Tag: sinagogën

  • Pas masakrës në sinagogën në Angli, Starmer: Urrejtja ndaj hebrenjve po rritet, Britania duhet ta mposhtë përsëri

    Pas masakrës në sinagogën në Angli, Starmer: Urrejtja ndaj hebrenjve po rritet, Britania duhet ta mposhtë përsëri

    Kryeministri britanik Keir Starmer ka reaguar ashpër pas vrasjes së dy personave në një sinagogë në Manchester, duke paralajmëruar për rritjen e antisemitizmit në Britani dhe duke premtuar një luftë të vendosur ndaj kësaj urrejtjeje të rrezikshme.

    Pas ngjarjes tragjike që tronditi komunitetin hebre, Starmer ndërpreu pjesëmarrjen në samitin e liderëve evropianë në Kopenhagë për t’u rikthyer urgjentisht në vend. Ai deklaroi se viktimat ishin sulmuar vetëm sepse ishin hebrenj dhe e përshkroi autorin si një “individ të neveritshëm”.

    “Tek çdo person hebre në këtë vend dua të them këtë: e di sa shumë frikë mbani brenda jush. Vërtet e kuptoj,” tha Starmer me tone të forta.
    “Dhe në emër të vendit tonë, shpreh solidaritetin tim, por edhe trishtimin që ende duhet të jetoni me këto frikëra. Askush nuk duhet ta përjetojë këtë. Askush.”

    Më tej, ai shtoi:
    “Është një urrejtje që po rritet, dhe Britania duhet ta mposhtë atë përsëri.”
    Një mesazh i qartë se lufta kundër antisemitizmit nuk është vetëm një çështje sigurie, por edhe identiteti kombëtar dhe moral për Britaninë.

    Starmer, i cili ka një lidhje personale me komunitetin hebre përmes bashkëshortes së tij, kujtoi se që prej marrjes së drejtimit të Partisë Laburiste në vitin 2020, është përballur me sfida të mëdha për të luftuar antisemitizmin në radhët e partisë së tij.

    Por qëndrimi i tij ka shkaktuar polemika në skenën ndërkombëtare, pasi qeveria e tij mori vendimin për të njohur zyrtarisht shtetin palestinez një akt që irritoi qeverinë izraelite. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, e akuzoi Londrën se “ka dështuar të frenojë antisemitizmin” dhe se “praktikisht e ka lejuar të vazhdojë”.

    Ndërkohë, komuniteti hebre në Britani është shprehur i shqetësuar për marshimet e vazhdueshme pro-palestineze në Londër që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza në tetor 2023, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit, në të cilin u vranë 1,200 izraelitë dhe u morën 251 pengje.

    Hetimet mbi sulmin në sinagogën e Manchester-it janë në zhvillim e sipër, ndërsa autoritetet britanike janë në alarm për mundësinë e akteve të tjera ekstremiste. Starmer ka theksuar se qeveria e tij do të marrë masa të forta për të garantuar sigurinë e komunitetit hebre dhe për të ruajtur kohezionin shoqëror.

  • Sulmi në sinagogën e Mançesterit, policia britanike: Ishte incident terrorist

    Sulmi në sinagogën e Mançesterit, policia britanike: Ishte incident terrorist

    Policia britanike ka konfirmuar se sulmi në sinagogën e Mançesterit është cilësuar si një incident terrorist. 
    Kreu kombëtar i policisë kundër terrorizmit, Laurence Taylor, tha se sulmuesi është qëlluar për vdekje nga policia dhe identiteti i tij tashmë është i njohur. 
    “Bazuar në informacionet që kemi, ky incident është i lidhur me terrorizmin”, tha Taylor në një konferencë për shtyp në Londër. 
    Ai njoftoi gjithashtu se janë bërë dy arrestime të tjera në kuadër të hetimeve që po vijojnë intensivisht. 
    Sulmi ndodhi gjatë festës hebraike të Yom Kippur, dhe Taylor e përshkroi atë si një akt shkatërrues për komunitetin hebraik. Policia po merr masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e komunitetit hebraik në të gjithë Britaninë. 

  • Sulm në sinagogën e Mançesterit, dy të vrarë dhe disa të plagosur – Çfarë dihet deri tani

    Sulm në sinagogën e Mançesterit, dy të vrarë dhe disa të plagosur – Çfarë dihet deri tani

    Një sulm i rëndë terrorist ka tronditur sot Mançesterin, ku dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën rëndë të plagosur pas një sulmi me makinë dhe thikë në sinagogën e Kongregacionit Hebraik, në zonën e Heaton Park.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit, në ditën e shenjtë të Yom Kippur, kur dhjetëra besimtarë ishin mbledhur për lutje.

    Sipas policisë, autori i dyshuar ishte i pajisur me një jelek antiplumb dhe me atë që dukej si një bombë e mundshme e lidhur në trup. Oficerët e armatosur i dhanë disa paralajmërime, por ai nuk iu bind urdhrave, duke detyruar policinë të hapë zjarr. Autori vdiq në vendngjarje, ndërsa për shkak të sendeve të dyshimta që mbante, u thirr edhe njësia për çaktivizimin e bombave.

    Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë momentet e tensionuara kur policia u thërriste qytetarëve të largoheshin, duke paralajmëruar se “ai ka një bombë”. Në hyrje të sinagogës u gjet edhe një roje sigurie i plagosur rëndë, me gjurmë gjaku në trotuar.

    Policia e Mançesterit e ka cilësuar ngjarjen si një sulm terrorist, duke shpallur “Platon”-in, kodin kombëtar për reagimin ndaj sulmeve të tilla.

    Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ndërpreu vizitën në Danimarkë dhe është kthyer menjëherë në Londër, ku do të kryesojë një takim urgjent të Komitetit Cobra. Ai ka paralajmëruar vendosjen e forcave shtesë të sigurisë në sinagogat e të gjithë vendit.

    Hetimet mbi autorin dhe motivet e tij vazhdojnë, ndërsa autoritetet i bëjnë thirrje publikut të qëndrojë i qetë, por vigjilent.