Tag: skenë

  • Shfaqet dramatizimi “Eposi shqiptar”, “Lahuta e Malcis” merr formë të re në skenën e Lezhës

    Shfaqet dramatizimi “Eposi shqiptar”, “Lahuta e Malcis” merr formë të re në skenën e Lezhës

    Në Pallatin e Kulturës në Lezhë u shfaq dramatizimi “Eposi Shqiptar”, një formë e re artistike për të prezantuar “Lahutën e Malcis” të At Gjergj Fishtës. Përmes ndërthurjes së aktrimit, muzikës, kostumografisë tradicionale dhe skenografisë simbolike, krijuesit sollën në skenë një mënyrë ndryshe për ta përjetuar veprën madhore të poetit.
    Shfaqja, me dramatizim dhe regji të Kol Kunorës, u realizua me interpretimin e aktorëve Mark Hilaj, Mario Paloka, Keslin Perdoda, Alesia Alcani dhe Gerald Ndreca, ndërsa Pretash Nilaj (Mjeshtër i Madh) përcolli tingujt autentikë të lahutës.
    Regjisori Kol Kunora u shpreh se ky koncept është vetëm fillimi i një cikli të ri prezantimesh të “Lahutës së Malcis”.

    “E kam pasur detyrim prej kohësh që ‘Lahutën e Malcis’ ta sillja në skenë në një formë më të plotë. Ajo është shumë e gjatë, dhe jemi munduar të ndërthurim ngjarjet më pikante që lidhen me Lezhën. Mendova ta krijoja me dramatizimin e pesë personazheve bashkë” , shprehet regjisori Kol Kunora
    Edhe për aktorët, interpretimi i kësaj vepre mbetet një sfidë për nga thellësia e gjuhës dhe emocionit që kërkon, por një mënyrë e denjë për ta ringjallur Fishtën në skenë.
    “Ishte diçka interesante dhe e veçantë në krahasim me herët e tjera. Gjatë kohës që kam bërë provat me regjisorin ose kam marrë pjesë në këtë projekt, kuptova sa pak e njoh Fishtën.”“Realisht, Fishta ka qenë një autor që e kam pasur shumë për zemër, dhe kur mu dha mundësia isha shumë e lumtur. Është një autor shumë i vështirë për t’u interpretuar nga të rinjtë.”
    Sipas aktorëve, kjo mund të jetë hera e parë në vitet e fundit që dramatizohet një vepër e Fishtës. Ky projekt kulturor, pjesë e Tetorit Fishtjan dhe i mbështetur nga Bashkia Lezhë, synon të sjellë trashëgiminë e poetit kombëtar në një formë bashkëkohore dhe të ndjeshme për publikun.
    /vizionplus.tv

  • Nelly Furtado i jep fund performancave live pas 25 vitesh në skenë

    Nelly Furtado i jep fund performancave live pas 25 vitesh në skenë

    Nelly Furtado ka befasuar publikun me një vendim të papritur: këngëtarja kanadeze ka njoftuar se po i jep fund performancave live, pas më shumë se dy dekadash në skenë. 45-vjeçarja ndau lajmin në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohje për karrierën e saj muzikore që nisi në fillim të viteve 2000 me albumin e suksesshëm Whoa, Nelly! dhe këngë që u bënë himne ndërkombëtare si I’m Like a Bird dhe Maneater.
    Në mesazhin e saj, Furtado theksoi se dëshiron të përqendrohet në projekte të tjera krijuese dhe personale, pa lënë pas dorë muzikën. “Faleminderit për këtë udhëtim të jashtëzakonshëm… gjithmonë do të shkruaj këngë”, shkroi ajo, duke ndarë edhe një foto të vjetër nga koncerti i saj i parë dhe një video nga performanca e fundit në Berlin, si kujtesë e emocioneve që e shoqëruan në skenë.
    Artistja u ndal edhe tek presioni që kanë sjellë komentet dhe kritikat për pamjen e saj, duke sqaruar se nuk ka bërë ndërhyrje estetike të mëdha dhe se ndihet mirë me veten ashtu si është.
    Pas njoftimit, rrjetet u mbushën me mesazhe mbështetjeje nga fansat, të cilët e përgëzuan për sinqeritetin dhe ndikimin që ka pasur në muzikën pop. Edhe pse ka vendosur të largohet nga performancat live, Furtado mbetet aktive në studio dhe ka paralajmëruar se projektet e reja do të vazhdojnë, duke e mbajtur lidhjen me publikun përmes krijimtarisë së saj.

  • “Po vuaj prej kohësh”/ Genta Ismajli ndalon projektet për shkak të problemeve shëndetësore

    “Po vuaj prej kohësh”/ Genta Ismajli ndalon projektet për shkak të problemeve shëndetësore

    Këngëtarja Genta Ismajli ka ndarë me fansat një problem shëndetësor që e shqetëson prej kohësh dhe është duke e penguar të vazhdojë të performojë projektet e reja në skenë. 
    Në një intervistë në KlanKosova, ajo tregoi se po vuan nga një problem serioz në qafë, i cili është pasojë e viteve të shumta të performancave energjike në skenë. 
    “Kam pasur një lëndim në qafë prej vitesh për shkak të vallëzimeve të shumta që kam bërë në koncerte. Kam bërë trajtime, por fatkeqësisht nuk kanë dhënë rezultatet që prisja,”  u shpreh këngëtarja. 
    Ajo është përkeqësyar në momentin që po përgatiteh të rikthehej me projektin e ri në skenë, gjatë kohës së provave me valltarët dhimbja e qafës ju përkeqësua. Genta tregoi edhe se ndihet keq që nuk mundet të kërcejë dhe performojë si më parë pasi pasi vallëzimi dhe performanca janë pjesë e pandashme e identitetit të saj. 
    “Mendova se isha shëruar dhe nisa stërvitjet për skenë, por gjatë provave me valltarët, qafa më është lënduar sërish. Për këtë arsye vendosa të anuloj videoklipin që po përgatisja. Kam pasion vallëzimin, dhe ndjehem shumë keq që nuk mund ta bëj si më parë,” tha ajo. 
     

  • Skenë filmi/ Automjeti i parkuar grabitet brenda pak minutave, policia arreston në kohë rekord autorin

    Skenë filmi/ Automjeti i parkuar grabitet brenda pak minutave, policia arreston në kohë rekord autorin

    Një ngjarje si në filma ndodhi këtë mbrëmje në Lezhë, pranë një lavazhi në dalje të qytetit. Një automjet u vodh vetëm pak minuta pasi drejtuesi e kishte lënë të parkuar.
    Shoferi, që mbeti i habitur kur nuk e pa më makinën, njoftoi menjëherë policinë. Uniformat blu reaguan me shpejtësi, nisën ndjekjen dhe ngritën postblloqe në disa akse rrugore.
    Pas një operacioni të shpejtë, policia arriti të lokalizojë dhe ndalojë automjetin e vjedhur në superstradën Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush. Autori u kap në flagrancë dhe u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
    Hetimet vijojnë për të zbuluar mënyrën se si u krye vjedhja dhe nëse personi i arrestuar ka qenë i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme.

  • Kur lideri gdhihet luan dhe ngryset lepurush, grotesku diplomatik i Ramës në Kopenhagen

    Kur lideri gdhihet luan dhe ngryset lepurush, grotesku diplomatik i Ramës në Kopenhagen

    Një titull që nuk është thjesht metaforë, por një diagnozë e një lideri që e nis ditën si gladiator i batutave dhe e mbyll si zvarranik i apologjive. Rama, i veshur me atletet e bardha si një influencer i samiteve, u hodh në skenën ndërkombëtare me entuziazmin e një gaztori oborri që mendon se çdo batutë është diplomaci, çdo sarkazëm është strategji, dhe çdo selfie me Macron është aleancë.Por Kopenhageni nuk ishte një TikTok ballkanik. Ishte një skenë ku batuta ndaj Presidentit Trump – një “shkëmbesë” që u shit si humor mes miqsh – u kthye në një boomerang diplomatik që goditi me forcë imazhin e Shqipërisë. Rama, që zakonisht e sheh veten si një “lider global me shpirt artisti”, u shndërrua në një “artist pa skenë”, një protagonist që nuk di të lexojë publikun ndërkombëtar, por vetëm kamerat e mediave proqeveritare.Në vend që të mbajë qëndrimin e një burrështetasi, ai u kthye në një “lepurush me poture të mbushura”, duke u fshehur pas një deklarate të stërmunduar ku lavdëronte Trumpin si rikthyesin e paqes në fjalorin perëndimor. Një kthesë që nuk ishte reflektim, por një “valle e frikës” – një koreografi e improvizuar për të shpëtuar nga pasojat e një talljeje që nuk ishte as spontane, as e padëmshme.Rama, që në mëngjes performon si “Don Quixote i diplomacisë ballkanike”, në mbrëmje shndërrohet në “Pinoku i apologjisë transatlantike”. Ai nuk është më ai që tallet me Trumpin, por ai që e quan “lider paqësor”, duke e kthyer batutën në bekim, ironinë në lutje, dhe protagonizmin në pendesë.Në këtë grotesk diplomatik, Shqipëria nuk është më një vend me ambicie europiane, por një “shtet me kollare shumëngjyrëshe dhe nerva të bardha”. Një vend që përfaqësohet nga një lider që gdhihet si “showman i samiteve” dhe ngryset si “statist i diplomacisë së frikës”.Ky titull nuk është thjesht hyrje. Është një akt i parë. Një ftesë për të hyrë në një skenë ku politika është performancë, diplomacia është batutë, dhe lideri është një karakter që nuk di të dalë nga roli. Dhe kur roli është grotesk, çdo batutë është një rrezik, çdo buzëqeshje një maskë, dhe çdo apologji një akt i dytë që nuk e shpëton dot nga farsa e aktit të parë.

  • Odise Plaku: Ka ardhur koha që e drejta e autorit të zbatohet me ligjshmëri pa asnjë hezitim edhe në veprat skenike

    Odise Plaku: Ka ardhur koha që e drejta e autorit të zbatohet me ligjshmëri pa asnjë hezitim edhe në veprat skenike

    E drejta e autorit ka sjellë herë pas here reagime të krijuesve të ndryshëm, ku problemet në zbatimin e ligjit janë bërë me dije prej tyre. Por edhe në teatër e drejta e autorit është e rëndësishme për veprat skenike që vihen në skenë. Dramaturgu Odise Plaku thotë se autori i një teksti ruan të gjitha të drejtat mbi veprën e tij. Në intervistën për gazetën “SOT” dramaturgu Odise Plaku flet për rëndësinë që ka zbatimi i së drejtës së autorit në teatër dhe thotë se përdorimi i paligjshëm i një vepre shqiptare ka pasoja për autorin, ku çdo përdorim pa leje është si një humbje e dyfishtë financiarisht dhe artistikisht.  Ai thotë se regjisorët apo dhe aktorët nuk mund ta cilësojnë si pronë të tyre një vepër teatrore dhe mund të kenë të drejta përdorimi të saj. Për dramaturgun Odise Plaku asnjë vepër skenike nuk mund të konsiderohet si mall pa zot dhe kur një kontratë për përdorimin e saj përfundon, çdo shfaqje e mëtejshme pa lejen e autorit konsiderohet shkelje e të drejtave të tij. Ndaj sipas tij nëse një teatër apo trupë dëshiron ta rikthejë një tekst në skenë, duhet të negociojë sërish me autorin ose me përfaqësuesin e tij ligjor për një kontratë të re. Në aktivitetin e tij si dramaturgu Odise Plaku është një nga autorët e mirënjohur në vend, ku veprat e tij janë vënë në skena brenda dhe jashtë vendit, si dhe janë shfaqur në festivale të ndryshme të teatrit, ku dhe janë vlerësuar me çmime. Por shqetësimi i dramaturgut Odise Plaku për zbatimin e të drejtës së autorit është në vijim dhe të krijuesve të tjerë më parë, si në fushën e muzikës, kinematografisë, etj. E drejta e autorit vazhdon të jetë një nga problematikat me të cilat përballen autorë të ndryshëm në vend, ndërsa dhe zbatimi i ligjit jo pak herë ka sjellë diskutime.
    -Për teatrin, si funksionon e drejta autorit me veprat  shqiptare që vihen në skena, çfarë të drejtash ruan autori që e ka shkruar?
    Në teatër, e drejta e autorit mbetet një element thelbësor dhe i mbrojtur nga ligji. Autori i një teksti dramatik ruan të gjitha të drejtat morale dhe pasurore mbi veprën e tij. Kjo do të thotë se askush nuk mund ta vendosë në skenë pa lejen e tij, dhe për çdo përdorim ai duhet të marrë shpërblimin përkatës. Të drejtat morale kanë të bëjnë me faktin që autori duhet të njihet gjithmonë si krijues i veprës, nuk mund të ndryshohet teksti pa pëlqimin e tij dhe emri i tij duhet të përmendet në çdo afishe apo material promovues. Ndërsa të drejtat pasurore lidhen me pagesat për përdorimin e tekstit, sipas marrëveshjes me teatrin ose me agjencitë që menaxhojnë të drejtat e autorit. Pra, edhe pse një vepër vihet në skenë nga një trupë teatrore, autori vazhdon të mbetet pronari ligjor i saj.
    – Më herët ju jeni shprehur se kur kontrata për përdorimin e një vepre mbaron, nuk mund të përdoret pa lejen e autorit. Çfarë ndiqet nëse një vepër duhet të rikthehet në skenën teatrore për publikun?
    Ka qenë një shprehje fare rastësore pas leximit të një shkrimi në gazetën “Sot” në lidhje me të drejtën e autorit në lëmin e muzikës dhe vetvetiu më erdhi në mendje pyetja: Po për veprat skenike çfarë duhet bërë? Sepse asnjë vepër skenike nuk mund të konsiderohet si mall pa zot dhe gjithkush të bëjë çfarë të dojë me të. Kur një kontratë për përdorimin e një vepre përfundon, çdo shfaqje e mëtejshme pa lejen e autorit konsiderohet shkelje e të drejtave të tij. Nëse një teatër apo trupë dëshiron ta rikthejë një tekst në skenë, duhet të negociojë sërish me autorin ose me përfaqësuesin e tij ligjor për një kontratë të re. Ky është një proces normal: përcaktohen kushtet e reja, numri i shfaqjeve, shpërblimi që i takon autorit dhe mënyra se si do të përdoret teksti. Në thelb, çdo rikthim në skenë është një përdorim i ri i veprës, prandaj duhet domosdoshmërisht marrëveshja e autorit. Vetëm nëse autori ka dhënë një licencë më afatgjatë ose një marrëveshje të përgjithshme, atëherë mund të vazhdohet pa një kontratë të re specifike. Ajo që unë e cilësoj si shqetësuese është fakti që regjisorët aspo dhe aktorët e cilësojnë si pronë të tyre një vepër dhe mund të kenë të drejta përdormi të saj, pa shkuar në një kontakt njerëzor me autorin.

    -Nëse flasim për përdorim të paligjshëm të një vepre shqiptare, sa dëmton kjo autorin e saj?
    Përdorimi i paligjshëm i një vepre shqiptare ka pasoja të shumta për autorin. Së pari, ai humb të ardhurat që do të merrte nga shfaqja e ligjshme e veprës, sepse askush nuk e paguan për përdorimin e saj. Së dyti, humbet kontrollin mbi mënyrën se si interpretohet ose ndryshohet teksti i tij; për shembull, ndryshimet që nuk i pëlqejnë ose një interpretim që nuk i përfaqëson veprën siç e ka menduar. Në thelb, çdo përdorim pa leje është si një humbje e dyfishtë: financiarisht dhe artistikisht. Për autorin, kjo mund të ndikojë edhe në mundësitë për shfaqje të tjera të veprës në të ardhmen, sepse përdorimi i paautorizuar mund të çojë në keqkuptime ose humbje të vlerës së veprës. Të kërkosh një të drejtë për punën tënde nuk duhet marrë apo konsideruar si një masë drastike ndaj vënies së mëtejshme në skenë të veprës. Përkundrazi, apo do të zyrtarizojë, por edhe rrisë shkallën e përgjegjësisë për prezantimin e mëtejshëm të kësaj vepre.
    -Në dijeninë tuaj a ka pasur raste në teatër, që e drejta e autorit me veprat shqiptare nuk është zbatuar?
    Nuk  mund të flasë për të tjerë, por flas për veten time si dramaturg kur vepra më është marrë me mirëbesim, është vënë në skenë, janë siguruar të ardhura financiare dhe unë jam përballur me përgjigjen: “Tani nuk kemi më lekë”. Për të mos prishur reputacionit e regjisorit jam tërhequr në heshtje për të vlerësuar në të ardhmen më mirë punën time si autor.  Për fat të mirë, në vitet e fundit ka pasur një ndërgjegjësim më të madh mbi të drejtat e autorëve dhe shumë institucione po përpiqen t’i respektojnë ato më rigorozisht. Është fakt që në çdo projekt kërkohet deklarata e autorit, si dhe përcaktohen kushtet e bashkëpunimit në nënshkrime të aktmarrëveshjeve.
    -Duke qenë se dhe më parë krijues të ndryshëm në fushën e muzikës, etj, kanë shprehur probleme për të drejtën e autorit në vend, kanë kërkuar zbatimin e ligjit, për ju çfarë duhet përmirësuar që të ketë zbatim të së drejtës në krijimtari?
    Për të siguruar respektimin e të drejtave të autorit në krijimtari, ka disa gjëra që duhet përmirësuar. Në radhë të parë duhet filluar me krijuesit që të dinë se cili është kuadri ligjor mbi të drejtat e tyre, si dhe mbi procedurat për të marrë leje dhe shpërblime. Së dyti, është e nevojshme të forcohet zbatimi i ligjit, me kontrolle dhe mekanizma të qartë që të parandalojnë shfaqjet ose përdorimet pa leje. Shpesh herë organizohen festivale dhe organizatorëve nuk interesohen apo të dinë a ka një mbrojtje ligjore kjo vepër që është pjesë e repertorit të tyre artistik?  Mendoj se respektimi i autorit nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe kulturore, duhet të ndërtohet një vetëdije dhe kultura e respektimit të krijimtarisë dhe punës së autorit në të gjitha fushat artistike, qoftë teatër, muzikë apo letërsi.
    Intervistoi: Julia Vrapi

  • Dy mbrëmje magjike të sopranos Nina Muho dhe “Traviata” që nuk rresht së na magjepsuri!

    Dy mbrëmje magjike të sopranos Nina Muho dhe “Traviata” që nuk rresht së na magjepsuri!

    Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Shqipërisë hapi sezonin operistik me një nga kryeveprat e kompozitorit Xhuzepe Verdi, “La Traviata” e cila këtë herë erdhi nën regjinë dhe kostumografinë e mjeshtrit italian, Hugo De Ana dhe mjeshtërinë muzikore të dirigjentit Francesco Ommassinit.

    Në këtë produksion binte në sy edhe prania e solistëve që kishin udhëtuar nga jashtë për t´u bashkuar me artistët shqiptarë. “La Traviata” u ngjit në skenë për 4 netë me radhë nga data 26 shtator deri në 29 shtator 2025.

    Biletat për të katërta netët ishin të gjitha të shitura.

    Skenografia nga njëra anë dhe koncepti regjisorial i Luca Barachinit në anën tjetër e çoi publikun në Parisin e fundshekullit të 20-të.

    Traviata është një nga operat më të interpretuara në botë, por edhe nëse ndonjëherë do të bëhej një sondazh mbi shfaqjen më të dashur nga publiku i gjerë, me siguri kjo operë do të qendronte në krye të parapëlqimeve. Opera kudo gjen suksesin që e ka shoqëruar dhe e shoqëron edhe sot.

    Në mesin e adhuruesve të “La Traviatës” janë si spektatorët që vijnë me kërshërinë për të ndjekur produksionin, ashtu edhe ata që vijnë të shohin në skenë artistët e parapëlqyer.

    Padyshim mes tyre janë edhe publiku meloman që nuk lë shfaqje pa ndjekur. Kur merr një biletë për të parë “La Traviatën” shumëkush pyet: “Cila është Violeta? “Po Alfredon kush e luan”?

    Në katër mbrëmje të kësaj vjeshte në skenë u ngjitën tri soliste në rolin e Violetës.

    Nata e pare e shumëpritur e këtij sezoni mori edhe më shumë vëmendje falë një incidenti në skenë që bëri që solistja të mos interpretonte edhe natën përmbyllëse të kësaj shfaqjeje. Por ndërsa jehona e një situate të paparashikueshme qarkullonte ende në media, artistët vijonin punën duke i dhuruar publikut netë të paharrueshme.

    Pas sopranos Zuzana Marková që interpretoi në natën e dytë erdhi radha e solistes Nina Muho të dilte para publikut. Sopranoja e dashur për publikun u ngjit në skenë si një Violetë jo vetëm sic ishte programuar në datën 28 shtator por edhe në mbrëmjen pasuese si pasojë e një ndryshimi të detyruar nga kalendari i paracaktuar.

    Në rolin e Alfredos si partnerë të Muhos u ngjitën në skenë tenorët Oreste Cosimo dhe Mario Rojas. Bashkë me protagonistët kryesorë në skenë në rolin e Giorgio Germontit u ngjitën baritoni Solen Alla dhe Armando Likaj, solist bariton i TKOBAP-së. Ndërsa njoftonte trupën interpretuese vetë Teatri e cilësonte sopranon Nina Muho, “si një zë dhe interpretuese bindëse për një repertor të gjerë operistik”.

    Trupa e produksionit që erdhi në Shqipëri ishte po ai produksion ku sopranoja Muho kishte bashkëpunuar si soliste në Operën Kombëtare të Zagrebit me po te njejtin rol.

    Me ndjesinë që të jep ngrohtësia e një bashkëpunimi të suksesshëm sopranoja Muho shprehej: “Jam e lumtur që e interpretoj këtë produksion në shtëpinë time në TKOB” ndërsa vijonte se për herë të parë këtë produksion e ka interpretuar në Zagreb.

    Nina Muho e ka interpretuar rolin e Violetës thuajse 17 herë, nga të cilat disa herë në TKOB dhe shumë herë në skena ndërkombëtare si në Operën e Kaljarit, në Teatrin “Xhuzepe Verdi” të Triestes, në Operën e Mariborit në Slloveni, në Operën Kombëtare të Zagrebit etj.

    Ajo ka interpretuar edhe natën e ndërrimit të viteve kur me trupën e Teatrit ‘Verdi’ të Triestes interpretonte pikërisht Violeta Valerinë dhe ‘La Traviatën’. Këtë shfaqje pati mundësinë ta ndiqte edhe publiku i gjerë falë transmetimit të drejtpërdrejtë përmes ekranit televiziv italian.

    Këtë vit në Tiranë, për dy net rresht, gjatë dy shfaqjeve të ” La Traviatës” Violeta Valeri e Nina Muhos bëri të ëndërrojnë e të vuajnë bashkë me të dramën e dashurisë, ashtu si në Parisin e largët, një publik i tërë, që nuk rreshti së duartrokituri me zjarr e së brohorituri zëshëm. Dirigjenti Ommassini thote se ajo posedon nje instrument të pasur, të perdorshem për repertor te gjerë dhe me kolorit të veçantë duke shtuar se në interpretimin e Violetës ajo ka treguar përgatitje, profesionalizem, personalitet, grint dhe pasion italian të cilin e ka vlerësuar shumë!

    ObserverKult

  • Vepra shqiptare dhe të huaja përgjatë tetorit në Teatrin Kombëtar, në skenë dhe premiera “Si ta doni” e Shekspirit

    Vepra shqiptare dhe të huaja përgjatë tetorit në Teatrin Kombëtar, në skenë dhe premiera “Si ta doni” e Shekspirit

    Nga Julia Vrapi
    Vepra teatrore shqiptare dhe të huaja përgjatë këtij muaji janë pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar. Programi artistik këtë muaj në teatër nis me shfaqjen teatrore “Ferma e kafshëve”, por në skenën në ditët fundit të tetorit do të jetë dhe premiera e komedisë “Si ta doni”, vepër e Shekspirit. “Ferma e kafshëve” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar te “Ar Turbina” në mbrëmjet e datave 2, 3, 4 dhe 5 tetor. Një përshtatje e veçantë e alegorisë së famshme nga George Orwell, që flet për pushtetin, manipulimin dhe shpresën. “Ferma e kafshëve” vjen në skenë me regji nga Driada Dervishi. Në “Fermën e kafshëve” në role janë aktorët Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, etj.
    “Ferma e kafshëve” një produksion i Teatrit Kombëtar shënoi më parë premierën në vitin 2021, por nuk ka vijuar edhe skenat e teatrove të tjerë në vend apo edhe në festivale. Vepra teatrore “Turjela” produksion i Teatrit Kombëtar që erdhi në skenë në maj 2024 rikthehet për publikun. Vepra vjen në skenë me ngjarje që zhvillohen në Shqipëri në kohën e diktaturës. Sigurimi i shtetit ka një detyrë speciale për shkrimtarin Dritan Korami…të raportojë mendimet e gabuara të dikujt në familjen e tij! Nëse nuk e bën ndoshta mund të ketë pasoja për të vetë dhe ai merr një vendim. “Turjela” shkruar dhe me regji nga Saimir Gongo sjell në role aktorët Helidon Fino, Olta Daku, Muzafer Zifla, Neritan Liçaj dhe Indrit Çobani dhe do të jetë në skenë në datat 9, 10, 11 dhe 12 tetor. Në vijim kalendari artistik i TK-së këtë muaj vijon me “Pushtimi” me Gent Hazizin në 15 tetor. Por veç shfaqjeve teatrore programi artistik vijon edhe me “International Dance Festival of Tirana”.
     Vepra e Shekspirit në skenë
    Premiera teatrore “Si ta doni” vepër e Shekspirit do të shfaqet për publikun në datat 30 dhe 31 tetor. Komedia është në sezonin e ri artistik 2025-2026  të Teatrit Kombëtar dhe do të vijë në skenën teatrore me regji nga John Blondell dhe me një kastë aktorësh të njohur të teatrit. Komedia ka në role aktorë si Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, etj. Regjisori John Blondell ka sjellë edhe më parë në skenën tonë teatrore vepra të Shekspirit, por këtë herë me regji prej tij vjen premiera teatrore “Si ta doni”.
    Në origjinal “As you like it” komedi nga William Shakespeare është përkthyer nga Skënder Luarasi. Fabula është mjaft e thjeshtë: problemi dramatik në sjelljen e çoroditur të dy vëllezërve të ligj ndaj dy vëllezërve të mirë, si dhe pengesat e lidhura me këtë sjellje ndaj martesës së disa çifteve në këtë pjesë teatrore (sidomos të Rozalindës me Orlandon) zgjidhen pa vështirësi dhe, pa pikë dyshimi, kemi të bëjmë me një fund të lumtur. Trupa e aktorëve të Teatrit Kombëtar ka vijuar këto ditë shtatori provat për të sjellë në skenë shfaqjen “Si ta doni”, por sezoni i ri artistik 2025-2026 do të ketë dhe të tjera vepra të Shekspirit.
     

  • Incidenti në “La Traviata”/Tenori nuk realizon rolin sipas parashikimit,Eva Golemi:Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë

    Incidenti në “La Traviata”/Tenori nuk realizon rolin sipas parashikimit,Eva Golemi:Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë

    Nga Julia Vrapi
    Opera “La Traviata” e autorit Giuseppe Verdi në mbrëmjen e parë të saj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit përfundoi me një incident në skenë. Një episod i papritur ndodhi mbrëmjen e së premtes, ku sopranoja e njohur Eva Golemi u rrëzua në skenë, pasi tenori Mario Rojas nuk arriti ta realizojë sipas parashikimeve rolin e tij. Ngjarja ndodhi në skenën finale të operës kur Eva Golemi në rolin e Violetës duhet të binte në krahët e Alfredos, rol që luhej nga tenori Rojas, por ky i fundit  ndodhej disa metra larg, duke e lënë sopranon të rrëzohet. Tenori u afrua vetëm pasi sopranoja u rrëzua në skenë.
    Pas këtij incidenti nga stafi i TKOB u lajmërua ambulanca dhe sopranoja Golemi u dërgua në spital. Nga ekzaminimet, rezultoi se sopranoja nuk ka pësuar dëmtime serioze shëndetësore, ndërsa iu rekomandua nga stafi mjekësor një pushim prej dhjetë ditësh. Sopranoja e njohur Eva Golemi e ka interpretuar këtë rol në skena brenda dhe jashtë vendit, ndërsa e ka cilësuar Violetën një nga rolet e saj më të dashura. Por për këtë incident në skenë me rolin në “La Traviata” sopranoja thotë se kurrë më parë nuk i kishte ndodhur një gjë e tillë. “E kam interpretuar këtë rol mbi 70 herë në skena deri tani.
    Kam 25 vite që luaj këtë rol jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, një incident i tillë nuk më kishte ndodhur kurrë më parë”, shprehet sopranoja Eva Golemi, ndërsa e cilëson dhe si mungesë profesionalizmi nga tenori Mario Rojas për çfarë ndodhi gjatë operës “La Traviata” në mbrëmjen e parë në skenë. Në katër netët e shfaqjes, me kaste të ndryshme, në operën me produksion të mjeshtrit Hugo de Ana ishte planifikuar që soprano Eva Golemi të ishte në rolin e Violetës edhe këtë mbrëmje në natën e fundit më 29 shtator në TKOB, por pas incidentit ajo pritet që të zëvendësohet me një tjetër soprano në shfaqje. Eva Golemi është një ndër zërat lirikë kryesor që ka Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë. Në karrierën e saj operistike numëron role të rëndësishme brenda vendit, por edhe në skenat evropiane. Për publikun sopranoja u ngjit sërish këtë shtator në skenë në kryeveprën e Verdit.
    Shfaqja në vijim
    Pas incidentit në operën “La Traviata” reagoi edhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. TKOB informon se gjatë natës së parë të operës “La Traviata”, sopranoja e mirënjohur Eva Golemi pati një incident në skenë, në momentet e fundit të shfaqjes. TKOB bën me dije se sopranoja është në proces rikuperimi dhe fatmirësisht gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, pa pasoja serioze. TKOB shpreh mirënjohje për publikun, i cili tregoi respekt dhe dashuri për artistët dhe thotë se shfaqjet do të vijojnë sipas programit të parashikuar. Vepra operistike vjen në skenë me regji nga Hugo de Ana dhe dirigjent është Francesco Ommassini. “La Traviata” u shfaq në TKOB në datat 26, 27, 28 dhe vijon dhe këtë mbrëmje 29 shtator. Jeta mondane e Parisit të fundshekullit të 19-të, sallonet aristokrate, dashuria, mllefet dhe intrigat në historinë e Violettës dhe Alfredos, janë në operën “ La Traviata” të Verdit. “La Traviata” është një opera me tre akte nga Giuseppe Verdi (Xhuzepe Verdi) e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave, ajo është e bazuar në “La Dame aux Camelias” (1852) shkruar nga Alexandre Dumas.
     

  • “Mund të kishte qenë më e rëndë…”, sopranoja Eva Golemi flet pas dëmtimit: Mungesë profesionalizmi e tenorit meksikan

    “Mund të kishte qenë më e rëndë…”, sopranoja Eva Golemi flet pas dëmtimit: Mungesë profesionalizmi e tenorit meksikan

    Një incident i pazakontë dhe i frikshëm ndodhi mbrëmjen e 26 shtatorit, gjatë premierës së operës së famshme “La Traviata” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB). Protagonistja e shfaqjes, sopranoja Eva Golemi, u rrëzua në skenë gjatë skenës finale, për shkak të një gabimi të partnerit të saj, tenorit meksikan Mario Rojas.
    Si ndodhi incidenti?

    Në aktin e fundit, kur Violetta (luajtur nga Golemi) ndërron jetë në krahët e Alfredos, rolin e të cilit e mbante Rojas, skena nuk u realizua sipas regjisorit. Tenori ndodhej disa metra larg, duke e lënë sopranon të rrëzohej në skenë pa asnjë mbështetje. Spektatorët mbetën të habitur, ndërsa stafi i TKOB njoftoi menjëherë ambulancën.

    Golemi u dërgua në spital për ekzaminime, ku fatmirësisht mjekët konfirmuan se nuk kishte pësuar dëmtime serioze. Ajo u këshillua të marrë dhjetë ditë pushim për t’u rikuperuar plotësisht.

    Reagimi i sopranos
    E kontaktuar nga Top Channel, sopranoja u shpreh se ishte e tronditur nga ngjarja:
    “Kam 25 vite që luaj këtë rol jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, një incident i tillë nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Ngjarja mund të kishte qenë më e rëndë nëse do të dëmtoja kokën. Jam ende e tronditur. Veprimi i partnerit ishte mungesë profesionalizmi”.
    Fjalët e saj pasqyrojnë shqetësimin jo vetëm për gjendjen fizike, por edhe për standardin e skenës shqiptare, ku përgjegjësia e partnerit është thelbësore.
    Pasojat për sezonin e TKOB-it
    Sipas kalendarit të publikuar, “La Traviata” është shfaqur me tre kaste të ndryshme dhe pritej që Eva Golemi të interpretonte sërish Violetën në natën finale, më 29 shtator. Pas incidentit, TKOB pritet të njoftojë se kush do ta zëvendësojë në skenë.
    Produksioni i “La Traviata”-s mbart firmën e regjisorit të madh Hugo de Ana, duke e renditur këtë premierë ndër ngjarjet më të rëndësishme të sezonit artistik në vend.
    Eva Golemi, një karrierë tri dekadash
    Prej gati tre dekadash, Eva Golemi është soprano e parë e TKOB-it, duke interpretuar qindra role brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por, roli i Violetës në operën e Verdit ka qenë ndër më të dashurit për të, një personazh që e ka sjellë mbi 70 herë në skenë.
    Incidenti i së premtes nuk zbeh kontributin e saj, por kujton fragjilitetin e artit skenik, ku një moment pakujdesie mund të shndërrojë magjinë e operës në një episod dramatik real.