Tag: skenë

  • Skenë e vërtetë festive/ Të rinjtë nga Kosova e Shqipëria, ia marrin valles në kufirin e përbashkët

    Skenë e vërtetë festive/ Të rinjtë nga Kosova e Shqipëria, ia marrin valles në kufirin e përbashkët

    Kufiri i përbashkët Shqipëri–Kosovë është kthyer sot në një skenë të vërtetë festive me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Grupe valltarësh nga Kosova dhe Shqipëria kanë kërcyer vallen e Kukësit, duke treguar se zemra e shqiptarësisë rreh njësoj, kuq e zi, pikërisht aty ku bashkohen të dy vendet.
    Si çdo vit, festa e 28 Nëntorit Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ajo e 17 Shkurtit Dita e Pavarësisë së Kosovës kthehen në momente uniteti, gëzimi dhe krenarie kombëtare, të dukshme edhe në këtë kufi që sot nuk ndan, por bashkon.

  • Dekorohet këngëtarja Adelina Ismajli, Osmani i dorëzon artistes në skenë medaljen presidenciale

    Dekorohet këngëtarja Adelina Ismajli, Osmani i dorëzon artistes në skenë medaljen presidenciale

    Këngetarja e mirënjohur Adelina Ismaili, një emër që ka lënë gjurmë në skenën muzikore shqiptare, solli një recital unik, si kurorëzim të 40 viteve të karrierës së saj.
    E shoqëruar nga kori i fëmijëve, në nisje të koncertit, artistja që prej katër dekadash prodhon hite të pavdekshme, solli për publikun  këngë të përzgjedhura që fëmijëria e saj.
    Në sallë ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndoqi nga afër recitalin e Adelinës. Osmani u ngjit në skenë për t’i dorëzuar artistes Mirënjohjen Presidenciale, si vlerësim për kontributin e saj në muzikën shqipe.

    Të pranishëm ishin gjithashtu personalitete të njohura të artit si edhe qytetarë, të cilët shijuan nga afër koncertin dhe vlerësuan performancën e këngëtares.
    Koncerti “40 vite karrierë, Guxim dhe flamur i artit shqiptar”, solli në skenë të gjitha dimensionet artistike të Adelina Ismailit. Ekranet gjigantë të skenës risollën rrugëtimin artistik të këngëtares që nga nisja e karrierësm ndërsa publiku shijoi këngët e përzgjedhura./vizionplus.tv
     

  • “Il Trovatore” kryevepra e Verdit në dhjetor në Opera,në skenë dhe tenori Josif Gjipali e mezzosoprano Enkeleida Shkoza

    “Il Trovatore” kryevepra e Verdit në dhjetor në Opera,në skenë dhe tenori Josif Gjipali e mezzosoprano Enkeleida Shkoza

    Nga Julia Vrapi
    Historia e operës “Il Trovatore” vjen këtë sezon artistik. Kryevepra e kompozitorit Giuseppe Verdi që njihet për meloditë e fuqishme, dramatikën e thellë dhe kërkesat vokale të larta vjen në skenë në muajin dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Il Trovatore”, kryevepra botërore e  Verdit, rikthehet në skenën tonë me një produksion të ri, që mban firmën e regjisorit Roberto Catalani, realizuar nga Teatro “Amilcare Ponchielli” i Cremonës në Itali. Në mbrëmjet e dhjetorit, muzika, drama dhe pasioni verdian bashkohen në një shfaqje, që shënon edhe një nga momentet e veçanta të kalendarit artistik këtë muaj. Opera “Il Trovatore” ka mbetur një prej veprave më të interpretuara në skenat e mëdha botërore, jo vetëm për shkak të melodive të paharrueshme, por edhe për shkak të dramës së saj të fuqishme. Një vepër që trondit dhe prek njësoj dhe sot. Në skenë për këtë shfaqje operistike do të jenë solistë të njohur të Operës, por dhe të tjerë që kanë vijuar aktivitetin e tyre dhe në skenat ndërkombëtare. Tenori Josif Gjipali, mezzosoprano Enkeleida Shkoza apo dhe sopranot Eva Golemi dhe Ramona Tullumani janë vetëm disa prej tyre, që do të jenë në skenë në muajin dhjetor në kryeveprën e Verdit.
    Në një material rreth artistëve, sipas teatrit mezzosoprano Enkeleida Shkoza debuton për herë të parë në Shqipëri në një produksion operistik. “Pas 24 vitesh mungesë, rikthehet në skenën shqiptare tenori ynë i mirënjohur me karrierë ndërkombëtare në skenat më prestigjioze të botës, Josif Gjipali. Për herë të parë në Shqipëri, në një produksion operistik, debuton në skenën e TKOBAP-së mezzosoprano shqiptare me famë ndërkombëtare Enkeleida Shkoza, në rolin dramatik të Azucenës. Roli i Conte di Luna interpretohet nga baritoni Ankhbayar Enkhbold dhe baritoni i mirënjohur i teatrit, Armando Likaj. Në rolin e Leonorës, skenën e ndajnë sopranot e mirënjohura Eva Golemi dhe në kastin e dytë Ramona Tullumani. Rolin e Azucenës në kastin e dytë e luan mezzosopranoja e teatrit Ivana Hoxha, ndërsa roli i Manricos vjen në kastin e dytë nga tenori Amadi Lagha. Rolin e Ferrandos e sjell në skenë Bledar Domi. Ines interpretohet nga Suada Gjergji dhe Greis Shametaj, ndërsa roli i Ruiz ndahet mes Matias Xhelit dhe Redon Sinellës”, thuhet nga teatri ndër të tjera. Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është nën drejtimin e dirigjentit Andrea Solinas dhe dirigjent i korit është Dritan Lumshi. Vepra operistike do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 11, 12 dhe 13 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Skenograf  Emanuele Sinisi, kostumografe Ilaria Ariemme, koncertmaestër produksioni Herta Cane, Igli Rapaj, koncert maestër kori Ingrid Pulizo, mjeshtre grimi e paruke Bebeka Alla.
     Vepra këtë sezon artistik
    Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit po i afrohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme të sezonit artistik, premierës së operës “Il Trovatore”. Në operën “Il Trovatore” ngjarjet ndodhin në Spanjë, në fillimin e shekullit XV-të, ku komandanti i trupave mbretërore të Aragonit, Konti di Luna është i dashuruar me Leonorën, një fisnike e re në shërbim të mbretëreshës, e cila nuk ia kthen dashurinë. Ndërsa, jashtë rezidencës mbretërore, ushtarët e tij e ruajnë gjatë tërë natës atë. “Il Trovatore” opera e kompozitorit Giuseppe Verdi u shfaq për herë të parë në 19 janar të vitit 1853 në Teatrin Apollo të Romës. Së bashku me “Rigoletto” e “La Traviata ”, kjo opera bën pjesë në të ashtuquajturën triologjia popullore verdiane. Libreti në katër akte është marrë nga drama “El trovador” e autorit Antonio Garcia Gutierrez. Në një material të TKOB në 2019, thuhej se ishte vetë Verdi, që pati idenë të nxirrte një opera nga një vepër e Gutierrez, duke ia besuar Salvadore Cammarano-s përpunimin e libretit. “Poeti napolitan vdiq papritur në 1852, sapo përfundoi libretin dhe Verdi, që dëshironte të bënte disa shtesa apo modifikime të vogla, u detyrua të kërkonte ndërhyrjen e një bashkëpunëtori të të ndjerit Cammarano, Leone Emanuele Bardare. Vetë Verdi, veç të tjerash, ndërhyri personalisht në vargjet finale, duke i shkurtuar. Shfaqja e parë qe një sukses i madh: siç shkruan në kronikën e kohës Julian Budden. Me asnjë nga veprat e tij, madje as me “Nabucco”, Verdi nuk arriti të prekë kaq shpejt zemrën e publikut”, thuhet rreth veprës. Opera “Il Trovatore” është vënë dhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ndërsa këtë dhjetor vjen për publikun si një produksion i ri.

  • “Mbi fjalë”, përjetim i ri teatror/ Shfaqja e pazakontë e regjisorit Blenard Azizaj që bën bashkë publikun me artistët

    “Mbi fjalë”, përjetim i ri teatror/ Shfaqja e pazakontë e regjisorit Blenard Azizaj që bën bashkë publikun me artistët

    Regjisori Blenard Azizaj u rikthye në Tiranë për të sjellë këtë mes nëntori në Teatrin Eksperimental një shfaqje aspak të zakontë.

    Shfaqja në Teatrin Eksperimental surprizoi publikun, që u ngjit në skenë, duke u bërë pjesë e interpretimit të artistëve.
    “Doja që edhe audienca të ishte pjesë e skenës, pa e kuptuar, ata lëvizin, kërcejnë. E kam pasur gjithnjë dëshirë që audienca të ishte në skenë dhe artistët te karriget”, shprehet regjisori Azizaj.
    Në shfaqjet e mia mundohem mos ta drejtoj audiencën ku të shohë, por të zgjedhë vetë kë të shohë dhe të ndjejë.
    “Mbi fjalë” ndërthur elementë të folkut shqiptar me dancin kontemporan dhe muzikën elektronike. Sa herë vij në Shqipëri kam shumë emocione dhe dua të vij me projekte të tjera.
    “Janë edhe kujtimet e mia si fëmijë, ai brumi aty në fillim me poezinë e Dritëroit më kujtojnë nënën kur isha i vogël dhe ajo përgatiste bukën. Nëna tani është në një moment të vështirë shëndetësor dhe unë doja që këto emocione t’i lidhja në skenë”, shton Azizaj.
    Shfaqja u vu në skenë në bashkëpunim me Teatrin e Operave dhe Baletit dhe Universitetin e Arteve. Interpretimi i Rafael Hoxhës dhe Nina Muhos me element poetike nga Agolli e Migjeni mbajti mbërthyer audiencën gjatë gjithë mbrëmjes.
    “Për mua ishte hera e parë që të bashkëpunoja me një trup baleti, që nëpërmjet artit kontemporan të gërshetuar me elemente të traditës, qoftë në veshje apo qoftë edhe në mënyrën se si e kanë sjellë koreografinë. Është një nga shfaqjet më të veçanta ku unë kam performuar. Është hera e parë që e shoh nga afër publikun të bëhet pjesë e artistëve”, thotë soprano Nina Muho.
    Qëllimi i këtij projekti, që regjisori synon ta rikthejë në data të tjera në teatër ka për qëllim të promovojë trashëgiminë kulturore shqiptare në një formë të re dhe tërheqëse.

    Top Channel

  • Theofil Haxhijani, aktori që e bëri Shqipërinë të buzëqeshë…

    Theofil Haxhijani, aktori që e bëri Shqipërinë të buzëqeshë…

    Nga ILIR ÇUMANI
    Sot, artisti sarandit Theofil Haxhijani feston 86 vite jetë…Janë 86 vite muzikaliteti të brendshëm, humori të rrallë, dhuntie të lindur dhe mirësie njerëzore — 86 vite dritë që ka ditur t’ia falë publikut me një bujari të admirueshme.
    Ai erdhi në jetë më 14 nëntor 1939, në Delvinën e thjeshtë e të bukur, të rrëzuar mbi gurë e dritë, qytet që di t’i rrisë njerëzit me një qetësi të thellë e karakterformuese që vjen nga tradita.
    Aty u ndez për herë të parë shkëndija e talentit të tij: fillimisht si këngëtar me zë të pastër e melodioz, pastaj si kupletist me një intuitë të jashtëzakonshme të së qeshurës.

    Shumë shpejt të gjithë e kuptuan se Theofili nuk ngjitej në skenë vetëm për të interpretuar — ai ngjitej për t’i falur publikut copëza gëzimi të shpirtit të tij, për ta çliruar një grimë nga pesha e jetës së përditshme.
    Në qershor të vitit 1965, fati e ngjiti përgjithmonë me Sarandën, qytetin vezullues mbi det, që ai e deshi si shtëpi, si skenë dhe si vend të frymëzimit të tij të përhershëm.
    Pikërisht aty, në këtë qytet të diellit dhe dritës, ai do të bëhej një nga emrat më të dashur, më të respektuar dhe më të pazëvendësueshëm të Estradës së Varietesë Profesioniste.
    Tridhjetë vite karrierë nuk ishin thjesht punë: ato ishin një betim i nënshkruar me shpirt, një përkushtim i dlirë ndaj artit të humorit, një dëshmi se arti komik mund të jetë fisnik, i menduar, i pastër dhe i thellë.
    Me interpretimet e tij, Theofili tregoi se një njeri mund të qeshë e të mendojë njëkohësisht, se një parodi e ndërtuar me inteligjencë, finesë dhe kulturë mund të shkundë pluhurin e përditshmërisë dhe të sjellë dritë në zemrat e njerëzve.

    Ai e zotëroi skenën me një larmi të pabesueshme: monologë, skeçe, parodi, kuplete, role komike, drama të lehta dhe komedi të muzikuara.
    Megjithatë, kulmi i artit të tij — momenti ku publiku e pa në formën e tij më të plotë — ishte roli i Sokratit në komedinë muzikore “Me plot dëshirë” (1977), me muzikë të mjeshtrit Agim Prodani.
    Ai rol nuk ishte thjesht një interpretim, por një shkreptimë e shpërthim i formatit të tij të rrallë komik, një kupolë ku shkëlqeu si aktor me dimension të vërtetë.
    Por bota ku ai mbeti si një artist sui generis, i pakonkurrueshëm, i pangjashëm, i paarritshëm, ishte parodia.
    Rreth njëqind parodi dhe kuplete i interpretoi i vetëm në skenë, dhe mbi dhjetë të tjera në duet — shumica me bashkëshorten e tij, aktoren e talentuar Violeta Haxhijani, me të cilën krijuan një simbiozë artistike të pashoqe.
    Të dy bashkë qenë si dy zëra të një simfonie humori familjar, të ngrohtë, të sinqertë: dy artistë që e kuptonin njëri-tjetrin dhe e plotësonin në skenë me elegancë dhe dashuri.
    Theofili nuk ishte vetëm interpretues; ai ishte edhe autor i shumë teksteve dhe krijimeve muzikore, të ritmuara me finesën e parodive që realizonte.

    Në çdo krijim vendoste kujdesin e artistit të përkorë, sqimën e mjeshtrit, përgjegjësinë e njeriut që e di se publiku është një shenjtëri që nuk lejohet të zhgënjehet.
    Vepra e tij u pasurua edhe më tej nga prania në Radio Tirana, në Televizionin Shqiptar, në skenat teatrore të Tiranës, Shkodrës, Përmetit, Memaliajt, Gjirokastrës; në koncerte kombëtare, në festivale e në xhirime filmash artistikë.Ai ishte kudo ku kërkohej arti i mirë, fjala e bukur dhe buzëqeshja e natyrshme.
    Edhe kinematografia shqiptare ka ruajtur gjurmën e tij.
    Theofil Haxhijani ka interpretuar role dytësore, por të dashura për publikun, në disa filma të rëndësishëm të viteve ’70–’80:• “Udhëtim në pranverë” — 1975• “Nga mesi i errësirës” — 1978• “Pranverë në Gjirokastër” — 1978• “Historiani dhe Kameleoni” — 1988
    Këto role, ndonëse të vogla, mbartin vulën e tij karakteristike: natyrshmërinë, spontanitetin, humorin e hollë dhe prani skenike që i jepte jetë edhe çastit më të shkurtër filmik.
    Për gjithë kontributin e tij artistik, vlerësimet erdhën njëra pas tjetrës, aq të merituara sa edhe të vonuara për një artist të përmasave të tij:
    • Urdhri “Naim Frashëri” (1970)• Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (1978)• “Artist i Merituar” (1979)• “Mjeshtër i Madh” (2014)
    Në vitin 2015 botoi librin autobiografik “Një mendje, hiç mendje”, ku i dha jetë kujtimeve, përjetimeve dhe botës së tij të brendshme, gjithmonë me aromën e humorit që e shoqëroi në çdo hap.
    Sot, në 86-vjetorin e tij, dashamirësit kudo nëpër Shqipëri i urojnë ditëlindjen një artisti që mbetet i pashlyeshëm në kujtesën e qyteteve, në duartrokitjet e sallave, në gjuhën e publikut që ende përmend skeçet, paroditë dhe rolet e tij.
    Njeriu që e bëri Sarandën dhe gjithë Shqipërinë të buzëqeshë në kohë të vështira, me një gaz hareje që nuk është shuar kurrë.

    Gëzuar ditëlindjen, i dashur Theofil Haxhijani!Urojmë që vitet t’i shtohen jetës tënde me të njëjtën qetësi, fisnikëri dhe humor të hollë që i ke falur publikut për dekada të tëra.
    Saranda, Shqipëria dhe skena shqiptare janë më të pasura sepse ti ke ekzistuar për to.

  • “Makaronat e shejtanit” një komedi shqiptarenë skenën teatrore që përcjell mesazhe mjaft aktuale

    “Makaronat e shejtanit” një komedi shqiptarenë skenën teatrore që përcjell mesazhe mjaft aktuale

    Nga Julia Vrapi
    “Makaronat e shejtanit”qëbart në vetvete tematika thelbësore aktuale,në edicionin e nëntë të festivalit të përvitshëm të veprës shqiptare, “Metrofest 9”. Një komedi shqiptare, që do të ngjitet në skenën e teatrit Metropol në Tiranë në ditët e festivalit “Metrofest 9”. Festivali që i kushtohet veprave shqiptare nisi këtë vit në muajin tetor, por vijon me shfaqje edhe përgjatë nëntorit, ku drama dhe komedi janë pjesë e tij që sillen nga regjisorët në skenë. Në vijim është komedia “Makaronat e shejtanit” autor Lazër Lumezi dhe regjia Klajdi Malellari, që do të jetënë skenën e teatrit Metropolit.
    “Makaronat e shejtanit” e shfaqur për herë të parë më 1935 në Prizren, bën pjesë në një ndër veprat më të njohura të autorit dhe këtë vit në festivalin teatror “Metropol” ajo do të jetë në skenë sipas konceptit regjisorial të Klajdi Malellarit. Në jetën artistik të teatrit, Klajdi Mallellari ka qenë angazhuar më parë dhe në të tjera projekte teatrore edhe si aktor. Këtë herë në festivalin e veprës shqiptare ai prezantohet si regjisor me një komedi. Lazër Lumezi (1870 -1941) ishte një shkollar dhe veprimtar i arsimit, mësues në Shkollën e Parë Shqipe në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, metodist i gjuhës shqipe, autor tekstesh shkollore, etnograf, folklorist e vjershëtor, bashkëkohanik dhe bashkëpunëtor i Mati Logorecit dhe vazhdues i veprës së tij. Krahas punës mësimore, Lazër Lumezi u mor edhe me krijimtari letrare (poezi dhe prozë) si dhe me përkthime.
    Komedia në skenë
    “Makaronat e shejtanit” bart në vetvete tematika thelbësore aktuale dhe do të jetë për tre mbrëmje me radhë në skenën e teatrit këtë nëntor në festivalin “Metrofest”, që po vijon edicionin e nëntë të tij. “Makaronat e shejtanit” do të jetë në skenë në datat 14, 15, 16 nëntor në Metropol, ku vepra qëështë shkruar në vitet ‘30 përcjell mesazhe mjaft aktuale si etja për para që ka humbur ndjenjat njerëzore apo mosmirënjohja. Herë pas here për dramën shqipe në skenë janë shprehur autorë dhe artistë të ndryshëm, që duhet të ketë më shumë hapësira në skena, ku festivali “Metrofest” për vitin e nëntë radhazi e vë theksin tek pjesët shqiptare.
    Këtë vit, festivali  “Metrofest” prezanton tre produksione teatrore, që ndërthurin traditën, simbolikën dhe realitetin shqiptar.Vepra e parë teatrore që ishte në skenë në kuadër të festivalit në Metropol në Tiranë ishte “Takim i Munguem”, autor dhe regji Rafael Hoxhaj, dramaturg Bujar Hoxhaj. Në vijim në festival vijoi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” vepër e shkrimtarit Ismail Kadare e sjellë në skenë regjisorja Erina Lazi. “Metrofest” është një festival që u organizua për herë të parë në teatrin e Metropolit, në sezonin e vjeshtë-dimrit 2017, me temë drama shqipe. Ndër vite në skenën e teatrit në vijim të festivalit janë vënë për publikun vepra të ndryshme teatrore shqiptare, drama dhe komedi që kanë sjellë në role aktorë të rinj, por dhe emra të njohur të teatrit tonë.
     

  • Aktorët e Teatrit Kombëtar me veprën e Shekspirit“Si ta doni”në skenë

    Aktorët e Teatrit Kombëtar me veprën e Shekspirit“Si ta doni”në skenë

    “Si ta doni”, një komedi romantike e Shekspirit u shfaq në sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar. Me regji nga John Blondell komedia shënoi premierën në skenën e Teatrit Kombëtar. Vepra teatrore erdhi në skenë me një kast aktorësh të njohur në role. Luli Bitri, Genti Deçka, EliaZaharia, Dritan Boriçi, Lulzim Zeqja, Donald Shehu, FlorianAgalliu, Ilirda Bejleri, Erjona Kakeli, Laert Vasili, Ina Gjonçi, Flaura Kureta, Besmir Bitraku, Krist Lleshi dhe Enes Ajazi në rolet e kësaj komedie. Skenograf e kostumografia nga Blagoj Micevski dhe muzika nga kompozitori Endri Sina. Vepra erdhi në skenë me regji nga John Blondell, i cili dhe më parë ka vënë shfaqje në skenat tona teatrore. Ai është regjisor, drejtor artistik dhe profesor me karrierë ndërkombëtare.
    Themelues i Lit Moon Theatre Company në Santa Barbara (SHBA) dhe Verona Shakespeare Fringe Festival në Itali, ai ka drejtuar mbi 110 produksione në SHBA, Evropë dhe Azi. “Si ta doni”, në origjinal “As youlike it”, është një komedi nga William Shakespeare që besohet se është shkruar në vitin 1599.  Vepra në shqip është përkthyer nga Skënder Luarasi. Teatri Kombëtar që po vijon aktivitetin artistik me shfaqje në skenë, por “Si ta doni” u shfaq si  premierë absolute. Më parë Teatri Kombëtar në muajin mars këtë vit hapi thirrjet për projekte artistike të bazuara në veprat e Shekspirit. WilliamShakespeare (23 prill 1564 – 23 prill 1616) është ndër dramaturgët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, poet dhe tregimtar, i shquar i cili e zhvilloi aktivitetin e tij letrar gjatë shekullit XVI në Britani.

  • Video/Përfaqësuesja e Kilit në Miss World bëhet virale, këndon heavy metal në skenë

    Video/Përfaqësuesja e Kilit në Miss World bëhet virale, këndon heavy metal në skenë

    Përfaqësuesja e Kilit në konkursin e bukurisë Miss World, Ignacia Fernández, u bë virale me paraqitjen e saj shpërthyese në skenë kur zgjodhi të këndonte heavy metal.

    Këngëtarja 27-vjeçare e grupit progresiv death metal “Decessus” doli në skenë e veshur me një fustan të zi mbrëmjeje dhe një kurorë dhe nuk hezitoi të performonte një këngë, ndërsa Carlos Palma e shoqëroi në kitarë. Prania e saj mori duartrokitje të ngrohta dhe i siguroi asaj një vend në 20 finalistet më të mira, me finalen e planifikuar për 9 nëntor.

    Beauty queen stuns the world with surprising talent: ‘Oh my God’ https://t.co/PrxpjVtCfp pic.twitter.com/2PunH7O69o
    — New York Post (@nypost) November 7, 2025
    Në rrjetet sociale, Ignacia Fernández u lavdërua për guximin e saj në “thyerjen” e stereotipeve tradicionale rreth bukurisë dhe feminitetit. Komente si “më në fund, dikush po thyen stereotipet e asaj që është femërore” dhe “duke vërtetuar se mund të jesh e bukur, femërore dhe metalike në të njëjtën kohë” vërshuan komentet në internet.Ajo ndau në llogarinë e saj personale në Instagram se metali është “një pjesë themelore e personalitetit të saj, një burim force dhe qëllimi”, duke shtuar se mundësia për të shprehur këtë pasion në televizionin publik ishte diçka që ajo e vlerëson thellësisht.
    Shikoni videon

    @spin Serving looks and roaring hooks 😳 This is Ignacia Fernández, who fronts the progressive death metal group @DecessusOfficial when she’s not modeling. She’ll, unsurprisingly, be in the finals this weekend. (📹 via @Ignacia Fernández ♬ original sound – SPIN

    Ignacia Fernández, e cila themeloi grupin e saj në vitin 2020, ka hapur koncerte për grupe ndërkombëtare si Jinjer, Epica dhe Fleshgod Apocalypse, dhe pjesëmarrja e saj tregon se si skena e konkurseve të bukurisë po fillon të ndryshojë, duke u dhënë hapësirë ​​personaliteteve të ndryshme.

    Top Channel

  • Skënder Sallaku, një jetë me të qeshura: Balerini dhe kampioni i mundjes që u kthye në emblemën e Tiranës

    Skënder Sallaku, një jetë me të qeshura: Balerini dhe kampioni i mundjes që u kthye në emblemën e Tiranës

    Nga Albert Vataj

    Kujtesa është një ndriçim shpirti, me të cilin dritëhedhim mbi ngjarje dhe momente, personazhe dhe episode, të cilat feksin hera-herash ashtu beftas, si për të tentuar të na mbajnë të lidhur me të shkuarën, me çfarë nuk meriton të shuhet prej harrimit.

    Në përvjetorin e vdekjes së Skënder Sallakut, më shumë se sa ndërmendja, është mirënjohja ajo që na thërret, si në një solemnitet të shenjtë për ta kujtuar atë.

    Si një ëndje për të rihapur skenat, prej nga Sallaku hyri tek ne, u bë pjesë e të dashurave tona.

    Më tej për të jetuar me humorin dhe për ta bërë këtë magji të krijimit, mylmesën e një jete, tejet të trysnuar nga paniku dhe përsekutimi asgjësues.

    Të risjellësh në kujtesë Skënder Sallakun aktor të humorit, do të ishte e paplotë kjo përtëritje në memorie, nëse e shkëpusin njeriun e guximshëm, të riun dhe ëndrrat e tij, ambiciet dhe përmbushjet e ngulmëta, që ishin dhe mbeten thelbësore për atë çfarë ishte dhe mbeti tek ne ai.

    Sallaku ishte aktori i dashur, i sa e sa roleve, që jetësoi në skenë tipe dhe karaktere, identitete dhe personazhe, të cilat më shumë se si të tillë, mbeten shpirtërorja e tij.

    Shkrues dhe interpretues brilant i skeçeve dhe parodive, askujt nuk do t’i shkonte në mend se ai burri shtatshkurtër pati ëndërr të bëhej balerin ku dhe aspiroi në fillimet e tij.

    Dhe që do të thoni ju, ai që u vlerësua me tituj dhe nderime, “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”, ai ishte edhe kampion kombëtar i mundjes klasike.

    Skënder Sallakun, emblema e Varietesë së Tiranës, një nga përfaqësuesit më të spikatur të humorit tiranas, ai skaliti emrin e tij në artin skenik të humorit si një rast unik, duke jetuar me të qeshurën dhe duke patur gjithçka të jetës së tij, humorin.

    Është krijuar një stereotip, se të gjithë aktorët janë me humor dhe e qeshura është çdogjëshmëria e jetës së tyre.

    Por rasti i Skënder Sallakut bën përjashtim, ai nuk ishte vetëm një aktor humori, por edhe një njeri me shpirt plot dritë dhe të qeshurën e kishte të veshur si petk.

    Por, siç tregojnë edhe kolegët, kishte raste kur ai ishte serioz dhe asgjë nuk e çante këtë koracë që mbante atë të kyçur në momente të ndryshme të jetës.

    Artisti Skënder Sallaku u lindi në Tiranë më 25 janar 1935.

    Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit.

    Rrugëtimi për të përmbushur ëndrrën e skenës së humorit, si për të gjithë edhe për Skënder Sallakun, veç mundit dhe sakrificave, punës së palodhur dhe një vullneti të paepur, për të arritur gjithçka me meritë, u desh të sfidonte edhe makinacionet e regjimit komunist, ndaj së cilit, si ka thënë vetë Sallaku në një intervistë, ai fitoi me të qeshura.

    Rrugëtimi në skenën e Varietesë së Tiranës më 1956, mbylli portën e mundësit ambicioz dhe kampionit, për t’i çelur të ardhmen përmes siparit të skenës së humorit, skenë të cilën ai e deshi dhe i kushtoi gjithë jetën.

    Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës, ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit.

    Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj, interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë.

    Një karrierë 52-vjeçare ishte jo vetëm një jetë në skenë, por çdoditshmëria e përjetuar me pasion dhe përgjegjësi të lartë, obliguese.

    Jo vetëm ndaj spektatorit që e priti dhe e përcolli në qindra shfaqje me duartrokitje dhe ovacione, por edhe ruajtja e atij ekuilibrit të brishtë të ideologjisë dhe censurës që përgjonte me sy skifteri skenën e humorit.

    Të bëje art në diktaturë ishte një heroizëm.

    Çdo sprovë dhe kulmim krijues, çdo shaka apo batutë ishte majëprehtë në humor dhe viktimat mbeten të shumta, por Skënderi, dhe jo vetëm ai, arritën të shpëtonin, arritën të mbanin të gjallë të qeshurën, këtë balsam për shpirtrat e plagosur e vullnetet e drobitura.

    Disa nga interpretimet më të spikatura të Skënder Sallakut janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” , “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, e pafund komunikim skenik me të qeshurën, ku ai la gjurmë në traditën e artit tonë komik, një nga gjinitë e marrëdhënies estetike me publikun më delikatet.

    Por ai qëndroi në skenë nga fillimi deri në fund, duke na dhuruar të qeshura, duke ndarë me ne shpirtin e tij plot dritë dhe dëshirimin e madh, se, e qeshura është të jetuarit shëndetshëm .

    “Me një grup amatorësh të Pallatit të Kulturës hyra në balet, e nisa pra si balerin. Në vitin 1953 u krijua estrada e kufirit, duke kaluar si aktor në këtë estradë. Dhe më 1956 kalova në estradën e Tiranës deri në ditën që dola në pension”, rrëfeu ai në 70-vjetorin e lindjes për “Standard”.

    “E qeshura është jeta ime. Nuk mund të rri pa qeshur, të gjitha situatat e gëzueshme i krijoj nga ky shkak. Vetëm që të prodhoj tek njerëzit buzëqeshje.

    Madje, nuk përmbahem edhe në hidhërim, prapë se prapë e lëshoj nga një batutë me qëllim që njerëzit të qetësohen, për t’u mos mbushur me shumë ligështi.” kujtonte ai.

    Ai ishte një aktor brilant i humrit dhe një njëri me shpirt të madh. Ai na mësoi jo vetëm se si të qeshim, se si të mbushim shpirtin plot dritë dhe zemrën me të rrahura gazmimi, por edhe si mund të jesh i njerzishëm dhe mirënjohës për miqtë dhe kolegët.

    Ai kujtonte se “një nga njerëzit që më ka mbetur më afër dhe që më ka ndihmuar gjithë jetën, është ime shoqe.

    “Kur merrja materialin, ajo e shtinte në duar e niste për të studiuar duke më udhëzuar se çfarë ishte më e sakta për mua dhe çfarë nuk bënte.

    Madje, Vitorja ka shkruar edhe vetë, por ka qenë dhe një nga akrobatet më të mira që ka pasur Shqipëria. Ajo ka qenë një nga bazat kryesore mbështetje për mua.

    Mjaft mbështetje kam pasur edhe prej shkrimtarëve, duke filluar nga humoristi i vjetër Dionis Bubani, i cili ka shkruar për mua qysh në moshën 18 vjeç, e më pas vijnë me radhë Koço Devole, Pëllumb Kulla, Filip Çakuli, Bujar Kapexhiu etj.

    Më pëlqen humori që bëhet në Durrës, sidomos nga Fadil Hasa.

    Po ashtu janë shumë simpatikë parodistët e Vlorës, ndërsa Zef Deda është ajka e humorit shkodran”.

    Kështu jetoi ai shpirt i begatuar nga e qeshura dhe mirësi. Kështu krijoi dhe interpretoi në skenat e mëdha dhe ato të argëtimeve në fshatra e ndërmarrje, katunde e ferma, ku ai, Skëndër Sallaku, i vlerësoi të gjithë dhe e çmuan të gjithë.

    Ai dhuroi të qeshura, si gjënë më të shtrenjtë që pati dhe u shpërblye me zemrat dhe dashurinë e të gjithëve, atyre që e ndoqën nga skena në skenë, por edhe atyre që ishin dhe mbetën pjesë e jetës së tij, derikur ai vendosi të ndalonte.

    Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme, prej së cilës ai vuajti për disa vite, por pa u nënshtruar, duke u përpjekur të bëjë më të mirë në ditët që i kishin mbetur, duke shkruar materiale komike.

    Iku për të mbetur përgjithnjë ai Skënder Sallaku i roleve të pavdekshme, i humorit tiranas, i atij sharmit ëmbëlak të plakut babaxhan, burrit sarhosh, katundarit naiv.

    Këto e shumë e shumë përjetësime të tjera të Sallakut janë pjesë e fondit të Varietesë së Tiranës, janë thesar i artit tonë komik.

    Figura emblematike si Skënder Sallaku do të jenë shembull frymëzimi për brezat e rinj të aktorëve komikë, atyre që më shumë se të na bëjnë të qeshim, duan të na dhurojnë çaste relaksi dhe balsam shërimi.

    Shpirtrat tanë të plagosur kanë nevojë të ushqehen me dritën e perëndishme të të qeshurës, siç ka nevojë dita për dritën e diellit që të shndritë.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    FLET GRUAJA E AKTORIT TË NDJERË, SKËNDER SALLAKU, JA SI MË PROPOZOI PËR MARTESË

    E ftuar në programin “Rudina”, Vitore Sallaku, bashkëshortja e një prej aktorëve më të dashur të humorit, Skënder Sallaku, ka folur për propozimin që i ka bërë ky i fundit për martesë.

    Fatkeqësisht, aktori i madh shqiptar është larguar nga jeta 6 vite më parë. Vitorja që në moshën 11-vjeçare ka qenë pjesëtare e trupës së cirkut.

    Ajo ka dhënë një kontribut maksimal, si brenda edhe jashtë vendit.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • “La Sylphide” premierë në TKOB, shfaqja ngjitet në skenë sonte në mbrëmje

    “La Sylphide” premierë në TKOB, shfaqja ngjitet në skenë sonte në mbrëmje

    Magjia e epokës romantike rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me  premierën “La Sylphide”. Një nga veprat më të dashura të repertorit botëror, që sjell në qendër përplasjen mes reales dhe të mbinatyrshmes, mes dashurisë tokësore dhe ëndrrës ajrore.
    Në qendër të historisë është James, një i ri që zgjohet nga një puthje e lehtë, për t’u përballur me Sylphide-n, krijesën e ajrit që e thërret drejt botës së saj të padukshme. Midis reales dhe të mbinatyrshmes, James gjendet i ndarë mes dashurisë tokësore dhe tundimit qiellor që mishëron Sylphide.
    Kjo vepër sjell në skenë një prodhim të plotë arti, ku trupa e baletit dhe Orkestra Simfonike ndërthuren në një spektakël plot emocione.

    “La Sylphide” është një përballje mes ëndrrës dhe realitetit, një vallëzim që prek shpirtin e publikut dhe i rikujton se dashuria më e pastër nuk njeh kufij. Shfaqja do të vijë për publikun nga sot deri në 5 Nëntor, në ora 20:00.