biznesi-pamje nga kamerat
KAMËZ- Një shpërthim me tritol është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Kamëz, në ambjentet e jashtme të një restoranti “Perla e Detit”, në bulevardin “Nënë Tereza”. Policia ka zbardhur ngjarjen dhe ka identifikuar 4 autorët, ku 3 prej tyre janë arrestuar Jeton Lami 31-vjeç, ish-polici i cili shoqëroi për herë të fundit Ervis Martinajn përpara se të zhdukej. Po ashtu në pranga ka rënë edhe Florin Domi 30-vjeç dhe Flogert Mezhika 34-vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Ervis Lami 31-vjeç, i cili ka qenë në kërkim më herët dhe për vrasjen e postierit Lulzim Visha në janar të këtij viti.
Dyshohet se këta persona kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 mijë eurosh, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, Saimir Sina. Restoranti “Perla e Detit”, është në pronësi të dy kunetërve, Klodjan Muratit dhe Benard Elezit, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte dhe nuk kanë asnjë shpjegim për motivin e mundshëm të ngjarjes.
Njoftimi:
Tiranë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Motivi”.
Zbardhet brenda 24 orëve dhe dokumentohet, si rezultat i aplikimit të metodave proaktive, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një biznesi iu vendos lëndë plasëse.
Identifikohen 4 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 3 prej tyre, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe aplikimit të metodave proaktive, zbardhën dhe dokumentuan ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u vunë në pranga për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit:
-J. L., 31 vjeç, F. D., 30 vjeç, F. M., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L., 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.









