Tag: sigurisë

  • “Jingle Bells”, Gjermania hap tregjet e Krishtlindjeve, shton masat e sigurisë

    “Jingle Bells”, Gjermania hap tregjet e Krishtlindjeve, shton masat e sigurisë

    Tregjet tradicionale të Krishtlindjeve u hapën në të gjithë Gjermaninë me stendat e tyre të famshme prej druri me verë të nxehtë, salçiçe të pjekura në skarë ose mollë të karamelizuara.

    Por momenti që sjell më pranë frymën e festave të fundvitit, u shoqërua me një shtim të ndjeshëm të masave të sigurisë, në një kohë kur kujtimet e dy sulmeve vdekjeprurëse në tregje të tilla janë ende të freskëta për shumë gjermanë.
    Në Berlin, tregu i famshëm në kishën Gedächtniskirche të qytetit u hap me shërbim të hapur për publikun të hënën në mëngjes.
    Hapje të tjera përfshinin tregjet e Krishtlindjeve në bashkinë Rotes Rathaus, Gendarmenmarkt dhe Pallatin Charlottenburg.
    Tregjet e Krishtlindjeve janë një traditë vjetore që gjermanët e kanë çmuar që nga Mesjeta – dhe e kanë eksportuar me sukses në pjesën më të madhe të botës perëndimore.
    Atje shesin jo vetëm ushqime të lehta dhe pije, por edhe qirinj të punuar me dorë, kapele leshi, doreza dhe yje të shndritshëm të Krishtlindjeve në të gjitha ngjyrat dhe format. Fëmijët shijojnë udhëtime në karusele dhe patinazh në pistat e akullit.
    Por, siç theksojnë mediat, siguria është një problem në të gjitha tregjet në të gjithë vendin.Vitin e kaluar, pesë gra dhe një djalë vdiqën, dhe shumë të tjerë u plagosën në një sulm me makinë në një treg Krishtlindjesh në qytetin e Magdeburgut më 20 dhjetor.
    Autori i sulmit që nuk zgjati veçse pak më shumë se një minutë, është aktualisht në gjyq në Magdeburg.
    Ndërkohë në 19 dhjetor 2016, një sulmues përplasi kamionin ndaj një turme  njerëzish që shkonin në tregun e Krishtlindjeve po në kishën Gedachtniskirche në Berlin, duke vrarë 13 persona dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë. I dyshuari u vra disa ditë më vonë në një shkëmbim zjarri në Itali.

    Top Channel

  • Kërcënohen prokurorë dhe gjyqtarë, arrestimet e fundit vënë në alarm pushtetin dhe krimin, SHBA marrin në dorë…

    Kërcënohen prokurorë dhe gjyqtarë, arrestimet e fundit vënë në alarm pushtetin dhe krimin, SHBA marrin në dorë…

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë forcuar ndjeshëm angazhimin e tyre në mbështetje të sigurisë së sistemit shqiptar të drejtësisë, duke fokusuar vëmendjen tek mbrojtja e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të posaçme. Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë të ditur ditën e djeshme se tetë anëtarë të Gardës së Republikës, të cilët sigurojnë drejtuesit e SPAK dhe ekipet hetimore, janë dërguar në Budapest për një trajnim të specializuar nën drejtimin e Shërbimit Sekret të SHBA. Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës së SHBA-së, trajnimet janë zhvilluar në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara (ILEA Budapest), një qendër ku ofrohen programe të avancuara për strukturat e sigurisë së vendeve partnere. Pjesëmarrësit nga Shqipëria kanë qenë pjesë e Gardës së Republikës dhe mbulojnë sigurinë fizike të disa prej figurave kryesore të drejtësisë së specializuar, përfshirë drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.
    Në deklaratën e saj, Ambasada theksoi:
    “Shtetet e Bashkuara ndihmojnë në mbrojtjen e atyre që na ndihmojnë të luftojmë krimin e organizuar. Tetë anëtarë të Gardës së Republikës kryen së fundmi një trajnim taktik të nivelit të lartë nga Shërbimi Sekret i SHBA në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit në Budapest.” Në vijim, ambasada bëri të ditur se mbështetja nuk kufizohet vetëm në trajnimet praktike, por përfshin edhe pajisje moderne për rritjen e sigurisë së stafit që garanton mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjithashtu ofron pajisje taktike dhe zhvillon trajnime të rregullta me individët e guximshëm që mbajnë të sigurt zyrtarët e drejtësisë në Shqipëri.”
    Pse po rritet mbështetja amerikane për sigurinë e SPAK?
    Trajnimet dhe pajisjet e reja jepen në një kontekst kur prokurorët e SPAK janë bërë objekt i presionit politik dhe i kërcënimeve të tërthorta. Vetë kreu i institucionit, Altin Dumani, ka deklaruar publikisht dje se hetuesit dhe prokurorët janë nën presion të shtuar, si nga krimi i organizuar, ashtu edhe nga segmente të politikës. “Vështirësi është menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar. Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar”, tha Dumani dje gjatë vizitës zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave.Kujtojmë se gjatë javëve të fundit, disa hetime dhe procedime të hapura nga SPAK kanë krijuar tension politik, duke shtuar retorikën kundër institucioneve të drejtësisë dhe duke rritur rrezikun për personat që i udhëheqin këto procese. Në këtë linjë, rritja e masave të sigurisë shihet si reagim ndaj një situate më komplekse dhe më të ekspozuar se më parë. Mbështetja e drejtpërdrejtë e Shërbimit Sekret të SHBA-së ka edhe një dimension të qartë diplomatik.Duke rritur kapacitetin mbrojtës të strukturave shqiptare, Uashingtoni dërgon sinjalin se pavarësia dhe funksionimi i SPAK-ut janë prioritet strategjik. Edhe pse ambasada nuk ka komentuar mbi hetime specifike, fakti që programet e sigurisë po thellohen në këtë moment, interpretohet si tregues i pritshmërive për zhvillime të rëndësishme në dosjet penale që prekin nivele të larta të politikës dhe administratës. Dhe goditja më e bujshme që është bërë nga SPAK së fundmi është marrja e pandehur e zv.kryeministres Belinda Balluku, hetime që nuk kanë përfunduar ende. Gazeta SOT raportoi pak javë më parë se prokurori i kësaj çështje mori kërcënime të forta dhe SPAK u detyrua që t’i shtojë mbrojtjen me 6 truproja.

  • Osmani dhe Kurti bisedojnë me zyrtarët amerikanë për bashkëpunimin me SHBA-në

    Osmani dhe Kurti bisedojnë me zyrtarët amerikanë për bashkëpunimin me SHBA-në

    Kongresisti republikan Mike Turner dhe ai demokrat Donald Norcross, kanë zhvilluar takime të ndara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me të cilët kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vende në fusha të ndryshme.
    Osmani, gjatë një prononcimi për media më 24 nëntor, tha se të dy kongresistët për një kohë të gjatë e kanë mbështetur Kosovën.
    “Si kontribuues të paqes në rajon e kanë këtë vizitë ku përfshihet pothuajse i gjithë rajoni për të parë se si mund ta vazhdojmë bashkëpunimin në favor të paqes dhe stabilitetit. Prandaj, këto kanë qenë çështjet që kemi diskutuar, bashkëpunimi bilateral mes Kosovës dhe SHBA-së, zhvillimet në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, përafrimi ynë me NATO-n, sfidat e sigurisë me të cilat po përballemi dhe mënyrën se si mund të koordinohemi edhe më shumë me SHBA-në në mënyrë që të kemi integrim sa më të suksesshëm të komunitetit serb brenda Kosovës”, tha ajo.

    Osmani u pyet të komentonte një deklaratë të bërë për mediat lokale në Kosovë nga ish i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, i cili kërkoi që vendi të ketë një Qeveri bashkëpunuese me SHBA-në.
    “Në Kosovë nuk ka pasur e as nuk do të ketë asnjëherë Qeveri antiamerikane”, tha Osmani, duke theksuar se Kosova ka popullin më promamerikan në botë dhe “secila Qeveri e Kosovës vjen nga po ky popull”.
    “Pra, nuk mund të ketë dallime mes popullit që krijon Qeverinë dhe Qeverisë, përderisa secila Qeveri i ka metodat e veta, strategjitë, mënyrën se si punon me partnerët dhe për atë se si kanë punuar si do të punojnë në të ardhmen unë ju sugjeroj që t’i adresoni pyetjet në Qeveri”, theksoi Osmani.
    Ajo shtoi se e sheh SHBA-në si partnere partnere ekzistenciale në zhvillimin e Kosovës, në mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë si dhe në tejkalimin e sfidave të sigurisë.
    “Ata janë partnerë i pazëvendësueshëm për sigurinë tonë, ecjen tonë përpara në integrimet euroatlantike, prandaj është e domosdoshme që koordinimin ta kemi të plotë”, u shpreh Osmani.
    Ndërkaq, pas takimit me Kurtin, zyra e tij tha se biseda me delegacionin amerikan u përqendrua në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
    Së voni, Kosova ka pranuar disa pajisje ushtarake që i ka blerë nga SHBA-ja, përfshirë dronë dhe autoblinda.
    Vendi po ashtu ka porositur sisteme antitank Javelin dhe po ashtu ka nënshkruar Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA), një dokument kyç që mundëson shkëmbim të sigurt të informacionit dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes dy forcave.
    “Krahas investimeve në mbrojtje, kryeministri [në detyrë ] u shpreh se Kosova mbetet e palëkundur në orientimin e saj euroatlantik dhe synimin për anëtarësim në NATO dhe BE, jo vetëm si përfituese nga ombrella e sigurisë, por edhe si kontribuuese në paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
    Po ashtu, Kurti me delegacionin amerikan diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe teknologjisë dhe në projekte të tjera që pritet të realizohen, sikurse si ato në transportin hekurudhor.
    Dy kongresistët amerikanë e zhvilluan vizitën në Kosovë në kuadër të një turneu rajonal. Një ditë më parë ata vizituan Serbinë, ku u takuan me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç./rel

  • Takimi i Gjenevës dhe plani paqes Ukrainë-Rusi, reagon Erdogan

    Takimi i Gjenevës dhe plani paqes Ukrainë-Rusi, reagon Erdogan

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se propozimi i Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës mund të jetë i pranueshëm, por vetëm nëse adreson plotësisht nevojat dhe pritshmëritë e sigurisë si të Moskës, ashtu edhe të Kievit.

    “Sipas presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, plani i Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës mund të pranohet nëse përmbush nevojat e sigurisë si të Moskës ashtu edhe të Kievit,” raportoi Sabah.

    Erdogan, i pyetur mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje bazuar në planin 28-pikësh të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, u shpreh:

    “Një marrëveshje, mbi propozimin e Trump, do të jetë e mundur nëse plani përmbush pritjet legjitime dhe nevojat e sigurisë të palëve, pa krijuar paqëndrueshmëri të re,” tha ai për të përditshmen turke.

    Deklaratat e presidentit turk vijnë ndërsa diskutimet mbi një zgjidhje të mundshme diplomatike për luftën në Ukrainë po intensifikohen në nivel ndërkombëtar.

  • VIDEO / “Mbaje avionin se erdhëm!” Dy pasagjerë shpërthejnë derën e sigurisë dhe vrapojnë në pistë

    VIDEO / “Mbaje avionin se erdhëm!” Dy pasagjerë shpërthejnë derën e sigurisë dhe vrapojnë në pistë

    Një episod i pazakontë ka ndodhur në aeroportin e Këln/Bonn, ku dy pasagjerë që kishin humbur thirrjen e fundit të imbarkimit tentuan të kapnin avionin duke thyer barrierat e sigurisë dhe duke vrapuar në pistë. Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë dy burra që nisin të vrapojnë drejt një avioni të linjës Wizz Air, të nisur drejt Bukureshtit, ndërsa tundin duart për t’i bërë shenjë pilotit të ndalojë.
    Sipas autoriteteve, dy pasagjerët kishin shtypur xhamin e butonit emergjent dhe kishin hapur me forcë një derë sigurie që të çonte drejt pistës. Në video shihet një punonjës i aeroportit që u afrohet me shpejtësi për t’i ndalur.
    Zyrtarët thanë se avioni Airbus kishte nisur tashmë lëvizjen drejt pistës së ngritjes kur të dy burrat ndërmorën vrapimin e rrezikshëm. Ata u ndaluan nga stafi dhe iu dorëzuan policisë federale. Kundër tyre janë ngritur akuza për hyrje të paligjshme dhe shkelje të ligjit të sigurisë ajrore.
    Aeroporti njoftoi se siguria e aviacionit nuk ka qenë asnjëherë e rrezikuar dhe se operacionet e fluturimeve nuk u prekën. Fluturimi i Wizz Air u vonua për shkak të incidentit, por mbërriti në Bukuresht pak para orarit.

  • Sulm kamikaz në selinë e Forcave të Sigurisë Kufitare në Pakistan, të paktën 3 të vdekur

    Sulm kamikaz në selinë e Forcave të Sigurisë Kufitare në Pakistan, të paktën 3 të vdekur

    Persona të armatosur sulmuan një seli të Forcës së Sigurisë Kufitare në qytetin veriperëndimor pakistanez të Peshawarit, tha policia të dielën.

    Sipas burimeve në agjencinë e lajmeve Reuters, selia u sulmua gjithashtu nga dy kamikazë dhe raportet fillestare thanë se të paktën tre persona u vranë.
    Forcat e sigurisë, përfshirë ushtrinë, kanë rrethuar zonën dhe po e trajtojnë situatën me shumë kujdes pasi “dyshojmë se ka ende terroristë brenda selisë” të rojes kufitare, tha një zyrtar.
    Banori Safdar Khan konfirmoi se zona është rrethuar nga ushtria, policia dhe forca të tjera të sigurisë dhe trafiku i automjeteve është bllokuar në zonë.

    Top Channel

  • Negociatat SHBA-Ukrainë do të mbahen në Zvicër

    Negociatat SHBA-Ukrainë do të mbahen në Zvicër

    Bota E Shtunë, 22 Nëntor 2025 16:01
    Negociatat SHBA-Ukrainë për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë do të zhvillohen në Zvicër ditët në vijim. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i lartë i sigurisë ukrainase.
    Me anë të një postimi në Telegram, Sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, theksoi se Ukraina e vlerëson pjesëmarrjen e palës amerikane dhe gatishmërinë e saj për bisedime.

    Presidenti Volodymyr Zelensky ka miratuar përbërjen e delegacionit për negociata, i cili do të drejtohet nga ndihmësi kryesor i tij, Andriy Yermak.

    Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një plan me 28 pika, si një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës brenda këtij viti. Drafti përfshin lëshime territoriale, përgjysmim të forcave ushtarake dhe që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO.

    Presidenti ukrainas ka kohë deri më 27 nëntor për të dhënë miratimin, ndërsa presioni është shtuar nga pala amerikane dhe evropiane.

  • Pezullim nga detyra, e ndalim i daljes jashtë vendit/ Mbeten në fuqi masat ndaj Ballukut e 2 bashkëpunëtorëve

    Pezullim nga detyra, e ndalim i daljes jashtë vendit/ Mbeten në fuqi masat ndaj Ballukut e 2 bashkëpunëtorëve

    GJKKO nuk ndryshon masën e sigurisë për numrin 2 të qeverisë, Belinda Ballukun dhe dy bashkëpunëtorët e saj, kreu i ARRSH-së dhe kreu i KESH, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

    Gjyqtari Erjon Çela ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e masës së sigurisë të  marrë më 19 nëntor, atë të pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut si zv/kryeministre dhe minister e Infrastrukturës e Energjisë si dhe i ndalohet dalja jashtë shtetit, pra i bllokohet pasaporta.

    Ndërkohë mbetet në fuqi dhe masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për kreu i ARRSH-së dhe kreu i KESH, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

    Balluku dhe dy bashkëpunëtorët akuzohen për  kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal në dy raste, atë tenderit të “Ndërtimi i tunelit të Llogarase”²  dhe “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 me vlerë 210 mln euro.

    5 orë seancë

    Ka zgjatur 5 orë seanca e vlerësimit të masës së sigurisë. Seanca e nisur në orën 09:00 u mbyll pas 5 orësh, rreth orës 14:00, ku palët përballën argumentet pro e kundër ndryshimit të masës së sigurisë. 
    SPAK u përfaqësua nga vetë prokurori i dosjes, Dritan Prençi. Balluku u mbrojt nga dy avokatë, Pamela Qirko, motra e saj dhe Ardian Kalia.

    Në orën 14:37 minuta zv/kryeministrja e pezulluar Belinda Balluku u largua nga GJKKO së bashku me dy bashkëpunëtorët e saj pa pranuar të prononcohen për median.  

  • Belinda Balluku përpara Gjykatës, pritet të njihet me masat e sigurisë për “Tunelin” dhe lotin 4 të Unazës

    Belinda Balluku përpara Gjykatës, pritet të njihet me masat e sigurisë për “Tunelin” dhe lotin 4 të Unazës

    Numri dy i pezulluar i qeverisë me vendim gjykate, Belinda Balluku, bashkë me vartësit e saj, krerët e ARRSH dhe të KESH janë në pritje të komunikimit të masave respektive të sigurisë.
    Ballukut do t’i komunikohet edhe vendimi që e ndalon të dalë nga Shqipëria një kërkesë kjo e Prokurorisë së Posaçme dhe e vendosur nga Gjykata Antikorrupsion.
    Dy vartësit e saj, Gentian Gjyli i ARRSH dhe Erald Elezi i KESH, janë vendosur në masa arresti shtëpiak, ndaj drejt gjykatës u shoqëruan nga forca policie.

    Seanca gjyqësore, e planifikuar për në orën 09:00, u shty me dy orë pas kërkesës së bërë nga avokatët e tre të pandehurve për tu njohur me aktet dhe fashikujt e dosjes hetimore qË i shërbyen gjykatës për t’i caktuar masat e sigurisë.
    Balluku i la ambientet e gjykatës rreth orës 9:45 për tu rikthyer në orën 11:00, në pritje të vendimit që do t’i japë gjykatësi, Erion Çela.
    Belinda Balluku sipas vendimit të së enjtes është pezulluar si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe si zëvendës kryeministre. Kjo për shkak të dyshimeve se ka kryer dy herë shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, fillimisht me tunelin e Llogarasë e më pas nga hetimet u zbuluan edhe abuzime me lotin 4 të Unazës së Madhe.
    Tenderi për ndërtimin e tunelit ka pasur një fond limit 190 milionë euro, kurse ai e Unazës së Madhe, 20 milionë euro. Sipas SPAK, autoriteti kontraktues ka paracaktuar fituesit dhe ka zgjedhur ofertën më të madhe, dhe rrjedhimisht duke  shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit.

  • Verifikimi i masave të sigurisë/ Belinda Balluku dhe dy vartësit në GJKKO, seanca “pezull” për 2 orë

    Verifikimi i masave të sigurisë/ Belinda Balluku dhe dy vartësit në GJKKO, seanca “pezull” për 2 orë

    Belinda Balluku në GJKKO

    TIRANË- Belinda Balluku u paraqit mëngjesin e së shtunës rreth orës 09:00 në Gjykatën e Posaçme për marrjen në pyetje dhe ku do i komunikohej masa e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Pasi qëndroi për rreth 45 minuta, Balluku doli nga ambientet e GJKKO-së, teksa nuk dha asnjë prononcim për mediat. GJKKO ka vendosur shtyrjen me 2 orë, pas kërkesës së mbrojtjes për tu njohur me aktet dhe më pas senaca do të rinisë sërish.

    Më herët, në Gjykatën e Posaçme u paraqitën për verifikim të masës së sigurisë edhe kreu i ARRSH Gentian Gjyli dhe drejtori i KESH Erald Elezi. Gjyli dhe Elezi janë shoqëruar me polici për shkak të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

    Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.

    Ndërkohë, më 31 tetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) komunikoi zyrtarisht se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim./ZËRI