Nga Julia Vrapi
“Vrasje në vjeshtë” mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit në skenë e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Sezoni artistik në teatrin “Migjeni” ka vijuar me shfaqje të ndryshme, por në vijim në skenë është “Vrasje në vjeshtë”. Shfaqjen mbi motivet e romanit të Gjergj Vlashit e sjell në skenë regjisori Stefan Çapaliku.
Kjo shfaqje është produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe në skenë tek teatri i Shkodrës vijon edhe këtë mbrëmje, ku interpretojnë aktorët Mehmet Xhelili, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj. “Vrasje në vjeshtë”, dramatizuar e vënë në skenë nga Stefan Çapaliku u shfaq më parë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa tani shfaqja teatrore vijon dhe në skenën e Shkodrës. Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme veçanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit.
Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë. Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhri. Personi i vetëm që nuk do i bindet këtij urdhri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar.
Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë. Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri paidentitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht.
“Vrasje në vjeshtë” shënoi premierën në muajin mars
Në skenën e teatrit si regjisor Stefan Çapliku ka sjellë dhe të tjera vepra teatrore, por këtë sezon artistik është “Vrasje në vjeshtë”, që erdhi si premierë në muajin mars në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Veprat e Stefan Çapalikut janë shfaqur në disa festivale ndërkombëtare të teatrit, ku ai është nderuar edhe me çmime. Pjesë nga veprat e tij në poezi, prozë, dramë dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, etj. Ai është i nominuar për çmimin “Europa Prize of Theater for the New Theater Realities” (Çmimi Evropian për Teatrin e Ri). Si dramaturg u nderua me çmimin e autorit më të mirë shqiptar në vitet: 1995, 2003, 2007, 2012, 2016. Krahas studimeve në fushën e estetikës dhe publicistikës, ka shkruar edhe disa libra.
Tag: skenë
-

“Vrasje në vjeshtë” mbi motivet e romanit të Gjergj Vlashit, në skenën e teatrit “Migjeni”
-

VIDEO/ Surpriza në Paris, Jay-Z dhe Beyonce performojnë bashkë në skenë pas 7 vitesh
Një moment i veçantë u shënua në koncertin e Beyoncé në “Stade de France” në Paris, të dielën më 22 qershor, kur bashkëshorti i saj, Jay-Z, u ngjit papritur në skenë për të performuar së bashku këngën e famshme “Crazy in Love”. Kjo ishte hera e parë pas më shumë se gjashtë vitesh që dyshja, e njohur si “The Carters”, u shfaqën së bashku në një skenë koncerti.
Pas performancës së parë, ata vijuan me një remix të “Drunk in Love”, ndërsa Jay-Z shtoi edhe një nga hitet e tij, “N—-s in Paris”, duke shkaktuar entuziazëm të madh në publik. Momente nga performanca u shpërndanë gjerësisht në TikTok, duke treguar emocionin dhe energjinë e natës.
Performanca e fundit e përbashkët e çiftit daton në vitin 2018, gjatë festivalit “Global Citizen” në Afrikën e Jugut. Në pamjet e fundit nga Parisi, shfaqet edhe Beyoncé duke i lënë për pak minuta skenën bashkëshortit të saj, në mënyrë që ai të shkëlqejë i vetëm para publikut.
Në publik ndodheshin edhe emra të njohur si Cardi B, e cila u pa duke kërcyer bashkë me këngëtaren Kelly Rowland dhe mamanë e Beyoncé, Tina Knowles.
Kjo surprizë e Jay-Z vjen pas një tjetër moment të papritur në natën e parë të turneut të Beyoncé “Cowboy Carter”, ku këngëtarja Miley Cyrus iu bashkua në skenë për të interpretuar live këngën “II Most Wanted”.
Turneu i Beyoncé do të vazhdojë në SHBA, me dy ndalesa në Houston, duke nisur më 28 qershor.
/vizionplus.tv -

“Youth Theater Festival 2025”,Nikolin Ferketa: E rëndësishme vazhdimi i traditës së festivalit të shkollave të mesme
Teatri i të Rinjve në teatrin “Migjeni” këtë vit solli në skenë shfaqje të ndryshme teatrore. Vepra të autorëve të ndryshëm erdhën në skenë nën interpretimin e të rinjve, ku për disa ditë me radhë ky aktivitet nxori në pah dhe talentin e tyre me teatrin. Hapja e festivalit u bë me shfaqjen e përgatitur nga shkolla e mesme “Shejnaze Juka ”, nën regjinë e Nikolin Ferketës. Nën interpretimin e një grupi të rinjsh nga kjo shkollë erdhi në skenë shfaqja “Letër fëmijës së palindur kurrë” vepër e autores Oriana Fallaci. Regjisori Ferketa thotë se është një vepër që i përcjell mesazhe shoqërisë. “Unë zgjodha pikërisht një tekst të Oriana Fallaci-t, “Letër fëmijës së palindur kurrë”.
Flet për dramën dhe përjetimin e vetë autores. Dhe fenomeni i abortit është bërë një fenomen shqetësues për vendin tonë. Ajo me anë të një letre komunikon me bebin e saj, gjithashtu djepin e fëmijës ktheva në një arkivol, si shenjë sensibilizimi për të gjithë ato fëmijë të pafajshëm që vdesin nga lufta”, thotë regjisor Ferketa në një reagim të tij. Kjo shfaqje erdhi në skenë nën interpretimin e të rinjve Luçiana Thana, Sara Hasanaj, Mateos Gilaj, Leonora Molla, Manuela Ndrezaj, Olkida Lumi, Armena Brahimi dhe Regisa Mlloja. Regjisori Nikolin Ferketa thotë se tek këta të rinj ai pa dëshirën dhe vullnetin që ata patën për të çuar mesazhe të forta tek spektatori.
“Youth Theater Festival 2025” tashmë ka përfunduar ditët e tij, por regjisori Nikolin Ferketa që punoi me këtë grup të rinjsh për këtë shfaqje vlerëson dhe rëndësinë që ka festivali i shkollave të mesme në qytetin e Shkodrës. “Vazhdimi i traditës së festivalit të shkollave të mesme është shumë e rëndësishme. Pasi çdo vit shoh që dalin talente të reja, të cilët kanë dëshirë ta ndjekin rrugën e teatrit, por të pakët janë ata që duan ta ndjekin këtë profesion, pasi nuk e shohin si mundësi për të vazhduar një të ardhme me profesionin e artistit. Shumica e ndjekin për hobi të momentit”, thotë regjisori. Festivali që u zhvillua këto ditë në këtë qytet është në vijim dhe të tjera veprimtarive me të rinjtë.
-

Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” këtë mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar
“Çfarë pa kryeshërbëtorja” një komedi plot ritëm vepër e autorit Joe Orton dhe me regji nga Kiço Londo vijon dhe këtë mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë. Vepra edhe pse e shkruar në vitet ’60-të të shekullit të kaluar tingëllon shumë bashkëkohore. Në skenë në rolet e komedisë që u shfaq në datat 17,18, 19 qershor dhe vijon dhe këtë mbrëmje në TK interpretojnë aktorët: Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Mario Elezi, Ëngjëll Hoxha dhe Livjon Aliaj. Vepra është përkthyer nga Artur Lena dhe është produksion i teatrit “Skampa” në Elbasan, e cila u soll në skenë nga regjisori i mirënjohur Kiço Londo.
Pas u shfaq për disa mbrëmje në Elbasan, kjo komedi vijoi për publikun në Tiranë këtë sezon artistik. Një punonjës hoteli i përfshirë në intrigat skizofrenike të një psikiatri, me një sekretare të zhveshur e të fshehur pas perdes së krevatit, zonjë elegante e mbytur në alkool dhe përqafime të paligjshme, profesor i psikiatrisë me fantazi surreale që prish rrjedhën e ngjarjeve dhe polici që hyn në hapësirën e tyre… Dhe e gjithë kjo në një mjegull të krijuar nga puroja e Çurçillit…Në veprën e tij autori Joe Orton sjell pasionet, pritshmëritë romantike, fotot rozë, rastet e shpërdorimit të pushtetit, thurjen e marrëdhënieve të çuditshme dhe komplekse të gjashtë njerëzve në një hiperrealitet, të botës tjetër, e butë, por thellësisht prekëse dhe e vërtetë. Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” që sjell në skenë aktorë të njohur është në vijim dhe të tjera shfaqjeve këtë sezon teatror në skenat tona për publikun. -

“Carmina Burana” kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936 , dy mbrëmje në Teatrin e Operës dhe Baletit
Nga Julia Vrapi
Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të sjellin në skenë veprën “Carmina Burana”, kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936. Solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së dy mbrëmje do të jenë në skenë për veprën monumentale të autorit Carl Orff, e cila këtë qershor shënon një rikthim në skenë, ku dirigjent është Sergio Alapont. E kompozuar nga kompozitori gjermani Carl Orff në vitin 1936, libreti i saj është një përmbledhje poezish të gjetura në një dorëshkrim të shekullit XIII, i ardhur nga kuvendi Benediktbeuern në Gjermani. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se kësaj vepre i jepet sërish jetë nga artistët.
“Rikthehet Carmina Burana! Shfaqja që e keni kaq shumë përzemër, rikthehet në TKOBAP më e freskët se kurrë më parë. Veprës monumentale të Carl Orff i jepet jetë sërish nga Solistët, Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit fort të dashur për të gjithë ju, Sergio Alapont. 25 & 26 qershor ora 20:00”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB) për këtë vepër që vjen në skenë në vijim të sezonit artistik. Në fillim, muzika e veprës “Carmina Burana” u kritikua, por në vazhdim më vonë, kjo vepër edhe për frymën e saj jetësore u prit me entuziazëm nga regjimi nazist si një kremtim i “kulturës ariane”. O Fortuna!
Me këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit nis “Carmina Burana”, kjo kantatë skenike nga Carl Orff, i cili prej kohësh konsiderohet një klasik i ri i historisë së muzikës. Brilante në thjeshtësinë e vet, depërtuese në ritmikë dhe përjetësisht e re në tematikë, “Carmina Burana” i jep flatra fantazisë si rrallë ndonjë vepër tjetër muzikore e shekullit të XX. Orkestra në dy mbrëmje do të jetë sërish nën drejtimin e dirigjentit të njohur spanjoll Alapont, që ka qenë dhe më parë në produksionet e TKOB-së. Ai ka drejtuar në disa nga teatrot më të famshëm të operës në botë, si Teatro Real në Madrid, Opera-Theatre de l’Eurometropole de Metz, Opera National du Rhin dhe Glyndebourne Festival. Gjithashtu, ka debutuar me sukses në Shtetet e Bashkuara duke dirigjuar La Rondine në Minnesota Opera. Puna e tij përfshin një repertor të pasur operistik dhe simfonik, ku ka bashkëpunuar me disa nga orkestrat më të njohura
Vepra e Orff në skenë
Në skenat tona vepra “Carmina Burana”, kompozimi i autorit Carlf Orff ka ardhur dhe herë të tjera për publikun me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një vit më parë “Carmina Burana” erdhi në skenë ndryshe nga herët e tjera, një opera- balet me koreografi e skenografi të Youri Vamos. “Carmina Burana” shkruar më 1936 është një nga veprat më të njohura të kompozitorit Carl Orff (1895-1982). Pjesa e parë, e trilogjisë së tij të famshme, e cila, ka në përbërje të saj: Catulli Carmina (pjesa e dytë) dhe Trionfo di Afrodite (pjesa e tretë), ndërkohë që trilogjia në vetvete mban titullin Trionfi. Orff ka reflektuar interesin e tij për poezinë mesjetare Gjermane te “Carmina Burana”, vepër që është bazuar në një manuskript mesjetar, të quajtur Codex, zbuluar në Manastirin Benedictine të Benediktbeuern, në jug të Gjermanisë, në vitin 1803. Ky koleksion titullohet gjithashtu “Carmina Burana”. Pas kësaj vepre që do të jetë në dy mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, kalendari artistik këtë muaj do të vijojë me të tjerë koncerte, që do të sjellin në skenë artistët.
-

Muzikë, poezi dhe teatër në “Mall”, shfaqja nesër në skenë
Nga Julia Vrapi
“Mall” vjen në skenë si një performancë teatrore dhe muzikore. Me artistët e njohur Linda Rukaj dhe Arben Bajraktaraj nesër në mbrëmje shfaqja “Mall” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina” në Tiranë. “Mall” do të sjellë në skenë dy artistë të njohur, një shfaqje që vjen në vijim dhe të atyre më parë në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental këtë sezon artistik. Në materialin e shfaqjes thuhet se “Mall” është një teatër i zhveshur, ku poezia dhe muzika përballen, ngacmohen, harmonizohen dhe janë në duel me njëra tjetrën. ““Mall” përshkon hedonizmin mistik të rubairave të Omar Khajamit, revoltën lirike të poetit Teki Dervishi “Nuk ka libër të shenjtë që pluhuri s’e mbulon”.
Meditimet ekzistenciale të Frederik Rreshpjës shkrihen me kthjelltësinë e zanit të Marije Krajës. Ambëlsia e Hafsa Zyberit dhe zjarri i rapsodit bluesman Riza Bllaca. Drromcat e humorit brut te Charles Bukoëskit gjarpërojnë ndër pikëpyetjet e epit të lashtë indian të Mahabharatas. Nostalgjia e heshtur e Ernest Koliqit, poetit shqiptar të mërguar përgjithmonë, vërshon me emocion realizmin magjik të Jorge Luis Borges i cili dialogon me etjen për dashuri të Paul Éluardit. Ndërsa përndritja e fjalëve të Rûmit, metafizikantit të dashurisë, flakëron mbi gjithçka!”, shpjegohet në materialin rreth shfaqjes, që do të jetë mbrëmjen e datës 19 qershor në skenë për publikun.
Shfaqja dhe artistët në aktivitetin artistik
Shfaqja “Mall” që vjen me performancë teatrore dhe muzikore në skenën e Tiranës është një projekt që ka edhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Linda Rukaj është një këngëtare, kompozitore, kitariste dhe kontrabasiste shqiptare nga Kavaja, që jeton prej vitesh në Paris, Francë. Linda filloi të merrej me muzikë në moshën gjashtë vjeçare, duke u paraqitur fillimisht në shfaqjet televizive të fëmijëve, duke kënduar dhe vallëzuar, si dhe në koncerte të ndryshme për fëmijë. Si pjesë e grupit muzikor “Linda Në Botën E Çudirave” ajo ka fituar disa çmime, si dhe kanë prodhuar disa këngë dhe albume.
Në vitin 2016 ajo mori pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Vija e lumit”, ndërsa ka vijuar dhe me të tjera projekte muzikore në aktivitetin e saj ndër vite. Arben Bajraktari gjithashtu është një aktor i njohur në aktivitetin e tij. Bajraktaraj është një aktor i përmasave ndërkombëtare që ka realizuar disa role mjaft të rëndësishme. Arben Bajraktaraj, shqiptari me origjinë nga Kosova është i njohur për rolin e tij në filmin amerikan “Taken”, krahas aktorit të shquar Liam Neeson. Një tjetër rol që ka vulosur karrierën e tij është ai në filmin “Harry Potter”. Ndër projektet e tij në Shqipëri me kinematografinë, përmendim edhe rolin te filmi “Streha mes reve”, film në të cilin ai është protagonist.
-

Teatri për Luftën e Kosovës “Gratë e Luftës” bënë bujë në Athinë
Lufta e Kosovës dhe Nënat Bijë-vrarë shpërndajnë emocione në zemër të AthinësNë flasim për teatrin, të gjithë të pranishmit – e “urtësuar” me këtë term si zhanër të artit (të lashtë sa vetë njerëzimi) – nënkuptojmë një përbërje komponentësh që kërkon tri elementë bazë për t’u aplikuar:– Kumti – Mesazhi, pra Skenari, (ose më saktë subjekti, për derisa kemi parë tanimë edhe shfaqe ku nuk ekziston një tekst me fjalë (sa herë kemi thënë se fjalët përbëjnë vetëm 7% të komunikimit njerëzor, përgjatë një dialogu – siç padyshim është përherë, e në çdo formë arti). Ndonëse duhet thënë se ekziston në këtë rast kufizim i lehtë i mundësive të kuptimit të plotë të “kumtit” nga shikuesit, por edhe të vetë vëllimit të spektatorëve.– Aktori – Përçuesi i kumtit, pra ajo hallkë e ndërmjetme ndërmjet kumtit dhe marrësit të tij.– Spektatori – Objektivi ku dërgohet historia, kumti i përgatitur, mesazhi pra – që sipas përcaktimit thelbësor filozofik është dhe arsyeja përse ekziston teatri.Fatlumë jemi të themi se me gjithë përvojat shekullore të njerëzimit në këtë zhanër, ja që kemi ende prej kombinimeve që na befasojnë akoma edhe në këtë treshe bazike dhe kjo vërtetë mund të quhet një fitore e madhe dhe e rëndësishme në ditët e sotme. Përgjithësisht për teatrin, mirësisht për teatrin shqiptar, veçanërisht atij jashtë rrethinave shqiptare, e përsaktësisht në Greqi, ku kohët e fundit kemi një vërshim të veprave shqiptare nga Shqipëria e Kosova, jo vetëm në gjuhën shqipe a angleze, por tanimë përherë e më tepër produksione zyrtare e me sqimë për t’u pasur zili, në gjuhën greke. Pra për spektatorin vendas që largohet nga sallat e magjisë me një copëz më të kultivuar shqiptarie brenda tij, pak më tepër mirëkuptim, simpati, empatizëm për popullin tonë, kulturën, historinë, dhe vëmendje. Të gjithë element pozitivë për të shijuar dashurinë e përkrahjen që na përket. Një fitore e paimagjinueshme e të dy popujve që gdhendin ndjenjat e miqësisë së tyre përherë e me më tepër dritësim.Pjesa teatrale e radhës, që bëri të përmbushen sërish me mallëngjim artistik e historik shikuesit e vëmendshëm të kryeqytetit helen është e përgatitur me shumë dashuri e estetikë të lartë tanimë jo nga një bashkëkombës, por nga skenaristja e regjisorja greke me ndjeshmëri esenciale, Jota Kunduraki e cila përshtati si skenar teatral librin e shkrimtarit dhe studiuesit Ag Apolloni “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.Jota Kunduraki është aktore, skenariste e regjisore e njohur greke. Një përçapje në stacionet e krijimtarisë së saj dëfton se është një artiste e ndjeshme në të tilla tema siç dhe vepra e saj më e re “Gratë e luftës” ku është bazuar në një histori sa të vërtetë aq edhe krejt pranë në rajonin gjeografik të gadishullit tonë, por edhe atë kohor, përderisa bëhet fjalë për luftën siç e mbajmë kaq mirë mend ta përjetonim të gjithë dhe pasojat e saj janë plagët e mëdha ende të pambyllura të Evropës, që vazhdon fatkeqësisht të rrjedhë gjak. Me anë të thirrjes së nënave, ndjeshmërinë që ajo vuri në çdo rresht të skenarit, në çdo frazë të përzgjedhur e të ardhur nga shqipja e Apollonit në gjuhën e Koeforeve, Ifigjeniës, Antigonit a Niobes, Jota Kunduraki diti të tejdukshmëroi distancat, mendësitë dhe muret personale ku shpesh hyjmë të përhumbur e të afrojë një grua kosovare me moshataret e saj në botën moderne. Gra që lindin e rriten në shoqëri me zakonet e doket analoge, që ëndërrojnë për princin fisnik, dashurojnë, krijojnë familje, që bëhen nëna dhe pak më pas, një symbyllje më pas – ndoshta dhe gjyshe, apo e ëndërrojnë vagëllueshëm çasteve të dashurisë familjare. Të gjitha këto, që veç një faqe e zarit të ndryshkur që kullon gjakëtirë të fatit, të rrotullohet e të bjerë tmerrshëm mbi cohën e nderur të historisë e befas jeta të ngjajë me një këlthitje llahtare. Nëna që nuk i pyeti njeri nëse duan luftën, as i sqaroi njeri në duan të ushqejnë me gjakun dhe mishin e mitrës së tyre frontet e çnjerëzuar të planetit. Duke bërë të dëgjohet Nëna e Hekurt Ferdonije Qerkezi, ky mit i gjallë mes nesh – që nderoi madje duke qenë prezentë në ditën e premierës së “Gratë e Luftës” në Teatrin Eler, ndonëse artistja Kunduraki kishte realizuar edhe më parë takime të dhembshura me personazhen e saj reale, duke udhëtuar për në Kosovë, gjatë fillimit të këtij viti, teksa përgatiste skenarin dhe regjinë e këtij teatri – si dhe duke i dhënë sërish jetë nënë Pashkës, heroinës tjetër reale, personazh i kësaj drame, të cilën dëshpërimi asfisues i mori dëshirën instinktive të çdo gjallese për të mbetur gjallë, Jota Kunduraki krijon vibrimin e oshëtimës e gulçit të përvuajtjes gjoks-tharë të nënave kundër luftës. Kudo e në çfardolloj trajte, në të gjithë botën.Dy personazhet kryesore të Kundurakit, të lozur mjeshtërisht nga Marsela Lena e Katerina Haska, dhe roli simbolik i krijuar pothuajse si një objekt i sfondit, i vënë në jetë nga aktori Oresti Ziogkas, – e gjitha një kastë profesionale që s’mund të ishte gjithashtu veçse një penelatë krenarie më vete, për shikuesit shqiptarë, ishin dhe shtyllat e fuqishme të kësaj strukture të rëndë prej historie dhe dhimbjeje.Të gjendur në mes të dy kulturave, dy mendësive, dy gjuhëve, e përherë një historie të përbashkët që na përket totalisht dhe vllazërisht, protagonistet Marsela Lena dhe Katerina Haska, (po ashtu edhe aktori Oresti Ziogkas), sjellin në skenë dy karaktere me tragjedi të njëjtë, dy mëma kosovare me zhuritje shpirtërore të njëjtë, ndërkohë që mund të themi se me reagim të ndryshme personale, ndaj tragjedisë së pamëshirëshme dhe pritjes së gjatë të një amulltie akoma më shkatërruese.Kështu pra njëra nga nënat e nderuara premton të qëndrojë gjerë në fund, e përtej tij, për të thirrur kundër luftërave deri sa të ketë frymë, dhe jo thjeshtë të pres të pamundurën por të bëhet vetë mundësia e pamundur hyjnore e gjallnimit të bijve të saj, në çdo çast të kësaj jete, duke i mbajtur gjallë me mishin, dhe gjakun, dhe trupin, dhe shpirtin, dhe frymën, dhe fjalën, dhe veprën, dhe kohën e saj – me të gjitha, ato thërrmijat hyjnore, pra, që kemi në këto dimensione, për t’u identifikuar si qenie humane, duke i sjellë si balancë të çnjerëzores që përjetoi, për të dëftuar tashmë tek ne të gjithë dhe brezat që vijnë, se si e ka trajtën e vërtetë një mbinjeri.Ndërkohë që tjetra vendos të shuhet një herë e mirë, së bashku me kujtimet e bijve të saj, të mohojë ekzistencën e tyre dhe përgjithësisht këtë jetë, si revolta më e madhe që mund të bëjë njeriu mbi vetë jetë-vdekjen duke mohuar t’i jap rol, rëndësi, ndjesi, pushtet. Duke e mohuar të jetë. Dhe kjo në një nga sekuencat me gjetjet më të bukura regjisoriale që kam parë ndonjë herë të luhet në skenë. Qoftë si një përndritje figurative, qoftë si realizim tekniko-artistik, qoftë aktrimi i vetë Katerina Haskës, me artin e saj të epërm, e cila mishëron nënë Pashkën dhe e përcjellë aq bukur të vërtetën e shformuar e të shpërfytyruar të ndjenjave njerëzore të personazhes, prej çnjerëzores që shpërndan gjendja e luftës tek njerëzit.Ndonëse në kufijtë e minimalistikës, esenca e kostumeve dhe skenografisë realizojnë detaje domethënëse të cilat ngrenë dozën e përçimit të veprës. Sjellin larmi figurash, që i shton koloritin peshës së fjalës, vë në dukje edhe më tepër gjuhën e trupit të performancës së secilit dhe përforcon rolet e aktorëve, krijon mundësi komunikimi të shumtrajtë e shumplantë me shikuesin. Peshën kryesore në këtë harmoni të çartur, të sjellë me mjeshtëri për të krijuar dromca sekuencash prej momenteve, kohë-hapësirës dhe përjetimin e historisë, që përfshijnë tërë varietetin e spektrit emocional të jetës së lumtur e të begatë që provon befas skëterrën e luftës, e mban prozhektori me videot ose efektet emocionale. Të gjitha me gjetje shumë të zgjuara dhe efikase krijojnë një bashkëpunim të rrallë të narrativit të ngjarjes në skenë me atë në ekranin e improvizuar nga gjithçka që përfshihet në skenë, duke u dhënë bashkëveprim reciprok, që së bashku me kombinimin e ndriçimit skenik i bëjnë spektatorët të ndjejnë, të trishtohen, të revoltohen, por çuditërisht dhe të qeshin, dhe të kuptojnë, dhe të shijojnë romancën, dhe të afrohen e të njehsohen me këto figura, krejt të panjohura për shumicën, deri në momentin që u ulën në ndenjësen e kadifenjtë, të teatrit (me sigurinë e një njeriu të thjeshtë, banor të një vendi në paqe dhe njëkohësisht delikatshmërinë e saj subjektive – vetëm disa kilometra larg ndodhive, që përshkruhen, vetëm disa kilometra larg luftërave aktuale në rreze veprimi). Larmishmëria e ndjenjave, bënë që këto personazhe të ndihen më thellë, më intimisht nga publiku, të shijohet loja e aktorëve dhe përgjithshmëria e nuancave në realizimin e plotë.Teksti i Ag Apollonit dhe skenari i Jota Kundurakit e sjellë nga loja e aktorëve, bëjnë që skenë pas skene spektatori të zbulojë se ka gjithmonë e më tepër ngjashmëri me personazhet, sesa mund ta kishte menduar ndonjëherë. Vrojton se identiteti i tyre është ajo çfarë identifikojnë çdo ditë në vazhdën e jetës, tek vetja e tyre vetë. Marrëdhëniet e dashurisë që kanë personazhet me jetën që frymojnë, me shoqërinë ku kontribuojnë, me familjen ku biologjikisht përkitën e atë që krijuan dhe u dedikuan me tërë misionin e tyre, është po ashtu e përditshmja e tyre, familja e tyre, perceptimi i tyre. Dhe ja që koha mbi këtë “pikë të kaltër varur gjithësisë së pa fund” nuk qenka kaq e ndryshme, as kaq e pa-“rol-të”, në bekimin e të gjithë shoqërisë njerëzore, por vetëm duke u shëruar kudo, një organizëm mund të shijojë ndjenjat hyjnore të bekimit.Duke paraqitur jetën e personazheve, aktorët Marsela Lena, Katerina Haska e Oresti Ziogkas, me tërë elokuencën e nevojshme të shprehur dritësisht, e ndërthurur në mënyrë optimale, gjithë ato stacione të nevojshëm të jetës së tyre, atë mallëngjim kolektiv të një gjuhe të përbashkët, për fëmijët, familjet, jetën, politikën, përshkrimin fizik, natyror e social, për të bërë të kuptohet sa e vyer është jeta e tyre, dhe përmasat e humbjes në vazhdim. Aktorët nuk ndalojnë së dhuruari grimca të pasqyruar nga jeta e secilit ne, nga përshtypjet e secilit ne, dëshirat dhe ëndrrat e secilit me një natyrshmëri subjektive, por dhe koncentrat aktiv të lojës së tyre virtuoze. Personazhi më i gjallë në skenë, nënë Ferdonia, mishëruar në rol prej aktores së vlerësuar me çmime nderi Marsela Lena, që shpalos me mjeshtëri faqe të ndryshme të të njëjtit trup gjeometrik ngjyer sa me dhimbje aq edhe me jetë, nënkuptojnë jo një personazh që vuan pikëllimin dhe dëshpërimin e humbjes, as një publik të sfiduar nga lufta dhe rrethanat, por përkundrazi, se si njeriu arrin të bëhet mit.Ky teatër, një nga disa projekte të tjera mbi Kosovën, në Greqi, tërë këto vitet e fundit dhe jehona që bënë tek kritika e publiku i Athinës, tek opinioni i gjerë, e dëshmojnë më së miri përafërsinë e dukshme që ka nisur të vihet re tek të dy popujt. Vendasit shprehen se sa pak paskan ditur përgjithësisht për Kosovën e për më tepër për luftën, sesa ndryshe ndihen tani dhe më të vëllazëruar. Dhe arti që bashkon na tregon sesi në mitet e reja shqipëtare nga Kosova, që i shtohen Evropës e Botës, Niobe ri-shkrihet nga guri, në njeri, për t’u bërë zë dhe ndërgjegje kolektive. Për t’i thirrur botës atë që demonstrojnë fuqishëm të tre personazhet e “Gra të Luftës” dhe tërë ata që u morën me këtë produksion cilësor, mbështetur nga Zyra Për Interesat e Kosovës e personalisht të drejtuesit të saj, zotit Fitim Gllareva, siç thuhet dhe në kurorëzimin e pjesës teatrale: se të gjallët e paepur, e të ikurit e pafajshëm do vazhdojnë të flasin!Armela Hysi AthinëQershor 2025
-

Aktiv deri në frymën e fundit, vdekja merr Leka Bungon
Deri në fund të jetës aktiv, duke shkruar librete komediane e vënë në skenë, si dhe duke angazhuar me reformimin e RTSH, regjisori Leka Bungo e ka lënë këtë botë në moshën në moshën 81-vjeçare.
Lajmi është dhënë nga e bija e tij Alba, e cila shkruan:
“Sot më duhet të bëj gjënë më të rëndë të jetës time. Të të them ty mirupafshim përjetësisht. E kujt? Atij që desha më shumë në dynja, atij që më mësoi çdo gjë, atij që më falte çdo gjë, atij që i besoja çdo gjë.
I shtrenjti im që jetove aq bukur me aq dinjitet, kot nuk të thërrisja mbret. Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit dhe humbe! U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im.
Krenare gjithmonë pafundësisht për ty, mirënjohëse përulësisht për çdo gjë që më mësove dhe dhurove. Ishe dhe do jesh dashuria më e madhe në dynja.
Njerëzit e mëdhenj jetojnë ashtu siç jetove ti! E deshe dhe e respektove jetën ashtu siç vetëm ti dije. Lamtumirë deri sa të takohemi siç vetëm ne të dy dinim. Ah sa të dua i vogli im! U prehsh në paqe bashkë me engjëjt, engjëlli im”.
Karriera e Leka Bungos:
Leka Bungo lindi në Vlorë më 28 shkurt 1944. U diplomua për aktrim në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë për regji. Pas diplomimit punoi si drejtor në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, dhe në vitin 1971, pas krijimit të teatrit “Bylis” në Fier, u bë drejtor i tij.
Në vitin 1973, vendosi në skenë dramën “Historia e një vajze”, por kjo shfaqje rezulton të jetë një ngjarje e trishtuar në jetën e tij, pasi nuk u prit mirë nga organet e shtetit të kohës dhe u kritikua për qëndrime liberale në art. Bungo u dërgua në Patos, i dënuar me punë fizike në kuadër të riedukimit. Më pas punoi në Shtëpinë e Kulturës në Patos dhe në vitet ‘80 u kthye në Tiranë, ku u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje që prekin probleme të mprehta sociale të kohës, me satirën si element kryesor.
Në ekranin e filmit u shfaq që në vitin 1966 me “Oshetime në bregdet” dhe shumë vite më vonë (1990) me filmin “Një djalë dhe një vajzë”. Në teatër ai luajti në vitin 1980 në dramën “Pabesia”.
Pas viteve ‘90 realizoi disa emisione televizive të gërshetuara me humor politik, duke satirizuar dukuri politike të një regjimi e klase tashmë të përmbysur, por që vijonin të kishin ndikim të fortë mbi realitetin e ri postkomunist në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe krijoi në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt e humbi destinacionin artistik dhe u mbyll në vitin 2001 me rikonstruksionin e hollit të këtij teatri.
Leka Bungo ka shkruar gjithashtu skenarin e disa filmave dhe telekomedive si:
“Tre njerëz me gunë” (1985);
“Mirela” (1988);
“Gjuetia e fundit” (1991);
“Pas fasadës” (1992);
“Çarli Çaplini në Shqipëri”.
Në vitin 1998 ai bashkëthemeloi një stacion televiziv privat, ku punoi si drejtor. Në vitin 2001 u zgjodh anëtar i Bordit Drejtues të RTSH. Është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Fierit”. Pas vitit 2002 emigroi në SHBA. Më pas u rikthye në Shqipëri.

