realizua falë bashkëpunimit mes B Limitless Agency, Startup Albania dhe EU4Innovation, me mbështetjen e Fil Rouge Capital, EBRD, Unionit Financiar Tiranë, EIT Community Hub, Junior Achievement of Albania, Enterprise Europe Network Albania & AIDA, Swiss EP, Easypay, Business Finland, si dhe një sërë partnerësh të tjerë publikë dhe privatë.

    Shqipëria tregoi se me vizionin dhe guximin e të rinjve të saj, mund të udhëtojë larg, shumë më larg sesa kufijtë e saj gjeografikë. Ashtu si vetë idetë, burimi i të cilave shpesh mbetet mister, edhe vizioni i të rinjve shqiptarë nuk ka gjithmonë një shpjegim racional, por ka gjithmonë një busull që i orienton. Këtë herë, busulla na drejton drejt Helsinkit, më 19–20 nëntor. Si fitues të çmimeve dhe të ëndrrave që tashmë kanë marrë formë.