Foto ilustruese
TIRANË- Në vitet e fundit, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të lëvizshmërisë ndërkombëtare. Udhëtimi nuk është më privilegj i një pakice të vogël, por është bërë pjesë e jetës së përditshme për një numër gjithnjë e më të madh qytetarësh.
Qoftë për arsye turistike, profesionale, familjare apo edukimi, shqiptarët po zgjedhin të dalin jashtë kufijve më shpesh, më lirshëm dhe më me vetëbesim.
Në këtë realitet të ri, një element jetik i çdo udhëtimi – Siguracioni Shëndetësor – duket se ende nuk po e gjen vendin që i takon.
Statistikat e publikuara nga INSTAT dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për periudhën 2024 – 2025 tregojnë një rritje të ndjeshme të udhëtimeve jashtë vendit. Vetëm në janar të vitit 2025, numri i daljeve të shtetasve shqiptarë ishte rreth 11.3% më i lartë se i të njëjtit muaj i vitit paraardhës.
Rritja ishte edhe më e lartë në muajt e sezonit turistik të vitit 2024, ku në disa periudha u regjistrua mbi 30% më shumë dalje nga Shqipëria krahasuar me vitin 2023. Këto nuk janë më të dhëna sezonale – janë tregues të një tendence të konsoliduar që e vendos Shqipërinë në një fazë të re të integrimit social dhe ekonomik me hapësirën ndërkombëtare.
Udhëtojmë për pushime, për evente profesionale, por edhe për të takuar familjarë që jetojnë jashtë, për të ndjekur studime në universitetet e huaja, apo për t’u bashkuar me një të afërm që ka krijuar një jetë në një vend tjetër.
Megjithatë, edhe pse motivet janë të ndryshme, një sjellje mbetet e përbashkët për shumicën: siguracioni shëndetësor shihet ende si një element dytësor – në mos i panevojshëm.
Nga këndvështrimi i një profesionisteje që ka kaluar nga menaxhimi i paketave turistike në shitjen dhe këshillimin për produkte sigurimi, ky ndryshim është sa emocionues, aq edhe shqetësues.
Emocionues, sepse shoqëria shqiptare po bëhet më e hapur dhe më e sigurt për të lëvizur. Por shqetësues, sepse në gjithë këtë hov lëvizjeje, kujdesi për shëndetin dhe sigurinë personale gjatë udhëtimit po neglizhohet në mënyrë sistematike.
Ka një përjashtim shumë domethënës që e thekson këtë sjellje: në rastet kur siguracioni është i detyrueshëm nga ambasadat, ai bëhet. Studentët që aplikojnë për viza studimi apo ata që kërkojnë bashkim familjar në një vend të BE-së janë të detyruar të paraqesin siguracion shëndetësor të vlefshëm për të paktën 1 vit.
Dhe në këto raste, pothuajse pa përjashtim, siguracioni blihet menjëherë. Por kjo nuk ndodh sepse individi e konsideron të rëndësishëm apo sepse është ndërgjegjësuar për rrezikun – ndodh sepse është kërkesë formale e ambasadës.
Nëse kjo kërkesë do të hiqej, shumë prej këtyre sigurimeve nuk do të bëheshin fare.
Ky është tregues i qartë i perceptimit që ekziston ende në shoqëri: siguracioni shihet si një dokument për të kaluar një proces, jo si një mekanizëm mbrojtjeje për shëndetin dhe mirëqenien personale.
Dhe ky perceptim, në thelb, është ajo që po pengon zhvillimin real të këtij segmenti të tregut të sigurimeve.
Arsyet për këtë hendek janë të shumta dhe të ndërlikuara.
Së pari, kemi një mungesë të theksuar të kulturës së sigurimit. Së dyti, produkti i sigurimit të udhëtimit shpesh nuk komunikohet siç duhet.
Në shumë raste, informacioni ofrohet në mënyrë teknike, e vështirë për t’u kuptuar nga përdoruesi i zakonshëm. Çmimi perceptohet si barrë, dhe përfitimet nuk janë gjithmonë të qarta. Për pasojë, qytetari mesatar nuk e konsideron të nevojshëm, ose nuk e mendon fare.
Në të vërtetë, siguracioni shëndetësor për udhëtim është një mbrojtje themelore për çdo individ që udhëton jashtë vendit. Ai mbulon shpenzimet mjekësore të papritura që mund të ndodhin gjatë një udhëtimi – nga vizitat emergjente, hospitalizimet, ndihma e parë, e deri te riatdhesimi në raste të rënda.
Në shumë raste, përfshihet edhe mbulimi për vonesën e bagazheve apo anulimin e udhëtimit. Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Një problem i thjeshtë shëndetësor në një vend si Italia, Gjermania, Franca apo në çdo vend tjetër të botës mund të të kushtojë qindra apo mijëra euro – por me siguracion, këto kosto mbulohen nga kompania.
Në fund të ditës, nuk është vetëm një dokument për ambasadën apo një “shtesë opsionale” – është një garanci që ti nuk do të mbetesh vetëm përballë një situate të vështirë, në një vend të huaj, larg familjes dhe rrjetit tënd të ndihmës.
Sidoqoftë, ka edhe shembuj pozitivë që tregojnë si mund të ndryshojë kjo qasje. Agjencitë që organizojnë paketa verore në destinacione si Turqia dhe Sharm El-Sheikh kanë filluar ta përfshijnë siguracionin shëndetësor si pjesë të detyrueshme të paketës turistike.
Kjo është një praktikë që duhet të zgjerohet në gjithë tregun e udhëtimeve. Nëse kjo bëhet standard, përfitimi është i dyanshëm: udhëtarët ndihen më të sigurt, ndërsa agjencitë fitojnë besim dhe diferencim në treg.
Në një kuptim më të gjerë, kjo është një çështje e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të udhëtimeve dhe sigurimeve në Shqipëri. Udhëtimi ndërkombëtar nuk është vetëm konsum – është edhe ekspozim ndaj risqeve të reja.
Në këtë kuadër, siguracioni shëndetësor për udhëtim nuk është luks, por një instrument i domosdoshëm i mbrojtjes sociale në epokën e lëvizjes globale.
Ai duhet të promovohet jo vetëm nga agjentët e sigurimeve, por edhe nga institucionet publike, kompanitë e udhëtimit, linjat ajrore, platforma digjitale dhe media e specializuar.
Nëse nuk e bëjmë këtë hap tani, do të vazhdojmë të kemi udhëtarë të ekspozuar, që përballen me situata të vështira jashtë vendit pa mbështetje dhe me kosto të larta – shpesh vetëm sepse askush nuk ua ka shpjeguar që një alternativë ekzistonte.
Udhëtimi nuk është më thjesht një përvojë – është një proces që përfshin përgjegjësi.
Të sigurosh udhëtimin tënd nuk është vetëm një masë sigurie. Është tregues i pjekurisë personale dhe sociale.
Dhe për një shoqëri që aspiron të jetë më europiane, më e ndërgjegjshme dhe më e barabartë në akses ndaj mbrojtjes, ky është një hap që nuk mund të vonohet më./MONITOR