Në nder të festave të Nëntorit, 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetorit të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qytetin e Prizrenit, u organizua ceremonia e zbulimit të shtatores së heroit të kombit, komandantit Tahir Sinani.
Figura e tij, e njohur si komandant i Zonës së Pashtrikut të UÇK-së dhe pjesëmarrës në tri luftëra në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës u nderua me pjesëmarrjen e figurave te njohura te UÇK-së dhe qytetareve nga Prizreni, Kukësi, Hasi e Tropoja vendjlindja e Tahir Sinanit.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe deputeti i PD-së, Isuf Çelaj. Si tropojan dhe njohës i familjes Sinani nga fshati Gri, ai tha se komandant Tahir Sinani është shembull i tri luftrave dhe duhet të zërë vend të merituar në tekstet e historisë sonë kombëtare.
Kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj theksoi se sot unë nuk po qëndroj për të përuruar një vepër artistike por po qëndroj përballë një amaneti që na flet të gjithëve për ruajtjen e historisë sonë kombëtare.
Në fjalën e tij, gjeneral Kudusi Lame u shpreh se kjo ditë e pavarësisë së Shqipërisë, e ditëlindjes së Adem Jasharit dhe e paraqitjes publike të UÇK-së merr edhe një vlerë të shtuar me vendosjen e shtatores së Tahir Sinanit, të cilën e quajti “një medalje plus” për Prizrenin dhe kontributin e kësaj treve në luftën për liri.
Me emocion të veçantë foli edhe Rezart Sinani, djali i komandantit, i cili ishte vetëm pesë vjeç kur babai i tij ra dëshmor në malet e Gostivarit.
Ai mori pjesë në Luftën e Kosovës, në Luftën e Luginës së Preshevës dhe në luftimet e vitit 2001 në Maqedoni. Lindi më 25 maj 1964 në fshatin Gri, afër Bujanit, rrethi i Tropojës në Shqipëri dhe ra dëshmorë më 29 korrik 2001 në vendin e quajtur “Zabeli i Kukulit” afër qytetit të Gostivarit, gjatë Luftës së vitit 2001 në Maqedoni.









