Karlos Alkaraz është një person krijues, i cili nuk mund të imagjinohet me një makinë llogaritëse, duke u përpjekur të kuptojë kombinimet për të kuptuar se si dhe kur mund ta rrëzojë Janik Sinerin nga froni. Spanjolli, megjithatë, ka një vizion të qartë për qëllimin e tij të radhës në muajt në vijim, të rikthehet numri “1” në Botë.
Zhgënjimi nga humbja në finalen e Uimbëlldonit duket se është zbehur, të paktën duke gjykuar nga humori i mirë që shfaqi të hënën në Madrid dhe buzëqeshjet që u dha të gjithëve në eventin e lançimit të sponsorit të tij të ri, me spanjollin dhe Sinerin që janë imazhet më të kërkuara nga kompanitë. Pas Londrës, Alkaraz u kthye te familja e tij në Murcia, për t’u relaksuar me disa ditë në plazh dhe për të karkuar bateritë për pjesën e mbetur të sezonit. Tashmë fokusi i tij është tek eventet e radhës dhe ndërsa është zyrtare mungesa në Masters 1000 në Toronto, dueli me Sinerin rifillon në Cincinnati. Karlos, në gjysmën e dytë të vitit, do të ketë shumë më pak pikë për të mbrojtur në klasifikimin ATP në raport me kundërshtarin italian, 1060 me 6030. Tenisti 22-vjeçar ka komentuar sezonin 2025, rivalitetin e me Sinerin dhe objektivat e këtij viti në një intervistë të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”.
A është ai gati Karlos të rimarrë vendin e parë në renditje?
Po, jam gati. Vitin e kaluar, pas Lojërave Olimpike, pata vështirësi të shprehesha dhe nuk arrita rezultate të shkëlqyera. Kështu që, nga tani e tutje, nuk do të kem shumë pikë për të mbrojtur deri në fund të sezonit. Do të jap gjithçka në turnetë e ardhshëm për të fituar sa më shumë pikë të jetë e mundur. E di që Siner nuk interesohet nëse ka shumë pikë për të mbrojtur, pasi ai është një luftëtar i shkëlqyer që gjithmonë luan për të fituar dhe nuk ndikohet nga kjo pjesë. Por unë jam gati për sfidën, tani për tani, qëllimi im kryesor është të rikthehem në vendin e parë në renditje. Tani po përgatitem për turnetë amerikanë, në mënyrë që të jem në formën më të mirë për US Open.
Sa i rëndësishëm është rivaliteti midis jush dhe Sinerit për lëvizjen e tenisit, pas epokës së “Tre të Mëdhenjve”?
Është diçka e shkëlqyer për sportin tonë, sepse i inkurajon njerëzit të shikojnë dhe të luajnë tenis. Ndeshjet tona, si ato të fundit në Roland Garros dhe Uimbëlldon, priten gjithmonë me shumë interes. Sa më shumë ndeshje të luajmë kundër njëri-tjetrit, aq më shumë njerëz do të përfshihemi në këtë sport. Gjithashtu, sepse, sa herë që përballemi me njëri-tjetrin, të dy e shtyjmë veten përtej limiteve.
A mendoni se ju dhe Siner do të mbeteni gjithmonë miq, pavarësisht këtij dualiteti?
Tenisi është një sport unik që na lejon të jemi rivalë të shkëlqyer në fushë dhe, në të njëjtën kohë, të respektojmë njëri-tjetrin. Unë dhe Siner jemi miq të mirë, mund të flasim për shumë gjëra jashtë fushës. Kam respekt të madh për të, ai është një person i shkëlqyer dhe jam i sigurt se gjithmonë do të jemi në gjendje ta ruajmë këtë marrëdhënie.
Në Paris shpëtuan tri pikë ndeshjeje radhazi dhe një set të pestë fantastik në atë fitore ndaj Sinerit. A ishte ai moment kulmi?
Shpesh mendoj për këtë dhe ende nuk e di se si arrita ta përmbysja atë ndeshje. E vërteta është se në sport, por jo vetëm në sport, duhet të vazhdosh të besosh, të besosh gjatë gjithë rrugës. Tenisi është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë, dhe je plotësisht vetëm me mendimet e tua. Pra, çelësi, në finalen e Roland Garrosit kundër Janikut, ishte ky: të besosh se mund ta fitosh ndeshjen, edhe në momentet më të vështira, pa e lënë veten të dekurajohesh.
Po në Uimbëlldon? Në një moment, në fushë, u kthyet nga këndi juaj dhe thatë se Siner ishte më i mirë nga vija bazë. Dukej si një pranim dorëzimi…
Kështu e mendoja vërtet në atë moment. Siner ishte i jashtëzakonshëm. Dhashë atë që munda dhe gjithsesi jam i lumtur me rrugën që kam ndjekur.
Kohët e fundit folët për mënyrën se si arritët të rifitoni kiminë tuaj me lojën, duke e parë tenisin si argëtim, jo si punë. Sipas jush, a është kjo mënyra e duhur për t’u përballur me presionin dhe për të mbajtur peshën e pritshmërive?
Për mua, është kështu. Gjithçka varet nga qasja mendore. Për mua, ka të bëjë vetëm me të luajturit e tenisit, kështu që nuk mendoj për asgjë tjetër. Sa herë që përballem me një ndeshje, thjesht i kujtoj vetes se kjo është ëndrra ime dhe ajo që kam dashur gjithmonë të bëj që kur isha fëmijë. Është mënyra më e lehtë për të përballuar të gjithë presionin. Unë thjesht përqendrohem në lojë dhe kjo është e mjaftueshme.
Aspekti mental është një temë e rëndësishme për sportistët. Disa lojtarë tenisi, nga Rud te Zverev, kanë folur për këtë temë kohët e fundit. Ju keni një trajner mental?
Po, e kam prej rreth 5 vitesh dhe më ndihmon shumë. E ndiej vërtet ndryshimin krahasuar me të kaluarën. Ndonjëherë më vijnë mendime negative, por ai më ndihmon që t’i menaxhoj ato. Më jep këshilla se si të përballoj stresin e ndeshjes dhe gjërat janë përmirësuar shumë. Siç e thashë, gjithçka është në kokë. Por nuk është vetëm një problem mental, pasi varet edhe nga ndeshja, si përballesh dhe gjithçka.
Si i përballoni pritshmëritë e medias dhe të tifozëve? Pasi humbët finalen në Uimbëlldon, në Sanjë nuk munguan kritikat…
Përpiqem të mos mendoj shumë për këtë, sepse ka pasur një kohë kur e lija veten të ndikohesha nga kritikat dhe ajo ishte një periudhë shumë e vështirë. Kështu që tani përpiqem të mos u jap shumë peshë fjalëve të caktuara që thuhen. Me kalimin e viteve, kam kuptuar se çdo hap i vogël ka rëndësi dhe se mund të mësosh edhe nga humbjet. Nuk ke pse të jesh gjeni çdo ditë, gjëja e rëndësishme është të jesh i qëndrueshëm dhe të përpiqesh të përmirësohesh gjithmonë.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb