Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, theksoi se çështja maqedonase do të vendoset në tryezën e fuqive të mëdha.
Mickoski tha se çdo gjë që Maqedonia e Veriut e ka humbur në të kaluarën do ta fitojë shumë shpejt.
“Çështja maqedonase nuk është e mbyllur. Çështja maqedonase në një moment do të vendoset në tryezën e fuqive të mëdha botërore dhe jam i bindur se me fuqinë e argumenteve do të rivendosim gjithçka që kemi humbur jo vetëm në vitet e fundit, por ndoshta edhe në dekadat dhe shekujt e kaluar në të kaluarën. Nuk jam i sigurt se ne jemi brezi që do ta arrijmë këtë, por jam i sigurt se do të vendosim themelet që brezat e ardhshëm, ta arrijnë këtë”, tha Mickoski.
Pas kësaj deklarate ka reaguar dhe shtypi grek duke e quajtur një provokim të Mickoskit për arsye se sipas tyre, ai i referohet ‘Maqedonisë Aegjeane’ rajon i cili ndodhet në Greqi me kryeqendër Selanikun.
“Pasardhësit e refugjatëve politikë me origjinë sllave, të cilët pas përfundimit të luftës civile në Greqi përfunduan në Maqedoninë e sotme të Veriut , si dhe qarqet nacionaliste në vend, e quajnë Maqedonia Aegjeane”, shkruan Protothema. Syri.net-Protothema.
