Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka dha së fundmi një intervistë për emisionin “Log” në Neës 24, drejtuar nga moderatori Endri Xhafo. Në intervistën e zhvilluar në kuadër të ndeshjes kundër Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Presidenti Duka zbuloi më tepër rreth gjendjes së skuadrës, objektivit që kanë kuqezinjtë në këtë ndeshje ndërsa tregoi edhe organizimin e bërë për mbarëvajtjen e këtij takimi.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar komentoi edhe çështjen e biletave, si edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Vuçiç, drejtuar trajnerit serb.
Si paraqitet gjendja e skuadrës
– Përgatitjet kanë filluar nga data 27. Vazhdojnë stërvitjet, ekipi është në gjendje të mirë shëndetësore. Kemi pasur vetëm 2-3 shqetësime të vogla që shpresoj që do të rikuperohen deri në ditën e ndeshjes dhe të gjithë do të jenë në dispozicion për ndeshjen kundër Serbisë. Deri tani i kemi të gjithë në dispozicion të trajnerit dhe pastaj do të vendosë ai se kë lojtar do të hedhë në fushë nga minuta e parë dhe kë më vonë. E rëndësishme është që ne të gjithë si një skuadër të kemi një performancë dhe rezultat pozitiv për të arritur objektivat tona.
Cili do të ishte rezultati pozitiv për ne, fitorja apo barazim?
– Në letër, dy skuadrat që luftojnë për vendin e dytë në grup jemi ne dhe Serbia. Anglia është më e favorizuar për të dalë në vend të parë në grup. Kjo mund të konsiderohet një derbi sportiv pasi ajo që do të arrijë rezultatin pozitiv do të ketë më shumë shanse për të siguruar vendin e dytë dhe për të shkuar në play-off. Rezultati pozitiv për ne janë tre pikët përderisa luajmë në shtëpi. Ky është objektivi i ekipit.
Na favorizon gjendja jo e mirë e Serbisë, me përplasjet që kanë brenda grupit?
– Janë skuadër profesioniste, me futbollistë profesionistë, të një niveli më shumë se mesatar. Nuk besoj se në një ndeshje të tillë, ku ka rëndësi klasifikimi për ekipin kombëtar, nuk do ta ndikonte asgjë. Favor për ne është që kemi një skuadër më kompakte me të gjitha komponentët, sportivë, jashtë fushës dhe jo vetëm me lojtarët, por edhe stafin. Dhe jo vetëm kjo, por edhe mbështetja e jashtëzakonshme. Meraku është që futbollistët të gjejnë balancën për të mos qenë në trysni për këtë rezultat, por të kenë impenjimin e balancuar, të domosdoshëm sportiv për të arritur këtë rezultat.
Serbia na mundi në ndeshjen e fundit në Elbasan, mund të jetë “Arena Kombëtare” fat për ne?
– Nuk ka lidhje një ndeshje e luajtur 10 vite më parë me një ndeshje që do të luhet sot. Kemi ndryshuar skuadër, ka ndryshuar Serbia. Jemi thuajse në të njëjtat nivele. Serbia është një skuadër për t’u respektuar nga pikëpamja kualitative. Ka futbollistë që luajnë në ekipe të mira dhe që kanë bërë karrierë të mirë sportive dhe kur janë në ditë të mira, të bëjnë ‘dëm’. Por kanë luhatjet e tyre dhe uroj që kur të jenë në Tiranë, të jenë në pikën negative.
Ju intereson më shumë rezultati apo mbarëvajtja e ndeshjes?
– Këtu jemi në një ndeshje futbolli dhe objektivi kryesor është që ta fitosh atë. Dhe pa dyshim, që ta fitosh në të gjitha kushtet optimale të organizimit. Jam shumë i bindur që me punën që është bërë dhe me thirrjet që i janë bërë mbështetësve, tifozëve dhe gjithkujt në Shqipëri, por edhe me eksperiencën që kemi, nuk do të kemi asnjë lloj problemi. Në një ndeshje me sensibilitet të tillë, ka edhe vëmendje të shtuar për organizimin, sigurinë, për biletat etj, por në fund të fundit i mbulon/zbulon gjërat rezultati. Uroj të kemi një rezultat pozitiv dhe ky është prokupimi ynë më i madh.
Biletat për këtë ndeshje
– Biletat janë të nominuara me emër dhe nuk do të lejohet askush të futet në stadium nëse nuk kanë të njëjtin emër në biletë. Nuk e di nëse ka vërtetë bileta në treg të zi apo janë thashetheme, por do të jetë me risk sepse riskojnë mos të futen në stadium.
Mund ta shohim stadiumin bosh sepse ata që e kanë blerë në treg të zi nuk do të lejohen të futen në stadium?
– Uroj që mos të ndodhë, por ata që kanë blerë biletën të futen në stadium dhe të mbështesin Kombëtaren.
Thirrja e Vuçiç për trajnerin dhe pse futbolli kalon ndonjëherë në nivele nacionalizmi?
– Është edhe për t’u gëzuar që futbolli është kaq i rëndësishëm saqë duan ta përdorin edhe për politikë. Edhe thirrja e Vuçiçit për trajnerin nuk besoj se është një gjë sportive, por është për të shfytëzuar lidhjet e veta politike në Serbi dhe nuk ka të bëjë me ne. Futbolli duhet të mbetet lojë dhe ne dhe futbollistët duhet ta shikojmë ashtu. Edhe politikanët duhet ta shohin si lojë dhe jo ta shfrytëzojnë për politikë.
Tag: skuadër
-

Presidenti Duka në “Log”: Rezultati pozitiv për ne janë tre pikët, ky është objektivi i skuadrës
-

Humbja e thellë ndaj PSG, Interi bën lëvizjen e papritur, ja ndryshimet në…
Interi ka bërë zyrtare goditjen e parë në këtë merkato verore, duke nënshkruar me mesfushorin kroat Petar Sucic nga Dinamo Zagreb. Futbollisti 22-vjeçar ka firmosur një kontratë pesëvjeçare dhe do t’i bashkohet menjëherë ekipit, përfshirë në Kupën e Botës për Klube këtë verë.
Sucic luan si mesfushor shkatërrues dhe pritet të shërbejë si zëvendësuesi i Hakan Calhanoglu në skuadër. Edhe pse Interi nuk ka bërë publike shumën e transferimit, raportimet flasin për një pagesë fillestare prej 14 milionë eurosh, me bonuse shtesë deri në 2.5 milionë euro.
Me Dinamon, Sucic ka zhvilluar 75 ndeshje dhe ka shënuar 9 gola në të gjitha kompeticionet. Ai numëron gjithashtu 7 paraqitje dhe 1 gol me kombëtaren e Kroacisë.
Ky afrimi mund të ndikojë në të ardhmen e Kristjan Asllanit, pasi konkurrenca në repartin e mesfushës shtohet, duke rritur mundësitë që ai të ndryshojë skuadër gjatë kësaj vere. -

Analiza/ “Mbrëmja e turpit”, ja pse dështoi keq Interi kundër PSG në finale
Nga një fushë lavdie në një skenë rrënimi, Mynihu nuk është më i njëjti për tifozët zikaltër.
Dje, “Allianz Arena” u kthye në skenën e një prej turpërimeve më të mëdha në historinë e klubit milanez. Humbja 5-0 ndaj Paris Saint-Germain në finalen europiane është një plagë e thellë, jo vetëm për Interin, por për të gjithë futbollin italian. Asnjëherë më parë një ekip italian nuk kishte humbur një finale ndërkombëtare me një rezultat të tillë.
Turp, po, në kuptimin më të plotë të fjalës. Një fjalë që rrallëherë duhet përdorur në sport, por që këtë herë duket e pashmangshme. Kur loja e dobët shndërrohet në ndjesi kolektive poshtërimi, atëherë nuk ka fjalë më të saktë. E vetmja mënyrë për të përballuar një dështim të tillë është ta emërtosh siç është: një masakër sportive.
NJË SKUADËR E SHPËRBËRË
Në analizën e saj të ashpër, “La Gazzetta dello Sport” nuk kursen kritikat: “PSG bëri gjithçka që deshi në fushë, dhe Interi qëndroi si spektator. Goditja e parë në portë nga Interi erdhi në minutën e 74-ët. Francezët patën 8 gjuajtje në kuadrat dhe mbi 20 në total.”Që nga minuta e parë, skuadra e Luis Enrique dominoi çdo aspekt të lojës: presion, intensitet, teknikë dhe organizim. Në anën tjetër, Interi i Inzaghit u duk i lodhur, i ngadaltë dhe pa ide. Shifrat janë të pamëshirshme, por ajo që rëndon më shumë është mungesa e reagimit dhe krenarisë.
ZËVENDËSIMET E PAKUPTIMTA
Trajneri zikaltër, në një nga mbrëmjet më të errëta të karrierës së tij, dështoi në çdo aspekt. Përballë një kundërshtari shumë më të freskët dhe teknik, ai nuk bëri asnjë ndryshim taktik të efektshëm. Katër nga pesë zëvendësimet e tij ishin në mbrojtje, ndërsa Frattesi, një nga mesfushorët më energjik dhe ishte shpresë për rikuperim, mbeti në stol.
NJOLLË MBI HISTORI DHE E ARDHME
Fati i keq donte që Interi të luante me fanellat e verdha: ngjyrat zikaltër të lavdisë evropiane nuk u njollosën, por imazhi i klubit u trondit rëndë. Dhe më keq akoma, u hodh hije mbi të ardhmen. Një skuadër e plakur – mesatarisht pesë vite më e vjetër se PSG – u rrëzua përballë një rivali plot freski e ide. Doué (19 vjeç), autor i dy golave dhe një asisti, dhe Yamal (17), që terrorizoi krahun e djathtë, ishin simboli i së ardhmes që Interi nuk po e përqafoi dot.
LODHJA, MUNGESA E THELLËSISË DHE FUNDI I NJË CIKLI
Problemet nuk lindën dje. Shenjat e rënies fizike kishin filluar që në fund të prillit, kur humbjet ndaj Bolonjës, Milanit dhe Romës i hoqën Interit mundësinë për titullin dhe Kupën e Italisë. Ngarkesa e madhe fizike, mungesa e zëvendësimeve cilësore, sidomos në sulm, dhe një varësi e tepruar nga veteranët, dolën në pah pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.Lautaro Martinez, lideri i padiskutueshëm i këtij ekipi, ishte një hije e vetvetes: i lodhur, i dëmtuar, i padukshëm. Dhe nuk ishte i vetmi.
KOHA PËR REFLEKTIM DHE RINDËRTIM
Kjo disfatë duhet të shërbejë si kthesë. Mbrojtja, përvoja dhe fiziku nuk mjaftojnë më. Futbolli modern është një lojë teknike, kreative, e mbështetur te rinia dhe imagjinata. “Në thelb, fiton ai që e trajton më mirë topin”, shkruan me të drejtë Gazzetta. Është koha që Interi të rigjenerohet, të krijojë një skuadër më të freskët, më teknike dhe më të shpejtë, që të mund të garojë seriozisht në të gjitha frontet. -

Finalja e Champions-it: e kujt i shkonte mendja te ky ekip, te ky rezultat …?!
Një rezultat i pabesushëm është regjistruar në një finale Champions-i. PSG shkërmoqi 5-0 Interin, duke u shpallur për herë të parë kampion Europe, ndodhur kjo në një skuadër pa yjet e djeshëm, pra pa Messi-n, Neymar e Mbappe, të cilët bashkë rezultuan dështim. Por do ishte një trajner si Luis Enrique që do ndërtonte një skuadër rezultatesh, edhe pse pa emra të mëdhenj, deri në fitimin e Champions-it, madje dhe me rezultat të thellë.
Interi nga ana tjetër, nuk kishte asnjë lidhje me atë skuadër që do dhuronte spektakël me Barçën, të cilën e eliminoi në gjysmëfinale pas dy ndeshjeve spektakolare.
Italianët ishin pothuajse intekzistentë përballë francezëve të papërballueshëm, njëherësh duke mos e rrezikuar për asnjë çast portën e kundërshtarëve.
Kujtojmë që pesë golat e PSG u shënuan nga: Hakimi 12′, Doue 20′, 63′, Kvaratskhelia 73′, Mayulu 87′.
Kështu, data 31 maj 2025 do futet në historinë e klubit francez, pasi për herë të parë në historinë e tyre fitojnë trofeun më të rëndësishëm në Evropë. /tesheshi.com/ -

“Kam kampionë bote dhe Europe në skuadër”, kërkesa e Inzagit për lojtarët: Mos jini të fiksuar me fitoren, çlirojeni mendjen
Nesër në mbrëmje do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve. PSG-ja dhe Interi do të përballen në Mynih për trofeun më të lakmuar në eang klubesh. Simone Inzagi është paraqitur në konferencë për shtyp përballë gazetarëve, ku ka treguar se çfarë u ka kërkuar lojtarëve të tij në këtë finale. Ai ka theksuar se futbollistët nuk duhet të jenë të fiksuar me idenë e të fituarit, por të jenë të çlirët dhe të përqendruar. Nuk kanë munguar edhe vlerësimet për kampin kundërshtar, ku shpreh konsideratë të lartë për Luis Enriken.
“Kam kërkuar përqendrim dhe vendosmëri, por jo fiksim. Dua që ata ta kenë mendjen të lirë. Kemi kampionë të botës, kampionë të Europës në skuadër. Për të fituar një finale të Ligës së Kampionëve do të na duhet të japim gjithçka. Po përgatitemi për çdo detaj. Do të përballemi me një skuadër të shkëlqyer, e cila e ka merituar finalen. PSG-ja ka forcë të pabesueshme dhe një trajner të madh, të cilin e adhuroj si trajner dhe si person”, ka deklaruar ndër të tjera Simone Inzagi./Sport Ekspres/ -

Pavard: Jam i lumtur që ndesh skuadër franceze në finale të Champions-it, por dua ta mund
Benjamin Pavard, mbrojtësi i Interit, u intervistua nga televizioni francez M6 në prag të finales së Ligës së Kampionëve, e cila do të luhet të shtunën kundër PSG-së: “Jam i lumtur që një skuadër franceze ka arritur në finalen e Ligës së Kampionëve. I uroj fat PSG-së, por tani luaj për Interin dhe do të bëj gjithçka për t’i mposhtur të shtunën”.
Ndeshjet kundër Bayernit dhe Barcelonës kaluan me emocione të mëdha. A ka kjo skuadër diçka më shumë në aspektin mendor?Gjëja e parë që kam vënë re kur mbërrita tek Interi ishte grupi i bashkuar. Kemi kaluar momente pozitive dhe të vështira, por gjithmonë jemi aty për të ndihmuar njëri-tjetrin. Nuk kemi yje, jemi një skuadër e plotë, që di të vuajë bashkarisht. Kjo është forca jonë.
Ju e keni mposhtur PSG-në në një finale Champions-i më 2020. E imagjinoj që këtë herë keni edhe më shumë dëshirë për ta luajtur këtë finale…Pas fitores me Bayernin i premtova vetes se do të luaja një tjetër finale Champions-i. Do të jap gjithçka në fushë, pastaj do të jetë trajneri që do të vendosë. Sidoqoftë, unë jam gati. Dua të jap gjithçka për këtë finale dhe ta sjell trofeun në Milano. Është një ëndërr për të gjithë ne, klubi dhe tifozët e meritojnë.
Çfarë mendoni për PSG-në?Besoj se është një nga skuadrat më të mira në botë, fakti që ndodhet në finale e tregon këtë. Është një skuadër e qëndrueshme dhe e balancuar, ka fituar tashmë dy tituj në Francë. Ka shumë cilësi, përveçse një trajner të madh, që ka treguar shumë si me Barcelonën, ashtu edhe me kombëtaren spanjolle. PSG është një skuadër e madhe. Nuk do jetë e lehtë, por edhe ne jemi skuadër e madhe, ndaj do ta përgatisim ndeshjen siç dimë. Do të luajmë pa presion, duke u bazuar në futbollin tonë.
A ju ka habitur transformimi i Ousmane Dembélé?Nuk jam befasuar, sepse ai ka talent. Është e vërtetë që këtë sezon ka shënuar më shumë gola se më parë, por po flasim për një lojtar që punon shumë dhe është mjaft inteligjent. Shpresoj të jetë i qetë në finale, por jam i lumtur që do ta takoj sërish, edhe pse këtë herë do të jemi kundërshtarë.
Riktheheni në Mynih, ku keni luajtur shumë vite dhe jeni larguar si fitues. A jeni pak supersticioz?Jo, jo… Është e vërtetë që kam kujtime të shkëlqyera nga eksperienca me Bayernin, ku fitova shumë trofe. Stadiumi është i mrekullueshëm, por tani jam tek Interi dhe do bëj gjithçka për të fituar aty, me zikaltërit. -

“Dembélé e meriton ‘Topin e Artë’ që tani. Përvoja? Në finalen ndaj Interit nuk do të bëjë diferencën”
Mesfushori portugez i PSG, Vitinha, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport” në prag të finales së madhe të Champions League kundër Interit, e cila do të luhet të shtunën e 31 majit në “Allianz Arena” të Mynihut. Ai ka folur për përgatitjen e skuadrës franceze, për rolin e trajnerit Luis Enrique dhe shkëlqimin e Ousmane Dembélé, të cilin e sheh tashmë në garë për “Topin e Artë”.
“Nuk besoj se përvoja do të jetë faktor vendimtar në këtë finale, – tha Vitinha. – Edhe pse jemi një skuadër më e re se Interi, kemi arritur në finale. Nuk është e shkruar askund që fiton gjithmonë skuadra me më shumë eksperiencë. Interi është një skuadër e madhe, do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi gati”.
Portugezi ka lartësuatr bashkëlojtarin e vet, Dembélé: “Për mua e meriton që tani ‘Topin e Artë’. Sidoqoftë, sezoni ende nuk ka përfunduar, shpresoj që finalja e Champions-it ta ndihmojë të imponohet. Sinqerisht, mendoj se çelësi i këtij sezoni ishte krijimi i një skuadre të vërtetë, me një lider të vërtetë si Luis Enrique. Mes lojtarëve, është e qartë që Dembélé spikat për cilësitë e tij”.
Pra, sipas Vitinha, tani PSG është më shumë skuadër, jo e varur nga individët yje, si dikur Neymar, Messi apo Mbappe: “Po, për PSG, ky është sezon më i mirë se i kaluari. E kishim paralajmëruar që do të bënim gjithçka për ta përmirësuar veten. Tani jemi më shumë skuadër, më shumë grup. Nuk ishte e lehtë, sepse në fillim, veçanërisht në Champions, e kishim të vështirë të shënonim. Na mungonte vetëm finalizimi, por kur u zhbllokuam, fituam besim dhe siguri në lojë. Prej aty bëmë hapin cilësor”.
Finalja e Champions-it ka edhe një simbolikë të veçantë për Gianluigi Donnarumma, ish-lojtarin e Milanit, që tani do të përballet me Interin.
“Gigio ka qenë një nga protagonistët tanë këtë sezon. Na ka shpëtuar në disa raste, kundër Arsenalit, Aston Villa dhe Liverpool-it. Kur luan në atë nivel, është portieri më i mirë në botë. Është kënaqësi dhe privilegj të luash me të”, – përfundoi Vitinha. -

Platini mbron Mbappé: Mos i kërkoni të luajë si unë apo Messi, por është fenomen
Ish-kampioni i Juventusit, Michel Platini, ka dalë në mbrojtje të Kylian Mbappé. Në sezonin e tij të parë te Real Madridi, nën drejtimin e Carlo Ancelottit, ish-kampioni i botës ka realizuar plot 42 gola në të gjitha kompeticionet, mes La Liga-s dhe kupave.
Këto janë fjalët e tij, të raportuara nga “RMC Sport” në Francë: “Mbappé është një djalë fenomenal. Ka shënuar 42 gola në Spanjë, ka fituar ‘Këpucën e Artë’, është golashënuesi më i mirë në Europë. Do të thotë që ka bërë mirë në këtë sezon. Luajti në një skuadër që nuk pati një vit të jashtëzakonshëm. Edhe Real Madridi po plaket disi. Carlo Ancelotti e ka përfunduar ciklin e tij”.
Ish-lojtari i Nancy dhe Juventusit e ilustroi idenë me përvojën personale, duke kujtuar se edhe ai kishte qenë golashënuesi më i mirë i sezonit, pa mundur ta ndihmonte skuadrën të fitonte. Më pas shtoi:
“Mbappé është një fenomen, është një sulmues që shënon. Mos i kërkoni të luajë si Messi, Modric, Platini apo Zidane. Është një sulmues, jo qendërsulmues…, nuk e kuptoj çfarë mendojnë trajnerët e rinj.
Është një sulmues që shënon. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Pastaj, duhet të dish një gjë: ose ndërton një skuadër që luan për të, ose ndërton një skuadër që luan mirë. Kjo është vështirësia”. -

Sommer: Kundër PSG-së na duhet e njëjta energji si ndaj Barcelonës
Në “media day”, edhe Yann Sommer doli para gazetarëve për të folur rreth finales së Champions League kundër PSG-së, që do të luhet të shtunën e 31 majit në “Allianz Arena”: “Finalja është një ndeshje e madhe për të gjithë ne, kemi bërë shumë gjëra mirë për të arritur deri këtu si skuadër. Ka shumë gëzim, por duhet të përgatitemi mirë”.
A mund ta ktheni zhgënjimin e kampionatit në karburant për Champions-in?Champions League është diçka krejt tjetër. Kemi bërë një sezon të mirë, por tani na kanë mbetur edhe disa ditë nga finishi, ndaj gëzimi, guximi dhe përqendrimi janë të rëndësishëm.
A është ky momenti yt më i mirë në karrierë?Vështirë të thuhet, por ndjehem shumë mirë. Gjatë viteve të fundit kam investuar shumë në formën time fizike dhe mendore. Të luash një finale me këtë skuadër është fantastike dhe po kënaqem.
Pasi keni eliminuar Barcelonën dhe Bayernin, ku e vendos PSG-në si nivel?Në të njëjtin nivel me të tjerët. Është një skuadër më e fortë se disa vite më parë. Do të jetë finale interesante për të dyja skuadrat. Duhet të kemi të njëjtën energji që patëm kundër Bayernit dhe Barcelonës.
Nëse shkoni te penalltitë, kush është favorit?Nuk e di dhe nuk mendoj për këtë, ndonëse përgatitja e ndeshjes përfshin edhe penalltitë. Më e rëndësishmja është paraqitja e skuadrës. -

Luis Enrique: Më pëlqen shumë si luan Interi, do të jetë një finale spektakolare
Trajneri i PSG, Luis Enrique, ka komentuar në një intervistë për “Sky Sport” pritshmëritë e finales së Champions League kundër Interit, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe progresin e bërë nga skuadra e tij gjatë sezonit.
Për sezonin e PSG-së: “Nuk ishte e mundur ta dija 100% se do ta arrinim këtë nivel, por kur punon maksimalisht, është e rëndësishme të përgatitesh për çdo zhvillim të mundshëm. Nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë dhe si do të reagojë skuadra, por jemi përmirësuar shumë, krahasuar me fillimin e sezonit”.
Për yjet në skuadër: “Për mua, ka shumë yje në këtë PSG. Bukuria është se ata janë në funksion të skuadrës, jo e kundërta. Ndihem me fat që kam lojtarë me nivel të lartë, por puna e të gjithëve është në shërbim të kolektivit. Futbolli është një sport ekipor, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Nuk varet nga individët”.
Për Interin dhe ndeshjen me Barcelonën: “E kam parë Inter-Barça 4-3 drejtpërdrejt dhe përsëri më vonë, edhe si tifoz i Barcelonës. Të dyja skuadrat meritonin finalen. Interi luan në nivel të lartë prej vitesh. Zikaltrit luajnë ndryshe nga të tjerët, dinë të luajnë lart apo ulët, kanë lojtarë si Lautaro dhe Thuram, dinë ta ndryshojnë mënyrën e presionit. Është një skuadër e vërtetë, ku të gjithë punojnë për kolektivin, por kanë edhe cilësi individuale të lartë. Të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë. U shënuan më shumë gola se ç’mendoja. Interi nuk ishte kurrë në disavantazh dhe kjo tregon aftësinë e tij për të menaxhuar çdo moment të ndeshjes. Zikaltrit janë shumë të mirë në ndërtimin e aksioneve në pozicion të qetë dhe gjithashtu të rrezikshëm në goditjet standarde. Shpresoj që finalja të mos jetë si ato dy sfida gjysmëfinale. Atyre iu pëlqen zotërimi i topit, edhe ne kemi të njëjtën karakteristikë”.
Finale e re Champions-i, pas asaj të fituar me Barcelonën më 2015: “Të arrish në finalen e Champions-it është shumë e vështirë. Ajo që bëra me Barcelonën ishte e jashtëzakonshme, do guxoja të thoja, edhe pse të gjithë thoshin se ishte e lehtë të fitoje me atë skuadër, por kemi parë që nuk është aspak e thjeshtë. Këtu, me presidentin dhe këshilltarin, kemi përzgjedhur lojtarët që donim të merrnim. Kam në skuadër shumë lojtarë të nivelit të lartë, që luajnë me një mentalitet skuadre, gjë e rrallë në futbollin e sotëm. Edhe Interi e ka këtë mentalitet. Këtu është ndryshe nga Barcelona, por cilësia e lojtarëve dhe personaliteti i tyre e bëjnë punën më të lehtë”.
Për finale e madhe të Mynihut: “Mendoj se do të jetë një finale e hapur, e luftuar, e bukur për t’u parë jo vetëm nga tifozët e dy skuadrave, por nga të gjithë. Më pëlqen shumë mënyra si luan Interi. Zikaltërve iu pëlqen të sulmojnë, vendosin shumë lojtarë në zona ofensive. Do të jetë një spektakël i vërtetë”.