Tag: sistem

  • “Ky sistem nuk punon për shqiptarët”/ Tabaku rendit akuzat ndaj qeverisë: 12 vite emigracion, qytetarët lihen pas dore

    “Ky sistem nuk punon për shqiptarët”/ Tabaku rendit akuzat ndaj qeverisë: 12 vite emigracion, qytetarët lihen pas dore

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur sërish shqetësimin e eksodit të shqiptarëve gjatë 12 viteve të fundit, duke theksuar se çdo familje njeh një të afërm apo mik të larguar nga vendi.
    Sipas saj, shifrat janë kokëforta: vetëm në tremujorin e fundit janë larguar nga forca aktive e punës 11 mijë shqiptarë të moshës 15-29 vjeç, ndërsa 7 mijë të tjerë nga mosha 35-65 vjeç.
    “Arsyet janë të qarta – mungesa e shëndetësisë, arsimi i dobët për fëmijët, mungesa e mbështetjes sociale, pagat e ulëta dhe rritja e çmimeve. Ekonomia funksionon vetëm për një pakicë, ndërsa shumica e qytetarëve janë lënë pas dore,” theksoi Tabaku.
    Ajo shtoi se standardet europiane, për të cilat shqiptarët janë detyruar të emigrojnë, duhet të ndërtohen në vend dhe jo të kërkohen jashtë.
    “Ky sistem që nuk punon për shqiptarët duhet ndryshuar. Shqipëria duhet të bëhet shtëpia ku të rinjtë dhe familjet gjejnë shpresë, jo arsye për t’u larguar,” deklaroi deputetja demokrate.

  • “Marksizëm-Trumpizëm?” Përpjekja e Trump për një ekonomi të planifikuar është thjesht socializëm…

    “Marksizëm-Trumpizëm?” Përpjekja e Trump për një ekonomi të planifikuar është thjesht socializëm…

    Në një kthesë që do ta bënte Karl Marx-in të buzëqeshte dhe Adam Smith-in të rrotullohej në varr, lëvizjet e fundit ekonomike të Presidentit Trump kanë krijuar pikërisht atë sistem socialist që mbështetësit e tij pretendojnë se e përbuzin. Përmes një sërë ndërhyrjesh që do ta bënin çdo planifikues qendror krenar, kampioni i sipërmarrjes së lirë është bërë udhëheqësi më efektiv socialist i Amerikës.
    Dëshmitë janë të qarta
    Kur Trump kërkoi që kompanitë AMD dhe NVIDIA të paguanin një taksë eksporti prej 15 për qind për çipat e shitur në Kinë, ai nuk vendosi thjesht një taksë — ai krijoi një sistem ku qeveria përcakton se cilat kompani mund t’i shesin cilëve klientë dhe me çfarë çmimi.
    Kjo nuk është “dora e padukshme” e tregut — është grushti shumë i dukshëm i kontrollit shtetëror.
    Kërkesa e Trump që drejtori ekzekutiv i Intel të japë dorëheqjen na çon edhe më tej në rrugën socialiste. Kur ka bërë vaki që lideri i një shteti kapitalist të emërojë e shkarkojw drejtuesit e kompanive private? Kjo është një faqe e marrë drejtpërdrejt nga manuali i ekonomive të kontrolluara nga shteti, ku udhëheqësit e biznesit u shërbejnë autoriteteve politike dhe jo aksionerëve.
    Kryevepra e socializmit aksidental vjen nga qasja e Trump ndaj çmimeve për konsumatorët. Duke vendosur tarifa doganore të larta mbi mallrat e importuara — kosto që konsumatorët amerikanë duhet t’i paguajnë — ndërkohë që u thotë Amazon-it dhe Walmart-it se me çfarw çmimesh u lejohet t’i shesin produktet e importuara, Trump ka krijuar një skenar klasik të ekonomisë së komanduar. Qeveria rrit kostot përmes tarifave doganore, pastaj kontrollon çmimet për të fshehur ndikimin. Pikërisht kështu funksiononin ekonomitë socialiste: kontrolle artificiale çmimesh që shpërfillin realitetin e tregut.
    Ekonomisti i famshëm Friedrich Hayek, kritik i socializmit, na paralajmëroi pikërisht për këtë. Ai shkroi: “Detyra e çuditshme e ekonomisë është t’u tregojë njerëzve sa pak dinë për atë që imagjinojnë se mund të projektojnë.” Trump imagjinon se mund të projektojë një ekonomi ku tarifat doganore mbrojnë punëtorët amerikanë, taksat e eksportit ndëshkojnë Kinën dhe kontrollet e çmimeve mbrojnë konsumatorët — të gjitha njëkohësisht. Hayek do ta njihte këtë si “mendjemadhësinë fatale” të planifikimit qendror.
    Ironia më e madhe është se kjo po ndodh nën një administratë republikane. Prej dekadash, konservatorët kanë argumentuar (me të drejtë) se kontrollet e çmimeve sjellin mungesa, se qeveria nuk duhet të zgjedhë fitues e humbës në biznes, dhe se nga tregtia e lirë përfitojnë konsumatorët. E megjithatë, ja ku jemi, me një president republikan që zbaton politika që ua kalojnw socialistëve evropianë.
    Pasojat janë të parashikueshme
    Kur u thua kompanive se nuk mund të rrisin çmimet pavarësisht kostove më të larta nga tarifat doganore, ato do të gjejnë mënyra të tjera për t’u përshtatur — duke ulur cilësinë, duke kufizuar gamën e produkteve ose thjesht duke ndalur shitjet e artikujve të prekur. Kur ndërhyn te drejtuesit e korporatave, i tregon çdo CEO-je se besnikëria politike vlen më shumë se performanca e biznesit.
    Ky socializëm aksidental nxjerr gjithashtu në pah diçka të rëndësishme për pushtetin qeveritar. Pasi të pranosh që Uashingtoni mund të vendosë tarifa doganore “për sigurinë kombëtare,” është vetëm një hap deri te taksat e eksportit “për drejtësi.” Pasi të besosh se presidenti duhet të ndikojë te drejtuesit e korporatave, pse të mos kontrollojë edhe çmimet? Çdo ndërhyrje justifikon tjetrën, derisa tregu i lirë ekziston vetëm në kujtime.
    Forca e ekonomisë amerikane gjithmonë ka ardhur nga liria e saj — aftësia e bizneseve për t’u shërbyer klientëve, për të vendosur çmime dhe për të zgjedhur drejtues pa ndërhyrje politike. Duke braktisur këto parime, edhe kur ka qëllime të mira, Trump ka krijuar një sistem që nuk duket si Amerika e Reagan-it, por si ekonomitë e kontrolluara që konservatorët dikur kundërshtonin.
    Ndoshta ironia më e madhe është se mbështetësit e Trump, shumë prej të cilëve bërtasin kundër “socializmit,” i duartrokasin këto veprime. Ata nuk e njohin kontrollin e çmimeve kur quhet “luftë kundër inflacionit,” ose planifikimin ekonomik shtetëror kur etiketohet “America First.” Socializmi që ata i trembeshin nga e majta ka ardhur nga e djathta, i mbështjellë me flamur dhe me premtimin për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.
    Ashtu siç e dinte Hayek, rruga drejt kontrollit ekonomik është e shtruar me qëllime të mira. Trump mund të besojë se po mbron punëtorët dhe konsumatorët amerikanë, por në fakt po ndërton pikërisht atë sistem kontrolli shtetëror që e bën të pamundur begatinë e vërtetë. Mirë se vini në parajsën socialiste të Amerikës — vetëm se nuk e prisnit të vinte me një kapele të kuqe MAGA.

    Top Channel

  • Alibeaj: Rama do sistem gjysmë-presidencial. Përgjegjësinë penale e mban kryeministri, jo Diella!

    Alibeaj: Rama do sistem gjysmë-presidencial. Përgjegjësinë penale e mban kryeministri, jo Diella!

    Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha se Edi Rama mund të ndryshojë sistemin kushtetues në Shqipëri, duke e kthyer në gjysmë-presidencial, ku kreu i shtetit ka imunitet nga drejtësia.
    Sa i takon “Diellës” Alibeaj vuri në dukje se në rast korrupsioni përgjegjësinë penale do ta ketë Edi Rama, dhe presidenti ishte treguar i kujdesshëm duke e përcaktuar përgjegjësinë në dekret.
    “Kuvendi një përsëritje e shumë skenave të 4 viteve më parë. Kam përshtypjen që ky është një Parlament që të paktën për pjesën më të kultivuar të shoqërisë, s’ka asnjë risi.
    Ka një gjymtim të madh. Për herë të parë, hiq 97, një parti e vetme ka një masë të tillë pushteti autoritar. Do duhej një sens autofrenimi për të mos shkuar në autoritarizmi, që Ramës i mungon.
    Rama s’pati asnjë doreze për të thënë, po do fusë duart në Kushtetutë. Ka treguar që s’ka asnjë fre në përdorimin deri në fund të këtij pushteti.
    Në një sistem të brishtë, pa kundërpesha, që edhe sistemin e drejtësisë po do ta mbysë në djep, kjo bëhet shumë e rrezikshme për gjithë shoqërinë.
    Është një kambanë alarmi që shoqëria shqiptare e ka nevojë për një reflektim të brendshëm, për të krijuar antikorpe, se te opozita s’kam asnjë shpresë.
    Me sa duket Rama do ta prekë në mënyrë të njëanshme dhe të ndryshojë sistemin kushtetues, regjimin. Një sistem gjysmë-presidencial s’do më dukej çudi që Rama ta eksploronte, ku presidenti të ishte një figurë që ka edhe imunitet.
    Një pozitë e tillë me imunitet, në kushtet kur rreziku i vetëm mund të vijë nga drejtësia, mund të ishte strofull e ngrohtë për çdo mëkatar. Ndryshimi i numrit të deputetëve, është hapja e një deriçke edhe për ndryshime të tilla.
    Të paktën një punë të mirë presidenti e kishte bërë. S’besoj se do shkojmë në marrëzinë të kemi një ministre AI, sepse s’e lejon kushtetuta.
    Duke futur teknologjinë, kërkon të shkëpusë përgjegjësinë njerëzore nga mëkatet, për t’ia kaluar teknologjisë. Kjo s’ndodh.
    Një sistem drejtësie është i tillë që dorën pas Diellës do ta gjejë dhe identifikojë si përgjegjëse, qoftë në aspektin civil dhe penal.
    Presidenti ishte treguar i kujdesshëm sepse kishte përcaktuar përgjegjësinë për çdo akt që ai do t’ia mveshë Diellës”, tha Alibeaj për MCN.

  • Berisha akuza të forta qeverisë: Kanë vendosur sistem përgjimi masiv ndaj popullatës

    Berisha akuza të forta qeverisë: Kanë vendosur sistem përgjimi masiv ndaj popullatës

    Kryetari i PD-së Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se është vendosur një sistem përgjimi masiv në Shqipëri, që sipas tij, rrezikon seriozisht privatësinë e qytetarëve.
    Në një deklaratë për shtyp nga Partia Demokratike, Berisha u shpreh se pas bllokimit të rrjetit TikTok, qeveria ka instaluar një teknologji të avancuar të përgjimit të komunikimeve, që – sipas tij – nuk përdoret as nga vendet më autoritare.
    “Është teknologjia më policeske që mund të vendoset, me të cilën kontrollohet totalisht privatësia e çdo qytetari, shqiptar apo i huaj”, deklaroi Berisha,
    Ai shtoi se ky është “një operacion i shëmtuar policor” që po shoqërohet edhe me ndryshime të Kodit Penal, me synim ndëshkimin e qytetarëve dhe gazetarëve që kritikojnë qeverinë.
    Berisha paralajmëroi se, nëse ky sistem nuk ndalet, do të ndikojë në mënyrë serioze në të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve.

  • “Berisha e ka eliminuar me kohë demokracinë brenda partisë”/ Ish-kandidati i PD flet hapur

    “Berisha e ka eliminuar me kohë demokracinë brenda partisë”/ Ish-kandidati i PD flet hapur

    Analisti Roland Bejko komentoi mbi dy figurat kryesore që vazhdojnë të mbizotërojnë skenën politike shqiptare: Sali Berisha dhe Edi Rama.
    Sipas tij, Berisha e ka eliminuar prej kohësh demokracinë e brendshme në Partinë Demokratike, ndërsa Rama ka ndërmarrë disa ndryshime strukturore në Partinë Socialiste.
    “Shumë thonë se Shqipëria është sistem dypartiak, por në fakt sot kemi një sistem multipartiak të dominuar. Fillimisht ishim në një sistem të hapur, më pas kaluam në dypartiak, ndërsa sot kemi një model ku partitë e tjera ekzistojnë, por dominohen nga dy forca kryesore,” u shpreh Bejko.
    Ai shtoi se në këtë fazë Rama ka pasur interes të mbajë Berishën aktiv në politikë, duke i krijuar, sipas tij, disa “lehtësi të padukshme, por të ndjeshme”.
    “Berisha dhe Rama ndajnë disa tipare të përbashkëta: janë liderë karizmatikë me prirje autoritare, të cilët kërkojnë jo vetëm kontroll mbi strukturat partiake, por edhe ndikim mbi opinionin publik përmes mediave. Shqipëria sot funksionon si një sistem partitokrat, ku partia dominohet nga lideri dhe më pas partia dominon mbi shtetin. Shqipëria është sistem partitokrat, partia ka dominuar mbi shtetin dhe ata e kanë dominuar partinë. Berisha e ka eliminuar me kohë demokracinë brenda partisë, Rama në mënyrën se si e ndërtoi partinë e tij, bëri dy apo tre difuzione,” theksoi ai.

  • Açka: Ku janë ish-ministrat, ish-drejtorët dhe të privilegjuarit e pushtetit të PD? 

    Açka: Ku janë ish-ministrat, ish-drejtorët dhe të privilegjuarit e pushtetit të PD? 

    Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka reaguar me një shkrim të titulluar “Prania e padukshme”, ku shprehet se opozita shqiptare po përballet me një sistem të ngritur në katër vitet e fundit, i cili ka funksionuar vetëm për “matrikullimin e rebelëve, shenjimin, izolimin dhe asimilimin e tyre”.
    Sipas Açkës, ky sistem u konkretizua politikisht më 27 korrik 2024 dhe ndikimi i parë u reflektua në zgjedhjet e 11 majit 2025, ndërsa pasoja të tjera do të ndihen në muajt që vijnë.
    Deputetja thekson mungesën e rolit të elitës demokrate që ka drejtuar vendin në 35 vitet e fundit: ministra, drejtorë, kryetarë e zyrtarë të lartë që, sipas saj, kanë përfituar privilegje nga demokratët, por sot nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. “Ku janë ata sot, kur demokratët janë keq?”, pyet Açka.
    Në shkrimin e saj, ajo thekson se në këtë “sistem heshtjeje” nuk duket sikur ekziston opozita. “Ka kryeministër dhe CEO rajonalë të kompanisë Albania. Nuk e shihni, ndaj thoni se nuk ekziston prania e padukshme. Opozita duhet t’i dalë zot detyrës që ka marrë përsipër”, shprehet deputetja.
    Açka shton se nuk synon të marrë përsipër “detyrat e mëdha”, por vetëm të ngrejë zërin për një realitet që, sipas saj, rrezikon të çojë shoqërinë drejt “amnezisë politike”.
    “Prania e padukshme
    Dje thashë dy fjalë për hallet demokrate. Përcjellja ishte në përgjithësi korrekte. Por, ka prej atyre që i përdorin fjalët e të tjerëve si mish për të uritur. Punë për ta!
    Çështja është se në katër vitet e fundit është ndërtuar një sistem dhe në kēto kohë është marrē vetëm me matrikullimin e rebelëve, shenjimin, izolimin, përkashtimin, asimilin e tyre. 
    Një bashkëpunim i pastër politik për këtë u bē më 27 korrik 2024. Ndikimi i parë ishin zgjedhjet e 11 majit 2025. Të tjerat vijnë nga shtatori e më pas. 
    Kur fola për elitën demokrate, e kisha fjalēn për të gjithë ata që në 35 vitet é fundit kanë qenë ministra, drejtorë, shefa, kryetarë é gjithfarë, që kanë pasur të gjitha privilegjet prej demokratëve, dhe kanē fjalën dhe aksionin e tyre në ditën edhe kür demokratët janë keq. Ku janë ata?
    Në këtë sistem heshtjeje, duket sikur nuk ka Opozitë. Ka kryeministër dhe CEO rajonalë të kompanisë Albania. Nuk e shihni, ndaj thoni se nuk ekziston prania e padukshme. Opozita duhet t’i dalë zot detyrës që ka marrë përsipër.
    Unë vetëm e përmenda. Nuk mëtoj të bëj detyra të mëdha, se pasagjere e trenit që u kthye në karrocë opozitare, isha. Nuk shoh se ka kush ndonjë përgjegjësi. Nëse themi që nuk ekziston prania é padukshme, ajo do të na asfiksojë një nga një, derisa të shkojmë në amnezi politike.
    Foto: Prania e padukshme” Long Phi Tran” – shkruan Açka.

  • Tabaku: Sistem fiskal i pandershëm, qeveria bën ligje me porosi. Shqiptarët janë të varfër

    Tabaku: Sistem fiskal i pandershëm, qeveria bën ligje me porosi. Shqiptarët janë të varfër

    Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka komentuar raportin e OKB-së lidhur me progresin social. Për të Shqipëria ka një sistem fiskal të pandershëm, që takson punën dhe shtresën e mesme më shumë se një pakicë të privilegjuar që gëzon lehtësira. Tabaku akuzon qeverinë se prej 12 vitesh ka manipuluar me ligje me porosi, duke i bërë shqiptarët edhe më të varfër.
    Postimi i plotë

    Shqipëria ka një sistem fiskal të pandershëm. Ai takson punën dhe shtresën e mesme më shumë se një pakicë të privilegjuar që gëzon lehtësira. Prej 12 vitesh kjo betejë është manipuluar me ligje me porosi. Rezultati është i qartë: shqiptarët më të varfër, oborri qeveritar më i pasur.
    -Emigrim masiv.-Mungesë konkurrence.-Monopole që sjellin çmime gjithnjë më të larta dhe shërbime gjithnjë më të dobëta.
    Sot, edhe Raporti i OKB-së e fakton atë që çdo shqiptar e ndjen në xhep: Taksat nuk përdoren për qytetarët, por për PPP, koncesione dhe klientelë. Ky sistem po shkatërron meritokracinë. Po vret të ardhmen. Po e zhyt vendin në borxhe. Ne nuk do të pranojmë një Shqipëri të papërballueshme.

  • A ishte Sali Berisha agjent i ish-Sigurimit dhe UDB-së? Muharrem Xhafa rrëfen skemën sekrete të Ramiz Alisë për të…

    A ishte Sali Berisha agjent i ish-Sigurimit dhe UDB-së? Muharrem Xhafa rrëfen skemën sekrete të Ramiz Alisë për të…

    Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës ka komentuar situatën politike në Shqipëri, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të politikanëve kryesorë që kanë drejtuar vendin në këto 30 e ca vite demokraci. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z. Xhafa, rrëfen një panoramë tronditëse të situatës politike dhe sociale në Shqipëri pas 30 vitesh demokraci. Ai tregon se pas maskës së demokracisë fshihet një sistem që mbron elitën dhe injoron popullin, ku drejtësia është e manipuluar dhe e pambrojtur. Xhafa komentoi edhe rolin e Sali Berishës në periudhën e pas ’90-ës dhe lidhjet e tij të hershme me Partinë e Punës dhe shërbimet e dikurshme sekrete.
    Ai hedh dritë mbi skemën e Ramiz Alisë për të kontrolluar Berishën dhe postet që ai kishte pasur në spitale dhe politikë para viteve 1990. Ndërkohë ai flet gjithashtu për korrupsionin e përhapur, pasojat e kapitalizmit dhe mënyrën sesi pushteti i elitës mbron vetveten duke lënë popullin në varfëri. Madje Xhafa nuk kursen kritika për Ilir Metën, Sali Berishën. Ai kujton me dhimbje ngjarjet e 21 Janarit 2011 dhe nënvizon se pa një sistem të drejtë ligjor, asnjë llogaridhënie nuk është e mundur. Sipas tij, organet e drejtësisë janë të varura nga borgjezia dhe nuk mund të jenë të pavarura. Sakaq ai thekson se problemi nuk qëndron te individët, por tek një rrjet i tërë pushteti dhe pasurie që mbron vetveten, ku sipas tij, populli mbetet shpesh i pafuqishëm përballë elitës së korruptuar.
    -Z. Xhafa, pas më shumë se tri dekadash në sistem demokratik, a është Shqipëria realisht një vend demokratik që i afrohet standardeve europiane, apo aspirata e viteve ’90 për “ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa” ka mbetur thjesht një slogan?
    Unë nuk jam dhe nuk do të jem dakord me atë slogan. Për mua, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” ishte një mashtrim i madh i kapitalizmit amerikan dhe europian. Qëllimi nuk ishte zhvillimi i popullit shqiptar, por shkatërrimi i rendit socialist në vendin tonë. Pas kësaj, populli le të bënte ç’të donte. Shqipëria ishte pjesë e Europës edhe në socializëm, por jetonte në një rend tjetër, ku nuk i bëhej padrejtësi askujt dhe askush nuk guxonte ta cenonte. Kur ndodhi një sulm ushtarak ndaj nesh, kundërshtari e pa mirë se çfarë e priste. Europa kapitaliste atëherë ishte plot sëmundje e plagë sociale dhe kështu mbetet edhe sot. Me hyrjen tonë në kapitalizëm, këto plagë u shfaqën hapur: droga, krimi, korrupsioni. Sot ato marrin jetë njerëzish dhe shkatërrojnë shoqërinë. Nuk them që nuk kishim probleme edhe më parë, por ato ishin në nivele të papërfillshme. Në kapitalizëm, demokracia funksionon për të pasurit, jo për të varfrit. Është një demokraci për të nënshtruar dhe shfrytëzuar ata që punojnë. Përrallat për liritë dhe të drejtat janë thjesht mbulesa për një realitet ku pasuria dhe pushteti përqendrohen në duart e pakicës, ndërsa shumica e popullsisë lufton për mbijetesë.
     -Pse korrupsioni në Shqipëri është kaq i përhapur? Faji qëndron tek një sistem drejtësie që nuk funksionon, apo tek mentaliteti ynë si popull, që shpesh kërkojmë të përfitojmë pa shumë mund?
    Ka mbi 30 vjet që sidomos të rinjtë marrin rrugën e emigrimit, dhe ky fenomen vetëm sa është përkeqësuar. Ndërkohë, miliarda euro ndihma nga jashtë nuk dihet ku kanë përfunduar. Janë futur në xhepat e shpuar të popullit, apo në xhepat e pushtetarëve të korruptuar e të fuqishëm, të cilët shteti bën sikur nuk i sheh? Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më i korruptuar bëhet vendi, institucionet dhe e gjithë shoqëria. Në kapitalizëm nuk ka vende pa korrupsion, kjo është sëmundje e vetë sistemit, e të pasurve, jo e atyre që mezi sigurojnë bukën e gojës. Po, ka vende kapitaliste ku luftohet më shumë kundër korrupsionit, por as atje nuk zhduket. Pse?
    Sepse shteti kapitalist dhe pushtetarët e tij nuk pasurohen ndryshe. Sa për drejtësinë, ajo lind nga Kuvendi i borgjezisë, dhe shërben borgjezinë, jo punëtorinë. Shihni se kush dënohet: një i varfër që ka vjedhur pak energji elektrike, ndërsa një milioner që ka grabitur miliona euro ikën “në rrugë të paditur”, me biletë të paguar nga shteti. Organet e drejtësisë nuk janë të pavarura, sepse janë vënë aty nga të pasurit dhe të fuqishmit. Edhe media? E varur nga borgjezia dhe partitë e saj. Për çështjet thelbësore, nuk ka të majtë e të djathtë, ka vetëm një borgjezi të pasur që mbron interesat e veta. Në kapitalizëm, shteti dhe pushteti janë të borgjezisë; popullin e kujtojnë vetëm për vota, pastaj harrohet. Sa për idenë se shqiptarët duan të përfitojnë pa punuar, kjo është një ironi e hidhur. Borgjezia e pasur nuk e lejon popullin të pasurohet. Dhe kur populli mbahet në varfëri, korrupsioni dhe abuzimi bëhen mjet kontrolli.
    -Ndërkohë Z. Xhafa, ndër vite janë hedhur akuza se ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, madje edhe i UDB-së. Si e komentoni këtë? Sa bazë kanë këto akuza?
    Unë kam qenë dhe mbetem i bindur se çelja e dosjeve të ish-Sigurimit duhet të bëhet për të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e kohës. Por kjo nuk mund të bëhet me paragjykime, me gjykime të shpejta apo me ligje politike. Një proces i tillë, përveçse do të ishte thellësisht i padrejtë, do të ushqente ndjenja hakmarrjeje dhe vetëgjyqësie, duke e futur shoqërinë në një rrëmujë edhe më të madhe. Çdo rast duhet të trajtohet veçmas, me gjykim të veçantë, duke respektuar ligjet e kohës kur ka ndodhur ngjarja, jo duke aplikuar ligjet juridike të kapitalizmit të sotëm. Sepse, nëse do të ecim në këtë rrugë, rrezikojmë që të dalin “të dënuar politikë” edhe hajdutët, edhe vrasësit, edhe ata që e kanë shkatërruar vendin me duart e veta. Sot, “pastërtia e figurës” është kthyer në farsë. Çfarë vlere ka një certifikatë pastërtie, kur cilido mund ta blejë, mjafton të ketë para?
    Kjo nuk është drejtësi, kjo është pazar. Pastërtia e figurës së një parlamentari apo një shtetari duhet të jetë, para së gjithash, përgjegjësi e partive politike, e atyre që bëjnë propozimet, dhe e vetë individit që kandidon. Nuk mund të mbetet si përgjegjësi ekskluzive e KQZ-së. Le të bëjë KQZ-ja punën e saj, por përgjegjësia politike dhe morale nuk blihet me para. Sa i përket pyetjes suaj – a ka qenë Sali Berisha spiun, agjent i Sigurimit të Shtetit, apo bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja, përfshirë UDB-në? Unë nuk kam prova dhe nuk mund ta konfirmoj një gjë të tillë, sepse nuk kam qenë pjesë e atyre strukturave. Por nuk e fsheh se për Berishën është folur dhe flitet shumë në këtë drejtim. Kjo është çështje që duhet hetuar nga organet përkatëse, me dokumente dhe fakte. Por megjithatë me bindje të plotë, mund të them vetëm atë që është e sigurt: Sali Berisha ka qenë anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ka qenë mjek i oborrit dhe sekretar partie i spitaleve, dhe në krye të vendit e ka sjellë Ramiz Alia. Ky është fakt, jo thashethem. Dhe ky fakt flet vetë, për këdo që e njeh mirë historinë e atyre viteve.
    -Nga ana tjetër, Ilir Meta dhe Sali Berisha janë nën hetim nga SPAK, por pothuajse çdo ditë ata godasin me akuza të ashpra kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin dhe prokurorët specialë. A ka ardhur, sipas jush, momenti që çifti Berisha-Meta të përballet realisht me drejtësinë? Ndërkohë, dosja e “21 Janarit” po hetohet nga SPAK. Si e kujtoni ju atë ditë dramatike, kur 4 protestues u vranë në bulevard në vitin 2011? Kush duhet të mbajë përgjegjësi për gjakun e atyre qytetarëve dhe a mund të quhet e mbyllur kjo plagë pa një gjykim të drejtë?
    Përtej këtij aspekti formal dhe ligjor, realiteti i thellë është më i errët: sa të jetë Dumani i sotëm, apo kur të vijë një Duman tjetër nesër, çështja e Berishës, e Metës dhe e Ramës me gjithë bashkëpunëtorët e tyre, nuk do të gjejë një zgjidhje të drejtë. Këta nuk do të dënohen kurrë, sepse së pari janë të lidhur fort midis tyre, një rrjet që mbron interesat e përbashkëta; së dyti, ligjet i kanë hartuar vetë dhe për vete, duke krijuar një mburojë ligjore që i mbron nga çdo gjyq; dhe së treti, organet e drejtësisë, përveçse shpesh të korruptuara, janë ngritur nga borgjezia, për borgjezinë, dhe nuk mund të dalin kurrë kundër saj.
    Ndërkaq, ata që nuk janë pjesë e këtij rrjeti të fuqishëm, ata që nuk kanë lidhje politike ose ekonomike me pushtetarët, ata janë të parët që përfundojnë të dënuar. Çdo shkelës i vogël paguan, çdo qytetar i pambrojtur ndëshkohet, ndërsa elitës politike i falen gjithçka. Kjo është realiteti tragjik i një shteti ku drejtësia nuk ekziston për të varfrit dhe të zakonshmit, por vetëm për ata që kontrollojnë pushtetin dhe pasurinë. Ky nuk është thjesht një problem i individëve, por një sistem i tërë i lidhur, ku politika, ligji dhe ekonomia shërbejnë një elitë të vogël, ndërsa populli mbetet i pambrojtur dhe i dorëzuar në fatin e tij. Deri sa ky sistem të sfidohet rrënjësisht, nuk mund të ketë drejtësi reale, dhe asnjë “Duman” i vetëm nuk mjafton për të ndryshuar këtë realitet.
    Intervistoi: Rigels Seliman

  • Rregulli i ri për të hyrë në BE, prek dhe qytetarët shqiptarë! Kur do të nisë zbatimi?

    Rregulli i ri për të hyrë në BE, prek dhe qytetarët shqiptarë! Kur do të nisë zbatimi?

    Foto ilustruese

    TIRANË- Bashkimi Europian do të nisë zbatimin e një sistemi të ri të hyrjes dhe daljes, duke nisur që nga data 12 tetor. Bëhet fjalë për qytetarët që nuk janë nga vendet e Unionit, pra duke prekur kështu, edhe qytetarët shqiptarë. Qëllimi i sistemit të ri hyrje/dalje është përforcimi i sigurisë kufitare për të identifikuar udhëtarët që qëndrojnë më gjatë se koha e lejuar në Zonën Shengen. Komisioni Europian ka njoftuar se nga 12 tetori, Shtetet Anëtare të BE-së do të prezantojnë sistemin për një periudhe 6 mujore. Pas kësaj periudhe, sistemi do të vendoset në të gjitha pikat e kalimit kufitar. 
    Çfarë do të thotë ky sistem për udhëtarët?
    Ai do të jetë një sistem regjistrimi për udhëtarët e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe vendeve të tjera jo anëtare të BE-së, siç është edhe Shqipëria. Rregullat e reja do të prekin shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët aktualisht gëzojnë regjim pa viza për hyrje të shkurtër në zonge.
    Me sistemin e ri, udhëtarët do të duhet të skanojnë pasaportat ose dokumentet e tjera të udhëtimit në një qendër vetëshërbimi sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike, si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimet e fytyrës dhe të dhënat e gjurmëve të gishtërinjve të marra gjatë regjistrimit të parë ruhen në bazën e të dhënave EES për tre vjet. Kështu, kur hyjne dhe dalin në kufi, udhëtarët do të duhet të japin vetëm një gjurmë gishti ose një foto, të cilat do të krahasohen me të dhënat e ruajtura. 
    “Bëhet fjalë për një sistem të avancuar teknologjik që do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjet dhe daljet e shtetasve jo-BE për qëndrime afatshkurtra, duke zëvendësuar vulosjen manuale të pasaportave. Do të mblidhen të dhëna biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës, si dhe të dhëna të tjera të udhëtimit”, tha Komisioni Europian.
    Sistemi i ri do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave dhe do të lejojë autoritetet kufitare të kontrollojnë automatikisht kohëzgjatjen e qëndrimit të lejuar për turistët dhe udhëtarët e biznesit. Sistemi do të nisë së zbatuari gradualisht për gjashtë muaj dhe pritet të hyjë në funksionim të plotë në janar të vitit 2026./ZËRI

  • BE, sistem i ri kontrolli në kufi, qytetarëve jashtë bllokut do tiu merren shenjat e gishtërinjve

    BE, sistem i ri kontrolli në kufi, qytetarëve jashtë bllokut do tiu merren shenjat e gishtërinjve

    Komisioni Europian ka caktuar 12 tetorin si datën kur do të vendoset në funksion sistemi i ri për hyrjet dhe daljet në bllok për shtetasit nga vendet jo anëtare.

    Ky sistem ka për synim modernizimin dhe kontrollin më të imtësishëm të kufijve të jashtëm të Unionit, si dhe lehtësimin e lëvizjeve.
    Të gjithë shtetasve jo europianë që do të hyjnë në BE nga 12 tetori do t’iu regjistrohen të dhënat biometrike si shenjat e gishtërinjve dhe identifikimi i fytyrës përmes ekraneve inteligjente, për të zëvendësuar gradualisht sistemin aktual të vulosjes së pasaportave.

    Sistemi i ri do të zbulojë automatikisht personat që kanë tejkaluar afatin e qëndrimit, si dhe rastet e mashtrimit me dokumente dhe identitete.
    Gjithashtu do të kontribuojë në parandalimin e migracionit të parregullt dhe në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve evropianë.
    /vizionplus.tv