Tag: shqipërisë

  • Interesi britanik ndaj Shqipërisë në vitet 1920-1936, në rivalitet me Italinë ishte për çështjen e naftës

    Interesi britanik ndaj Shqipërisë në vitet 1920-1936, në rivalitet me Italinë ishte për çështjen e naftës

    Kastriot Dervishi

    Nafta e Shqipërisë

    Interesi britanik ndaj Shqipërisë në vitet 1920-1936, në rivalitet me Italinë ishte për çështjen e naftës. Britanikët hoqën dorë në vitin 1936 me përfundimin se nafta e Shqipërisë nuk ishte ajo që mendohej dhe se rezerva ishte me kosto të madhe përpunimi. Profesor Zuberi i cili hartoi hartën e mineraleve të Shqipërisë, i kish përcaktuar me kohë vendet e tjera ku kishte naftë. Këtë hartë, komunistët e EH, ia falën shokëve jugosllavë. Edhe pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën në vitin 1978, EH shpresën për kapërcimin e krizës ekonomike e kishte te nxjerrja e naftës. Pavarësisht rritjes së prodhimit, dështoi. Nafta e Shqipërisë mund të përmirësojë ekonominë e vendit, por kurrsesi nuk mund të sjellë përmbysje ekonomike apo të na krahasojë me vendet e traditës së kësaj fushe.

  • Intervista me Mufid Bej Libohovën, Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në lidhje me detyrat urgjente të qeverisë së tij

    Intervista me Mufid Bej Libohovën, Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në lidhje me detyrat urgjente të qeverisë së tij

    NGA: AURENC BEBJA

    “La Dépêche Algérienne” ka botuar, të mërkurën e 17 shtatorit 1913, në ballinë, intervistën e Mufid Bej Libohovës dhënë asokohe gazetës austriake “Neue Freie Presse”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

    Projektet e Shqipërisë

    Vjenë, 16 shtator.

    Mufid Bej Libohova, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në një artikull të botuar nga “Neue Freie Presse”, përmbledh detyrat më urgjente të qeverisë shqiptare.

    E para, tha ai, do të jetë formimi i qeverisë për të zëvendësuar qeverinë e përkohshme.

    Problemi i hekurudhave dhe i komunikimeve është aktualisht objekt i studimeve të thelluara. Linja e parë e ndërtuar ndoshta do të jetë ajo e Vlorës, Beratit, Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës, për të cilën tashmë është prezantuar një projekt austriak.

    Z. Libohova më pas kritikon qëndrimin e Greqisë ndaj Shqipërisë. Ai beson se aleanca e Greqisë me shtetet sllave është e panatyrshme.

    Në një të ardhme shumë të afërt, shton ai, Greqia do të ketë nevojë për miqësinë e Shqipërisë, e cila nuk do të ndjekë kurrë një politikë antibullgare.

    Ministri thekson se Austro-Hungaria dhe Italia kanë një interes të madh që Shqipëria të jetë e fortë, domethënë të ketë një ushtri prej të paktën 100 mijë vetësh, detyra e të cilëve do të jetë, thotë ai, të parandalojnë valën sllave të arrijë në Adriatik.

  • Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i ShBA-së

    Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i ShBA-së

    Nga: Romeo Gurakuqi

    Sivjet mbushen 100 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Shqipërisë dhe ShBA dhe 102 vite nga shpëtimi i Shqipërisë Londineze prej copëtimit të dytë. Rikonfirmimi ndërkombëtar i shtetit shqiptar u arrit falë përpjekjeve titanike të elitës së vetëdijshme kombëtariste vendase dhe ndërhyrjeve vendimtare të Presidentit Woodrow Wilson.

    Cilat kanë qenë rrethanat politike dhe ndërkombëtare të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe cilët qenë faktorët, që ndikuan në ndërhyrjen amerikane në ndihmë të vendit të lënë pa mburojë në Adriatik, pas dezintegrimit të Austro-Hungarisë?

    Fundi i Luftës së Parë Botërore dhe tri vitet që e pasuan, përbëjnë kohën në të cilën rinisi procesi i themelimit të shtetit shqiptar në aspektin e brendshëm institucional dhe në planin e rivendosjes si subjekt i së drejtës ndërkombëtare: rinjohja e statusit shtetëror dhe e kufijve të Shqipërisë nga fuqitë fituese dhe shtetet e Lidhjes së Kombeve. Themi rinis, sepse përpjekjet e para të brendshme në vitet 1912- 1914, u fundosën nga trazirat sociale, politike dhe fetare, gjegjësisht nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme, nga përpjekjet uzurpatore të Esad Pashë Toptanit, si dhe nga aktet që pasuan fillimin e Luftës së Parë Botërore (Traktati i Fshehtë i Londrës).

    Pavarësisht se pushtimet e vendeve fqinje dhe lëvizja pro otomane fshinë strukturat e shtetit shqiptar, në kohën e kontrollit austro-hungarez (1916- 1918), shqiptarët përjetuan periudha të qeta, në të cilat jeta sociale, arsimore, kulturore dhe administrative pësoi zhvillime në orientimin përparimtar. Hyrja e trupave austro-hungareze u mirëprit nga një numër shqiptarësh për shumë arsye: Së pari, këto trupa nxorën jashtë Shqipërisë, Malësisë dhe Kosovës trupat pushtuese serbe dhe malazeze; së dyti, për shkak se kjo perandori ka qenë mbështetësja themelore e rilindjes identitare arbnore dhe arkitektja kryesore e krijimit të shtetit shqiptar më 1912- 13; së treti, në Shqipëri austriakët garantuan një autonomi të kufizuar të brendshme, nën të cilën u krijua një administratë civile e përbërë nga shqiptarë dhe në gjuhën shqipe, u ndërtuan një numër rrugësh dhe urash, u ndërtua dekovili, u financuan dhe u mbajtën shkollat shqipe, u ndërtua në Shkodër Komisia Letrare si akademia e parë e shkencave, u mbështetën botimet e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe dhe studentët shqiptarë u dërguan në shkollat austriake.

    Dezintegrimi i Perandorisë Austro-Hungareze në përfundim të Luftës së Parë Botërore u hoqi shqiptarëve në përgjithësi dhe katolicizmit shqiptar në veçanti, mbrojtësin historik të të drejtave të tyre, pikërisht në momentin që ky vend u çlirua nga pesha e rëndë që ushtronte mbi Shqipërinë që po rilindte, Rusia Cariste, mbrojtësja e elitave shoviniste sllave dhe greke në Ballkan. Shqiptarët u gjendën në momentet e para të fillimit të bisedimeve të paqes në Paris, në një pozicion shumë të vështirë. Patriotët shqiptarë u gjendën të çorientuar pas Luftës së Parë Botërore dhe nganjëherë ranë edhe viktima të reflekseve të gabuara politike. Mbi të gjitha, zëvendësimi i orientimit pro-austriak me atë pro-italian, nuk rezultoi i goditur, si për shkak synimeve krejt të ndryshme që mbarte Italia në Shqipëri, ashtu edhe për shkak të dallueshmërisë në shkallën e kuptueshmërisë dhe ndjeshmërisë ndaj çështjes shqiptare që ekzistonte mes politikanëve austriakë dhe atyre italianë.

    Megjithatë, për herë të parë në këto vite, në arsyetimin e mendjeve më të shquara vendase, filloi të përvijohej bindja për një orientim të ri të Shqipërisë së re në politikën e jashtme: orientimi anglo-amerikan, d.m.th., nevoja e gjetjes së mbështetjes nga Mbretëria e Bashkuar, apo edhe nga ShBA, vende që nuk do ta cenonin kurrë pavarësinë, përkundrazi do ta ruanin të paprekur atë nga ndërhyrjet e fqinjëve pa frena.

    Një numër faktorësh të lidhur me formacionin kulturor dhe politik bënë që zëri në mbrojtje të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris të mos jetë një, e vizioni i rindërtimit të Shqipërisë se re, në disa segmente delegacionesh jo qeveritare, jo ai që duhej të ishte. E gjithë kjo ka ndikuar në krijimin e një ndjeshmërie minimale në vendimmarrjen e paqebërësve të mëdhenj dhe në planin e brendshëm, në fragmentarizimin e qeverisjeve, si në aspektin hapësinor, ashtu edhe në atë kohor (qeveria e Durrësit e më pas ajo e dalë nga Kongresi i Lushnjës me qendër në Tiranë).

    Mbi të gjitha, mos gjetja e konsensusit të brendshëm për të ndërlidhur Shqipërinë e viteve 1918 -1920 me atë të krijuar në vitet, 1912-1914, në pikëpamje institucionale (vijimi i kreut të shtetit), dëmtoi rëndë përpjekjet për rindërtim paqësor, logjik dhe të monitoruar të institucioneve kushtetuese shtetërore, krijoi pështjellim të brendshëm në atë që mund të quhet klasë politike shqiptare për një periudhë gati 10-vjeçare, krijoi hapësirë më të madhe për ndërhyrje të fqinje në dëm të Shqipërisë, ndikoi në zgjatjen edhe për tre vite të procedurave, fillimisht politike e më pas ligjore, të zgjidhjes së statusit ndërkombëtar dhe kufijve të shtetit shqiptar.

    Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore ka qenë një vend në pritje, një vend që pritej të bëhej, të përcaktohej dhe të ripranohej nga Europa si entitet më vete dhe pjesë e kontinentit. Çështja Shqiptare në vitet 1919-1921 u trajtua në tri instanca ndërkombëtare, me radhë dhe paralelisht: në Konferencën e Paqes së Parisit, në Lidhjen e Kombeve dhe në Konferencën e Ambasadorëve. Shqipëria dhe çështja e saj, në këtë shqyrtim të gjatë ndërkombëtar, u lidhën në mënyrën më të ngatërruar me një sërë aktesh pararendëse ndërkombëtare dhe me nyjën e vështirë të një diplomacie ende të fshehtë, që vështirësisht po hapej në një botë të ndryshme. Pavarësisht se vendi ynë ishte viktimë e pushtimeve të njëpasnjëshme të shteteve ndërluftuese gjatë Luftës së Parë Botërore dhe nuk kishte të bënte fare me palët në konflikt, ai u trajtua njëlloj si vendet humbëse, d.m.th. pretendimet e përfaqësuesve të Shqipërisë për njohjen e shtetit në kufijtë kombëtarë, nuk u morën në konsideratë. Madje, në diskutim të rrezikshëm u vendosën kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913.

    Problemi i Shqipërisë nuk është trajtuar si një problem me vete në Konferencën e Paqes, por si pjesë e problemeve madhore, me të cilat u morën paqebërësit e mëdhenj. Pse ndodhi një përzierje e tillë? Duhet të kuptojmë se pavarësisht nga Doktrina e Re që Presidenti Wilson promovoi, një pjesë e rëndësishme e problemeve të mbartura dhe të lindura pas Luftës, vazhduan të trajtohen me parimet e Diplomacisë së Vjetër. Dhe është e kuptueshme që në këtë moment tranzicioni mes dy konceptimeve të punës së diplomacive, sfidat të merrnin trajtime të dyfishta. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin që, me fillimin e punës së Konferencës së Paqes, Aleatët nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje të veçantë në lidhje me Shqipërinë.

    Për Çështjen Shqiptare, të përfshirë brenda Çështjes së Adriatikut apo Çështjes Greke, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret pozitiv gjatë gjithë vitit 1919. Çështja shqiptare nuk u arrit të zgjidhej në fakt nga Konferenca e Paqes së Parisit, por në këtë konferencë Shqipëria nuk u copëtua. Megjithatë, italianët e mbajtën Shqipërinë të pushtuar deri në gushtin e vitit 1920, kur shqiptarët u ngritën kundër tyre dhe i hodhën ata në det. Pas këtyre zhvillimeve dhe pas Protokollit Paraprak të 2 gushtit 1920, falë politikës së ndryshme të Kryeministrit Giolitti, italianët u tërhoqën ushtarakisht nga Shqipëria, por filluan të zbatojnë një politikë të depërtimit të suksesshëm ekonomik dhe gradualisht edhe politik. Jugosllavët nga ana e tyre, përveçse bënë inkursione të rëndësishme ushtarake brenda vendit, mbajtën deri në fillim të vitit 1922 një rrip të ngushtë toke, që shpeshherë shkonte deri në 15 kilometra në brendësi të kufirit shqiptar të vitit 1913. Trupat greke mbanin në zotërim një numër fshatrash në ish Kazanë e Korçës

    Pyetja është, cili ka qenë roli i ShBA në ndihmë të kësaj Shqipëria kaq të cenuar? Deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore njohuritë e Presidentit Wilson në lidhje me çështjen shqiptare, ishin të kufizuara. Këshillimi i parë që ai ka marrë në lidhje me Shqipërinë, ka qenë jo pozitiv për Shqipërinë dhe bëhet fjalë për memorandumin e datës 2 janar 1918, të përgatitur nga Mezes, Miller dhe Lippman, në të cilin rekomandohej ndarja e Shqipërisë, mbasi ky vend përfaqësonte një terren të intrigave të fuqive të mëdha. Nga ndarja e Shqipërisë, sipas memorandumit në fjalë, duhej të përfitonte Mali i Zi për rajonin e Shkodrës, Serbia të gjithë pjesën qendrore me Durrësin dhe Greqia pjesë jugore të Shqipërisë. Për shkak të këtij raporti të parë jo të thelluar dhe të pandjeshëm ndaj vendit ilirik, pozicioni fillestar i ShBA-së në Konferencën e Paqes në Paris ka qenë si më poshtë: a. Shteti i pavarur i Shqipërisë duhej të ishte nën mandatin italian, në kushte të atilla, që të parandalohej shfrytëzimi ekonomik dhe ushtarak i vendit, ose kolonizimi i tij; b. Qyteti i Vlorës, me një hinderland të kufizuar, i mjaftueshëm vetëm për të përballuar nevojat e veta thelbësore ekonomike dhe ngushtësisht i nevojshëm për sigurinë, duhej t’i kalonte Italisë në sovranitet të plotë dhe se territori rreth e qark Vlorës duhej të asnjanësohej; c. Jugosllavët duhet të kishin të drejtën të ndërtonin dhe operonin hekurudhën në veri të gjerësisë gjeografike 41° 15’ dhe se ata duhej të kishin gjithashtu të drejtën të përmirësonin lundrimin në Lumin e Bunës.

    Mirëpo, falë një numri ndërhyrjesh të rëndësishme me ekspertizë të thelluar, njohuritë e Presidentit Wilson në lidhje me çështjen shqiptare do të vijnë duke u plotësuar me kalimin e kohës, e për rrjedhojë, qëndrimi fillestar amerikan ndaj çështjes shqiptare do të pësojë ndryshime rrënjësore me kalimin e muajve dhe viteve. Në sajë të këtij qëndrimi të ri të qeverisë amerikane mund të themi se u arrit, më së shumti, shpëtimi i Shqipërisë, d.m.th., i kufijve të vitit 1913, ndryshimi i vizionit fillestar dhe kundërshtimi i fuqishëm i marrëveshjes së 14 janarit 1920, në mes kryeministrave Lloyd George, Clemenceau dhe Nitti. (Kjo marrëveshje parashikonte që Italia duhej të merrte të gjithë Istrian dhe Fiumen (Rjeken), Jugosllavia në këmbim duhej të merrte Shqipërinë Veriore, ndërsa pjesa tjetër e vendit duhej të ndahej në bazë të Marrëveshjes Tittoni-Venizelos)

    Kështu, kthesa e parë pozitive që ka ndryshuar rrjedhën, së paku të trajtimit të problemit shqiptar, ka ardhur nga nota amerikane e 6 marsit 1920, në bazë të së cilës kërkohej që çështja shqiptare të mos përfshihej në diskutimet e përbashkëta në mes Italisë dhe Jugosllavisë. Gjithashtu, Presidenti Wilson nuk e aprovoi me këtë rast që tokat shqiptare në Veri dhe në Jug të përdoreshin si kompensime territoriale për toka që Jugosllavia dhe Greqia ishin privuar diku tjetër. Ndërhyrja e qeverisë amerikane përbën goditjen e parë të fuqishme ndaj Traktatit të Fshehtë të Londrës, e njëkohësisht, një zhvlerësim të parë të Marrëveshjes Titoni-Venizelos. Në thelb, këmbëngulja e Presidentit Ëilson, në zbatimin e parimit të vetëvendosjes, çoi në kapitullimin e politikave të pasinqerta italiane në lidhje me Shqipërinë, që në tre muajt e parë të vitit 1920. Kjo ndërhyrje bëri që plani i deriatëhershëm britaniko-franko-italian për ndarjen e Shqipërisë të arkivohej dhe Konferenca e Paqes të mbyllej pa arritur ndonjë marrëveshje për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, praktikisht, Shqipëria i shpëtoi copëtimit, por problemet e saj mbetën në tavolinën e diskutimeve mes Fuqive fituese.

    Më 1 tetor 1920, DASh i kërkoi FO-së të bashkëpunonte në një përpjekje për të rregulluar një zgjidhje të arsyeshme dhe të drejtë të çështjes shqiptare. Qeveria amerikane kërkonte që një zgjidhje e shpejtë t’u jepej një vargu çështjesh që kishin lindur për sa i përket Shqipërisë. DASh ishte në të mirë të krijimit të një Komisioni Ndëraleat, për të hetuar shkaqet e vështirësive shqiptare si edhe të bënte rekomandimet në Këshillin e Ambasadorëve për një përcaktim përfundimtar të kufijve të Shqipërisë. Gjatë përcjelljes së komunikimit të mësipërm, i ngarkuari më punë në ambasadën amerikanë në Londër, Mr. Williams, e informoi zyrtarin e lartë të FO-së, Mr. Nicolson-in, se Departamenti i Shtetit ishte jashtëzakonisht i interesuar në çështjen shqiptare dhe se nuk do të njihte ndonjë zgjidhje, së cilës kjo qeveri nuk do t’i jepte paraprakisht aprovimin e vet.

    Më datë 4 tetor 1920, ambasadori britanik në Washinton D.C., Sir A. Geddesi, zhvilloi një bisedë të gjatë me Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, gjatë të cilit, ky i fundit, i bëri me dije se presidenti amerikan Wilson ishte shumë në ankth të dinte skemën që duhej të adoptohej për çështjen e Shqipërisë, dhe se ai gjithashtu kërkonte që shteti i pavarur shqiptar duhej të krijohej brenda kufijve të atillë që do të bënin të mundur ekzistencën politike dhe ekonomike të këtij vendi.

    Ndryshimi i qëndrimit amerikan, sipas mendimit tonë, ka pasur katër përbërës të rëndësishëm: së pari, ai i lidhur me filozofinë që e ka drejtuar politikën e jashtme amerikane në këtë kohë, që është filozofia e lirisë dhe e vetëvendosjes së popujve; së dyti, skuadra e ekspertëve amerikane në bisedimet e paqes, erdhi duke e zgjeruar nivelin e njohurive teknike të përbërësve vlerësues për Shqipërinë, përmes ndryshimit të ekipit të ekspertëve; së treti, një ndihmesë e spikatur duhet të konsiderohet ndërmjetësimi i Papës Benedikti XV (pas audiencës me Imzot Luigj Bumçin), autoriteti moral i të cilit ka qenë natyrisht i padiskutueshëm; së katërti, një kontribut të pamohueshëm ka dhënë komuniteti ortodoks i Shqipërisë që banonte në ShBA, për ndriçimin e realitetit etnik-kulturor dhe politik në Shqipërinë e Jugut, e në radhë të parë emigracioni shqiptar në ShBA nga Rumania dhe në mënyrë të spikatur vëllezërit Faik dhe Mehmet Konica. Përpjekjet e shumë shqiptarëve të emancipuar dhe largpamës, janë përqendruar sidomos tek ShBA-ja. Presidentit Wilson, që në fillim të vitit 1919, i janë dërguar memorandume, në të cilat i kërkohej të merrte në dorë fatin e popullit shqiptar dhe të ishte mandator i organizimit dhe arsimimit të Shqipërisë. Memorandumet shprehnin besimin se vetëm Amerika mund ta shpëtonte situatën dhe të siguronte paqen në Adriatik: “ShBA janë shpëtimtarët tanë”.

    Një numër i madh prej shqiptarëve të shquar shprehnin në këtë kohë dëshirën që ky mandat mbi Shqipërinë e re duhej t’i jepej ShBA-së, një fuqie që shqiptarët e konsideronin të ishte pa ndonjë interes të vetin në këtë vend. Një Memorandum me shpjegime për nevojën e përfshirjes së një Fuqie të Madhe dhe të painteresuar në Ballkan dhe mbi nevojën e dhënies së ShBA të mandatit mbi Shqipërinë, e ka paraqitur më 19 shkurt 1919 edhe misionari Telford Erickson.

    Mandati amerikan mbi Shqipërinë, sipas tij, do të mirëpritej prej popullsisë dhe do të përbënte një shërbim të paçmuar në zhvillimin e vendit. Mandati amerikan duhej të përfshinte ish-vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Monastirit dhe Janinës, duhej të shtrihej në dy vjet, pas të cilave kufijtë e Shqipërisë me Serbinë dhe Greqinë duhej të përcaktoheshin prej Komisionit të Lidhjes së Kombeve. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se, Qeveria e ShBA-së nuk kishte qenë firmatare e një marrëveshjeje të fshehta mes fuqive të Antantës gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Komisioni Amerikan i Bisedimeve të Paqes në Konferencën e Paqes, ruajti lirinë e veprimit në Çështjen e Adriatikut dhe në Çështjen Shqiptare.

    Mirëpo, në këtë lumë diskutimesh në nivelet diplomatike, lind edhe një dritë, hapet edhe një dritare e dytë pro Shqipërisë, e cila do tërheqë në kahun pozitiv njohjen e shtetit dhe kufijve minimalë të tij, d.m.th. kufijve të vitit 1913. Bëhet fjalë për pranimin në Lidhjen e Kombeve, ngjarje politike kjo, që e vuri në ndërvarësi juridike detyrimin e Fuqive Aleate për zgjidhjen e problemit të statusit dhe kufijve dhe njohjen e Shqipërisë si shtet sovran dhe i pavarur.

  • ​109 vjet nga përfundimi i Konferencës së Londrës

    ​109 vjet nga përfundimi i Konferencës së Londrës

    109 vjet më parë përfundoi punimet Konferenca e Londrës, në të cilën u vendos përgjysmimi i trojeve shqiptare dhe fati i saj.

    Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në dhjetor të 1912-s, duke vazhduar deri më 29 korrik 1913.

    Ajo mund të ketë qenë përcaktuese e të ardhmes së Shqipërisë mbi pavarësinë e vendit, por siç dihet nga ajo konferencë Shqipëria doli e përgjysmuar në kufijtë e saj. Konferencë u diktua prej shpërthimit të luftës së parë ballkanike.

    Morën pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i perandorisë osmane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë (që nuk njihej) dhe të Greqisë (që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin).

    Nga kjo konferencë doli Traktati i Londrës, mbi ndarjen e territoreve që dolën jashtë perandorisë osmane prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre.

    Ky Traktat mbeti i fshehtë deri në Konferencën e Versajës (1918). Të gjitha fuqitë e mëdha paraqitën versionin e tyre të hartës së Shqipërisë.

    Harta më e favorshme për shqiptarët ishte ajo e propozuar nga Austro-Hungaria. Në këtë konferencë Shqipëria u njoh si principatë, që do të thoshte se forma e qeverisjes do të ishte monarkike, pushteti i trashëgueshëm, ndërsa pavarësia e kushtëzuar, sepse principata nuk arrin deri tek e drejta e shtetësisë.

  • Marrëveshja e Mukjes, 2 gusht 1943

    Marrëveshja e Mukjes, 2 gusht 1943

    Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar e rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për tu përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike.

    Mbledhja e Mukjes

    Marrëveshja themeloi një Komitet të Shpëtimit Kombëtar i cili duhet të merrte drejtimin e lëvizjes së rezistencës shqiptare. Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

    Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha.

    Mbledhja Kombëtare në Tapizë, 26 korrik 1943

    Sot më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e Z. Dr. Ihsan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej Z. major Abaz Kupi. Myslim Peza, Dr. Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”, i përbërë prej Z. Mithat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh Z. Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe Z. Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues Z. Pater Lek Luli, Dr. Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri. Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:

    Neni 1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë”. Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi: 1- Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë. 2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut. 3- Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë. 4- Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal. 5- Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore.

    Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.

    Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion “Ad referendum”.

    Procesverbalet e Mbledhjes së Mukjes

    Proces-verbal Sot më datë 1 gusht 1943 u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës B.K. dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare. Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua Z. Thoma Orollogajt dhe sekretaria Z. M. Gjinishi. Bisedimet i hap Z. Dosti, delegat i B.K. i cili deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar ad-referendum prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritun. Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet dhe të qëndrojë në këtë mënyrë: Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator Pika 2. Luftë për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike. Pika 3. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore. Pika 4. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore. Pika 5. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal direkt.

    Delegacionet:

    B.K.

    Hasan DostiMit’hat FrashëriThoma OrollogajSkënder MuçoHysni LepenicaIsuf LuzajKadri CakraniMajor Raif FratariNexhat PeshkëpijaHalil MënikuIsmail PetrelaVasil Andoni

    K.P.N.Çlirimtar

    N.Kolonel Jahja ÇaçiMyslim PezaAbaz KupiYmer DishnicaMustafa GjinishiOmer NishaniSulo BogdoShefqet BejaMedar ShtyllaStefanHaki StërmilliG. Nushi

    Proklamatë

    Popull shqiptar!

    Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.

    Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës… Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

    Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar. 2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike. 3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

    Shqiptarë!

    Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

    Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

    Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

    Jashtë armiku zaptues!

    Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

    Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

    Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

    Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë

    Burime

    AQSH. F. 14. dos. 21

  • Leonard de Martinos, poeti dhe shkrimtari arbëresh mësues i Fishtës dhe i Mjedës

    Leonard de Martinos, poeti dhe shkrimtari arbëresh mësues i Fishtës dhe i Mjedës

    Leonard de Martinos (1830-1923), françeskan, poet e shkrimtar arbëresh nga fshati Greçi i Kampanjës, në krahinën e Avelinos, misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri.

    Kujtojmë se vepra e tij më e njohur është përmbledhja lirike ‘L’Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888. Ndërsa kryevepra, nxënësi i tij katundar, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos, në Itali, më 12 korrik 1923, duke i lënë trashëgim kulturës shqiptare disa vepra, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin gegë.

    Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d’Istrias më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos Harpën, veprën origjinale lirike, që e kujtuam më lart.

    Por çka  na intereson më shumë sot nga krijimtaria e Fratit arbëresh, është një vepër pak e aspak e njohur, shkruar italisht, e papërkthyer shqip  titulluar: “Luani i Shqipërisë”. Shkurtore e jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Princ i Epirit  dhe i Shqipërisë, Greci, 1882”1

    Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.

    Kjo trashëgimia e Fratit arbëresh. Po ne sot duam ta kujtojmë për një dhuratë tjetër, që i bëri fshatit të vet. Duke shfletuar letërshkëmbimin e  Piccolo-s, në një letër datuar 30 gusht 1882 , lexojmë:

    “Në mbledhjen e organizuar enkas, në vitin 1882, më 25 gusht, në sallën e Mbledhjeve të Bashkisë, në Greci, u paraqit i Nderuari Atë Leonardo de Martino, Frat i vogël observant, misionar apostolik në Shqipëri (i shoqëruar solemnisht nga krerët e vendit, nga banda muzikore e Orsarës e nga një mori populli në festë), i cili  i dorëzoi, me dorën e kryebashkiakut e të anëtarëve të bashkisë, kësaj komuneje, një pikturë, realizuar me bojë vaji, të Gjergj Kastriotit Skanderbeg, Princ i Shqipërisë e i shqiptarëve. Kuadri është kopje e origjinalit, që ndodhet në Galerinë Mbretërore Uffizi të Firences, realizuar nga një mjeshtër i penelit, i cili ia dhuroi de Martinos. Një njeri i ngarkuar me një mori virtytesh, dorëzonte figurën e lartë të një të madhi tjetër, më të madhit ndër shqiptarë, njeriut që përmblidhte në vetvete të gjitha virtytet, gjithë lavdinë, gjithë heroizmin e gjithë patriotizmin e popullit shqiptar, tipare karakteristike të shqiptarit, për të cilat banorët vendas, me origjinë nga trojet e Kastriotit, krenohen më shumë se për çdo gjë tjetër”.

    U vendos, prandaj, që Portreti i Kryetrimit, gjithnjë i gjallë në kujtesën e arbëreshëve të Greçit, të vendosej në Sallën e Mbledhjeve, të ruhej me kujdesin më të madh e të trashëgohej brez pas brezi, deri në sosun të moteve.

    Mbledhja përfundoi duke e falënderuar njëzëshëm atë De Martinon, për gjithçka bënte në Atdheun e të parëve e edhe për këtë gjest të lartë patriotik, që nuk duhej të mbetej pa jehonë në Itali, në Shqipëri e kudo rreh ndonjë zemër shqiptare!

    Ngjarje e shkuar, por besojmë, e paharruar, që na nxit t’i bëjmë vetes pyetjen: “Sa na rreh zemra jonë shqiptare, kur një njeri, një ngjarje, një varg a një pikturë, na kujton se edhe ne i përkasim një populli, prej nga dolën dy Gjergjat! E edhe De Martino, që po e kujtojmë, si të ishte i gjallë,  sepse e gjallë është vepra e tij!

    Rruga Press

  • Arti shkëmbor prehistorik në Konaj të Mirditës

    Arti shkëmbor prehistorik në Konaj të Mirditës

    Vlerë e çmuar e trashëgimisë kulturore të Mirditës dhe Shqipërisë.

    Në “Rrasën e shkrume” siç njihet nga banorët vendas, ruhen rreth 30 figura (petroglife), që mendohet të jenë realizuar në harkun kohorë midis mesit të mijëvjeçarit të tretë dhe gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të dytë para Kr.

    Çka bie në sy është numri i madh i figurave antropomorfe, por edhe ngjashmëria me elementë të artit shkëmbor në Rubik, Merkurth, Blinisht e Xhuxhë të Mirditës, “Shpellën e Shkruar” të Lepenicës dhe disa vendgjetje të tjera në territorin e Shqipërisë.

    Për më shumë lexoni: https://visitmirdita.com/konaj/

    © Julian Vlashi

  • Fati tragjik i autorit të veprës “Kosova, djepi i shqiptarizmit”: Enveri e akuzoi se hodhi gurë kundër Jugosllavisë motër

    Fati tragjik i autorit të veprës “Kosova, djepi i shqiptarizmit”: Enveri e akuzoi se hodhi gurë kundër Jugosllavisë motër

    Nga: Dashnor Kaloçi

    Në fillim të vitit 1943, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre vjet pasi Italia fashiste kishte njohur Shqipërinë etnike dhe i kishte rikthyer asaj pothuajse të gjitha viset shqiptare që Kongresi i Berlinit në vitin 1878 – si dhe Konferenca e Londrës më 1913 – ia kishin shkëputur padrejtësisht dhe ua kishin dhuruar fqinjëve të saj, në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër me titull: “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Autori i këtij libri të famshëm që u prit me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë, ishte një intelektual i ri, i quajtur Hamit Kokalari, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës.

    Hamit Kokalari lindi në vitin 1913 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Ishte pinjoll i një prej familjeve nacionaliste më të njohura të jugut të Shqipërisë, ku të parët e saj ishin shkolluar në universitete të ndryshme të botës. Babai i Hamitit, Reshat Kokalari, ishte një intelektual tepër i njohur, sidomos për përhapjen e arsimit shqip në zonën e Gjirokastrës. Hamiti kishte edhe dy vëllezër të tjerë, Muntazin e Vesimin, si dhe një motër – Musinenë. Ashtu si shumë pinjollë të tjerë të trungut të Kokalarëve, që kishin studiuar dhe ishin diplomuar në universitete të ndryshme të botës, edhe Hamiti në vitet tridhjetë u diplomua në një prej fakulteteve të Francës në Jurisprudencë. Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, në vitet 1942-1943 shërbeu për pak kohë në administratën e lartë vendore të Kosovës dhe pranë ambasadës shqiptare në Shkup të Maqedonisë. Gjatë asaj periudhe, Hamiti u lidh dhe bashkëpunoi ngushtë me mjaft politikanë e intelektualë të njohur me bindje nacionaliste të atyre trevave shqiptare, të cilët e ndihmuan atë në punën hulumtuese, studiuese dhe shkencore për veprën e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, të cilën ai e botoi në Tiranë në vitin 1943.

    Përveç një pune tepër të madhe studimore e shkencore, ku autorit iu desh të shfletonte edhe arkivat sllave, ajo që vlen për t‘u theksuar në botimin e atij libri ishte edhe kurajoja e guximi i autorit, i cili e botoi atë pikërisht në periudhën kur Partia Komuniste e Shqipërisë ishte e lidhur ngushtë me Partinë Komuniste Jugosllave dhe emisarët serbo-malazezë që drejtonin e udhëhiqnin realisht lëvizjen komuniste në vendin tonë, kishin filluar një valë terrori kundra nacionalistëve shqiptarë.

    Menjëherë pas mbarimit të luftës, në dhjetorin e vitit 1944, dy vëllezërit e Hamitit, intelektualët e njohur me bindje nacionaliste, u pushkatuan pa gjyq në një nga bodrumet e hotelit “Bristol” në qendër të Tiranës, ku ata mbaheshin të lidhur që prej disa kohësh. Sipas mjaft dëshmive të dhëna pas viteve 1990, ekzekutimi i tyre është bërë me urdhër direkt të Enver Hoxhës, për motive personale të veta. Sipas dëshmive të intelektualit, studiuesit dhe shkrimtarit të njohur, Mexhit Kokalari, pak ditë pas ekzekutimit të tyre, kur Fejzie Kokalari shkoi të ankohej tek Enver Hoxha për gjëmën që u kishte ndodhur, Enveri i tha asaj: “Muntazin dhe Vesimin bëmë mirë që i pushkatuam, ndërsa Hamiti duhet të na falënderojë që e lamë gjallë për mëshirë, se ishte i sëmurë nga tifua. Hamiti ka hedhur shumë gurë kundër Jugosllavisë motër. Të rrinë urtë bashkë me Musininë se po e lëvizën bishtin do t‘i dërgojmë te dy vëllezërit” (Enveri e mbajti deri diku fjalën e tij: intelektualja e famshme Musine Kokalari, e cila ishte laureuar për Letërsi në një nga universitetet e Italisë, u burgos dhe u internua për vite me radhë, deri sa mbylli sytë e vetme në një kthinë të errët të qytetit të Rrëshenit në vitet 1980).

    Edhe pse kishte marrë kërcënimin direkt nga Enver Hoxha, Hamiti vazhdoi të merrej me çështjen e Kosovës, me qëllim që ta zgjeronte, kompletonte dhe ta ribotonte përsëri studimin e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Kështu, dy tre vjet pas botimit të librit, Hamit Kokalari i dërgoi një letër Nexhmije Hoxhës, ku i kërkonte ribotimin e librit, por përgjigja që erdhi prej saj ishte negative. Që nga ajo kohë dhe në vitet që pasuan, me qëllim për të siguruar jetesën, Hamiti u mor me përkthime të ndryshme, pasi ai zotëronte shkëlqyer pesë-gjashtë gjuhë të huaja. Pas një sëmundjeje të gjatë, Hamit Kokalari u nda nga jeta në vitin 1989. Libri i tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, u ribotua në Itali në vitin 1962 nga një grup intelektualësh të njohur nacionalistë shqiptarë dhe parathënia e tij u shkrua nga Abaz Ermenji.

    Libri në fjalë kishte vetëm 125 faqe dhe përbëhej nga rreth 27 kapituj ku autori ka përdorur shumë referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu etj., e po ashtu edhe të huaj, si: Antonio Baldacci, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit janë ilustruar me tabela të veçanta ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga akademi dhe institute të njohura të Evropës. Përveç referencave dhe dokumenteve të shumta arkivore me të cilat është konsultuar, autori i librit në parathënie i ka bërë një falënderim të veçantë për ndihmën e madhe që i pati dhënë Reuf Ficos, një nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë më të njohur të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, i cili në vitet e fundit të karrierës shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut, në Beograd.

    Nga libri i Kokalarit, “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, kemi përzgjedhur dhe po publikojmë në variantin origjinal vetëm disa pjesë të tij, duke menduar se hidhet edhe më shumë dritë mbi të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të cilat iu shkëputën padrejtësisht trungut mëmë, në mesin e shekullit XIX dhe në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX.

    ***

    Por Lidhja i drejtoi komisionit një ultimatum, me të cilin njoftonte se nuk mund të njihte asnjë vendim të marrë pa pëlqimin e saj. Me gjithë kërcënimin që bënte Mali i Zi nuk kishte mjaft fuqi për të filluar një veprim kundër shqiptarëve dhe Turqia vetë nuk mund të përdorte forcën, sepse populli shqiptar ishte ndezur gjer në pikën sa vrau Mehmet Ali Pashën në Jakovë dhe nga ana tjatër fuqia shqiptare sa vente dhe po shtohej. Mbi ndërhyrjen e Italisë u arrit një rregullim i ri, në vend të Plavës dhe Gusisë u vendos t‘i jepej Malit të Zi Triepshi, Hoti, Gruda dhe Kelmendi, të banuara nga popullsi shqiptare katolike. Mirpo, shqiptarët katolikë, të bashkuar me bashkëkombasit e tyre muslimanë çfaqën kundërshtimin e tyre për dorzimin e këtyre vendeve Malit të Zi, ndërsa Prenk Bib Doda, në krye të 10 mijë Mirditasve dhe Maslësorëve prej fisesh të ndryshme u përgatit t‘i vinte në ndihmë. Përpara këtij qëndrimi të patundur të Shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha u detyruan të marrin një vendim të tretë: dorzimin e Ulqinit Malit të Zi. Po dhe në këtë rast Shqiptarët çfaqën kundërshtimin e tyre dhe pa humbur kohë zunë pozitat e tyre mbi kodrat rreth Ulqinit. Por këtë herë puna dukej më e lehtë për Fuqitë e Mëdha sepse këto vendosën të bëjnë një demonstrim detar duke dërguar në Ulqin një flotë ndërkombëtare për të siguruar dorzimin e qytetit. Me gjithë këtë dhe këtë herë përfundimi dukej i dyshimtë sepse vetë ambasadori i Francës në Stamboll, në një letër drejtuar qeverisë së tij më 27 gusht 1880, shprehesh me këto fjalë: “Sjellja e Shqiptarëve është në një shkallë sa Qeveria turke nuk ka besim në veten e saj e s‘ndodhet në gjendje për t‘u zotuar në një dorzim tokash, për të cilën Liga Shqiptare nuk konteston.

    Liga Shqiptare më shumë se kurdoherë duket më pak e disponuar për të lënë copa të tokës shqiptare. Edhe Porta e Naltë as që do ta shtërngojë me forcë”. Edhe popullsia e Ulqinit u çfaqi me shkresë Fuqive të Mëdha keqardhjen dhe kundërshtimin e saj për dorzimin e qytetit Malit të Zi dhe në bashkëpunim me organet e Lidhjes filloi të organizohej për një rezistencë të armatosur. Flota Ndërkombëtare që erdhi afër Ulqinit për të kryer detyrën e saj, u shtërngua të qëndrojë dy muaj pa arritur asnjë rezultat. U deshën të vinin fuqitë e dërguara prej Sulltanit të cilat pas një luftimi me Shqiptarët arrijtin të kryejnë dorëzimin e qytetit Malit të Zi më 26 nëntor 1880, ngjarje të cilat u konsideruan dhe prej flotës që qëndronte në ujrat e Ulqinit prej dy muajsh. Po në atë kohë Hodo Pasha një nga krerët e Lidhjes dhe Bib Doda, kryetari i Mirditasve që ishte solidarizuar më parë me shqiptarët që kishin vendosur të kundërshtonin me armë dorëzimin e Triepshit, Hotit, Grudës dhe Kelmendit, u kapën prej Turqëvet, të cilët me një anije lufte i dërguan në mërgim, dhe Oroshit, kryeqendrës së Mirditës, i vunë zjarrin. Shqipëria etnike u ideua nga anglezët që në Kongresin e Berlinit. Vlen të shënohet se në kohën e Kongresit të Berlinit disa burrave shteti englezë u ishte mbushur mendja të përkrahin tezën e të drejtave të Shqipërisë kundra lakmive të Sërbëvet dhe Malazezëve dhe të mendonin që atë herë për krijimin e një province të madhe shqiptare të përbërë prej katër vilajeteve: të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Midis të tjerave nxjerrim një pjesë të një letre të ambasadorit anglez në Stamboll Lord Goshen drejtuar Ministrisë së Jashtme më 26 korrik 1860.

    Problemi shqiptar nuk mund të përcaktohesh më mirë por mjerishtë gjitha këto mendime dhe dokumenta të tjera përkatëse u mbuluan nga pluhuri i arkivave zyrtare dhe kur u riçel çështja shqiptare në raste të tjera, sidomos në kohën e luftës ballkanike dhe në Konferencën e Ambasadorëve ne Londër më 1913, nuk u muarrën parasysh. Dihet se mbretërisë serbe Kongresi i Berlinit i dhuroi Nishin, Leskopvacin, Prokupuljen, Kurushlumin dhe Vranjën, krahina që në ato kohë ishin të banuara në shumicë prej Shqiptarësh, kurse sot shumica e popullsisë së tyre është serbe për shkak të infiltracionit sllav. Por lakmia e tyre vente duke u shtuar, sulmuan tokat shqiptare më të afrime në jug dhe arrijtën në portat e Prishtinës, në grykat e Kulinës, ku mbasi u përpoqnë me disa fuqi të pakta shqiptare që arritën në vend, u dërrmuan dhe u shtërnguan të tërhiqen drejt vijës që u kishte caktuar Kongresi. Përpjekjet e shqiptarëve dhe luftrat heroike të tyre në kohën e Lidhjes së Prizrenit përbëjnë epokën shqiptare që poeti kombëtar At Gjergj Fishta e bëri të pavdekshme në poemin e tij “Lahuta e Malcis”. Veprimtaria e Lidhjes nuk mbaroi me kaq: episodi më i shquar i asaj periudhe ndodhi në funt me rastin që u muarrën masa që i siguruan Shqipërisë autonominë e saj. Ngjarjet u zhvilluan sidomos në Kosovë dhe me gjithë se përpjekjet e Shqiptarëve dështuan dhe u shtypën prej fuqive turke, vëlejnë të vihen në dukje me shumicë se të gjitha ngjarjet e tjera të asaj kohe sepse formojnë një dokument historik të vlefshëm që provon vullnetin e popullsisë së Kosovës për liri dhe pavarësi dhe për pranverën e Shqipërisë …”

    “… Lidhja kishte përgatitur sheshin me kohë për të bërë një mbledhje të përgjithshme në të cilën do të mirrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare për të kërkuar zyrtarisht nga Sulltani autonominë e Shqipërisë. Me rastin e kësaj mbledhje qendra e Lidhjes u transferua përkohësisht nga Prizreni në Dibër me qëllim që të luftonte aspiratat e Bullgarëve në Maqedoni dhe lëvizjet e komitëve të tyre që atëhere kish filluar të vepronte në lindje të Shkupit dhe në Prilep. Në tetor 1880, pesëmijë përfaqësues të ardhur nga të gjitha krahinat shqiptare u mblodhnë në Dibër dhe midis të tjerave vendosën të kërkonin zyrtarisht nga Sulltani autonominë e Shqipërisë etnike. Premtimet e bëra më parë prej Sulltanit në raste të ndryshme kryetarëve shqiptarë nuk po zbatoheshin, prandaj Lidhja duhesh të vepronte pa humbur kohë. U caktua si kryeqytet Ohri dhe u vendos që krahinat e Shqipërisë etnike autonome të administroheshin nga nënpunsa shqiptarë, me gjuhë zyrtare shqipen dhe me shkolla shqipe në të gjitha viset. Njëkohësisht u muarrën masa për të luftuar çetat bullgare. Kërkesat e mbledhjes iu paraqitën Sulltanit, por pasi mbetën pa përgjigje Lidhja mori nisiativën dhe filloi të vinte në zbatim programin e vetë duke dëbuar prefektët e emëruar nga Stambolli dhe duke i zëvendësuar këta me nëpunës të tjerë nga njerëzit e saj. Kështu u dëbuan prefektat e Shkupit dhe të Dibrës; dhe valiu i Prishtinës i kërcënuar nga fuqitë shqiptare ua arratis. Mbasi shpërndanë disa nga garnizonet turke dhe muarrnë dhe municione, fuqitë shqiptare e shtrinë autoritetin e Lidhjes në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Dibër, ndërsa Gjakova, Luma dhe të tjera krahina i bashkuan fuqitë e tyre me ato të Lidhjes. Në Shkup dhe Prizren garnizoni turk u mbyll me forcë dhe popullsia shqiptare lidhi besën që të bashkohesh me Lidhjen. Përpara kësaj gjendje Sulltani u ndodh shumë ngushtë dhe nuk dinte se ç‘vendim të merrte: të zbatonte premtimet për autonomi të bëra më parë shqiptarëve, apo t‘a ç’dukte Lidhjen me forcë mbasi rreziku i jashtëm për Turqinë ishte shuar përkohësisht. Shumë nga njerëzit e rrethit të tij e këshillonin për vendimin e dytë dhe kështu u bë …”

    “… Më 25 mars 1881, një ushtri turke e armatosur mirë me mjete moderne dhe e komanduar nga Dervish Pasha arrinte nga Selaniku në Shkup, ku u arrestuan menjëherë shumë anëtarë të degës së Lidhjes në atë qytet dhe u dërguan në Selanik prej ku më vonë u përcollnë në internim në kështjellën e Rodosit. Mandej Dervish Pasha dha urdhër për të pushtuar të gjithë hekurudhën Shkup Mitrovicë. Mbi këtë, Lidhja i dha kushtrimin Kosovës dhe fuqitë shqiptare u grumbulluan në krahinën e Stimjes, midis Prishtinës dhe Prizrenit. Në përpjekjen që ndodhi atje, fuqitë shqiptare përpara forcave ushtarake turke të armatosura mirë, u detyruan të tërhiqen duke lënë 300 të vrarë dhe të plagosur. Pas pak kohe ushtria turke shkoi në drejtim të Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës, ku morri masa kundër udhëheqësve të fuqisë shqiptare dhe kundra drejtuesve të Lidhjes, prej të cilëve një pjesë u arratisën, disa u internuan dhe disa të tjerë u mbajtën peng me qëllim që t‘i pritesh hovi ndonjë sulmi që mund të bënin malsit.

    Me gjithë këtë Lidhja e Prizrenit pati më vonë një periudhë ringjalljeje dhe filloi rishtaz nga veprimtaria në Pejë, ku më 1899, në një mbledhje në të cilën muarrën pjesë krerët shqiptarë për të kundërshtuar kërkimet dhe lakmit e fuqive ballkanike fqinje, u vendos: a) mbrojtja e tokave të Sulltanit nga çdo grabitje; b) kundërshtim për çdo ndryshim në administratën e Maqedhonisë. “Katër vjet më vonë (1903), u bë një protestë simbas bisedimeve dhe vendimeve të Pejës kundër projekteve austro-ruse për reforma në Maqedhoni dhe me këtë rast tre mijë shqiptarë të Kosovës ngritnë krye dhe vranë për reprezalje Konsullin e Rusisë, Scherbinë, në Mitrovicë”. (Antonio Baldacci; L‘Albania, faqe 141). Në realitet vrasja e konsullit të Rusisë ndodhi sepse ay kishte marrë pjesë në luftimet kundra shqiptarëve. Duhen përmendur më në fund luftërat e shqiptarëve kundër Turqisë gjatë periudhës 1908-1912, nga të cilat beteja e Kaçanikut (1910) dhe fitorja që i shpuri kryengritësit shqiptarë, nënë udhëheqjen e krerëve të tyre Isa Buletini, Hasan Prishtina, dhe Azem Bejta, në qytetin e Shkupit dhe gjer në Veles (1912), dëshmojnë vullnetin e pathyer të Shqiptarëve që të realizojnë indipendencën e atdheut të tyre me integritetin tokësor të Shqipërisë …”

    “… Në 1909, fiset myslimane të Kosovës ngritën krye duke marrë si shkak pagimin e taksave dhe vetëm në funt të tetorit kryengritja dukej se u mposht nga forcat e mëdha turke. Luftimet u zhvilluan sidomos në distriktin e Lumës, ku Isa buletini udhëhiqte rebelët. Më 1910, të tjera fise të Kosovës ngritën krye po për atë arsye; gjatë stinës së verës 50 mijë ushtarë të rregullt turq mezi mjaftuan për të çarmatosur popullsinë. U shkatërruan katunde të tëra dhe u kryen gjithë atrocitetet në të cilat Turqit dinë të tregojnë zotësi, por shqiptarët u betuan që të ç’pagonin turqit vuajtjet që këta u kishin shkaktuar komandantëve të rebelëve”. (A. Baldacci; l‘Albania, faqe 143). Dhe në Shqipërinë e mesme dhe të jugës shpirtërat ishin ndezur kundër Turqisë por aty më shumë se sa për taksat pakënaqësia vinte nga ndalimi i gjuhës shqipe, sepse Turqit e Rinj mbyllën shkollat shqipe që më parë ishin lejuar simbas programit liberal të ç’pallur prej tyre. Politika e Turqëve të Rinj ishte ndryshuar dhe ishte bërë më e rreptë se ajo e Sulltan Hamidit: qëllimi i kësaj politike të re ishte që të turqizonte me forcë të konsiderueshme që bëri Turgut Shevqet Pasha në muajin prill kundra Malësivet të Shkodrës ku pësoi mjaft dëme, në muajin maj bashkoheshin dhe Mirditasit me rebelët dhe proklamonin autonominë e tyre duke emëruar një qeveri provizore. Një komitet qendror shqiptar ishte formuar dhe kërkonte që të gjitha vendet shqiptare të përmblidheshin në një vilajet të vetëm, që shkollat shqipe të mbaheshin prej shtetit dhe që milicija shqiptare në kohë paqeje duhesh të bënte shërbimin ushtarak në tokë shqiptare. Vijonin dhe njëmbëdhjetë pika të tjera për të cilat shqiptarët kërkonin zbatimin nga ana e Turqisë; njohja e kombësisë shqiptare, përdorimi i gjuhës shqipe në shkollat dhe në administratën lokale, garancia të ndryshme mbi funksionimin e administratës në Shqipëri, pagimi i dëmeve të kryera nga ushtritë e operacionit kundër kryengritësve, dënimi kundër fajtorëve, çlirimi i të dënuarëve politikë etj…Nga frika e një ndërhyrje nga ana e të huajve, Qeverija e Stambollit i dha urdhër Turgut Pashës që t‘u bënte konçensione Shqiptarëve, konçensione të cilat në realitet mbetën të pazbatuara …”

    “… Në fillim të vitit 1912 qeverija turke përpiqet t‘i marrë shqiptarët me të mirë dhe dërgon në Shkodër ministrin e brendshëm për t‘u marrë vesh me shqiptarët për reformat që mund të bëheshin në Shqipëri, por shqiptarët as që afrohen. Malësorët dhe Mirditasit fillojnë të lëvizin rishtaz dhe kryengritja përhapet gjer në Kosovë ku merr propocione të jashtëzakonshme. Kryengritasit pasi marrin Prishtinën drejtohen për në Shkup dhe arrijnë gjer në Veles duke kërcënuar kështu rrugën e Selanikut. Përpara këtyre ngjarjeve qeveria turke përunjet, shpërndan parlamentin, u premton autonomin Shqiptarëve dhe pranon trembëdhjetë pikat e kërkesave të tyre. Në ato kohë çështja bëri bujë të madhe, i hapi sytë botës dhe i detyroi të huajt të njohin realitetin. Koalicioni i fuqive ballkanike që ndiqte me vërejtje zhvillimin e gjendjes nuk e shihte me sy të mirë krijimin e një Shqipëria autonome e cila do t‘u pakësonte pjesët që do t‘u takonin kur të copëtohesh Turqija e Evropës midis tyre. Disa muaj më vonë aleatët ballkanikë hynin në fushën e luftës kundër perandorisë otomane dhe arsyet e kësaj ndërmarrje luftarake kanë qenë, siç e pohojnë vetë të interesuarit, dobësimi i Turqisë nënë grushtet që i kishin hequr kryengritjet shqiptare dhe frika e krijimit të një Shqipëria të lirë dhe me kufijt e saj etnik. Ministri Bullgar Gjecov pranon në veprën e tij l’Aliance Balcanique, se kryengritja shqiptare ka qenë shkaku detirminonjës i koalicionit dhe i luftës që u fillua kundër qëverisë fatëzezë të komitetit ‘Bashkim e Përparim’, orvatja shqiptare, shkruan ai, kishte nxjerrë në shesh dobësin e pazotësin e tij.

    Kështu luftrat dhe kryengritjet e shqiptarëve që për pak i siguruan indipendencën Shqipërisë etnike që më 1912, përfunduan në dobi të shteteve të tjerë ballkanike, të cilët kur filluan luftën e tyre kundra Turqisë e gjetnë sheshin e përgatitur për një fitim të shpejtë dhe të sigurtë, dhe kontributi që kishin dhënë shqiptarët për rrëzimin e sundimit otoman në Ballkan shkoi në dobi të fuqive ballkanike aleate. Duhet theksuar nga ana tjatër se Manastiri dhe Shkupi ishin bërë qendrat e propagandës për çlirimin e kombit, në Manastir u mblodhnë kongreset e para të gjuhës shqipe (1908), ndërsa qendrat e shoqatës “Bashkimi” për mësimin e gjuhës shqipe u përhapnë në të gjitha qytetet e Kosovës pas shpalljes së Hyrjetit (1908). Gazeta e rivista në gjuhën shqipe botoheshin në Shkup e në Manastir. Lëvizja shqiptare zgjoji atëhere kureshtjen e interesimin e të huajve dhe “Albanian Committe” në Londër, paraqiti në 1913 në Konferencën e Ambasadorëve një hartë të Shqipërisë etnike që i afrohesh mjaft vijës etnike të vërtetë. Materiali për një punë të këtillë nuk mungonte sepse shumë studiues ishin marrë me çështjen që më parë dhe kishin botuar harta etnografike të ndryshme që megjithë mungesat dhe të metat e tyre deri diku plotësojnë njëra-tjetrën. Këto harta janë riprodhuar në librin e Lumo Skëndos “Albanais et Slaves”. Lausanne 1919) dhe në botimin “Les Bulgares fans lerus frontuieras historiques, etnographiques et politizues”. Berlin 1917). Prej Dr. Rizoff. Një hartë etnografike e vlefshme është dhe ajo e Prof. Dr. J.J. Kettler e botuar në Berlin më 1919 …” /Memorie.al/

  • Kush ishin pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipëri? Si nisën uzurpimet në 1912

    Kush ishin pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipëri? Si nisën uzurpimet në 1912

    Nga Kreshnik KUÇAJ

    Një nga problematikat më të mëdha historike që ka frenuar zhvillimin e Shqipërisë vlerësohet se ka qenë çështja e pronësisë. Kjo konsiderohet si një problematikë historike e nisur që me shpalljen e Pavarësisë dhe e komplikuar edhe më tej me ligjet apo Reformat Agrare, që në fund e kanë bërë thuajse të pazgjidhshëm ‘lëmshin’ që krahas frenimit të zhvillimit, ka krijuar jo pak konflikte që kanë përfunduar, ose në gjykatë ose në vetëgjyqësi.

    SCAN sjell për herë të parë në një cikël artikujsh një “diagnostikim” të plotë historik të çështjes së pronësisë duke nisur nga vitin 1912 kur u shpall Pavarësia për të analizuar më pas ngjarjet dhe ligjet që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht në këtë çështje.

    Artikulli i parë trajton periudhën 1912-1930, kohë kur nisi të krijohet për herë të parë ngatërresa me çështjet e pronësisë në Shqipëri.

    Në artikullin e dytë do të trajtohet reforma agrare e viteve ’30, studimi dhe rekomandimet e profesorit italian Giovanni Lorenzoni, kush përfitoi e kush humbi nga kjo Reformë, sa tokë u nda dhe sa u shit etj.?

    Në artikullin e tretë do të analizohet Reforma Agrare e vitit 1945 ndërsa në artikullin e katërt, ligji 7501 që u miratua pas rënies së regjimit komunist.

    Studimi i parë për pronësinë e Shqipërisë së 1912 dhe lindja e fenomenit të uzurpimit të pronave

    Me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912 dhe shkëputjen nga Perandoria Osmane,  Shqipëria njohu menjëherë fenomenin e abuzimit me pronat. Prona që u prek e para, ishte ajo shtetërore.

    Por cila ishte situata e pronës në Shqipërinë në momentin e shpalljes së Pavarësisë?

    Panoramën më të saktë e jep një studim i vitit 1913, që ka shërbyer si bazë për çdo studim të mëvonshëm të kryer për pronësinë në Shqipëri.

    Në mars të vitit 1913, Shoqëria Italiane për Progresin Shkencor do të diskutonte idenë e dy profesorëve Vito Voltera e Carlo De Stefani për të organizuar në Shqipëri një ekspeditë shkencore.

    Kësaj ideje i kishte paraprirë një vizitë e një profesori tjetër, Giovanni Magrini, që rekomandonte se Shqipëria duhej të analizohej në aspektin gjeologjik e bujqësor.

    Ndërkohë, Bartolomeo Morschi në atë periudhë Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë në Itali kishte nisur punën për të gjetur personat që merrnin përsipër që të studionin kushtet bujqësore të Shqipërisë e që shfaqnin gatishmërinë për të udhëtuar në anën tjetër të detit.

    Këtë detyrë e pranuan Profesor Umberto Rosati dhe Doktor Gaetano Baudin. Ministria e Luftës nga ana e saj do t’i bashkangjiste ekspeditës dy zyrtarë të ushtrisë, major Silvio Egidi dhe kapiten Giovanni Magrini që do të shoqëronin ekspeditën jo vetëm si ushtarakë por edhe si studiues.

    Misioni italian do të niste udhëtimin në Shqipëri pa humbur kohë, në fillim të shtatorit të vitit 1913.

    Në raportin përfundimtar për Shqipërinë, Profesori Giorgio Dal Piaz bën një përshkrim ku evidenton se udhëtimi do të përballej me vështirësi të shumta.

    Ekspedita do të niste nga qyteti i Vlorës e udhëtimi nëpër Shqipëri do të zgjaste 20 ditë. Raporti përfundimtar do të përmbante detaje shumë interesante jo vetëm për pasuritë nëntokësore të Shqipërisë por gjithashtu edhe për situatën e pronësisë.

    Studimi i profesorëve italianë do të publikohej në vitin 1915. Ai do të ndahej në dy pjesë, ku pjesa e parë përmban të dhëna për pasuritë natyrore të Shqipërisë ndërsa pjesa e dytë përmban të dhëna të detajuara e shumë interesante për mënyrën e organizimit të bujqësisë. Studimi për bujqësinë do të realizohej nga Umberto Rosati dhe nga Gaetano Baudin.

    Ky i fundit, krahas të dhënave, lidhur me mënyrën sesi ishte ndarë toka në zonat e zhvilluara të vendit, bën një analizë të rentabilitetit të çifliqeve të asaj periudhe, kohë në të cilën akoma nuk ishte realizuar Reforma e parë Agrare…

    Një pjesë e rëndësishme e raportit të ekipit italian i kushtohej çështjes së pronësisë dhe stadit të zhvillimit të bujqësisë në terësi.

    Kjo pjesë e materialit do të përgatitej nga profesor Umberto Rosati dhe do të përmbante në mënyrë të detajuar të dhëna për mënyrën sesi ishte ndarë prona, si funksiononin fermat, taksat që paguheshin, marrëdhëniet mes bejlerëve dhe bujqve, të drejtat dhe detyrimet etj.

    Në Shqipëri pronësia e tokës ishte pak e ndarë: dominonin kudo, por veçanërisht në Shqipërinë e mesme dhe atë të jugut si dhe në zonat fushore, çifligjet e mëdha që ishin në pronësi të shtetit, të bejlerëve apo të pashallarëve, shumë nga të cilët zotëronin mijëra e mijëra hektarë tokë.

    Sipas Rosatit, origjina e këtyre pronësive të mëdha private nuk ishte e largët; ajo fillonte nga koha e sulltanit Abdul Hamid i cili u jepte tokë shtetërore subjekteve të ndryshme që tregonin besnikëri apo që kishin influencë. Po ashtu, ishin krijuar pronësi të mëdha si rrjedhojë e blerjes me çmime të ulëta nga qeveria turke.

    Në një bilanc të përgjithshëm që bën profesori italian, ai del në konkluzionin se 2/3 e pronës në Shqipëri i përkistë pronarëve të mëdhenj privatë ose shtetit dhe vetëm 1/3 e saj i përkiste pronarëve të mesëm e të vegjël.

    Kjo na jep të kuptojmë se në vitin e parë të pavarësisë, Shqipëri nuk kishte një copëzim të skajshëm të tokës bujqësore e të pronave. Skema që përdorej në këtë periudhë ishte që pronarët e tokave i jepnin ato me qira, ku familje të ndryshe vinin në pronë, banonin aty, punonin tokën dhe një pjesë të prodhimit e mbanin vetë e një pjesë tjetër ia jepnin pronarit të tokës.

  • Zbulohet plani i rusëve për të pushtuar Shqipërinë në gusht 1962

    Zbulohet plani i rusëve për të pushtuar Shqipërinë në gusht 1962

    Sa shumë gjëra mbeten të panjohura! Sa shumë gjëra koha i varros me sukses për dekada me radhë! Sovjetikët tërheqin në qershor 1961 nëndetëset dhe anijet nga baza e Vlorës, por nuk e mbledhin dot më mendjen.

    E shohin veten të humbur, ndihen të acaruar, të pavlerësuar dhe përfundimisht hedhin në letër planin e pushtimit të Shqipërisë. Një plan ushtarak pushtimi, me sulm nga deti dhe toka. Një pushtim që duhet të realizohej medoemos para datës 1 shtator 1962. Një plan që refuzohet vetëm nga Rumania, por edhe nga Josip Tito në momentet e kurorëzimit. Por për fat edhe një plan i mbetur në letër për shkak të krizës së raketave në Kubë, një impenjim që duket kishte sfumuar planin për pushtimin e shtetit të pabindur shqiptar.

    Këto “xhevahire” ruhen në arkivat e ushtrisë së ish-Bashkimit Sovjetik. Mbase krejt të panjohura nga shqiptarët, por jo nga liderët e tyre të kohës, Enver Hoxha me shokë, që shpejtuan të përqafonin kinezët duke u kërkuar, para së gjithash asistencë e ndihmë ushtarake, por edhe duke nisur të gërmonin llogoret e para e më tej edhe vendstrehimet nëntokësore. Kështu që për herë të parë mbase, paranoja e Enver Hoxhës, frika e tij se do sulmohej ushtarakisht, fillimisht nga sovjetikët, të paktën në këtë rast ka një justifikim… Materialet për këtë shkrim janë marrë nga një punim i Doktorit të Shkencave të Historisë, Aleksandër Okorokov me titull “Zig-zaget e politikës shqiptare”, publikuar më 16 shkurt 2009.

    ENVER HOXHA ZGJEDH SOVJETIKËT

    “…në korrik të vitit 1947, në Moskë u realizua takimi i parë i Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha me liderin sovjetik, Josif Stalin. Mysafiri habitet nga gjithçka; edhe nga thjeshtësia e kabinetit, edhe nga butësia e sjelljes së të zotit, edhe nga gjykimet e tij të prera. Me sa u duk edhe lideri shqiptar i bëri përshtypje të mirë Stalinit. Bisedat me Stalinin dhe Molotovin u materializuan në një marrëveshje për t’i dhënë ndihmë të konsiderueshme dhe kredi Shqipërisë, në pajisje industriale e trajnim të specialistëve.

    Shqipërisë iu dha një kredi preferenciale, rreth 6 milionë dollarë amerikanë – një shumë të madhe për ato kohë. Gjatë këtij takimi u vendos dhe për dhënien e armatimeve, por pa pagesë. Më 11 gusht 1947, pa ndonjë lidhje të njohur me momentin, Enver Hoxha u nderua nga qeveria sovjetike me Urdhrin Suvorov të Klasit të Parë. Vizita e delegacionit qeveritar shqiptar shkakton tension në Beograd. Frika mos humbiste një pozicion ushtarak të rëndësishëm strategjik, aktivizoi jugosllavët. Nën presionin e tyre, në radhët e aparatit shtetëror dhe partiak shqiptar u bënë spastrime. Një numër politikanësh të njohur, që mbështesnin afrimin me Bashkimin Sovjetik iu nënshtruan represioneve, ndërsa një pjesë, e akuzuar për ‘veprimtari shoviniste antijugosllave’, u ekzekutuan. Në dhjetor 1947 Shqipërinë e vizitoi Shefi i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, K. Popoviç i shoqëruar edhe nga dy drejtues politikë, po të forcave të armatosura.

    Qëllimi i vizitës së tij ishte përforcimi i lidhjeve në fushën ushtarake, dhe në veçanti të realizohej futja në rajonin e Korçës të një divizioni jugosllav, si plotësim i një regjimenti ajror, gjoja për mbrojtjen e përbashkët të kufijve jugorë të Shqipërisë, nga një sulm në përgatitje e sipër i monarko-fashistëve grekë dhe imperialistëve anglo-amerikanë. Këto lëvizje shkaktuan një protestë aktive të vendeve perëndimore, si dhe një reaksion negativ në Bashkimin Sovjetik. Dhe nëse të parët i frikësoheshin zgjerimit të sferës socialiste të influencës, pakënaqësia e udhëheqësit sovjetik në një shkallë jo të vogël ishte shkaktuar nga rrethana se Beogradi e kishte marrë këtë vendim pa një marrëveshje paraprake me Moskën. Në mesin e prillit 1948 në Shqipëri u dërgua një kopje e letrës së Komitetit Qendror të Partisë Komunistë të Bashkimit Sovjetik (b) të datës 27 mars, që akuzonte Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe liderët e saj për linjë anti-sovjetike, gabime oportuniste dhe revizionim të parimeve themelore të marksizmit-leninizmit. Para Shqipërisë u ngrit një pyetje e vështirë: Më kë palë të bëheshin? Vendimi u mor në favor të Bashkimit Sovjetik.

    Më 1 korrik 1948, Qeveria shqiptare lajmëroi anulimin e marrëveshjeve me Jugosllavinë dhe largimin nga vendi të këshilltarëve jugosllavë, numri i të cilëve në këtë kohë përbëhej nga rreth 600 njerëz. Kursi i ri politik, që zgjodhi vendi, nisi me spastrimet nga radhët e partisë dhe ndryshimin e emrit të saj, nga komuniste në Parti e Punës, sipas një këshille personale të Stalinit. Në kuadrin e marrëveshjeve për ndihmë ndaj Shqipërisë, nisën të dërgoheshin mallra industriale e ushqimore si dhe të lëshoheshin kredi. Paketa më e madhe e marrëveshjeve tregtare e ekonomike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë nënshkruhet në prill 1957. Qeveria sovjetike e çliroi Sh qipërinë nga pagesa e kredive, shuma e të cilave deri në këtë kohë kishte shkuar në 422 milionë rubla. Bashkimi Sovjetik e ndihmoi Shqipërinë të vendoste shtyllat e ekonomisë, ndërtoi 93% të gjithë infrastrukturës për naftën dhe industrinë minerare, rreth 90% të transportit automobilistik, solli më shumë se 80% të traktorëve dhe 65% të makinave të tjera bujqësore.

    Një ndihmë e konsiderueshme u dha edhe në fushën ushtarake. Një vëmendje e veçantë ju kushtua përforcimit të bregdetit të Adriatikut. Fakti ishte se në këtë periudhë i gjithë rajoni i Mesdheut futej në zonën e rivalitetit mes NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Situata në zonë u ndërlikua me futjen në vitin 1952 të Turqisë dhe Greqisë në NATO. Në këto kushte mundësia nga ana e Turqisë të kontrollonte ngushticat e Bosforit dhe të Dardaneleve, e vetmja rrugë detare në jug, që lidhte Bashkimin Sovjetik me detet e tjera dhe oqeanin botëror, si dhe prezenca konstante në Mesdhe e Flotës së 6 Amerikane, përbënin një kërcënim të pashmangshëm për sigurinë e Bashkimit Sovjetik. Hapat e parë për ndryshimin e situatës u ndërmorën në fillim të viteve 1950. Në fund të majit 1954 në Shqipëri shkoi një skuadër e anijeve luftarake sovjetike të kryesuara nga kryqëzori “Admiral Nahimov”…

    Në një nga ditët e qëndrimit në Shqipëri, në radën e portit të Durrësit, në një nga anijet tona erdhën drejtuesi i florës, Admirali Gorshkov dhe Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel, Beqir Balluku. Anija ngriti spirancën dhe shpejt shkoi në gjirin e Vlorës, ku drejtuesit e lartë vëzhguan një port natyral të pozicionuar në mënyrën më të jashtëzakonshme… Në fund të viteve 1950 nisi të realizohej plani i themelimit të një venddislokimi të përhershëm të anijeve sovjetike në Shqipëri. Në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, nga 26 korriku 1957 deri në 22 prill 1959 në gjirin e Vlorës nisi të ndërtohej baza luftarako-detare si dhe një aerodrom ushtarak…

    PRISHJA E MADHE

    …Kulmin e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e shënoi vizita e Hrushovit në Shqipëri, në maj të vitit 1959. Kjo ishte vizita e parë në këtë vend e një zyrtari të një rangu kaq të lartë të shtetit sovjetik. Gjithsesi periudha e euforisë kaloi shpejt. Shqiptarët nisën të afroheshin më shumë me kinezët, duke e ndjerë se me ndërrimin e partnerit do të kishin më tepër përfitim. “Ndëshkimi” sovjetik nuk vonoi. Mallrat nisën të vinin me vonesë dhe jo të plota si dhe u refuzuan kërkesat për furnizim me traktorë sovjetikë etj… …Pas mbledhjes së Moskës, udhëheqja sovjetike i kaloi mosmarrëveshjet politike në sferën e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe u shkua në zgjidhjen e lidhjeve ekonomike.

    Vijoi anulimi nga ana sovjetike i kredive për të cilat ishte rënë dakord, të dhëna për planin e tretë pesëvjeçar (1961 – 1965)… Nga Shqipëria u tërhoqën specialistët që punonin në ndërmarrjet shtetërore, ndërsa studentëve shqiptarë, përfshirë edhe ata që merrnin leksione të taktikave ushtarake, ju hoq e drejta të vazhdonin studimet në Bashkimin Sovjetik… Nga shkurti i vitit 1961 Moska i vuri zhurmues edhe transmetimit të valëve të Radio-Tiranës në gjuhën ruse. Në mars të vitit 1961 Presidiumi i KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik vendosi likuidimin e bazës së Vlorës, miratuar në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Politik Konsultativ të vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës.

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Beqir Balluku, që merrte pjesë në këtë mbledhje, protestoi për këtë vendim duke deklaruar se Shqipërinë po e linin të vetme përballë Flotës së 6 Amerikane. Por ky kundërshtim  nuk gjeti mbështetje. Sipas marrëveshjes sovjetoshqiptare, në Vlorë u lanë 4 nëndetëse, baza lundruese “Nemçinov” dhe infrastruktura bregdetare. Sipas të dhënave nga shtypi i emigrantëve (diaspora shqiptare, red.), nëndetëset, që i’u dhanë shqiptarëve në fillim të viteve 1970, vazhdonin të bënin dezhurn luftarak në detin Adriatik…

    PLANI I PUSHTIMIT TË SHQIPËRISË

    Në mesin e vitit 1961, në Moskë u përpunua plani i zgjidhjes forcërisht të “problemit shqiptar”. Ai parashikonte përmbysjen e Enver Hoxhës me ndihmën e komunistëve shqiptarë “besnikë të idealeve socialiste” dhe drejtimit të tyre ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës me kërkesën për “ndihmë ushtarake”. Pas kësaj, ushtarët e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera socialiste, veç Rumanisë, që refuzoi të merrte pjesë për “ndihmë”, duhet të futeshin në Shqipëri nga veriu dhe lindja, – përmes Jugosllavisë, dhe nga jugu, – përmes detit Jon. “Çlirimi” i Shqipërisë ishte planifikuar të realizohej jo më vonë se 1 shtatori 1962.

    Por, acarimi i marrëdhënieve sovjeto-amerikane për shkak të Kubës (Kriza e Karaibeve) nuk lejoi realizimin e planit në afatet e parashikuara. Duke përfituar nga kjo shtyrje, udhëheqja shqiptare mori masa parandaluese. Pranverën e vitit 1962, gjatë kohës së vizitës së radhës së Enver Hoxhës dhe kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu, në takimin me liderët kinezë, Mao Ce Dun dhe Çu En Lai, u arrit marrëveshja për ndihmë të gjithanshme Shqipërisë nga ana e Kinës. Pas kësaj në vend nisën të shkonin këshilltarë ushtarakë kinezë, armatime, municione. Në kohë të shkurtër nisën të ndërtoheshin vendstrehime nëntokësore, të cilat në vitin 1968 përfshinë pothuaj të gjithë territorin e vendit. Njëkohësisht u bë edhe pastrimi i radhëve të partisë, në radhë të parë të aparatit shtetëror. Si rezultat i kësaj, në vitet 19601962 u rinovua në masën deri në 70 për qind përbërja e Komitetit Qendror, udhëheqjes si dhe shumë ministrive dhe departamenteve. Këto masa “kuruese” i realizonte Sekretari i KQ të Partisë së Punës, Ramiz Alia, që u bë më pas pasardhës i Enver Hoxhës. Në verën e vitit 1962 Moska i’u rikthye “çështjes shqiptare”. Roli kryesor i planit për “destalinizimin” e vendit iu dha liderit jugosllav, J. Tito.

    Në Moskë bënin llogari se, aleanca shqiptaro-kineze, politika antijugosllave dhe propaganda e Tiranës, dhe gjithashtu apeli në rritje i Enver Hoxhës kundër “diskriminimit të shqiptarëve të Kosovës”, do ta detyrojnë Beogradin të bashkëpunonte me Bashkimin Sovjetik. Në korrik të vitit 1962 Nikita Hrushovi i kërkoi Titos leje për kalimin e ushtrisë së Traktatit të Varshavës përmes Jugosllavisë drejt kufijve shqiptarë. Por, duke mos marrë parasysh konfliktet me Enver Hoxhën, Titua refuzoi ta ndihmonte Hrushovin. Për më tepër ai konfidencialisht i lajmëroi krerët shqiptarë për planet e Moskës, por edhe Kryeministrin indian, Nehru, Presidentin e Egjiptit, Naser dhe atë të Indonezisë, Sukarno (Tito ishte përfshirë në një aleancë politike me këto shtete, red.) për synimet e Hrushovit për ti dhënë një “mësim” të mirë Tiranës.

    Duke iu frikësuar daljes në publik të këtyre planeve, Moska vendosi të tërhiqej, ndërkohë që konflikti me amerikanët për shkak të Kubës, tashmë në kulmin e vet, ndryshoi përfundimisht prioritetet gjeopolitike të sovjetikëve. Gjithsesi humbja e Shqipërisë pati pasoja të rënda jo vetëm për Bashkimin Sovjetik. U dobësua në mënyrë të ndjeshme pozita strategjiko-ushtarake e gjithë kampit socialist përballë bllokut të NATO-s. Sipas publicistit gjerman Harry Hamm, “për vendet komuniste të Ballkanit që nga kjo kohë u bë e pamundur të zbatonin një politikë të pandryshuar në marrëdhëniet me Turqinë e Greqinë pa ndihmën e fuqishme të Bashkimit Sovjetik”. Për sa i përket Shqipërisë, ajo deri në vitin 1978 ndoqi këshillat e “mikut të ri”, Kinës së Madhe dhe shfrytëzoi kreditë e saj.

    Më tej, për disa vjet me radhë, u gjend pothuaj në izolim të plotë politik. Në kohën e krizës jugosllave Presidenti shqiptar, Sali Berisha (zgjedhur më 4 prill 1992) mbështeti SHBA në përpjekjet për të mbushur vakumin e krijuar në Evropën Lindore pas daljes prej andej të Bashkimit Sovjetik. Duke u përpjekur për të përfituar nga vendndodhja e Shqipërisë, si një nga pikat më të rëndësishme strategjike të Mesdheut Lindor, vendit iu ofrua ndihmë ushtarake. Për këto qëllime, në buxhetin e Pentagonit u parashikuan kredi në masën 2 milionë USD për blerjen e armëve dhe uniforma për ushtrinë shqiptare. Qeveria dhe Berisha, nga ana e tyre, vunë aerodromet në dispozicion të avionëve zbulues amerikanë. Kjo e ndihmoi NATO-n të realizonte vëzhgime aktive të territorit të Bosnjës në vitin 1995″