Albana Koçiu
TIRANË-Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka bërë bilancin në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë publike në vend, masat e ndërmarra deri më tani nga ky dikaster dhe strukturat vartëse. Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, duke sjellë në vëmendje shifrat e dukshme që tregojnë për besimin e qytetarëve dhe turistëve në vend.
Sipas saj, ka ulje të krimeve të rënda dhe vrasjeve me dashje, duke theksuar se numri i vrasjeve ka rënë nga 41 për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 29 këtë vit.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu: Shqipëria është e vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi Lonly Planet. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton ti referohemi fakteve dhe shifrave. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza. Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë.









