Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit live ditën e sotme me qytetarët në rubrikën “Sy m’sy”, tha se synojnë që pensionin minimal deri në vitin 2030 ta çojnë 200 euro. Ndërsa atë mesatarin synon ta çojnë në 700 euro.
Rama: Pensionet bazohen te fondi i sigurimeve. Ne synojmë që deri në 2030 të arrijmë te minimumi 200 euro. Ndërsa për ata që janë me sigurime të plotë të kenë pension mestar 700 euro. Kjo është rruga. Rruga tjetër është e katastrofës. Pensionistët po marrin bonuse domethënëse, ndërsa ne gradualisht do e çojmë pensionin në atë minimalin që sapo thashë.
Kundërshtarin e tij politik, Sali Berishën, e quajti “të rrjedhur”, dhe jo për shkak të moshës. Rama siguroi se vetëm PS mund ta fusë Shqiëprinë në BE.
Rama: Bufi i kënetës që është në rrjedhje është e qartë. Nuk është çështje moshe, por çështje e atyre që e lënë dhe bëhet meme përditë. Vetëm unë dhe PS e kyçim Shqipërinë në BE, nuk e bën dot askush tjetër. Cilido tjetër, minimalisht do të shkaktonte një shtyrje apo një vonesë që do të çonte në mbylljen e asaj dere që është hapur. Duhet të fokusohemi përtej të gjithave atyre që kemi në raport me njërin apo tjetrin. S’mund të më thuash që administrate shqiptare është somaleze. S’mund të më thuash sepse 95% të shërbimeve i merr nga telefoni. 620 milionë euro u janë kursyer shqiptarëve.
Theksoi se fokusi është te Bashkimi Evropian dhe pasaporta evropiane, në mënyrë që shqiptarët të trajtohen njësoj si qytetarët evropianë.
Rama: Pasaportën europiane e merr vetëm nëse Shqipëria futet në BE dhe Shqipërinë në BE e fusim vetëm unë me PS. Ky është interesi, duke nisur që në aeroport që të mos të të ndajnë veç. Kur të hysh në BE, të jesh duke treguar pasaportën që ka të njëjtën vlerë si e vendeve të tjera. Pra lërini këto, çfarë rrugësh janë? Fokusu tek BE-ja dhe tek pasaporta jote.









