Tag: skenë

  • “Drejtësi në Nuremberg”  dhe “Det i thellë blu” në skenën e Teatrit Kombëtar në sezonin e ri artistik 2025-2026

    “Drejtësi në Nuremberg”  dhe “Det i thellë blu” në skenën e Teatrit Kombëtar në sezonin e ri artistik 2025-2026

    Nga Julia Vrapi
    Sezoni i ri artistik do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar edhe një dramë mbi tragjedinë naziste dhe një mbi dashurinë dhe humbjen. “Drejtësi në Nuremberg” shkruar nga Abby Mann është një dramë mbi tragjedinë naziste dhe përgjegjësinë morale të individit, që do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 të Teatrit Kombëtar me regji nga Arben Kumbaro. Pjesë e veprave këtë sezon të ri artistik është dhe drama “Det i thellë blu” nga Terence Rattigan. Një dramë rrënqethëse mbi dashurinë dhe humbjen, vepër teatrore që do të vijë  në skenë me regji nga Rovena Lule. Këto dy vepra si pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 bëhen me dije nga vetë Teatri Kombëtar, ndërsa në role do të jenë aktorë të njohur.
    Në veprën me regji nga Rovena Lule bëhet me dije nga teatri se në role janë aktorët Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Florian Agalliu, Niada Saliasi, Donald Shehu. Por sa i takon sezonit të ri që pritet të nisë në muajin shtator më parë Teatri Kombëtar bënte me dije edhe për vepra nga Shekspir si premiera teatrore. “Si ta doni”, një komedi romantike për dashurinë dhe lirinë nga William Shakespeare do të vijë në skenë në sezonin e ri me regji të John Blondell. Kjo komedi që do të jetë pjesë e sezonit artistik do të ketë në role aktorë si Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, etj. Por në sezonin e ri artistik është dhe “Otello”, veprën nga William Shakespeare do ta sjellë në skenë regjisori Qëndrim Rijani. Në aktivitetin e tij si regjisor Qëndrim Rijani ka sjellë në skenën teatrore edhe të tjera vepra të Shekspirit, si “Tregtarin e Venedikut” në Korçë, “Makbeth” në Kosovë apo dhe “Jul Cezari” në Kroaci, ndërsa në sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar  vjen me veprën “Otello”.
     Sezoni artistik janar-qershor
    Tetari Kombëtar sezonin artistik janar-qershor 2025 e mbylli me 20.236 spektatorë. Ndër veprat që ishin në skenë sezonin e kaluar ishte dhe “Faust”. Sezoni i ri artistik në vjeshtën e vitit 2024 në Teatrin Kombëtar pati në skenë edhe premierën “Faust” me regji nga Davide Iodice dhe me një kast aktorësh të njohur në role, e cila në qershor 2025 u rikthye sërish në skenë te “ArTurbina”. Vepra teatrore “Faust” erdhi në skenë me aktorët Hervin Çuli, Ema Andrea, Niada Saliasi, Gert Ferra, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Ina Gjonçi, Krist Lleshi dhe Genti Deçka. Kjo premierë teatrore ishte prodhim i Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me Sardegna Teatro dhe me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Teksti Fabio Pisano ( i frymëzuar nga Marloëe, Spies, Goethe), përkthimi Ina Gjonçi, përshtatja, regjia dhe skenografia e kostumet Davide Iodice. Bashkëpunimi për skenografinë dhe kostumet Laedia Hajdari. Muzika origjinale Lino Cannavacciuolo dhe as/regjisor Genti Deçka.

  • Odise Plaku: Pa një konkurs dramaturgjie të rregullt dhe të organizuar, shumë autorë ndihen të izoluar

    Odise Plaku: Pa një konkurs dramaturgjie të rregullt dhe të organizuar, shumë autorë ndihen të izoluar

    Në skenat tona vihen vepra të ndryshme, por me rëndësi është dhe zhvillimi i dramaturgjisë kombëtare. Dramaturgu Odise Plaku thotë se për të ndërtuar një skenë teatrore më të pasur dhe më të shumëllojshme duhet që të inkurajohen dramaturgët. Në intervistën për gazetën “SOT” dramaturgu vjen me një rrëfim për aktivitetin artistik, por dhe çfarëndodh sot me prurjet teatrore në skenat tona. Ai shprehet se sot në teatrin tonë ka një rikthim të vëmendjes ndaj krijimtarisë dhe autorëve shqiptarë, por promovimi i dramaturgjisë shqipe duhet të jetë më sistematik dhe më i strukturuar. Sipas tij edhe konkurset për dramaturgjinë kanë një rëndësi të madhe në zhvillimin e kësaj fushe, sepse ofrojnë një platformë konkrete dhe të strukturuar për autorët që të shprehin krijimtarinë e tyre dhe të përballen me një audiencë më të gjerë. Sezoni artistik që u mbyll solli disa vepra teatrore që mbanin emrin e Odise Plakut si dramaturg, të cilat u vlerësuan dhe me çmime dhe u shfaqën në skena brenda dhe jashtë vendit. Ai shprehet se në këtë fazë të krijimtarisë së tij janë disa vepra të përfunduara, që thjesht presin momentin e duhur për të dalë në dritë.
    -Vepra “Engjëjt” që pas premierës në muajin shkurt në Tiranë vijoi në skena të ndryshme teatrore dhe pjesëmarrje në festivale teatri. Një vepër e shkruar nga ju, me regji nga Naser Shatrolli dhe interpretim nga Vefi Redhi. Në sezonin e vjeshtës, a do të vijojë më tej në skena kjo vepër? Çfarë planesh keni për shfaqjet e ardhshme?
    Po, me siguri që “Engjëjt” do të vazhdojë të jetë në skenë edhe këtë sezon. Kemi një pjesëmarrje të konfirmuar në Kosovë në muajin shtator, dhe jemi duke synuar të shfaqemi edhe në Athinë, si dhe në disa qytete të tjera të vendit. Është shumë e rëndësishme për ne që ky mesazh të arrijë sa më larg dhe të prekë sa më shumë njerëz, duke mbajtur gjallë kujtimin dhe reflektimin mbi ngjarjet e dhimbshme që kemi përjetuar.Tashmë kjo vepër është bërë trup në trupat tanë qoftë të Naserit si regjisor dhe Vefit si aktore, dhe vëmendja jonë e përbashkët është përqendruar në pyetjen “Ku do të jenë engjëjt nesër?”. “Engjëjt” tashmë është një vepër e vlerësuar me çmime të rëndësishme si në festivalin e parë të monodramës “Flas shqip” në Tiranë Vefi Redhi u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë” dhe Naser Shatrolli me çmimin “Regjisori më i mirë”. Ndërsa në Festivalin Mono Akt në Kosovë u vlerësua me çmimin “Shfaqja më e mirë”.
    -Drama shqipe në skenat tona teatrore trajton tematika të ndryshme, por për ju sa është e rëndësishme vënia e veprave shqiptare në skena?
    Mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që veprat shqipe të jenë prezente dhe të zhvillohen fuqishëm në skenat tona teatrore. Drama jonë reflekton jo vetëm realitetin shoqëror e historik, por edhe shpirtin dhe identitetin tonë kombëtar. Përmes veprave shqipe, ne tregojmë historitë tona, vuajtjet, shpresat dhe aspiratat e një populli që ka kaluar shumë sfida.Kur vepra shqipe vjen në skenë, ajo krijon një hapësirë ku publiku mund të njohë veten, të përjetojë ndjesi të përbashkëta dhe të nisë një dialog mbi temat që janë të rëndësishme për ne. Këto drama na ndihmojnë të ruajmë lidhjen me rrënjët tona kulturore dhe të mbajmë gjallë kujtesën kolektive, veçanërisht për gjeneratat e reja që mund të jenë larguar nga traditat apo që nuk i kanë përjetuar drejtpërdrejt ngjarjet historike.Gjithashtu, dramaturgjia shqiptare ka potencial të madh për të ofruar perspektiva të reja dhe ngacmime që nxisin reflektim dhe ndryshim.Sot në teatrin tonë ka një rikthim të vëmendjes ndaj krijimtarisë dhe autorëve shqiptarë, dhe kjo është një gjë shumë pozitive që dëshmon për një ndërgjegjësim në rritje për rëndësinë e zhvillimit të dramaturgjisë tonë kombëtare. Ka shumë projekte që po realizohen, si shfaqje të reja, festivale teatrore dhe iniciativave që synojnë promovimin e autorëve të rinj dhe të atyre më të njohurve. Ky trend është shumë i rëndësishëm, sepse ndihmon që zëri i dramaturgëve shqiptarë të dëgjohet dhe të çojë mesazhe që lidhen ngushtë me realitetin, kulturën dhe identitetin tonë.Megjithatë, duhet thënë se ende ka shumë punë për të bërë. Promovimi i dramaturgjisë shqiptare duhet të jetë më sistematik dhe më i strukturuar. Po ashtu, për të ndërtuar një skenë teatrore më të pasur dhe më të shumëllojshme, është e nevojshme që të inkurajohen dramaturgët që të eksperimentojnë dhe të sjellin ide të reja, duke mos u ndalur vetëm te temat tradicionale, por duke reflektuar mbi ndryshimet shoqërore dhe kulturore që po ndodhin në shoqërinë tonë. Në këtë mënyrë, dramaturgjia shqiptare do të bëhet më e gjallë dhe më e lidhur me audiencën e sotme, duke krijuar një dialog të fuqishëm mes artit dhe jetës së përditshme. Unë gjej rastin të falënderoj Bashkinë e Tiranës që ka qenë një ndër mbështetësit kryesorë të veprave të mia të cilat kanë parë dritën e skenës, por edhe janë vlerësuar nga spektatori.
    -Ndërkohë që në Kosovë ekziston edhe një konkurs për dramën shqipe, sa shërbejnë këto konkurse për zhvillimin e dramaturgjisë? Si ndikon mungesa e një konkursi të tillë në vendin tonë?
    Konkurset për dramaturgjinë kanë një rëndësi të madhe në zhvillimin e kësaj fushe, sepse ato ofrojnë një platformë konkrete dhe të strukturuar për autorët që të shprehin krijimtarinë e tyre dhe të përballen me një audiencë më të gjerë. Kur ka konkurse të organizuara dhe të mirëstrukturuara, ato nxisin shkrimtarët të shkruajnë më shumë, të eksperimentojnë me idetë dhe të përmirësojnë stilin e tyre. Një konkurs i tillë është gjithashtu një mundësi që autorët e rinj të njihen dhe të promovohen në skenën artistike, gjë që është shumë e rëndësishme për rinovimin dhe freskimin e dramaturgjisë kombëtare.Në Kosovë, ky model funksionon prej vitesh dhe si autor kam qenë pjesëmarrës në disa prej tyre, madje ka vepra që janë futur  “në rrethin e ngushtë të fituesve” si quhet atje.Mungesa e një konkursi të tillë tek ne krijon një boshllëk në inkurajimin sistematik të autorëve dhe në mbështetjen e krijimtarisë së re. Shumë vite më parë Ministria e Kulturës organizonte një konkurs për dramën shqipe, më parë ishte Teatri Kombëtar që nënte përzgjedhje dhe lexim skenik të pjesëve. Tashmë këto janë zhdukur si praktika.Sot, pa një konkurs të rregullt dhe të organizuar, shumë autorë ndihen të izoluar dhe nuk kanë hapësira të qarta për të nxjerrë veprat e tyre në dritë. Kjo mungesë i bën institucionet tona kulturore më pak dinamike dhe kufizon mundësitë për zhvillimin e dramaturgjisë kombëtare. Për të avancuar, do të ishte e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të rifillojnë ose të krijojnë iniciativa të reja që do të mbështesin në mënyrë aktive shkrimtarët dhe dramaturgjinë, duke e kthyer konkursin në një praktikë të vazhdueshme dhe të përkushtuar. Një konkurs i tillë jo vetëm që do të nxiste kreativitetin dhe do të promovonte vepra të reja, por do të krijonte edhe një sens komuniteti midis dramaturgëve dhe do të fuqizonte skenën teatrale në përgjithësi. Pa këto hapësira të organizuara dramaturgjia rrezikon zhvillimin e saj me prurje të reja.
    -Sezoni artistik që u mbyll solli dy vepra premierë të shkruara nga ju në skenë – monodrama “Engjëjt” dhe komedia “Pleqëri me kusure”, që pati premierën në Fier. Si ka qenë bashkëpunimi për këto vepra me regjisorët? Çfarë keni sugjeruar dhe si është ndërtuar marrëdhënia krijuese?
    Ky ka qenë një sezon shumë i frytshëm për mua nga pikëpamja krijuese dhe bashkëpunuese. Dy vepra të ndryshme në natyrë, njëra monodramë me tematikë tronditëse  si “Engjëjt”, dhe tjetra një komedi sociale si “Pleqëri me kusure” më dhanë mundësinë të shprehem në dy dimensione të ndryshme të dramaturgjisë dhe të bashkëpunoj me regjisorë që i vlerësoj shumë për qasjen e tyre profesionale dhe vizionin që sjellin në skenë. Bashkëpunimi ka qenë me të vërtetë i vlefshëm dhe frymëzues. Unë gjithmonë e kam parë marrëdhënien dramaturg-regjisor si një proces bashkëkrijimi, ku teksti është një pikënisje dhe pastaj merr jetë përmes syrit dhe ndjeshmërisë regjisoriale. Në të dy rastet, kam pasur mundësinë të ndaj vizionin tim mbi veprat, të sugjeroj thekse të caktuara që lidhen me qëllimin tematik, me ritmin, me ndërtimin e karaktereve apo tonin emocional të skenave. Por gjithmonë, këtë e kam bërë në funksion të bashkëpunimit dhe respektimit të gjuhës artistike të regjisorëve.Kur ndjen që puna jote interpretohet me përkushtim dhe ndjeshmëri në skenë, është një ndjesi përmbushjeje shumë e veçantë. Dhe kur kjo përmbushje ndodh në bashkëpunim të hapur e të ndershëm me regjisorët, është edhe më e vlefshme. Në këtë kuptim, ky sezon më ka motivuar që të shoh përpara me dëshirën për të sjellë vepra të reja dhe për të ndërtuar bashkëpunime të tjera artistike që pasurojnë jo vetëm skenën, por edhe vetë procesin krijues. Për mua, çdo bashkëpunim i tillë është një mundësi për të mësuar, për t’u rritur si autor dhe për të kontribuar në teatrin shqiptar. Ndihem me fat që këtë vit isha autori i parë që në MonoAkt përfaqësohesha me dy vepra “Engjëjt” dhe “Amber Alert” një produksion tërësisht grek ku aktorja Georgia Zoi fitoi çmimin “Aktorja më e mirë”, ndërsa unë si autor me “Mirënjohjen speciale” për veprat e mia.
    -Për lexuesin, ju jeni i njohur për krijimtarinë tuaj në dy zhanre të veçantë: vëllime letrare dhe vepra skenike. Në vijim të rrugëtimit tuaj artistik, çfarë mund të presim? A ka ndonjë projekt të ri që pritet të dalë në dritë?
    Në këtë fazë të krijimtarisë sime janë disa vepra të përfunduara, që thjesht presin momentin e duhur për të dalë në dritë. Më së shumti është letërsi për fëmijë, një zhanër që e dua shumë dhe që më jep kënaqësi të veçantë. Është një botë e pastër dhe e ndjeshme, dhe përmes saj ndiej se lidhem me një brez që ka nevojë për letërsi me shpirt e mesazh.Por në këtë fazë mendja dhe shpirti im është përqendruar në shkrimin e veprave skenike.  Edhe kur nuk kam pasur mbështetje institucionale apo nuk më është inskenuar menjëherë ndonjë vepër, unë nuk kam ndalur së shkruari. Kam shkruar drama, komedi, monodrama, me të njëjtin pasion dhe përkushtim si në fillim. Mbetem gjithmonë në pritje të përgjigjeve për projekte të reja, sepse procesi krijues kërkon jo vetëm frymëzim, por edhe mbështetje dhe bashkëpunim për të marrë jetë në skenë.Aktualisht po shijoj frytet e një pune shumëvjeçare. Kam një kënaqësi të veçantë kur shoh se vepra që ke shkruar vite më parë, më në fund ngjitet në skenë dhe takohet me publikun. Për shembull, drama “Shtëpia e re” u shkrua në vitin 2004, por u vu në skenë në vitin 2024. Po ashtu “Engjëjt”, e shkruar në 2015, mori jetë këtë vit. Kjo më bën të ndihem i plotësuar dhe më tregon se asgjë nuk humbet kur shkruhet me zemër, gjithçka e gjen kohën dhe vendin e vet. Kam ripunuar disa nga veprat e vëna në skenë vite më parë. Unë do të vazhdoj të krijoj, me bindjen se fjala e shkruar dhe ajo e thënë në skenë kanë forcën për të prekur dhe për të ndryshuar.
    Intervistoi: Julia Vrapi

  • Skenë filmi/ Ekzekutohet në mes të Athinës me armë zjarri, 30-vjeçari shqiptar

    Skenë filmi/ Ekzekutohet në mes të Athinës me armë zjarri, 30-vjeçari shqiptar

    Një person është ekzekutuar me armë zjarri para pak në zonën “Agio Pandeleimona” të Athinës.
    Burime policore thonë se është shtetas shqiptar. Në trup i janë gjetur dokumente (pasaportë shqiptare).
    Burimet thanë se bëhet fjalë për prishje pazaresh droge, por ende nuk ka detaje.

  • Perrie Edwards zbulon përkeqësimin e agorafobisë: Gati nuk mund të dilja nga shtëpia

    Perrie Edwards zbulon përkeqësimin e agorafobisë: Gati nuk mund të dilja nga shtëpia

    Këngëtarja e njohur, Perrie Edwards, ka treguar në një intervistë për The Telegraph se agorafobia e saj u përkeqësua vitin e kaluar, duke e bërë thuajse të pamundur daljen nga shtëpia. Ish-anëtarja e Little Mix, 32 vjeçe, tha se i është më lehtë të performojë në skenë sesa të përballet me situata të përditshme jashtë shtëpisë.
    “Kur jam në skenë si yll pop, jam plotësisht në elementin tim: e guximshme dhe e fuqizuar. Por sapo kthehem në shtëpi, ankthi fillon dhe jam thjesht unë sërish,” shpjegoi Perrie. Ajo shtoi se gjëra të thjeshta, si të hipë në makinë dhe të udhëtojë deri në Londër, shpesh i bëhen të vështira.
    Perrie ka pranuar gjithashtu se frikësohet të mbetet vetëm, duke u shqetësuar se mund të përjetojë një sulm paniku kërcënues për jetën pa askënd për ta ndihmuar. Agorafobia përfshin frikën dhe shmangien e vendeve ose situatave që mund të shkaktojnë ndjenja paniku, pafuqie ose turpi.

  • Demi Lovato ribashkohet me Jonas Brothers pas 15 vitesh në skenë

    Demi Lovato ribashkohet me Jonas Brothers pas 15 vitesh në skenë

    Në koncertin e mbajtur të dielën në New Jersey, Jonas Brothers surprizuan publikun me një moment nostalgjik. Demi Lovato u ngjit papritur në skenë për t’u bashkuar me Joe, Kevin dhe Nick Jonas, duke performuar këngë të njohura nga filmi i famshëm “Camp Rock”.

    Ky ribashkim shënoi 15 vite nga koha kur Demi dhe Joe u takuan gjatë xhirimeve të filmit, moment të cilin këngëtarja e ndau edhe në Instagram me fjalët: “Për librat e historisë”.

    Bashkëshorti i saj, muzikanti Jordan Lutes, shfaqi mbështetje të plotë me një koment plot krenari. Ndërkohë, koncerti ishte pjesë e turneut të 20-vjetorit të Jonas Brothers, i mbushur me performanca dhe surpriza për fansat, duke përfshirë edhe mysafirë specialë nga projektet e tyre të njohura./KultPlus

  • Blenard Azizaj, koreograf i veprës më të madhe të karrierës së Marina Abramovic

    Blenard Azizaj, koreograf i veprës më të madhe të karrierës së Marina Abramovic

    Këtë vjeshtë, artistja e njohur Marina Abramović do të sjellë në skenë një shfaqje provokuese që bashkon seksin, ritualin dhe mbinatyroren, përmes një rikrijimi skenik të riteve erotike ballkanike. 

    Balkan Erotic Epic (2025) është vepra më e re e saj, e porositur nga Factory International – organizata kulturore me bazë në Manchester, Angli, që organizon edhe Manchester International Festival. 

    Shfaqja do të ketë premierën më 9 tetor në Aviva Studios dhe do të qëndrojë në skenë deri më 25 tetor. 

    Me mbi 70 performues, kjo do të jetë vepra më e madhe e Abramović deri më sot, dhe për koreograf ka koreografin shqiptar Blenard Azizaj, i cili do të jetë edhe pjesë e performancës.

    Balkan Erotic Epic është e rrënjosur në folklorin dhe zakonet e lashta ballkanike, duke eksploruar tema si dëshira, spiritualiteti dhe trupi. 

    Përmes 13 skenave të koreografuara dhe vignetave interaktive, performuesit – kërcimtarë, këngëtarë dhe muzikantë – do të shpalosin një përvojë të thellë emocionale dhe fizike. 

    Pamja nga arkiva e Marina Abramovic

    “Në kulturën e sotme, gjithçka erotike e etiketojmë si pornografi,” tha Abramović në një deklaratë për shtyp. “Balkan Erotic Epic është vepra më ambicioze e karrierës sime. Kjo më jep mundësinë të rikthehem tek rrënjët dhe kultura ime sllave, të shoh pas tek ritualet e lashta dhe të përballem me seksualitetin në lidhje me universin dhe pyetjet pa përgjigje të ekzistencës sonë. Me këtë projekt, dua të shfaq poezinë, dëshpërimin, dhimbjen, shpresën, vuajtjen – dhe të reflektoj mbi vdekshmërinë tonë.” 

    Ritualet që do të performohen përfshijnë skena si “Riti i Pjellorisë”, ku performuesit do të përdridhen mbi tokë si një thirrje për pjellori, apo “Të Frikësosh Perënditë”, që rikrijon një rit ku njeriu zhvesh trupin ndaj qiellit për të larguar stuhitë. Në një tjetër skenë të titulluar “Masazhimi i Gjirit”, gratë performuese do të realizojnë gjeste simbolike për të “zgjuar tokën” pranë vendeve të varrimit, sipas njoftimit për shtyp. 

    Abramović do të mbajë një ligjëratë më 11 tetor në Aviva Studios, për të shënuar premierën botërore të shfaqjes. Pas kësaj, Balkan Erotic Epic do të udhëtojë në vende të tjera, duke nisur nga Barcelona në janar 2026. 

    “Kjo vepër e re performative ofron një mundësi që nuk duhet humbur për publikun – për të përjetuar kapitullin e radhës të jetës krijuese të Abramović: e guximshme, përfshirëse dhe në një shkallë krejt të paprecedentë,” tha John McGrath, drejtor artistik dhe CEO i Factory International. Ndërkohë, Abramović ka në plan edhe projekte të tjera, përfshirë lançimin e një projekti të ri NFT, për të cilin foli në The Artsy Podcast./ KultPlus.com 

  • Kryetari Rama për Gala Mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’: Prishtina u shndërrua në një skenë të hapur ku arti pushtoi zemrat e mijëra qytetarëve

    Kryetari Rama për Gala Mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’: Prishtina u shndërrua në një skenë të hapur ku arti pushtoi zemrat e mijëra qytetarëve

    Këto ditë, Rame Lahaj International Opera Festival- RLIOF ka përmbyllur edicionin e pestë me radhë me Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, pas një sërë koncertesh dhe aktivitetesh kulturore me artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët i dhanë Prishtinës imazhin e një qyteti me traditë të muzikës klasike.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se këto aktivitete të mbajtura në kuadër të festivalit RLIOF e kanë shndërruar kryeqytetin në një skenë të hapur, ku arti ka pushtuar zemrat e mijëra qytetarëve.

    “Gala “Rame Lahaj & Friends” solli emra të mëdhenj të skenës botërore dhe një emocion të papërshkrueshëm për të gjithë të pranishmit.

    Kryeqyteti do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm artistët tanë dhe çdo iniciativë që ndërton ura mes kulturave, sjell artin më të mirë në vendin tonë dhe e vendos kryeqytetin në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare.

    Ky është vizioni ynë, një Kryeqytet që jeton me artin dhe kulturën”, ka thënë Kryetari Rama në Facebook./ KultPlus.com

  • Katy Perry ndal koncertin për fansen që humbi ndjenjat në krahët e saj

    Katy Perry ndal koncertin për fansen që humbi ndjenjat në krahët e saj

    Një moment shumë emocional ndodhi gjatë koncertit të fundit të Katy Perry në Detroit, ku një fanse e vogël, McKenna, humbi ndjenjat sapo u ngjit në skenë për të kënduar me idhullin e saj.
    Perry e ftoi nga shkallët më të larta të arenës, por emocionet ishin shumë të forta për vajzën, e cila u rrëzua në tokë para se kënga “The One That Got Away” të niste. Reagimi i këngëtares ishte prekës: ajo u ul pranë McKennës dhe i qëndroi afër deri në ardhjen e ndihmës.
    “O Zot, lutemi për McKennën, që ajo të rikthehet më e fortë se kurrë”, u lut Katy në skenë, përpara se të siguronte publikun se vajza ishte jashtë rrezikut.
    Ky nuk ishte incidenti i vetëm i muajit për Perry-n, vetëm pak ditë më parë, flutura mekanike ku po performonte ra disa metra mbi publik, duke shkaktuar panik. Fatmirësisht, gjithçka përfundoi mirë edhe atëherë.

  • Prishtina bëhet skenë ndërkombëtare me “Sunny Hill Festival”, Dua Lipa dhuron një performancë të veçantë në festival

    Prishtina bëhet skenë ndërkombëtare me “Sunny Hill Festival”, Dua Lipa dhuron një performancë të veçantë në festival

    Këngëtarja Dua Lipa, që ka një karrierë të suksesshme muzikore si dhe të tjerë emra të mëdhenj të muzikës botërore dhe shqiptare u ngjitën në skenën e “Sunny Hill Festival”. Edicioni i këtij viti u hap fuqishëm nga ylli me famë ndërkombëtare Dua Lipa, e cila u rikthye në vendlindje për të sjellë për herë të parë në Prishtinë turneun e saj “Radical Optimism”. Festivali u zhvillua për tri net me radhë në Prishtinë, ku Hajrulla Çeku ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë thotë se me zhvillimin  e këtij festivali çdo vit Prishtina bëhet skenë ndërkombëtare.  “Me vizionin e Dua Lipës dhe përkushtimin e ekipit të saj, Sunny Hilll ka krijuar një hapësirë ku muzika, arti dhe rinia jonë bashkohen me energjinë e botës. Çdo vit, Prishtina bëhet skenë ndërkombëtare, ku Kosova shihet, dëgjohet dhe vlerësohet për atë që është: e talentuar, krijuese dhe e hapur për botën. Dua është shembulli më i mirë se si dashnia për vendin mund të shndërrohet në veprim me ndikim të jashtëzakonshëm. Faleminderit, Dua Lipa.
    Faleminderit Sunny Hill Festival. Kosova është më e ndritshme edhe falë jush”, shprehet Çeku në rrjete sociale. Në natën e parë të festivalit në skenë bashkë me Duan u ngjit edhe babai i saj Dukagjini me këngën “Era”, këngë e cila erdhi si  një surprizë për publikun. Për festivalin për herë të parë në Kosovë erdhi dhe ylli global i muzikës pop, Shawn Mendes, fitues i “MTV Europe Music Aëards”, i cili ka mbushur me qindra mijëra fansa arenat më të mëdha të botës si “O2” në Londër dhe “Madison Square Garden” në New York. Në listën e artistëve përfshihen edhe emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare si: Artssassin, Bookie, Deezy, Sainté, Sienna Spiro, Skream, Sugar Rush, Tommy Gold, etj, që sollën stile të ndryshme si hip-hop, alt-pop, dubstep dhe house në një miks unik festiv. Festivalit iu bashkuan dhe artistë të njohur shqiptarë si: Ledri Vula, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, etj. Festivali këtë vit u zhvillua nga data 1 deri më 3 gusht.
     

  • Kur skena të surprizon, Salsano Rrapi rrëzohet në skenë, por e kthen momentin në spektakël

    Kur skena të surprizon, Salsano Rrapi rrëzohet në skenë, por e kthen momentin në spektakël

    Një episod i papritur, por edhe i ngarkuar me humor spontan, ka ndodhur së fundmi në Bulqizë, gjatë një shfaqjeje ku mori pjesë aktori i dashur i komedisë, Salsano Rrapi. Teksa ndodhej në kulmin e një skeçi së bashku me kolegët e tij, një lëvizje e shpejtë drejt skajit të skenës e bëri aktorin të humbasë ekuilibrin dhe të përfundonte për një moment në tokë.

    Publiku, i befasuar fillimisht, shpërtheu në të qeshura, jo për rrëzimin në vetvete, por për natyrshmërinë me të cilën Salsano u ngrit dhe e vazhdoi shfaqjen si një profesionist i vërtetë, duke e kthyer këtë incident në një pjesë të bukur të spektaklit.

    Ngjarja, që tashmë po qarkullon edhe në rrjetet sociale ku Salsano e ka ndarë vetë me ndjekësit e tij, u prit me shumë pozitivitet. Aktori konfirmoi me humor se gjithçka përfundoi pa asnjë pasojë fizike dhe me shumë të qeshura.

    Ky moment është një kujtesë e këndshme se skena nuk është gjithmonë perfekte, por pikërisht aty qëndron bukuria e saj. Aksidentet e vogla, kur përballohen me shpirt sportiv dhe dashuri për artin, kthehen në pjesë të paharrueshme të shfaqjes. Dhe kur ke në skenë një aktor si Salsano Rrapi, edhe rrëzimet marrin duartrokitje./KultPlus.com