Nga Julia Vrapi
“Streha e Nemun” bazuar në tragjikomedinë “Liza në maj” një shfaqje, që flet për dashurinë, vetminë dhe kërkimin e kuptimit në jetë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Premiera e shfaqjes “Streha e Nemun” me regji të Ilir Bokshit u dha më parë gjatë muajit mars në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe vjen për publikun në Tiranë në Teatrin Eksperimental te “ArTurbina”. E bazuar në veprën e njohur “Liza në maj” nga Sh. Poshgaj, kjo shfaqje teatrore sjell në skenë një histori që pasqyron dilemat ekzistenciale të njeriut modern, duke ndriçuar temat e dashurisë, vetmisë dhe kërkimit të kuptimit në jetë. “Me regji nga Ilir Bokshi, “Streha e Nemun” premton të sjellë një qasje artistike bashkëkohore, ku minimalizmi skenik dhe simbolika do të ndihmojnë në thellimin e përjetimit artistik.
Duke ndërthurur humorin dhe tragjedinë, shfaqja jo vetëm që fton publikun të reflektojë mbi zgjedhjet e jetës, por gjithashtu hap një dialog të rëndësishëm mbi sfidat emocionale me të cilat përballet njeriu sot”, thuhet në materialin e shfaqjes nga teatri. “Streha e Nemun” do të shfaqet për publikun në mbrëmjet e datave 3 dhe 4 prill në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në shfaqjen me regji nga Ilir Bokshi, interpretojnë në role aktorët Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi, Adrian Morina. Skenografia është realizuar nga Petrit Bakalli dhe kostumografia është nga Alma Krasniqi.
Protagonistja e shfaqjes
Në shfaqjen teatrore “Streha e Nemun”, Lajzelota, një infermiere 35-vjeçare, është protagoniste e një rrëfimi të fuqishëm. Në materialin rreth veprës, thuhet se përmes përpjekjeve të saj për të gjetur dashurinë dhe përmbushjen emocionale, ajo përballet me sfida, zhgënjime dhe reflektime të thella mbi natyrën e marrëdhënieve njerëzore. “Aktorët Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi, Adrian Morina do të interpretojnë të gjithë personazhet, duke krijuar një dinamikë unike dhe një atmosferë të pasur emocionale për publikun”, thuhet rreth shfaqjes teatrore, që do të jetë për dy mbrëmje me radhë në skenën teatrore për publikun në Tiranë. Shfaqja që do të vihet në skenë në Teatrin Kombëtar Eksperimental synon të prekë thellë çdo spektator, duke i dhënë mundësinë të gjejë veten në historinë e Lajzelotës.
Kjo shfaqje që vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me regji nga Ilir Bokshi është në vijim dhe të atyre më parë në aktivitetin e tij si regjisor. Ilir Bokshi është vlerësuar si një ndër regjisorët më të suksesshëm në Kosovë. Ai studioi gjatë viteve 1993-1994 në Bukuresht të Rumanisë për Regjinë Teatrore në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit. Ilir Bokshi ka realizuar regjinë e shfaqjeve anë e mbanë teatrove shqiptare. Herë pas here në teatrot në Tiranë shfaqen vepra teatrore me regji të tij, ku këtë muaj në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vjen shfaqja me titull “Streha e Nemun”.
Tag: skenën
-

“Streha e Nemun” , një histori që pasqyron dilemat ekzistenciale të njeriut modern