Shfaqja “Zemërimi i shkronjave” do të rikthehet në skenë pas 40 vitesh. Një shfaqje me kukulla pjesë e një projekti për të cilin regjisori Endri Çela me aktorët po vazhdojnë punën për ta sjellë në skenë. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Endri Çela thotë se ka qenë kënaqësi për të që ai të punonte me përshtatjen e këtij teksti shkruar nga Minerva Kumi.
Ai thotë se pas 40 vitesh ky tekst vjen i freskët dhe i përshtatur akoma më shumë për realitetin e sotëm. Regjisori Çela që e sjell këtë shfaqje në skenë dhe do të jetë premierë në muajin shtator thotë se teknika e kukullave do të jetë e ndryshme nga shfaqja e parë, sipas tij vlen të përmendet që stili i kukullave do të jetë një stil i ri, i paprovuar më parë te Teatri i Kukullave. Shfaqja është pjesë e projektit Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore, ku regjisori Endri Çela shprehet se fokusi i tij është ringjallja e një trashëgimie kulturore e mbetur në heshtje.
Regjisori Endri Çela ndalet dhe tek rëndësia që ka Teatri i Kukullave në jetën artistike për fëmijët. Ai shprehet se plot vlera janë shpërfaqur në atë skenë të vogël, por të madhe për nga rëndësia dhe impakti tek edukimi i shumë brezave. Për këtë arsye, sipas tij si regjisor është e udhës që projekte të tilla të kthehen në traditë të përvitshme. Programi “EU4Culture Albania” u shpreh këto ditë se projekti Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore po avancon me ritme të mira. Pas përfundimit të skenarit dhe ndarjes së roleve, aktorët kanë nisur zyrtarisht provat, duke e filluar me një lexim në tryezë dhe ky është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit në jetë të shfaqjes me kukulla, “Zemërimi i shkronjave”, e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1981 dhe pritet të debutojë sërish në shtator. Kjo nismë mbështetet nga programi i granteve “EU4Culture”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
-Ju po punoni këtë kohë për të sjellë në skenën teatrore shfaqjen “Zemërimi i shkronjave”, që do të rikthehet pas 40 vitesh në skenë. Çfarë mund të na thoni më shumë për punën tuaj si regjisor rreth këtij teksti?
Pas një hulumtimi mes veprave më të suksesshme ndër vite të repertorit të hershëm të Teatrit të Kukulla, u përzgjodh pikërisht “Zemërimi i shkronjave” për t’ia rikthyer publikut të vogël mesazhin se e folura bukur dhe pastër është diçka e qënësishme. Vepra e shkruar nga Minerva Kumi ka patur një sukses të jashtëzakonshëm ndër vite. Prindërit tanë e mbajnë mend akoma batutën e famshme “dua e-në me kaçurrelat tek balli”. Prandaj për nder të këtij suksesi, për kënaqësinë e nostalgjikëve, por edhe për mesazhin edukues ende domethënës edhe në ditët e sotme, u vendos kjo vepër, për të cilën shpresojmë të ketë të njëjtin sukses.
-Në regjinë tuaj, çfarë përcjell shfaqja në ditët e sotme, mesazhi për fëmijët?
Së pari më duhet të them që për mua ka qenë kënaqësi të punoja me përshtatjen e këtij teksti. Pas 40 vjetësh ai vjen i freskët dhe i përshtatur akoma më shumë për realitetin e sotëm. Kanë lëvizur skena, janë shtuar dhe hequr momente që mbase nuk i qëndrojnë ditëve të sotme dhe është pasuruar me akoma më shumë batuta komike. Mendoj se puna e deritanishme do e nderojë shfaqjen, e cila tani ka hyrë në procesin e punës me aktorët. Shfaqja, duke qenë se primare ka të folurin, ajo bazohet tek fjala. Teknika e kukullave do të jetë e ndryshme nga shfaqja e parë. Vlen të përmendet që stili i kukullave do të jetë një stil i ri, i paprovuar më parë te Teatri i Kukullave.
-Ju keni sjelle në skena shfaqje teatrore për fëmijë dhe të rritur, por çfarë mund të na thoni më shumë rreth projektit Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore, përmes të cilit vjen dhe kjo shfaqje në skenë, sa ka rëndësi për ju?
Ky është projekti i 19-të i karrierës sime për teatrin e fëmijëve, por është i pari projekt me kukulla. Sa do të jetë sfidë për mua, do të jetë eksperiencë dhe kënaqësi. Mezi po e pres kurorëzimin. Përsa i përket projektit “Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore” fokusi i tij është ringjallja e një trashëgimie kulturore e mbetur në heshtje. Mendoj se projekte të tilla duhet të kthehen në traditë dhe për vit të ketë rijetësime të shfaqjeve të vjetra të Teatrit të Kukullave. Ai është një teatër me mbi 75 vite histori. Plot vlera janë shpërfaqur në atë skenë të vogël, por të madhe për nga rëndësia dhe impakti tek edukimi i shumë brezave. Për këtë arsye, është e udhës që projekte të tilla të kthehen në traditë të përvitshme. Me sa kam kuptuar dëshira e financuesve dhe sidomos e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare për Fëmijë, zj. Melsi Qirici, është që ky projekt të vazhdojë për vit. Kështu që mendoj se unë isha i pari që u kontraktova dhe shpresoj ta kem hapur rrugën për të tjerët dhe për shfaqjet e tjera.
-Kjo është një vepër shqiptare, por duke qenë regjisor që keni sjellë në skenë vepra teatrore si për të rritur dhe fëmijë, sa ka rëndësi dramaturgjia shqipe në teatër?
Dramaturgjia shqipe ka shumë rëndësi për teatrin. Përpos që nxit shtimin e dramaturgëve dhe veprave shqiptare, tërheq edhe më shumë publikun që t’i aksesohet një problematike shumë herë më të afërt sesa të një tjetre, e cila ka paralelizëm me realitetin tonë. Nëse politikat për kulturën do të mendonin më shumë për teatrin, për stimulimin e dramaturgëve tanë, kjo do të ishte një ide shumë e mirë. Do të përfitonin këta të fundit në mënyrë direkte, teatri dhe publiku.
Intervistoi: Julia Vrapi
“Zemërimi i shkronjave”
Olsi dhe Ini janë dy djem që nuk flasin bukur. Flasin me shkurtime se nuk kanë kohë të flasin gjatë. Flasin shëmtuar, se nuk janë radio shekullore që të artikulojnë bukur, pastër dhe pa gabime. Madje do të guxojnë të krijojnë edhe një shqipe të re, moderne. Të gjitha këto i zemërojnë shkronjat e Abetares dhe i vënë në lëvizje që të gjejnë një zgjidhje. Njëra pas tjetrës ato fillojnë të ikin nga fjalori i fëmijëve, duke u përpjekur që t’u mësojnë në këtë mënyrë rëndësinë e të folurit mirë. Por Olsi dhe Ini e gjejnë nga një zgjidhje të shpejtë dhe praktike. Gjersa në fund, në konkursin e interpretimit të vjershave…Një “luftë gjuhësore” mes të folurit të fëmijëve të sotëm dhe të folurit saktë. Një komedi ku fëmijët dëgjojnë ç’ndodh kur nuk shqipton dot një shkronjë, apo një tjetër. Plot humor, argëtim dhe, sigurisht, edukim në këtë shfaqje të bazuar në tekstin e Minerva Kumit, që do të vijë e freskët pas 40 vitesh prej Endri Çelës.