Kërkimi për jetë jashtëtokësore ka hyrë në një nga fazat më të rëndësishme të historisë së tij, sipas një ekipi studiuesish nga Universiteti i Kembrixhit, në Mbretërinë e Bashkuar. Duke përdorur teleskopin më të fuqishëm të NASA-s, James Webb, ata kanë zbuluar sinjale molekulash që, në Tokë, prodhohen vetëm nga organizma të gjallë.
Zbulimi është bërë në planetin K2-18b, i cili ndodhet rreth 1100 trilionë kilometra larg Tokës dhe ka një madhësi afro 2.5 herë më të madhe se planeti ynë. Ky zbulim mund të jetë hapi më i afërt që njerëzimi ka bërë drejt provës se jeta jashtë Tokës është reale.
Sipas kreut të ekipit kërkimor, Nikku Madhusudhan, pritet që konfirmimi i këtij zbulimi të vijë brenda një ose dy vitesh:
“Kjo është prova më e fortë deri më tani që sugjeron se ndoshta ka jetë atje jashtë. Realisht, mund të them se ky sinjal mund të konfirmohet shumë shpejt,” – tha ai për BBC.
Kjo është hera e dytë që në atmosferën e këtij planeti zbulohen molekula të lidhura me jetën, por këtë herë rezultatet janë më premtuese. Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten më shumë të dhëna për të arritur në një përfundim të sigurt.
Teleskopi James Webb analizon përbërjen kimike të atmosferës së planeteve përmes dritës së yllit të vogël që ata rrotullojnë. Pikërisht në këtë mënyrë, ekipi nga Kembrixhi identifikoi dy molekula të rëndësishme: dimetilsulfureti dhe dimetildisulfureti – gaze që në Tokë prodhohen nga fitoplanktoni dhe bakteret.
“Sasia e këtyre gazrave në atmosferën e K2-18b është mijëra herë më e lartë se në Tokë. Nëse vërtet janë të lidhura me jetën, atëherë ky planet është plot jetë,” – shtoi Madhusudhan.
“Dhe nëse e konfirmojmë këtë, atëherë do të thotë që jeta është shumë më e zakonshme në galaktikë nga sa kemi menduar.”
Sidoqoftë, pavarësisht këtij zbulimi entuziazues, disa shkencëtarë të pavarur paralajmërojnë për kujdes: edhe nëse prania e këtyre gazrave vërtetohet, kjo nuk përbën provë përfundimtare për jetën. Mund të ndodhë që këto substanca të jenë pjesë e përbërjes natyrore të planetit, pa ndonjë lidhje me organizmat e gjallë.
E ardhmja mund të na sjellë përgjigje për pyetjen më të madhe të njerëzimit: a jemi vërtet vetëm në Univers?



