Tag: sistemi

  • Duka viziton qendrën e re të sistemit VAR, pjesë e modernizimit të arbitrimit

    Duka viziton qendrën e re të sistemit VAR, pjesë e modernizimit të arbitrimit

    Risia më e madhe e këtij sezoni në futbollin shqiptar është qendra e përhershme e dedikuar e sistemit VAR në “Shtëpinë e Futbollit”, investimi madhor i Federatës së Futbollit që ka nisur funksionimin e plotë në ndeshjet e “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë.
    Qendra e sistemit VAR u vizitua sot edhe nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili u njoh nga afër me këtë investim të rëndësishëm që është në një linjë me federatat më të mira europiane.
    Pas përfundimit të vizitës, Presidenti Duka dha një prononcim për fshf.org, duke theksuar se qendra e re e sistemit VAR është një hap i rëndësishëm në strategjinë e federatës për të modernizuar dhe përmirësuar arbitrimin në Shqipëri. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh se sistemi i ri, i licencuar nga FIFA dhe i përdorur nga shumica e federatave europiane, ofron kushte më komode për arbitrat dhe pamje më cilësore, duke synuar vendime më të drejta dhe më pak kontestime.
    “Investimi që ka bërë FSHF në këtë sistem të qendërzuar të sistemit VAR është vazhdimi i strategjisë që ka Federata e Futbollit për të përmirësuar, modernizuar apo për të afruar sa më shumë vendimet e drejta të arbitrimit. Sistemi është bashkëkohor, i licencuar nga FIFA, sistemi EVS që e përdorin 80% e federatave në Europë dhe këtë mënyrë të vlerësimit nga sistemi VAR të ndeshjeve e kanë të gjitha federatat e zhvilluara.
    Ne e filluam me minibusë dhe padyshim që ky është një investim akoma më i madh se i pari. Jam shumë i sigurt që i ndihmon, kanë edhe qetësinë arbitrat sepse janë në një sistem shumë më komod, larg çdo lloj presioni dhe janë më të qetë për të dhënë vendimin e duhur. Sipas testimeve që kemi bërë edhe pamjet janë shumë më të mira se me furgonat që kemi pasur deri tani. Tani jemi në sezonin e ri me sistemin e ri. Uroj që të kemi vendime sa më të drejta, sa më pak kontestime sepse kontestimet nuk do t’i eliminojmë kurrë”, – tha Presidenti Duka.

  • “Altin Dumani është qelibar”/ Dash Sula: E vë dorën në zjarr, të tjerët janë zi nëse ai është i korruptuar

    “Altin Dumani është qelibar”/ Dash Sula: E vë dorën në zjarr, të tjerët janë zi nëse ai është i korruptuar

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është shprehur se Altin Dumani dhe disa prokurorë të tjerë të SPAK-ut janë të pakorruptuar. 
    Komentet Sula i bëri teksa ishte i ftuar në studion e emisionit ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se me Vettingun në drejtësi, shumë prokurorë dhe gjykatës janë larguar në mënyrë të padrejtë. 
    Sula shtoi gjithashtu se nëse në Shqipëri ka një institucion që ka më pak gjynahe nga të tjerët, atëherë ai sipas tij, është sistemi i drejtësisë. 
    “Nëse ka në Shqipëri me më pak gjynahe, është drejtësia. Por një pjesë e madhe e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë larguar nga sistemi i drejtësisë në mënyrë të padrejtë. Kolegu Bashkim Dedja u largua nga sistemi për shtëpinë e vëllait që paguante dritat në Golem. 
    Është burrë i ndershëm i pakorruptuar. Ka pasur edhe shumë të tjerë. Nuk është faji i SPAK-ut, se vettingun nuk e ka bërë SPAK. Të gjithë prokurorët e SPAK nuk i njoh, por Altin Dumanin apo Behar Dibrën, etj, nëse ka prokuror të pakorruptuar… Altin Dumani dhe disa të tjerë aty janë ndër burrat dhe kolegët e drejtësisë që janë qelibarë të pakorruptuar. Nëse është i korruptuar Altin Dumani, prokurorët e tjerë janë zi atherë”, tha mes të tjerash Sula. 

  • Pensionet greke në rënie, shifra mesatare zbriti në 783 euro bruto

    Pensionet greke në rënie, shifra mesatare zbriti në 783 euro bruto

    Pensionet mesatare kryesore në Greqi në muajin korrik ishin nën 800 euro bruto, ndërsa edhe pensionet suplementare shënuan një rënie të ndjeshme, sipas të dhënave nga sistemi Helios.

    Ky fakt jo vetëm që thekson nevojën për heqjen e të ashtuquajturës “diferencë personale” që është paralajmëruar tashmë, por edhe nënvizon domosdoshmërinë e monitorimit të vazhdueshëm të sistemit të sigurimeve shoqërore.

    Gjithashtu, kjo shpjegon pse përqindja e pensionistëve në rrezik të varfërisë pas marrjes së përfitimeve dhe pensioneve, sipas të dhënave më të fundit nga ELSTAT për vitin 2024, arrin në 13.6% të popullsisë totale.

    Në fakt, situata duket se përkeqësohet çdo vit, pasi të dhënat si nga sistemi Helios i Ministrisë së Punës, ashtu edhe nga ELSTAT, tregojnë se gjendja e të ardhurave të pensionistëve po përkeqësohet në mënyrë dramatike.

    Plakja e popullsisë, pasojat e krizës financiare dhjetëvjeçare, së bashku me papunësinë e lartë dhe pagat e ulëta, i kanë shtyrë pensionet në Greqi drejt niveleve veçanërisht të ulëta.

    Të dhënat nga sistemi Helios tregojnë se në korrik 2025, pensioni mesatar kryesor ishte 783 euro bruto, krahasuar me 821.99 euro një vit më parë. Në qershor 2025, ai ishte 843.63 euro, ndërsa në korrik 2023 ishte 790.57 euro). Që nga fillimi i vitit 2023, pensionet janë rritur në total me 13.25%, por kjo rritje është aplikuar vetëm për ata që nuk kanë “diferencë personale”.

    Një prirje e ngjashme rënëse vërehet edhe në pensionet suplementare, të cilat nuk rriten paralelisht me pensionet kryesore. Këtë vit, në korrik, ato ranë në 178.51 euro, nga 196.89 euro në të njëjtin muaj të 2024-ës.

  • “Shqipëria Bëhet” në opozitë të fortë”, Lapaj shpall luftë Ramës dhe Berishës: Politikisht, do të shihemi në rrugët e..

    “Shqipëria Bëhet” në opozitë të fortë”, Lapaj shpall luftë Ramës dhe Berishës: Politikisht, do të shihemi në rrugët e..

    Kreu i Nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se mandati i tyre politik do të jetë në opozitë të fortë ndaj klasës aktuale politike.
    Në një deklaratë publike pas zgjedhjeve të 11 majit, Lapaj tha se ndonëse morën mbi 64 mijë vota, sistemi ua mohoi përfaqësimin e merituar me 6-7 deputetë.
    Deklarata e plotë:
    Të dashur qytetarë, të dashur mbështetës të Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, që në zgjedhjet e 11 maj na dhatë mbi 64 mijë vota të vlefshme duke na renditur forcën e tretë politike në këto zgjedhje. Siç dhe e keni dëshmuar, për nga numri i votave, Lëvizja do të duhej t’ju përfaqësonte ju në këtë legjistlaturë, me të paktën 6-7 mandate. Por, sistemi e pamundësoi.
    Në këtë legjislaturë, ne do të përfaqësohemi juridikisht me një mandat deputeti, i cili do të dëshironim të vinte nga radhët e listave të hapura. Sërish, sistemi përdori gjithë marifetat e veta, për të mos e lejuar si standard të ri demokratik.
    Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’, është një lëvizje që është krijuar mbi konceptin e garës dhe meritokracisë, e ne do të vazhdojmë të luftojmë gjatë këtyre katër viteve për depolitizimin e administratës zgjedhore, për hapjen e listave, për ligjin për referendumet, për demokratizimin e Shqipërisë dhe kundër atyre që kanë ngritur një sistem që e kanë marrë peng vendin tonë.
    Thënë kështu, nuk mund të jemi ndryshe, përveçse përballë autorëve të pengmarrjes së Shqipërisë, Edi Ramës dhe Sali Berishës. Në këtë legjislaturë, ne do të përfaqësohemi nga deputetja, zonja Ana Dajko, e cila do të paraqesë në mënyrë periodike, projektligjet e formuluara nga ekipi juridik i Lëvizjes, për të përfaqësuar nevojën për ndryshim të problematikave në fusha të ndryshme të jetës së qytetarëve. Sa më sipër, juridikisht do shihemi në Parlament, politikisht do të shihemi rrugëve të atdheut!

  • Kur trupi të sheh si armik: E vërteta për sëmundjet autoimune

    Kur trupi të sheh si armik: E vërteta për sëmundjet autoimune

    Kur sistemi imunitar ngatërrohet dhe trupi bëhet fushëbetejë a po të paralajmëron për diçka më të thellë? Zbuloni shenjat e hershme të sëmundjeve autoimune dhe çfarë mund të bëni për ta ndalur këtë luftë të brendshme në kohë

    Ndoshta e ke ndjerë: një lodhje që nuk largohet, një dhimbje që s’ka emër të saktë, fryrje barku të pashpjegueshme, lëkurë që irritohet nga gjithçka, ndjesi të çuditshme në duar apo këmbë, një trishtim pa arsye, harresë, mungesë përqendrimi… Shkon te mjeku, analizat dalin “brenda normës” dhe ti ndihesh sikur po çmendesh. Por jo. Ti je një nga shumë njerëzit që mund të jenë në fillimet e një sëmundjeje autoimune pa e ditur.

    Sëmundjet autoimune ndodhin kur sistemi imunitar, që zakonisht na mbron nga viruset dhe bakteret, ngatërrohet dhe fillon të sulmojë vetë trupin. E sheh një pjesë të shëndetshme si të huaj si armik dhe nis luftën. Kjo luftë e brendshme mund të ndodhë ngadalë dhe në heshtje për vite me radhë, derisa një ditë të shfaqet si Hashimoto, Lupus, artrit reumatoid, sëmundje celiake apo një nga mbi 100 sëmundje të tjera autoimune.

    Ajo që i bën të vështira këto sëmundje është fakti që shenjat e para janë shpesh të mjegullta dhe nuk ndjekin një logjikë klasike mjekësore. Mund të shfaqen si lodhje ekstreme, rënie flokësh, pagjumësi, ndryshim humori, probleme me tretjen, shtim ose rënie në peshë pa arsye. Disa ditë ndihesh mirë, të nesërmen nuk ke fuqi të ngrihesh nga shtrati. Ky luhatje e vazhdueshme i bën njerëzit të ndihen të humbur dhe shpesh të mos merren seriozisht – as nga vetja, as nga të tjerët.

    Por ka mënyra për ta kuptuar më herët. Trupi gjithmonë flet vetëm se jo gjithmonë me zë të lartë. Nëse ke ndjesinë se diçka nuk shkon, edhe kur analizat thonë “ok”, është e rëndësishme të dëgjosh atë ndjesi. Historia familjare, mënyra e ushqyerjes, stresi afatgjatë, gjumi i parregullt dhe mungesa e lëvizjes janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit imunitar.

    Çfarë mund të bëjmë? E para, duhet ndalur së kërkuari një “kurë magjike” dhe të fillojmë të shohim trupin si një sistem që kërkon mirëkuptim, jo ndëshkim. Fillon me ndryshime në stilin e jetës: një ushqim anti-inflamator, që shmang produktet që irritojnë sistemin (si gluten, sheqeri i rafinuar, qumështi industrial). Shto aktivitet fizik të përshtatshëm për ty, rregullo gjumin, gjej mënyra reale për të menaxhuar stresin. Dhe më e rëndësishmja, kërko ndihmë profesionale që i kupton këto gjendje nuk janë “në kokën tënde”, janë reale.

    Në Fitstation, ne besojmë se edukimi është hapi i parë drejt shërimit. Sepse nuk mund të ndryshosh diçka që nuk e kupton. Dhe sistemi yt imunitar nuk është armiku yt është një sistem që po thërret për ndihmë.

  • Tabaku: Shpopullimi i vendit, pasiguria ekonomike dhe shkollat bosh nuk mbulohen me propagandën e Ramës

    Tabaku: Shpopullimi i vendit, pasiguria ekonomike dhe shkollat bosh nuk mbulohen me propagandën e Ramës

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas nisjes së vitit të ri shkollor, duke theksuar se rënia drastike e numrit të nxënësve pasqyron krizën më të dhimbshme demografike që po kalon vendi.
    Sipas saj, vetëm gjatë pesë viteve të fundit numri i nxënësve ka rënë me 61 mijë, ndërsa në një dekadë rënia arrin në 31%, që përkthehet në 112 mijë nxënës më pak që nga ardhja e socialistëve në pushtet.
    Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane nënvizoi se kjo rënie është pasojë e një sistemi që nuk ofron asnjë garanci për të ardhmen: “Çmimet e rritura, pasiguria ekonomike, mungesa e sigurisë në punë dhe në jetën e përditshme kanë bërë që shumë familje të mos lindin më fëmijë, ndërsa të rinjtë zgjedhin emigrimin si rrugëdalje”.
    Sipas saj, emigrimi po gërryen vendin, ndërsa qeveria përpiqet ta mbulojë realitetin me “propagandë dhe projekte fantashkencore digjitale”.
    “Një vend i ndarë mes boshatisjes së fshatrave dhe një Tirane të mbingarkuar është një vend i dënuar të humbasë betejën me të ardhmen. Prandaj beteja jonë është çdo ditë kundër këtij sistemi të padrejtë që godet familjen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, përfundoi Tabaku.
    Postimi i plotë i Jorida Tabakut:
    Ndërsa emocionet e ditës së parë të shkollës kanë kaluar, shifrat kokëforta flasin për një realitet trishtë e thuajse tragjik.
    -Vetëm në 5 vitet e fundit janë 61 mijë nxënës më pak në bankat e shkollës.
    -Në një dekadë, rënia është 31% – plot 112 mijë nxënës më pak se kur erdhën socialistët në pushtet.
    Një krizë e një kombi që po zvogëlohet dhe zbehet ditë pas dite. Në thuajse 70 njësi administrative ka më pak se 100 fëmijë. Çdo ditë që kalon, Shqipëria humbet nga pak të ardhmen.
    Ulja e lindshmërisë është pasojë e një sistemi që nuk ofron siguri: çmime të rritura, pasiguri në punë, pasiguri ekonomike, pasiguri në jetën e përditshme. Shqipëria po plaket përpara se të zhvillohet.
    Shkollat bosh janë pasqyra më e dhimbshme e këtij realiteti. Ndërsa emigrimi gërryen vendin, qeveria përpiqet ta mbulojë me propagandë dhe projekte fantashkencore digjitale. Një vend i ndarë mes boshatisjes së fshatrave dhe një Tirane të mbingarkuar është një vend i dënuar të humbasë betejën me të ardhmen.
    -Prandaj beteja jonë është çdo ditë kundër këtij sistemi të padrejtë. Sepse ai godet në rrënjë familjen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

  • Sulmohet me dron aeroporti në Izrael, sistemi i paralajmërimit dështoi

    Sulmohet me dron aeroporti në Izrael, sistemi i paralajmërimit dështoi

    Një sulm me dron mbylli për disa orë një aeroport në jug të Izraelit ditën e dielë, si dhe dy persona mbetën të lënduar, pasi sistemi izraelit i paralajmërimit dështoi të ngrejë alarmin për sulmin që po vinte. Sulmi u krye nga militantët Houthi në Jemen.
    Ushtria izraelite deklaroi të dielën vonë se një hetim fillestar tregoi që sistemet e zbulimit dhe paralajmërimit të Forcave Ajrore kishin vërejtur një dron nga Jemeni që në fund goditi aeroportin Ramon, pranë qytetit jugor Eilat, por ai nuk u klasifikua si objekt armik.
    “Nuk ka asnjë tregues për ndonjë defekt teknik,” thuhet në deklaratën e cituar nga The New York Times, duke shtuar se do të zhvillohet një hetim i plotë dhe i zgjeruar.
    Në një deklaratë të veçantë të publikuar më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se dy dronë të tjerë “që po vinin nga Jemeni” ishin kapur dhe rrëzuar përpara se të hynin në territorin izraelit.
    Sulmi i Houthive përbën një goditje të rrallë direkte ndaj Izraelit nga ky grup dhe vjen një muaj pas vrasjes së disa prej udhëheqësve të lartë të Houthive, përfshirë kryeministrin Ahmed al-Rahaëi.
    “Forcat e Armatosura konfirmojnë se do të përshkallëzojnë operacionet ushtarake dhe nuk do të tërhiqen nga mbështetja për Gazën, pa marrë parasysh pasojat,” tha zëdhënësi ushtarak i Houthive, Yahya Saree, në një fjalim të dielën mbrëma. Ai u zotua se të gjithë aeroportet në Izrael do të jenë “të pasigurta dhe do të jenë objektiva të vazhdueshme.”

  • “Siguria ushqimore në pikën më të ulët” Tabaku reagon pas bllokimit të pjeshkëve në Kroaci

    “Siguria ushqimore në pikën më të ulët” Tabaku reagon pas bllokimit të pjeshkëve në Kroaci

    Rasti i bllokimit të pjeshkëve shqiptare në kufirin me Kroacinë për shkak të nivelit të lartë të kimikateve, ka sjellë edhe reagimin e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se ky është rasti i radhës pas mandarinave, domateve dhe specave që janë ndaluar më herët në vendet e BE-së si rezultat i sistemit europian të kontrollit ushqimor. Sipas saj, kjo tregon se sistemi i ngritur nga qeveria nuk funksionon dhe lë qytetarët pa asnjë garanci për produktet që konsumojnë.
    “Ne nuk e dimë se çfarë produktesh konsumojmë ne dhe fëmijët tanë, çfarë produktesh vendosen në tryezat tona. Sepse sistemi që kemi ndërtuar në bujqësi nuk mbështet fermerin, nuk garanton kontrollin e kimikateve që përdoren dhe nuk siguron cilësinë e produkteve që dalin në treg. Ndërkohë që shteti merret me rigonin që mblidhet në male dhe sheh nëse shitet me fatura apo pa fatura, maunet me produkte të pasigurta kalojnë lirshëm në tregje. Ky është sistemi që është ngritur”, theksoi Tabaku.
    Ajo nënvizoi se Shqipëria sot ka nevojë për gjëra normale si siguria ushqimore, furnizimi i pandërprerë me ujë, shkolla të sigurta dhe rrugë të mira. “Gjithë të tjerat janë ëndrra në beze,” përfundoi Tabaku.

  • “Sistemi patronazhon votën”/ Niveli i kimikateve në vendin tonë, reagon deputetja: Shteti merret me rigonin në male

    “Sistemi patronazhon votën”/ Niveli i kimikateve në vendin tonë, reagon deputetja: Shteti merret me rigonin në male

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale lidhur me rastin e fundit të bllokimit të pjeshkëve shqiptare në kufirin me Kroacinë për shkak të nivelit të lartë të kimikateve.
    Tabaku kujtoi se ky është rasti i radhës pas mandarinave, domateve dhe specave që janë ndaluar më herët në vendet e BE-së si rezultat i sistemit europian të kontrollit ushqimor. Sipas saj, kjo tregon se sistemi i ngritur nga qeveria nuk funksionon dhe lë qytetarët pa asnjë garanci për produktet që konsumojnë.
    “Ne nuk e dimë se çfarë konsumojnë fëmijët tanë. Ndërkohë që shteti merret me rigonin në male, maunet me produkte të pasigurta kalojnë lirshëm në treg me siguri ushqimore zero”, theksoi Tabaku.
    Ajo nënvizoi se Shqipëria sot ka nevojë për gjëra normale si siguria ushqimore, furnizimi i pandërprerë me ujë, shkolla të sigurta dhe rrugë të mira. “Gjithë të tjerat janë ëndrra në beze,” përfundoi Tabaku.
    Reagimi i Tabakut:
    Siguria ushqimore është në pikën më të ulët.
    Mbas mandarinave të bllokuara në dhjetor të vitit të shkuar, mbas domateve e specave, erdhi radha e pjeshkave të bllokohen në kufi me Kroacinë si rezultat i sistemit të koordinimit Europian për sigurinë ushqimore.
    Ne nuk e dimë se çfarë produktesh konsumojmë ne dhe fëmijët tanë, çfarë produktesh vendosen në tryezat tona. Sepse sistemi që kemi ndërtuar në bujqësi nuk mbështet fermerin, nuk garanton kontrollin e kimikateve që përdoren dhe nuk siguron cilësinë e produkteve që dalin në treg.
    Ndërkohë që shteti merret me rigonin që mblidhet në male dhe sheh nëse shitet me fatura apo pa fatura, maunet me produkte të pasigurta kalojnë lirshëm në tregje. Ky është sistemi që është ngritur.
    Shqipëria sot ka nevojë për gjëra normale: për siguri ushqimore, për ujë 24 orë, për rrugë të sigurta, për shkolla të sigurta. Vetëm pas këtyre, mund të flasim për ëndrra të tjera që shpesh mbeten në letër.

  • “Sistemi gjyqësor i pavarur është garanci e pushteteve të tjera”, Rakipi: Mekanizma të posaçme që ta mbrojnë

    “Sistemi gjyqësor i pavarur është garanci e pushteteve të tjera”, Rakipi: Mekanizma të posaçme që ta mbrojnë

    Drejtuesi i Grupit të Punës për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, Arben Rakipi tha gjatë fjalës së tij në nisjen e dëgjesave publike tha se sistemi gjyqësor goditet ditë pas dite dhe duhet të ketë mekanizma të posaçme që ta mbrojnë.

    Ai theksoi se një sistem gjyqësor i pavarur është garanci e pushteteve të tjera.
    Rakipi: Sistemi ynë gjyqësor goditet ditë pas dite, shpesh është i aftë të mbrohet, shpesh jo, sovrani duhet të ketë mekanizma të posaçme të mbrojë sistemin, sistemi gjyqësor i pavarur është garanci e pushteteve të tjera, pushtet e tjera do të abuzojnë siç ndodh, kjo s’është vetëm çështje shqiptare por e përbotshme, aktet ndërkombëtare që e rregullojnë këtë gjë, konventa parashikon që të mbrohet sistemi gjyqësor nga ndërhyrjet e jashtme, i mëshohet nevojës së gjyqtarit të pavarur.

    Top Channel