I intervistuar nga “MilanNews.it”, gazetari i “Daily Mail”, Chris Wheeler, që merret kryesisht me çështjet e lidhura me Manchester United, foli kështu për objektivin numër një të merkatos kuqezi, Rasmus Hojlund:
“Te Manchester United nuk funksionoi shumë për të. Shënoi 16 gola në sezonin e parë, por vetëm 10 në të dytin, prej të cilëve 4 në Premier League, që nuk mjaftojnë për një klub kaq të madh dhe çmim kartoni të lojtarit kaq të lartë. Duhet të kemi pak mëshirë për të, sepse luante në një skuadër mesatare dhe furnizohej shumë keq. Për më tepër, iu desh të mbante një barrë të madhe duke qenë kaq i ri. Nëse sulmuesit blihen për 72 milionë paund, ndodh sepse duhet ta ringrenë një skuadër. Ai nuk e bëri kurrë këtë”.
Çfarë i mungoi për t’u imponuar në futbollin anglez?Nuk shënoi mjaftueshëm gola, kaq e thjeshtë. Nuk ishte cinik sa duhet para portës, siç duhet të jenë sulmuesit e mëdhenj. Është një sulmues fizik, por megjithatë u pa shpesh ta humbiste shumë lehtë dyluftimin. Nuk pati kurrë një lidhje të fortë me shokët e skuadrës.
Hojlund konsiderohet ndër sulmuesit më të dobët në historinë e Manchester United…Jo, kjo do të ishte e padrejtë të thuhej. Ishte fatkeqësi që firmosi për një shumë të fryrë dhe luajti në një skuadër të dobët të Manchester United. Edhe sulmues të tjerë të shtrenjtë kanë vuajtur te “Djajtë e Kuq”: Gary Birtles dhe Alan Brazil në vitet ’80, në kohët më të fundit edhe emra si Radamel Falcao. Manchester United nuk ka pasur një qendërsulmues të madh që prej kohës së Robin van Persie dhe, për një periudhë të shkurtër, Zlatan Ibrahimovic.
A mund të rilindë në futbollin italian?Shpresoj. Shifrat që tregoi tek Atalanta ishin aq të mira sa e bindën Manchester United ta blinte. Bëri mirë edhe te Sturm Graz. Shumë lojtarë që nuk patën sukses te Manchester United, si Romelu Lukaku, Alexis Sanchez dhe Matteo Darmian, kanë bërë mirë në Itali. Pastaj, Hojlund ka ende një karrierë të gjatë përpara.
Tag: skuadër
-

“Hojlund ka paguar fajet, që nuk ishin vetëm të tija. Në Itali mund të rilindë”
-

Drejtori Pea shpjegon risitë e sezonit të ri për Qendrat Rajonale & projektin TDS
Edhe për sezonin e ardhshëm, FSHF-ja do të ruajë të njëjtën strukturë teknike në aktivitetin e rëndësishëm që zhvillohet në Qendrat Rajonale dhe në projektin TDS.
Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, ka dhënë një deklaratë për fshf.org, ku ka folur për risitë e këtij sezoni dhe ka prezantuar emrat e rinj që janë bërë pjesë e stafit teknik.
“Edhe vitin e ardhshëm Qendrat Rajonale do të kenë dy skuadra, një e vitit 2013 dhe një skuadër e re e vitit 2014. Përzgjedhja do të bëhet në shtator nga trajnerët tanë të ekipeve të moshave që do të ndjekin seleksionimet e do të zgjedhin 23 lojtarët më të mirë për kategorinë 2013 dhe 2014 për secilën Qendër Rajonale” – u shpreh z.Pea.
“Rreth 95% e trajnerëve janë konfirmuar sërish për punën e shkëlqyer të kryer nga Koordinatori ynë Teknik, Erjon Stavri, por edhe për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar nga 8 Drejtorët Teknikë të Qendrave, si dhe për punën e shkëlqyer të bërë nga trajnerët, të cilët kanë ndjekur metodologjinë e punës së FSHF-së. Ata kanë marrë propozimin për të vazhduar edhe këtë sezon” – konfirmoi Trejtori Teknik i FSHF.
“Në sezonin e ardhshëm do të ketë 2 trajnerë për portierët, të koordinuar nga Erion Meta, përgjegjësi i sektorit të portierëve: për zonën e veriut, Baholli, dhe për zonën e jugut, Halilaj, të cilët, së bashku me Erjon Stavrin, do të ndjekin seancat stërvitore të skuadrave çdo të hënë. E dimë shumë mirë që roli i portierit është shumë specifik, ndaj kemi menduar të rrisim monitorimin, si për trajnerët, ashtu edhe për lojtarët. Ndaj, në çdo Qendër Rajonale, çdo të hënë do të zhvillojmë një vizitë që do të na lejojë të monitorojmë nga pikëpamja teknike dhe e rritjes së secilit fëmijë” – shtoi më tej.
“Brenda aktiviteteve të Qendrave Rajonale kemi projektin TDS. Vitin e ardhshëm kemi një risi, në fakt dy. E para, kemi shtuar një figurë të re, Cyme Lulaj, në rolin e Koordinatorit Teknik, duke ndjekur udhëzimet e Erjon Stavrit, ndaj çdo të hënë do të shkojë në çdo qytet dhe Qendër Rajonale për të ndjekur stërvitjet” – shpjegoi Fulvio Pea.
“Risia e dytë është që vitin e ardhshëm, për herë të parë, të tetë Qendrat Rajonale do të formojnë një skuadër. Kjo përbën një risi të bukur që na bën krenarë. Përveç Tiranës, e cila ka një numër më të madh banorësh se qytetet e tjera, qytetet e tjera do të kenë 2 skuadra: një skuadër për 2012/13 dhe një skuadër për 2014” – përfundoi ai. -

Miqësorja me Tiranën, Elbasani e sheh vetëm si test për karakterin
Elbasani do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore me Tiranën që do të shërbejë si test serioz për formacionin. Pritet që trajneri të eksperimentojë me disa variante taktike dhe të hedhë në fushë formacione të ndryshme, për të parë se kush përshtatet më mirë në skemën që po ndërton.
Në këtë fazë, më shumë se rezultati, rëndësi ka reagimi në fushë dhe niveli i përgatitjes, si në aspektin fizik, ashtu edhe në disiplinën e detyrave. E gjithë atmosfera në skuadër flet për një fazë të mbushur me seriozitet dhe përgjegjësi.Elbasani nuk është më skuadër që sapo është ngjitur, por një emër që kërkon të konsolidohet në elitë dhe të shmangë vuajtjet e sezonit të kaluar. Stërvitja intensive, qasja e fortë e trajnerit dhe ndjenja e konkurrencës së brendshme janë shenja që ky sezon do të kërkojë shumë më tepër.
-

Egnatia dëshiron kualifikimin dhe milionat e Europës, kërkesat për bileta janë rritur ndjeshëm
Egnatia e Rrogozhinës po jeton ditët më të lavdishme në historinë e saj. Klubi që vetëm disa vite më parë bënte përpjekjet për të ngjitur shkallët e futbollit shqiptar, sot është në turin e tretë të Conference League, duke kaluar për herë të parë dy raunde europiane.
Kualifikimi ndaj Dinamo Minskut nuk ishte thjesht një sukses teknik, por një provë karakteri, vendosmërie dhe pjekurie për një skuadër që nuk ndalet më në ëndërrimin e saj. Në fitoren ndaj bjellorusëve u pa qartë një skuadër me bosht të qartë, me ide të pastra loje dhe me përqendrim maksimal në momente kyçe. Në ndeshjen e kthimit, Egnatia mbrojti me mençuri avantazhin minimal dhe arriti të menaxhojë presionin, duke treguar se suksesi i turit të parë nuk ishte rastësi. Loja pragmatiste e Tetovës, forca e grupit dhe ekuilibri mes reparteve janë bërë identiteti i kësaj skuadre, e cila nuk ka emra të mëdhenj, por funksionon si një mekanizëm i mirëvajtur.TANI VJEN OLIMPIJA LJUBLJANA – Përballja e radhës është tashmë e qartë: Olimpija Ljubljana, një emër me më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare. Ndeshja e parë do të luhet javën që vjen në transfertë, ndërsa kthimi në Rrogozhinë pritet të jetë një tjetër mbrëmje emocionuese për tifozët dhe komunitetin. Sfida është e vështirë, por jo e pamundur. Egnatia e këtij sezoni ka treguar se di të luajë me nerva të ftohta dhe nuk trembet përballë emrave më të mëdhenj. Pavarësisht mungesës së eksperiencës, ajo që e veçon këtë skuadër është qetësia, bindja në mënyrën e lojës dhe dëshira për të ecur më tej.
LAVDIA DHE PARATË – Kualifikimi në turin e tretë nuk sjell vetëm lavdi sportive, por edhe përfitime konkrete financiare. Me kalimin e çdo turi, shpërblimi nga UEFA rritet dhe arkëtimet gjithashtu. Tashmë, jo vetëm që është në lojë, por është bërë edhe model për mënyrën se si ndërtohet një projekt solid: pa zhurmë, pa bujë mediatike, por me punë të heshtur dhe profesionalizëm. Në qytet ndjehet qartë atmosfera entuziaste. Rrogozhina është veshur me simbolet e klubit, ndërsa kërkesa për bileta është rritur ndjeshëm që tani. Lojtarët, stafi dhe drejtuesit janë të vetëdijshëm se përballja me Olimpijën do të jetë një sfidë më e fortë se të mëparshmet, por asgjë nuk është më e bukur sesa të provosh kufijtë e mundësive të tua. Klubi është në rrugën e duhur, skuadra është e uritur dhe ëndrra europiane tashmë ka marrë formën e një realiteti të bukur. Ndeshja me Olimpijën është thjesht kapitulli tjetër i një historie që ende nuk ka arritur kulmin. Një histori që e ka nisur në heshtje… por po shkruhet me germa të arta. -

Elbasani i sivjetëm, shumë “kurnac” në merkato
Në futbollin shqiptar, vera është shpesh sezoni ku skuadrat kërkojnë të zgjidhin gjithçka. Shumë klube e shohin dritën në fund të tunelit te merkatoja: ndryshojnë trajner, ndërrojnë thuajse gjithë skuadrën dhe shpresojnë që afrimet e reja do të përmbysin fatin e një sezoni që ende nuk ka nisur.
Pjesë e këtij realiteti ka qenë edhe Elbasani një vit më parë, kur i rikthyer në Superiore, nisi një proces të thellë transformimi për të ndërtuar një skuadër nga e para. Duke e nisur nga trajneri dhe deri tek lojtarët, që erdhën me shumicë. Por, këtë verë gjithçka duket ndryshe.Elbasani nuk është më në kërkim të shpëtimit përmes numrave të merkatos, por po ecën drejt një rruge të qëndrueshme, duke ruajtur boshtin e një skuadre të formuar dhe duke ndërhyrë vetëm në pika të caktuara. Diferenca midis verës së kaluar dhe asaj të këtij viti është jo vetëm në numër afrimesh, por edhe në filozofi pune: nga ndërtimi i një grupi të ri, te përmirësimi i një strukture tashmë ekzistuese.
AFRIMET 2024 – Në verën e vitit 2024, Elbasani vinte nga Kategoria e Parë dhe përballa me Superiore kërkonte përgatitje të thellë. Drejtuesit dhe stafi teknik e dinin mirë që për të pasur mundësi reale për të qëndruar në elitë apo konkurruar, duhej të ndërtohej një skuadër tërësisht e re. Kjo u përkthye në një merkato të zjarrtë, me plot 12 afrime, që prekën të gjitha repartet: nga porta, te mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Nuk kishte luks për eksperimente apo për t’u mbështetur vetëm te ata që sollën ngjitjen. Ky ishte një sezon ku duhej të investohej dhe të mendohej në funksion të garës së re. Ky transformim solli edhe pasiguri në fillim, por në fund u arrit qëllimi minimal: qëndrimi në Superiore, një sezon më i qetë në pjesën e dytë dhe mbi të gjitha ngritja e një bërthame mbi të cilën mund të ndërtohej më tej.
AFRIMET 2025 – Ndryshe nga një vit më parë, këtë verë Elbasani ka vepruar me qetësi dhe maturi. Deri në këtë fazë të merkatos, janë bërë vetëm 4 afrime, një shifër që në pamje të parë mund të duket e ulët, por në fakt është tregues i një qasjeje më të pjekur. Ndërhyrjet kanë qenë të kujdesshme, vetëm aty ku është parë realisht nevoja për përmirësim dhe jo për zëvendësim masiv. Ky vendim nuk vjen nga rastësia, por nga një qëllim i qartë: të ruhet vazhdimësia, të mbrohet grupi që tashmë është harmonizuar dhe të mos rrezikohet çfarë është ndërtuar me vështirësi një vit më parë. Elbasani nuk është më në fazën e rindërtimit, por në fazën e konsolidimit. Ekipi është më i formuar, më i qartë në identitet dhe më i aftë të përballojë sezonin me themele të shëndosha. Krahasuar me sezonin e kaluar, ky ndryshim në qasje tregon shumë për filozofinë që po ndjek klubi. Nuk është më merkatoja ajo që “shpëton” Elbasanin, por puna e një viti dhe besimi te një grup që tashmë ka kaluar një sezon të plotë së bashku. Ky është ndryshimi më i madh mes dy verërave: nga një skuadër që ndërtohej nga e para, në një skuadër që kërkon vetëm të rafinohet.
S’KA REVOLUCION – Për shumë skuadra, merkatoja është periudha e shpresave të mëdha, por edhe e gabimeve të mëdha. Elbasani ka kaluar këtë fazë. Nuk ka më nevojë për ndryshime të rrënjësishme, sepse tashmë ka gjetur stabilitetin. Rruga e ndërtuar vitin e kaluar po vazhdon me hapa më të matur dhe më të qëndrueshëm. Kjo nuk do të thotë se Elbasani ka pushuar së investuari apo nuk kërkon rritje. Përkundrazi, përzgjedhja e afrimeve është bërë me kujdes më të madh, në funksion të harmonisë së skuadrës, konkurrencës së brendshme dhe kërkesave specifike taktike të trajnerit. Për herë të parë, Elbasani nuk po vepron me ngut, por me vetëdije dhe qartësi për rrugën që po ndjek. Ky është treguesi më i qartë që klubi nuk po mendon më vetëm për sezonin që vjen, por për një projekt afatgjatë që kërkon vazhdimësi dhe jo vetëm entuziazëm momental. Në një futboll ku shpesh ndryshimet bëhen për zhurmë, Elbasani këtë verë ka zgjedhur të heshtë, por të ndërtojë. Dhe kjo është një zgjedhje që, në fund, jep gjithmonë më shumë fryte. -

Leao: Tani luajmë si skuadër, gjithçka ka ndryshuar në krahasim me të kaluarën
Rafael Leao, sulmuesi i Milanit, foli në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore ndaj Perth Glory, e fundit në turneun veror të kuqezinjve.
Çfarë pret nga ndeshja e nesërme?Pres një ndeshje të mirë ndaj një skuadre të fortë. Trajneri na ka shpjeguar si të sulmojmë dhe mbrohemi kundër tyre, por më e rëndësishmja është të jemi gati për fillimin e kampionatit. Duhet të përgatitemi mirë, qoftë 45 apo 90 minuta, të përpiqemi të fitojmë, por qëllimi kryesor është të jemi në formë për nisjen e sezonit të ri. Ne do të japim maksimumin për ta mundur Perth Glory.
Sa ndikim ka mbështetja e tifozëve australianë të Milanit?Janë shumë dhe ngrohtësia e tyre ndjehet. Është shumë bukur të luash në këto kushte. Jemi shumë të lumtur për mikpritjen dhe do mundohemi t’i shpërblejmë me një paraqitje të mirë.
Çfarë ju ka dhënë Massimiliano Allegri?Ne kemi një trajner me eksperiencë, që ka fituar me Milanin. Jemi një grup i ri me disa lojtarë më me përvojë që janë këtu prej kohësh. Po ndërtojmë skuadrën me shpirtin e duhur, që na ndihmon edhe kur nuk luajmë mirë. Krahasuar me të kaluarën, gjithçka ka ndryshuar. Ndiej që këtë sezon Milani do të jetë një skuadër e vërtetë. Kemi lojtarë të rëndësishëm, që bëjnë diferencën, por mbi të gjitha do të kemi frymë të madhe skuadre.
A do të të pëlqente të kthehesh në Perth në shkurt për ndeshjen Milan-Como?Nuk është ende zyrtare dhe nuk mund të them shumë, por nëse do të luanim përsëri këtu, do të ishte shumë bukur, sepse do të kishim shumë tifozë dhe do të ishte kënaqësi. -

Elbasani për “Guinness”, 10 sulmues në skuadër
Elbasani i këtij sezoni duket se ka zgjedhur të ndërtojë identitetin e vet rreth sulmit. Në prag të rikthimit në elitë, klubi ka kompletuar një grup me plot 10 lojtarë që zotërojnë tipare ofensive, duke i ofruar trajnerit një arsenal të pasur alternativash.
Emra si Arsen Lleshi, Blaise Tsague, Roei Ben Shimon, Ze Gomesh, Xhoel Doukouou, Karim Loukili, Ibrahima Dialo, Xhonatan Lajthia, Donart Ibrahimi dhe Fatjon Bunjaku, përbëjnë një “dhjetëshe”, që në vetvete mund të formojë një njëmbëdhjetëshe sulmuese. Të gjithë këta lojtarë janë ose sulmues të mirëfilltë, ose mesfushorë ofensivë që luajnë afër portës. Në këtë aspekt, Elbasani vjen me një strategji të qartë: të jetë një skuadër që krijon, sulmon dhe nuk mjaftohet me mbijetesën në Superiore.
LUKS APO PROBLEM? – Të kesh 10 lojtarë me profil sulmues është pa diskutim një luks në aspektin e alternativave, por njëkohësisht edhe një dilemë për stafin teknik. Në një formacion klasik me tre lojtarë ofensivë, do të thotë që çdo javë 6–7 prej tyre do mbeten në stol apo jashtë liste.Në këtë pikë, disa prej lojtarëve të vjetshëm, që kanë qenë titullarë në Kategorinë e Parë, mund të sakrifikohen, në varësi të formës dhe nivelit të përshtatjes me ritmin e elitës. Emrat e rinj si Ben Shimon, Ibraimi apo Bunjaku pritet të sfidojnë vendet e siguruara të mëparshme. Po ashtu, lojtarët si Xhoel apo Lajthia që vijnë nga përvoja në Superiore, janë në avantazh për të fituar besimin e trajnerit.
FLEKSIBILITET NË SULM – Në aspektin taktik, prania e kaq shumë elementëve ofensive i jep trajnerit fleksibilitet për të ndryshuar skema: nga 4-2-3-1 te 4-3-3 apo edhe 3-4-2-1. Më shumë sesa një skuadër klasike “promovuese”, Elbasani po përpiqet të ngjajë me një projekt modern, me theks te loja e hapur dhe dominimi me topin. Faza përgatitore në Greqi do të jetë vendimtare për të filtruar më të mirët, por një gjë është e sigurt: ky Elbasan nuk do t’i mungojë golat këtë sezon. Rreziku i vetëm? Të mos shndërrohet ky “sulm total” në një çekuilibër që dëmton prapavijën. -

“Objektivi është kalimi në raundin tjetër”, Tetova optimist: Besoj te forca e grupit, ja situata në skuadër
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova u shpreh optimist para ndeshjes ndaj Dinamo Minsk në turin e dytë të Conference League.
Si ka qenë udhëtimi dhe si është akomoduar grupi në prag të kësaj ndeshjeje të rëndësishme europiane? Si është gjendja psikologjike?Udhëtimi ka qenë shumë i përshtatshëm, kemi ardhur që ditën e hënë në Hungari. Jemi stërvitur këtu në kushte të mrekullueshme. Theksin e punës e kemi vendosur edhe tek ana psikologjike. Klubi mendoj që do të ishte më mirë akoma të vinim këtu tre ditë përpara ndeshjes.
A ka rikthime të rëndësishme në skuadër për këtë takim, si paraqitet gjendja fizike e lojtarëve?
Nga pezullimi prej kartonit të kuq rikthehet Lushkja, por jemi të detyruar të bëjmë pa dy lojtarë të tjerë, Ndreca dhe Leo Melo. Gjendja fizike është e mirë, edhe lojtarët që kanë ardhur më mbrapa po shkojnë drejt normalizimit të formës sportive.
Çfarë dinamikash prisni nga Dinamo Minsk si kundërshtar dhe cilat janë pikat që keni evidentuar gjatë analizës së tyre?
Bjellorusët janë një skuadër e fortë fizikisht, sigurisht, dhe në ritëm kampionati kombëtar, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën.
Cili është objektivi i Egnatias për këtë sfidë, vetëm një rezultat pozitiv, apo mendoni edhe për menaxhimin e dy ndeshjeve të turit?
Ne kemi si objektiv të kalojmë në raundin tjetër duke bërë më të mirën në fushë, të gjithë bashkë.

