Tag: skenën

  • Analisti Vokshi tregon prapaskenat që çuan në burg liderët e UÇK-së

    Analisti Vokshi tregon prapaskenat që çuan në burg liderët e UÇK-së

    Kosova E Mërkurë, 16 Korrik 2025 22:02
    Analisti Indrit Vokshi ishte i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku komentoi prapaskenat e asaj që ai e konsideron si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar në skenën politike të Kosovës përmes Gjykatës Speciale. Sipas Vokshit, kjo gjykatë nuk është një institucion i pavarur, por një mekanizëm në duart e vendeve perëndimore, që përdoret për të kufizuar ose orientuar zhvillimet politike në Kosovë.
    “Gjykatat ndërkombëtare janë përdorur gjithmonë për të ndërhyrë në skenën politike të një vendi. Më parë përdornin vrasjet për të eliminuar politikanë, sot përdorin gjykatat,” tha Vokshi. Sipas tij, krerëve të UÇK-së u është dhënë zgjedhja: ose të tërhiqen nga politika, ose të përballen me drejtësinë ndërkombëtare. Vokshi theksoi se Gjykata Speciale nuk financohet nga Serbia apo Rusia, por nga vendet evropiane, veçanërisht nga Gjermania, që sipas tij, përmes Procesit të Berlinit, ka kërkuar të korrigjojë skenën politike në Kosovë.

    “Shikoni partitë politike që ishin kundër zhbërjes së Gjykatës: ishin Vetëvendosja dhe LDK. Ishte një përpjekje për të eliminuar një lojtar të SHBA-së në atë kohë, Hashim Thaçin, për ta larguar nga skena politike. Është një mekanizëm politik për ata që nuk mundën të transformohen nga elitë luftarake në elitë paqësore në Kosovë,” tha Vokshi. Ai solli si shembull rastin e Ramush Haradinajt, i cili, sipas tij, u dërgua në Hagë sa herë që mori postin e kryeministrit.
    “Kur u bë Ramush Haradinaj herën e parë kryeministër, pas 100 ditësh u çua në Hagë. Edhe herën e dytë, kur u bë kryeministër, prapë u thirr në Hagë. Pra, gjykatat ndërkombëtare janë një mekanizëm për të kufizuar politikën në Kosovë,” u shpreh Vokshi. Ai shtoi se kur Hashim Thaçi kuptoi rolin e Gjykatës, tentoi ta zhbënte me mbështetjen e Nismës dhe AAK-së, por nuk arriti sepse “faktori ndërkombëtar ndërtoi dy parti politike, Vetëvendosjen dhe LDK-në”, të cilat penguan shfuqizimin.
    “Ata që janë në Hagë sot, e kanë bërë burgun, nuk kanë më çfarë të bëjnë. Partitë që janë aty brenda nuk guxojnë të rebelohen, sepse kërcënohen që të mos konsiderohen më si partner politik,” u shpreh ai. Në fund, Vokshi tha se ka një “intrigë tjetër” në skenën politike në Kosovë, pasi një pjesë e klasës aktuale politike nuk dëshiron rikthimin në politikë të Hashim Thaçit apo Kadri Veselit. Ndërkohë, sipas tij, Ramush Haradinaj “është zbutur” dhe qëllimi ka qenë hapja e rrugës për një brez të ri politikanësh, ndonëse ky brez, sipas Vokshit, nuk është domosdoshmërisht më i pjekur se ai i mëparshmi.

  • Të pathënat e Al Pacino-s

    Të pathënat e Al Pacino-s

    Në atë mbrëmje të ngrohtë pranvere në mars të vitit 1983, Al Pacino dha gjithçka duke performuar në skenën e fundit të filmit “I shënuari”, ose “Njeriu me shenjë”, siç erdhi në shqip.
    Ai kishte thënë frazën e famshme “Përshëndetje shokut tim të vogël” ndërsa mbante një M16 me një obus të modifikuar në dorë, me të cilin filloi të qëllonte pa dallim në çdo gjë që lëvizte. Ai kishte qëlluar tridhjetë fishekë kur dora e tij e majtë aksidentalisht ngeci në tytën e armës, e cila po ziente, dhe kësisoj u dogj rëndë.
    Kur e çuan në spital, një mjeke që u thirr në urgjencë e shikoi burrin me rroba të njollosura me gjak, i cili vuante nga dhimbja, me pothuajse neveri. Ndërsa shkuan për të pastruar plagën, ajo e njohu aktorin dhe e pyeti nëse ishte Al Pacino, ndërsa pas “po”-së tij shtoi: “Në fillim mendova se ishe ndonjë endacak…”.

    Kjo skenë në spital hap kapitullin e autobiografisë së aktorit të famshëm të titulluar “Sonny Boy” që përqendrohet në “Scarface”-in tashmë monumental. Një film jashtëzakonisht i dhunshëm për kohën e tij, në të cilin Pacino luan rolin e Tony Montana-s, një emigrant kubanez dhe sagës së tij të përgjakshme, në rrugën drejt majës që kalon përmes vrasjeve, tradhtive, marrëveshjeve me bosët e drogës dhe një gruaje fatale.
    Siç thekson ai në librin e botuar nga Key Books, donte të realizonte “The marked one” kur pa filmin origjinal me të njëjtin titull me miqtë e tij, i cili u drejtua nga Hoëard Haëks në vitin 1932. Vetëm se këtë herë gjithçka do të ishte ndryshe në versionin e tij të ri, i cili u transferua në Amerikën moderne dhe valën e emigracionit të vitit 1980, gjatë presidencës së Jimmy Carter. Në atë kohë, 125,000 kubanë u larguan nga ishulli me bekimet e Fidel Castro-s dhe mbërritën me anije si emigrantë në Florida, për të bërë një fillim të ri.

    Sidney jashtë, Brian brenda!
    Ideja e protagonistëve kubanë në film ishte e regjisorit Sidney Lumet dhe Oliver Stone e pëlqeu shumë, i cili mori përsipër detyrën e shkrimit të skenarit. Megjithatë, Lumet e kuptoi shpejt se vizioni i tij për filmin – ai donte që ai të ishte një film politiko-social – ishte në kundërshtim të plotë me sagën e përgjakshme që kishte në mendje producenti i filmit dhe miku i ngushtë i Al Pacino-s, Martin Bergman.
    Kështu që Lumet u largua sapo lexoi skenarin dhe u zëvendësua nga Brian De Palma, ndërsa Pacino mori mësime intensive gjuhe dhe shqiptimi me Steven Bauer, kubanezin e vetëm në kast.
    Problemet nuk munguan që në fillim, pasi kur ekipi dhe kasti mbërritën në Miami, kubano-amerikanët që jetonin atje, të cilët ishin informuar për rastin, ngritën kundërshtime serioze.
    Kështu, xhirimet u zhvilluan kryesisht në Los Angeles, Santa Barbara dhe Kaliforni me pak Miami, dhe zgjatën nga 22 nëntori 1982 deri më 6 maj 1983.

    Tony Montana rezultoi të ishte fantazia fajtore e miliona njerëzve, duke filluar si kamerier në një kantinë deri te shpërndarja e dhjetëra miliona dollarëve, blerja dhe shitja e kokainës. Kushdo që i del përpara eliminohet shpejt nga “cara cicatriz”, “i shënjuari”, i cili e do moton “Bota është e jotja” dhe ngrihet me shpejtësi marramendëse.
    Por kjo ngritje meteorike e Tony-t të varfër do të shoqërohej nga një rënie po aq e pjerrët dhe spektakolare, e cila merr formë në skenën e fundit të filmit. Ku Pacino, pasi ka marrë doza të njëpasnjëshme kokaine – De Palma nuk u përgjigj kurrë nëse aktori e përdori vërtet, ndërsa Al e ka mohuar – lufton një ushtri të vogël të dërguar për ta eliminuar atë.

    Spielberg, kokaina dhe kritikët
    Kokaina e përdorur ishte qumësht pluhur në një shkop, megjithëse legjenda urbane këmbëngul se në shesh xhirimi kishte edhe kokainë të vërtetë, e cila ishte fshehur nga Oliver Stone, i cili ishte përdorues në rehabilitim në atë kohë. Përkundrazi, është e vërtetë që Steven Spielberg, i cili kishte qenë në shesh xhirimi, e drejtoi skenën e fundit vetëm me një kamerë, me lejen e Brian De Palma, ajo që kapi Pacino-n e tërbuar të shtrirë në dysheme, duke sharë me pështymë që i dilte nga goja, duke u përpjekur të fuste një karikator në M16-ën e tij.
    Pas përfundimit të xhirimeve dhe montazhit, regjisorit iu desh ta rimontonte filmin tre herë për të marrë vlerësimin e dëshiruar të moshës. Fjala “fuck” u dëgjua 207 herë, ndërsa 42 persona u vranë në skena të ndryshme, por kur më në fund mori miratimin, De Palma e publikoi versionin origjinal në kinema të mëdha.

    Kritikët nuk e pritën pozitivisht, në fakt e varrosën, ndërsa publiku e donte, ashtu si edhe reperët gangsterë që e konsideronin diçka si ungjill. Në dekadat që pasuan, kritikët që e “dekoruan” e rishikuan, dhe nëse e gjykojmë vlerën e një filmi nga ndikimi i tij dhe kultura që “lindi”, atëherë “The marked one” është një nga filmat më të mirë dhe më të suksesshëm të të gjitha kohërave.

  • Komedia “Testamenti i ri” pas skenës së teatrit “Bylis” në skenën e Teatrit Kombëtar

    Komedia “Testamenti i ri” pas skenës së teatrit “Bylis” në skenën e Teatrit Kombëtar

    Komedia “Testamenti i ri” në skenën teatrore me regji nga Violeta Trebicka. Vepra që shënoi më parë premierën në skenën e teatrit “Bylis” në Fier vijoi për publikun edhe  disa mbrëmje me radhë përgjatë korrikut në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”. Historia e një testamenti të harruar shërben si pretekst për të zbuluar problemet e thella në çift. Një martesë e bazuar në shtirje, keqkuptime, gënjeshtra dhe tradhti. Pas situatave sa komike aq edhe njerëzore lind pyetja: Kur dy njerëz nuk duhen më, a duhet të jetojnë së bashku?!
    Vepra e autorit Sacha Guttry në skenën e Teatrit Kombëtar në mbrëmjet e datave 3, 4 dhe 5 korrik erdhi me interpretimin e një kasti të njohur aktorësh. Në rolet e kësaj komedie janë aktorët Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Violeta Trebicka, Albana Koçaj, Igli Fusha, Sofi Kotepano, Mateo Dervishaj. As.regjisor Enerest Dalipaj, skenografia e kostumografia Desantila Lika, muzika Ronaldo Bulku. Kalendari i shfaqjeve teatrore për muajt maj- qershor në teatrin “Bylis” në Fier solli drama dhe komedi për publikun. Këto muaj në skenën e teatrit “Bylis” pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishin dhe premierat teatrore, ku komedia “Testamenti i ri” regjisore Violeta Trebicka erdhi si premierë absolute në skenë.
    Teatri “Bylis” në qytetin e Fierit pak ditë më parë bëri me dije se ka përfunduar dhe sezonin e parë teatror këtë vit. Gjatë këtij sezoni teatror sipas teatrit “Bylis” në skenë për publikun ishin tre shfaqje teatrore premierë dhe dy shfaqje rivënie, ndërsa me sezonin e ri që do të nisë në vjeshtë të tjera vepra premierë pritet që të jenë në skenë si produksione të këtij teatri.

  • 1 milion euro për një show me “autotune”? Charli XCX nxit reagime të forta pas Glastonbury-t

    1 milion euro për një show me “autotune”? Charli XCX nxit reagime të forta pas Glastonbury-t

    Charli XCX ndezi skenën e Glastonbury-t, por bashkë me të edhe debatet në rrjet: këngëtarja 31-vjeçare u pagua plot 900,000 paund (afro 1 milion euro) për performancën e saj në “The Other Stage”, një nga skenat më të mëdha të festivalit, ndërkohë që shumë fansa dolën të zhgënjyer.
    Shumë prej të pranishmëve e quajtën performancën e saj “një zhgënjim total”, duke kritikuar përdorimin e tepruar të autotune-it dhe koreografinë, të cilën disa e cilësuan si “vallëzim të tmerrshëm”.
    Por pavarësisht polemikave, Charli tërhoqi një turmë aq të madhe, sa organizatorët u detyruan të mbyllnin përkohësisht skenën për arsye sigurie, një fakt që vetëm sa theksoi ndikimin dhe fuqinë e saj si emër i madh në muzikën pop.
    Sipas burimeve për DailyMail, pagesa marramendëse e Charli-t është një përjashtim në industrinë e festivaleve, ku shumica e artistëve marrin vetëm mbulim shpenzimesh dhe bileta falas.

  • “Kujtesa e ujit” në skenën teatrore me interpretimin e të rinjve, komedia e zezë vepër e autores Sheila Stefenson

    “Kujtesa e ujit” në skenën teatrore me interpretimin e të rinjve, komedia e zezë vepër e autores Sheila Stefenson

    Nga Julia Vrapi
    “Kujtesa e ujit” komedi e zezë, që erdhi me interpretimin e të rinjve në skenën teatrore. “Kujtesa e ujit” shkruar nga autorja Sheila Stefenson përmes ngjarjeve të saj erdhi në skenë si një vepër që i flet realitetit. “Kujtesa e ujit” u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për dy mbrëmje me radhë, por prof. asoc. dr. Rozi Kostani pedagoge udhëheqëse tregon për punën e të rinjve të arteve, që sollën në skenë këtë vepër teatrore në datat 28 dhe 29 qershor. Shkruar nga autorja Stefenson te “Kujtesa e ujit” një vepër që i flet realitetit në qendër janë tre motra, tre karaktere shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Prof. asoc. dr. Rozi Kostani tregon se dhjetë studentë punuan për këtë shfaqje.“Janë viti i tretë Bachelor dhe ishte diploma e Bahcelorit. Dhjetë studentë dhe ishin dy grupe nga pesë studentë secili grup, ishin dublantë të njëri- tjetrit, një grup në datë 28 dhe një grup datë 29 qershor me shfaqjen në teatër. Është një kohë në shkollë, diku 2-3 javë që bëhet përzgjedhja e veprës.
    Janë vepra që nga studentët lexohen edhe në klasë dhe pastaj në bazë të peshës dhe ngarkesës së roleve ne vendosim për veprën që do jetë në skenë”, shprehet prof. asoc. dr. Rozi Kostani për këtë shfaqje që erdhi nga studentët e Fakultetit të Artit Skenik. Në rolet e veprës ishin Maria Brokshi, Keida Shqefni, Dejna Mataj, Gejson Selfo, Muhamed Babamusta, Amela Rrukaj, Denada Bixhaku, Livia Lozi, Rigers Kuri, Ronaldo Kolgjokaj, të cilët nën udhëheqjen e pedagoges së tyre Rozi Kostani sollën “Kujtesa e ujit”, duke marrë dhe duartrokitjet e të pranishmëve në sallën e teatrit. “Kujtesa e ujit” u shfaq për dy mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, por prof. asoc. dr. Rozi Kostani pedagoge udhëheqëse thotë  se kushtet për të punuar nuk ishin të duhurat. “Ne shkojmë atje bëjmë dhe prova, por te teatri nuk kanë  kondicioner, sistemi i ftohjes është i prishur. Nëse dikur jemi ankuar te Teatri Kombëtar që është ftohtë në dimër, ne vazhdojmë traditën për t’i lënë aktorët dhe gjithë trupën për teatrin në skamje”, shprehet prof. asoc. dr. Kostani, e cila thotë se duhet bërë më shumë për artistët në aktivitetin e tyre.
     Vepra në skenë
    Në qendër të veprës janë tri motra, tri karaktere shumë të ndryshme nga njëra-tjetra: Tereza, Meri dhe Katerina. Pas shumë vitesh ndarjeje, ato takohen së bashku në funeralin e së ëmës, që ka qenë e sëmurë me Alzheimeri. Vepra shpërfaq problematika familjare, të cilat zbulohen pas humbjes së mamasë, kjo humbje që i risjell në shtëpi tre motrat duke risjellë njëkohësisht dhe luftën për kujtesat e tyre për të njëjtat ngjarje, por secila ndryshe nga tjetra përpiqet për të gjetur kujtimet individuale. Tereza motra e madhe, e cila është kujdesur për mamanë derisa vdiq, është kthyer në një elefant i nevrikosur qe nuk harron kurrë. Meri, motra e dytë ishte e preferuara e mamasë, por ngeli peng e një lidhje me një burrë të martuar dhe e treta Katerina, fëmija më fatkeq, e lënë totalisht pasdore. Marrëdhëniet e mamasë me tre vajzat dhe marrëdhëniet e saj me babain e tyre na jep një portret familjar, të cilin e gjejmë në çdo kohë, duke qenë se proceset njerëzore nuk mund ti ndryshojë koha. “Kujtesa e ujit” që erdhi në skenë si një komedi e zezë u shfaq tek Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” edhe në kuadrin e “Paktit për Universitetin” ku më parë është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Universitetit të Arteve, Fakultetit të Artit Skenik dhe institucioneve të kulturës në varësi të Ministrisë së Kulturës.

  • “Vrasje në vjeshtë” mbi motivet e romanit të Gjergj Vlashit, në skenën e teatrit “Migjeni”

    “Vrasje në vjeshtë” mbi motivet e romanit të Gjergj Vlashit, në skenën e teatrit “Migjeni”

    Nga Julia Vrapi
    “Vrasje në vjeshtë” mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit në skenë e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Sezoni artistik në teatrin “Migjeni” ka vijuar me shfaqje të ndryshme, por në vijim në skenë është “Vrasje në vjeshtë”. Shfaqjen mbi motivet e romanit të Gjergj Vlashit e sjell në skenë regjisori Stefan Çapaliku.
    Kjo shfaqje është produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe në skenë tek teatri i Shkodrës vijon edhe këtë mbrëmje, ku interpretojnë aktorët Mehmet Xhelili, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj. “Vrasje në vjeshtë”, dramatizuar e vënë në skenë nga Stefan Çapaliku u shfaq më parë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa tani shfaqja teatrore  vijon dhe në skenën e Shkodrës. Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme veçanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit.
    Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë. Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhri. Personi i vetëm që nuk do i bindet këtij urdhri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar.
    Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë. Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri paidentitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht.
     “Vrasje në vjeshtë” shënoi premierën në muajin mars
    Në skenën e teatrit si regjisor Stefan Çapliku ka sjellë dhe të tjera vepra teatrore, por këtë sezon artistik është “Vrasje në vjeshtë”, që erdhi si premierë në muajin mars në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Veprat e Stefan Çapalikut janë shfaqur në disa festivale ndërkombëtare të teatrit, ku ai është nderuar edhe me çmime. Pjesë nga veprat e tij në poezi, prozë, dramë dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, etj. Ai është i nominuar për çmimin “Europa Prize of Theater for the New Theater Realities” (Çmimi Evropian për Teatrin e Ri). Si dramaturg u nderua me çmimin e autorit më të mirë shqiptar në vitet: 1995, 2003, 2007, 2012, 2016. Krahas studimeve në fushën e estetikës dhe publicistikës, ka shkruar edhe disa libra.

  • “Çfarë pa kryeshërbëtorja”/ Komedia me regji të Kiço Londos vihet në skenën e Teatrit Kombëtar

    “Çfarë pa kryeshërbëtorja”/ Komedia me regji të Kiço Londos vihet në skenën e Teatrit Kombëtar

    Një punonjës hoteli i përfshirë në intrigat skizofrenike të një psikiatri, me një sekretare të zhveshur e të fshehur pas perdes, një profesor me fantazi surreale që prish rrjedhën e ngjarjeve, teksa një polic ndërhyn papritur.

    Komeida e Joe Orton “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, produksion i Teatrit Skampa vjen në skenën e Teatrit Kombëtar, në interpretimin e aktorëve Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Ëngjëll Hoxha, Mario Elezi dhe Livion Aliaj.
    “Është një komedi vërtet therëse, prek mjaft problematika të karakterit të individit brenda familjes, duke i shpërfaqur për të reflektuar se çfarë duhet të rregullojmë apo të ndryshojmë, çfarë të bëjmë më mirë”, thotë aktori Helidon Fino.
    “Shfaqja është gati frojdiane, të fut në skutat më të errëta të dëshirave njerëzore. Publiku ishte fantastik, ishte një ëndërr”, shprehet aktorja Egla Ceno.
    Vepra trajton pasionet, epshet, shpërdorimin e pushtetit, marrëdhëniet e çuditshme dhe komplekse të gjashtë personazgeve, përmes humorit dhe ironisë.
    “Kaosi më ngacmoi shumë, ajo që fshihet brenda nesh, cenimi i familjes, dashuria  çmenduria në të cilën ne jemi futur si shoqëri”, u shpreh regjisori Kiço Londo.
    “Çfarë pa kryeshërbëtorja” fton publikun në teatër për katër netë rresht, deri në 20 qershor.

    Top Channel

  • Regjisori Leka Bungo ndahet nga jeta në moshën 81- vjeçare, la gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare dhe në filma

    Regjisori Leka Bungo ndahet nga jeta në moshën 81- vjeçare, la gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare dhe në filma

    Regjisori dhe skenaristi Leka Bungo u nda nga jeta në moshën 81- vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë. Bungo ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Miq dhe kolegë të regjisorit, artistë të ndryshëm e më gjerë shprehën ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh se Leka Bungo la gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare dhe në filma. “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të ikonës së teatrit dhe filmit shqiptar, regjisorit të mirënjohur Leka Bungo, i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”.
    Artist i kompletuar, regjisor dhe skenarist brilant, Leka Bungo la gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare me dhjetëra shfaqje teatrore dhe filma artistikë. Ishte një nga figurat më të respektuara të Televizionit Shqiptar, ku kontribuoi për vite me radhë në zhvillimin e produksioneve cilësore. Trashëgimia e tij artistike do të jetojë përgjithmonë”, shprehet Gonxhja në rrjete sociale. Ndërsa teatri “Bylis” në Fier shprehet se artistët fierakë dhe teatri i përulen me mirënjohje kontributit të tij. “Lamtumirë, Leka Bungo, regjisori i parë i teatrit “Bylis” dhe krijuesi i trupës së parë profesioniste të teatrit fierak, regjisori i shumë shfaqjeve të tjera teatrore, deri në ditët e fundit të jetës së tij! Artistët fierakë dhe teatri “Bylis” i përulen me mirënjohje të thellë kontributit të tij pashoq dhe artit të tij shembullor”, shprehet teatri “Bylis”.
    Leka Bungo lindi në Vlorë më 28 shkurt 1944. U diplomua për aktrim në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë për regji. Pas diplomimit punoi si drejtor në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, dhe në vitin 1971, pas krijimit të Teatrit “Bylis” në Fier, u bë drejtor i tij. Në vitin 1973, vënia në skenë e dramës “Historia e një vajze” nuk u prit mirë nga pushteti i kohës dhe u kritikua për qëndrime liberale në art. Bungo u dërgua në Patos, i dënuar me punë fizike në kuadër të riedukimit. Më pas punoi në Shtëpinë e Kulturës në Patos dhe në vitet ’80 u kthye në Tiranë, ku u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje që prekin probleme të mprehta sociale të kohës, me satirën si element kryesor.
    Në kinematografi u shfaq në vitin 1966 me “Oshëtime në bregdet” dhe shumë vite më vonë (1990) me filmin “Një djalë dhe një vajzë”. Në teatër ai luajti në vitin 1980 në dramën “Pabesia”. Leka Bungo ka shkruar gjithashtu skenarin e disa filmave dhe telekomedive.  Ndër të tjera në aktivitetin me teatrin, në janar 2024 vepra “Testamenti” shkruar dhe me regji nga Leka Bungo u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar. Për një periudhë 4-vjeçare, nga viti 2021 deri në shkurt të 2025-ës, Bungo mbajti postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
     

  • Rikthehet “GjiroClassica”! Muzika klasike gjen shtëpinë në Gjirokastër, nis edicioni i pestë i festivalit

    Rikthehet “GjiroClassica”! Muzika klasike gjen shtëpinë në Gjirokastër, nis edicioni i pestë i festivalit

    Mbrëmjen e 22 majit, kalaja e Gjirokastrës u kthye në një skenë të gjallë, me fillimin e edicionit të pestë të festivalit të muzikës klasike “GjiroClassica”.

    Këtë vit, festivali i është kushtuar të rinjve. Një vendim i qëllimshëm për të vënë në qendër artistët në ngritje, ata që kanë ndërtuar tashmë një identitet profesional, por që kërkojnë ende hapësira për tu dëgjuar, për tu parë e për tu rritur.
    Ylli Haliti ishte një prej tyre. 18 vjeç, nga Mitrovica, ai u ngjit për herë të parë në skenën e këtij festivali.
    “Është hera e parë që performoj në Gjirokastër, por kam qenë më parë si turist. Sot jam ndjerë shumë mirë në skenën e festivalit , salla ishte shumë e bukur, te Kalaja e Gjirokastrës. Pianoja më ngjalli një ndjesi shumë të lirë dhe ishte akorduar pak para performancës, çka ishte ndihmesë shumë e madhe për performuesin. Publiku ishte fantastik dhe ndjenjat ,të papërshkrueshme.”
    Mbrëmja e parë shënoi jo vetëm fillimin e një jave koncertesh dhe garash, por edhe të një atmosfere që synon t’i sjellë qytetit një energji të re kulturore. Njëra prej organizatoreve të festivalit, pianistja Mimoza Çabeli, u shpreh me entuziazëm për vazhdimësinë.
    “Ishte një mbrëmje fantastike. Do të ketë në vazhdimësi të tilla mbrëmje. Në datë 24 do të jetë një aktivitet shumë i bukur në qytetin e Gjirokastrës , një koncert shëtitës në shtëpi karakteristike si tek Kadare, muzeu etnografik, tek Skëndulatët, tek mesi i Pazarit.”
    Në skenën e “GjiroClassica”-s do të ngjiten këtë vit disa dhjetëra artistë të moshave dhe kombësive të ndryshme, duke e kthyer Gjirokastrën jo vetëm në një pikë takimi për interpretuesit, por edhe në një hapësirë të rëndësishme të dialogut kulturor.
    Gradualisht, festivali po bëhet pjesë e natyrshme e jetës artistike të qytetit,  jo vetëm sepse i shkon hijeshisë arkitektonike dhe frymës historike të Gjirokastrës, por sepse po kultivon një marrëdhënie të qëndrueshme me publikun.

    Top Channel

  • Trupat artistike të TKOB me “Opera Gala” këtë mbrëmje në skenën e teatrit të Vlorës

    Trupat artistike të TKOB me “Opera Gala” këtë mbrëmje në skenën e teatrit të Vlorës

    “Opera Gala” me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në skenën e teatrit të Vlorës. Një mbrëmje gala me ariet më të bukura të autorëve Mozart, Verdi, Puccini, Bizet, Offenbach, Rossini, Lehar e Bernstein, deri te koreografitë elegante mbi muzikën e Johann Strauss Il, “Opera Gala”. Koreografia dhe regjia në “Opera Gala” është nga Renato Zanella, ndërsa Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë nën drejtimin e dirigjentit Sergio Alapont. Në skenë do të jenë dhe trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe Kori i TKOB-së. “Opera Gala” sjell magjinë e saj edhe në Vlorën e flamurit me mbështetjen e pakushtëzuar të Bashkisë Vlorë”, thuhet nga TKOB.
    “Opera Gala” që këtë mbrëmje do të jetë në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë më parë u shfaq për dy mbrëmje me radhë në skenën e TKOB-së në Tiranë. Më herët, regjisori Renato Zanella u shpreh se është një shfaqje që ka në qendër dashurinë. “Kjo është një mënyrë për të celebruar muzikën dhe të gjithë artistët me një program shumë të mirë. Një gala jo si ato që jemi mësuar të shohim, ku marrin pjesë kori, solistët, baleti dhe muzika gjithashtu. Kemi Verdin, Puccini-n, Mozartin, Strauss dhe të gjithë këta vijnë në një shfaqje të vetme, një shfaqje që ka në qendër një tematikë, dashurinë, atë ndjenjë që vjen e shpërfaqur në forma të ndryshme nga secili kompozitor”, tha regjisori Zanella, i cili ka bashkëpunuar edhe më parë me TKOB. “Opera Gala” që këtë mbrëmje do të jetë në skenën e teatrit të Vlorës është në vijim të aktiviteteve në kalendarin artistik këtë muaj nga TKOB.