Veprat kombëtare të operës dhe baletit apo dhe veprat kombëtare në teatrin e dramës janë pjesë e rëndësishme e jetës artistike, por në skenat tona sipas artistëve të ndryshëm nuk janë sa duhet. Skënder Jazexhiu ish solist i parë i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, pedagog për 25 vite në Shkollën e Baletit dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë thotë se veprat kombëtare nuk duhet të mungojnë në skena, sepse ndryshe do të humbasim identitetin tonë. Sezoni artistik po shkon drejt fundit në institucionet e artit, por në intervistën për gazetën “SOT” solisti Skënder Jazexhiu tregon për rëndësinë që kanë veprat kombëtare në skena, ku sipas tij institucionet dhe ministria për Kulturën duhet që të financojë edhe më shumë krijimtarinë shqiptare.
Jo vetëm çfarë ndodh sot me veprat kombëtare në skena, por artisti i mirënjohur Skënder Jazexhiu ndalet dhe te mungesa e kritikës profesionale në fushën e artit. Ashtu si edhe të tjerë artistë më parë edhe Skënder Jazexhiu pohon se kritika në art e bërë nga profesionistët në fushën e artit është e rëndësishme, por mungon. Një jetë në skenë dhe Skënder Jazexhiu ish solist i parë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit tregon dhe për rrugëtimin e tij artistik ndër vite dhe ndalet edhe te disa nga rolet në shfaqje. Në aktivitetin e Skënder Jazexhiut në balete kombëtare dhe të huaja përmendim personazhet Musta te “Halili dhe Hajria”, Arbani te “Delina”, roli i burizanit te “Fatosi partizan”, Pjetri te “Cuva e Maleve”, te “Don Kishtoi” Sanço, “Lola” roli i Mengos, “Arrëthyesi” spanjolli, “Tokë e pamposhtur” peshkatari, “Bijtë e peshkatarit” Petriti, “Lumi i vdekur” Llazi, etj. Në vitin 2002 mbyll aktivitetin në skenë me baletin “Don Kishoti”. Në jetën artistike ai ka një numër mbi 30 personazhe ndër vite, mes tyre përmendim dhe baletet për fëmijë si “Kecat dhe ujku” Birko, “Shqiponja sypatrembur” roli i Albanit, etj.
-Jemi në kohën kur po shkohet drejt mbylljes së sezonit artistik në institucionet tona të artit dhe kulturës. Ju jeni një artist që e ndiqni jetën artistike, por ky sezon për ju si ka vijuar deri tani që po shkon drejt përfundimit?
Për mua me aq sa kam parë ka qenë një aktivitet artistik i ngjeshur me aktivitete të ndryshme, me shfaqje e koncerte në skena. Por për nivelin artistik, a kanë apo jo vlera është për t’u diskutuar, sepse jo të gjitha kam arritur ti shoh, por teatri ka pasur aktivitet. Nuk kanë qenë gjëra sa për të kaluar radhën, por ka pasur aktivitet me ato projekte që kanë ata. Ata kanë projekte që i kanë dhe bashkëpunim me italianët e me të tjerë, por unë mendoj që po punohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
-Në reagimet tuaja më parë ju keni shprehur se drama shqipe, opera dhe baleti shqiptar, muzika tradicionale kombëtare nuk duhet të mungojë në skena. Çfarë ka ndodhur, sipas jush sa i është kushtuar vëmendje nga institucionet tona krijimtarisë kombëtare ?
Patjetër që drama kombëtare, opera dhe baleti shqiptar, muzika tradicionale kombëtare nuk duhet të mungojë në skenën tonë. Mungesa e veprave madhore të muzikës është një shqetësim që kam unë për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Të vihen edhe veprat e huaja, por nuk duhet të mungojë vepra kombëtare. Veprën kombëtare e kërkon vetë skena, sepse siç jam shprehur nëse nuk vihen në skena do humbim identitetin. Ministria për Kulturën ka përgjegjësinë për artin dhe kulturën, për veprat kombëtare. Por veprat kombëtare mungojnë, nuk janë sa duhet në skenën tonë. Nëse kanë financuar ndonjë rrallë, por kjo nuk ka qenë sa duhet. Mendimi im është që ka prioritet vepra kombëtare që të ngeli, e cila mund të luhet dhe pas 20-vitesh apo 40 vitesh, ndërsa ka vepra të tjera që luhen sot harrohen nesër. Ne nuk duhet të humbim identitetin tonë. Veprat “Halili dhe Hajria”, “Cuca e maleve”, “Toka jonë” etj, nuk harrohen, sepse janë veprat tona kombëtare. Pse kanë mbetur ende filmat tanë të mrekullueshëm shqiptarë, që i do akoma ky brez sot? Sepse janë filmat tanë, ndaj strukturat shtetërore duhet të kenë prioritet veprën kombëtare. Drejtuesit janë dhe të rinj dhe në teatrot tanë sot vënë gjëra të kohës, por duhet dhe vepra kombëtare.
-Janë bërë takime të rralla me artistë e krijues të ndryshëm, ku kanë qenë edhe përfaqësues institucioneve. Sipas jush, sa kanë shërbyer në trajtimin e problemeve në krijimtari?
Në mos gaboj është bëre një takim para disa javësh, ku ishin dhe kompozitorë siç më thanë se unë nuk isha. Por edhe më parë janë bërë takime, flitet po vijojnë problematikat që janë për krijimtarinë muzikore në vend, stimulimin e autorëve shqiptarë për të shkruar vepra madhore në muzikë, etj.
-Një piktor i njohur në një intervistë të tij së fundmi u shpreh për problemet në art dhe kulturë, por edhe për mungesën e kritikës në fushën e artit, pra kritika e bërë nga njerëzit e duhur. Ju çfarë mund të thoni, si ndikon mungesa e një kritike profesionale në fushën e artit?
Kritika në fushën e artit e bërë nga profesionistët duhet që të mos mungojë, ajo nxjerr në pah vlerat, por edhe e orienton publikun drejt tyre. Por fatkeqësisht sot nuk ka kritikë në art. Ka shumë pak, por nuk ka kritikë të mirëfilltë në art. Kishin sukses veprat dhe bëhej dikur dhe kritika profesionale në art.
-Ju jeni ish solist i parë i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, pedagog përgjatë 25 viteve në Shkollën e Baletit, por pedagog edhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Një jetë në skenë dhe keni interpretuar në shfaqje të ndryshme. Si e shikoni zhvillimin e koreografisë sot?
Nuk është se nuk më pëlqen kjo që bëjnë sot këta të rinj që janë pas lëvizjes, lëvizja është lëvizje, por lëvizja duhet të ketë dhe një nocion. Ata bëjnë lëvizje shumë herë të bukura të mira, por nuk ngelet. Kjo koreografi që bëhet sot a do ngeli nesër? Sot kërcejnë të gjithë, bukur kërcejnë, por a ngelet nesër? Mendoj që koreografia shqiptare do një drejtim si do të drejtohet.
-Po Shkolla e Baletit sot, si e shikoni?
Mendoj që Shkolla e Baletit ka një aktivitet që nuk është i keq, ku edhe ata bëjnë aktivitete të ndryshme që janë të pëlqyeshme për mua.
-Një jetë në skenë. Roli i parë për ju ishte Silvestri te baleti “Fadeta” dhe i fundit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ka qenë kur u vu në skenë një pjesë nga vepra “Don Kishoti” dhe ju ishit në rolin e Sanços. Por dhe pse ju dolën në pension në vitin 2002 vijuat të kërceni dhe në aktivitete të tjera deri në vitin 2005. Çfarë ju ka falur ky rrugëtim artistik ndër vite nga një shfaqje në tjetrën?
Shfaqja ime e parë ka qenë me Estradën Profesioniste të Ushtarit në vitin 1953 dhe aty unë kam dalë si akrobat. Por shfaqja e parë në teatër, kur kam qenë te “Fadeta”. Na merrnin si nxënës që dilnim në skenë, por unë atë kohë e realizova një rol që ishte Silvestër. Unë spikata dhe koreografi Skënder Selimi më zgjedh që të bëja atë rol. Për mua ishte një eveniment, që në atë moshë realizova një rol. Ishin dhe emocionet shumë të mëdha. Aty janë fillimet e mia pastaj kalova pas disa vitesh si profesionist e me shumë role të tjera në skenë.
Kam qenë protagonist i shumë roleve. Por më i vështirë dhe më i bukuri për mua ka qenë roli i Mustës te baleti “Halili dhe Hajria”, që ishte Panajot Kanaçi. Unë e kam bërë atë rol në vitin 1965, sepse vepra është krijuar më herët. Një tjetër rol që veçoj është dhe Pjetri te baleti “Cuca e maleve ” vepër me koreografi të Agron Aliajt. Një tjetër rol që dua të përmend është dhe ai më i fundit Sanço Panço te baleti “Don Kishoti”, që ishte po me koreografi të Agron Aliajt. Unë kam role të ndryshëm në balete, por kam kërcyer edhe në vallen popullore. Roli i fundit që kam në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka qenë te “Don Kishoti” në vitin 2002 ku u vu një skenë nga ky balet dhe unë isha me rolin e Sanço Panços, por edhe pas këtij viti e vijova ende aktivitetin artistik. Në tre vitet e tjera në vijim kam kërcyer edhe në aktivitete jashtë shtetit.
-Si po kalojnë këto ditë vere për ju?
Janë ditë vere dhe po kalojnë edhe me takime me miq dhe shokë. Por është verë kalojnë dhe ditë në plazh.
Intervistoi: Juljana Vrapi