Çdo mëngjes miliarda njerëz në mbarë botën e fillojnë ditën me një filxhan kafeje. Por ky ritual i përditshëm po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë.
Kolumbia, Brazili dhe Vietnami janë tre prodhuesit më të mëdhenj të kafesë në botë. Megjithatë prodhimi i kafesë po përballet me sfida serioze. Temperaturat e larta dhe reshjet e paqëndrueshme po ndikojnë negativisht tek bimët e kafesë.
Sipas studimeve deri në vitin 2050, gjysma e tokave të përshtatshme për kultivimin e kafesë mund të zhduken.
Ndryshku i gjetheve
Përveç kushteve atmosferike, fermerët po luftojnë edhe me sëmundje si “La Roya”, një lloj ndryshku i gjetheve që ka shkatërruar deri në 50% të prodhimit në disa rajone të Amerikës Latine.
“Më parë, një pemë kafeje prodhonte qindra kokrra. Tani mezi nxjerrim gjysmën. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë“, thotë për DW Cristian Cano, kultivues kafeje në Kolumbi.
Kjo krizë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun botëror. Vetëm në vitin 2024 çmimi i varietetit Arabica u rrit me 80%, një nga rritjet më të mëdha në dekada.
Nga një kafe e lirë, në një kafe luksi?
Në Shqipëri kafeja nuk është thjesht një pije – është një traditë, një moment social dhe një zakon i përditshëm. Por çmimet kanë filluar të rriten ndjeshëm dhe shumë vetë pyesin: A po e humbasim “kafen e lirë” si pjesë të kulturës sonë?
Sipas Enri Jahajt, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe të Restoranteve, Shqipëria ka funksionuar për vite me një treg anormal të kafesë:
“Ne kemi qenë një treg i korruptuar në këtë aspekt, sepse nuk jemi prodhues dhe as pjekës të mëdhenj të kafesë. Shumica e kafesë që përdoret këtu është e importuar. Për vite me radhë, çmimi i kafesë në Shqipëri ka qenë më i lirë se në vendet e rajonit, gjë që nuk përkon me logjikën e tregut të lirë. Tani që rregullat janë përforcuar, rritja e pagave dhe taksave po sjell një ndryshim në treg. Kjo po ndikon drejtpërdrejt te bizneset, të cilat janë të detyruara të përshtatin çmimet, sepse kanë edhe koston e personelit. Rritja e kostove është një realitet i pashmangshëm”, thotë Jahaj.
Sa është rritur dhe sa pritet të rritet çmimi i kafesë?
“Brenda një viti çmimi i kafesë është rritur me 20%, dhe pritet të rritet edhe me 20% të tjera. Në Tiranë çmimi mesatar i një filxhani kafeje tashmë është 90-130 lekë, ndërsa në zonat elitare arrin deri në 150 lekë. Sipas parashikimeve gjatë muajve të ardhshëm çmimi minimal pritet të shkojë në 120 lekë, ndërsa ai maksimal do të mbetet në të njëjtat nivele”, shpjegon Jahaj.
A do të kthehet kafeja në luks në Shqipëri? Për momentin ajo mbetet ende një kënaqësi e përditshme për shumicën e shqiptarëve. Por me ritmet aktuale të rritjes së çmimeve, mund të vijë një ditë kur një filxhan kafeje nuk do të jetë më aq i përballueshëm sa dikur./DW
Tag: shqipëri
-

A rrezikon Shqipëria të humbasë “kafen e lirë” si traditë?
-

Këto janë 10 plazhet më të bukura shqiptare sipas revistës “Condé Nast Traveler”
Revista prestigjioze që merret me udhëtimet dhe rekomandime për turistët ka prezantuar 10 plazhet më të bukura shqiptare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpërndarë në Facebook linkun e këtij shkrimi për 10 plazhet më të bukura shqiptare.
“10 plazhet më të bukura shqiptare sipas revistës prestigjioze të udhëtimeve ‘Condé Nast Traveler’, një super promovim i bregdetit tonë në edicionin spanjoll të saj”, shkruan Rama.
“Ndërsa veriu i Shqipërisë shquhet për malet e tij, pjesa më jugore e tij ju fton të dorëzoheni në plazhet parajsore ku dielli, çadrat dhe Mesdheu gjenerojnë sinergji unike. … Ajo që është e sigurt është se plazhet e Shqipërisë mundësojnë pushime verore që nuk do t’i harroni kurrë…”, shkruhet në këtë revistë.
Plazhi i Ri dhe Uji i Ftohtë në Vlorë
Vlora, 150 kilometra nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, është një qytet port ku bashkohen detet Jon dhe Adriatik, kilometra rërë dhe shkëmbinj.
Ky vend tërheq të gjithë turistët, gjë që ‘përkthehet’ në plazhe dhe ambiente për të gjitha shijet.
Himarë
Himarë, qyteti tjetër në rivierën që shkon në jug. Në këtë qytet të qetë peshkimi, jeta kalon mes tavernave tradicionale greke dhe resorteve moderne, në një pasqyrim të vërtetë të Shqipërisë, e hapur ndaj potencialit të saj turistik, pa humbur nga sytë rrënjët e saj.
Opsioni më i mirë për t’u humbur në det pranë Himarës është Llaman, një plazh shumë i njohur në turizmin vendas. I ankoruar mes dy kodrave, ky liman me guralecë është imazhi ideal i një plazhi në këtë anë të Mesdheut: ejani dhe mrekullohuni.
Sarandë
Një nga destinacionet e arta turistike të Ballkanit, nganjëherë Saranda do t’ju kujtojë Levantin. Qyteti po përjeton një bum ndërtimi dhe kodra është e mbushur me hotelesh dhe ndërtesa.
Buneci
Buneci jeton në hijen e Sarandës. Turistët do të gjejnë një plazh thuajse të ‘shkretë’ me guralecë të bardhë.
Pavarësisht se ka një infrastrukturë turistike, Buneci mbetet praktikisht i paprekur. Përtej nja dy kafenesh tradicionale dhe një hoteli, e vetmja gjë që do t’ju shoqërojë do të jetë zhurma e dallgëve dhe nuk keni nevojë për asgjë tjetër.
Ksamil
Nëse do të duhej të zgjidhnim plazhin më të mirë të plazheve më të mira në Shqipëri, Ksamili do të ishte, të paktën, në mesin e tre finalistëve. Ky arkipelag, 20 kilometra larg Sarandës, nuk është më një imazh kartolinë, por një ëndërr.Dhe nëse vetëm shikimi i tyre është mbresëlënës, prisni derisa të arrini në plazhet me rërë të bardhë (rëra, e panjohura e madhe në një zonë ku guralecat janë mbreti i plazhit)… E paharrueshme.
Dhërmiu
Edhe pse mund të mos ju tingëllojë i njohur, plazhi i Dhërmiut është një nga më të njohurit në vend. Ky plazh është një nga më të mëdhenjtë në Shqipëri, aq sa edhe në mes të gushtit nuk do ta keni të vështirë të gjeni një hapësirë private.
Drymades
Në Drymades do të gjeni rërë të imët, guralecë të bardhë dhe ullinj, por edhe shezllone dhe çadra shumëngjyrëshe.
Po ashtu ka bare moderne në plazh dhe të gjitha llojet e akomodimit.
Qeparo
Qeparo (ndoshta) mban titullin e plazhit më të matur dhe më pak të udhëtuar në Rivierë. Ky fshat, fotogjenik sodit Mesdheun nga dy shkëmbinj.
Plazhi i Qeparos, është një “sekret” i ruajtur mirë në rajon – aq sa ndoshta nuk do të shihni shumë turistë përreth.
Borsh
Shtatë kilometra plazh i patrazuar. Pikërisht në jug të Qeparos, të arrini në Borsh është një pamje surreale, e ndarë nga shkëmbinjtë dhe limanet në një nga rrugët bregdetare më dramatike në vend.
I rrethuar nga ullinj dhe kodra, ky plazh është çuditërisht dhe pavarësisht bukurisë së tij, një nga më pak të vizituarit në Shqipëri. Mesdheu i dikurshëm, në gjendjen e tij më të pastër.
Gjipe
Në bregun jugor, ndodhet një plazh (pothuajse) i fshehtë i quajtur Gjilek. E pacenuar dhe pa njerëz ka të bëjë shumë me aksesin e saj të komplikuar, pasi mund të arrihet vetëm me varkë ose duke ecur për gati gjysmë ore përgjatë një shtegu që fillon nga qyteti i Gjilekut dhe përshkon kanionin e mrekullueshëm që e rrethon, me shkëmbinjtë e saj të lartë dhe ujërat e kristalta.
Gjiri i Gramës
I vogël dhe magjepsës, me rërë të imët të bardhë, ky është plazhi i Gjirit të Gramës, një gji i fshehur mes shkëmbinjve të thepisur dhe i rrethuar nga bimësi të harlisur. E qasshme kryesisht nga deti për shkak të vendndodhjes së saj të largët dhe të izoluar, këtu do të gjeni atë për të cilën keni ardhur në Shqipëri: ujërat e kristaltë dhe bruz të detit Jon.
Gjithashtu mbishkrime të lashta të gdhendura në shkëmbinj që datojnë që nga koha romake dhe greke.
Durrësi
Mos u trembni nga madhësia e Durrësit, qyteti i dytë më i populluar në Shqipëri, sepse përveç ruajtjes së mbetjeve romake, si amfiteatri, banjat termale dhe ujësjellësi, ai është i bekuar me një shtrirje plazhi të gjatë rreth dhjetë kilometra. -

“830 euro është rroga mesatare sot në Shqipëri” Rama: Nga 1 janari 2026, paga minimale 500 euro
Nga janari i vitit 2026, paga minimale në vendin tonë do të jetë 500 euro, u shpreh kryeministri Edi Rama. Gjatë komunikimit me qytetarët në “Sy m’sy”, Rama tha paga mesatare sot në Shqipëri është 830 euro.
“Kur ne morëm detyrën pagën mesatare në sektorin publik, pra në punë shteti e kishim 372 euro edhe që sot vitin 2024 e mbyllëm me 1 mijë euro pagën mesatare, Instati, pra referoju Instatit. Pra kemi bërë një rritje shumë të lartë, po të them pagën mesatare të përgjithshme, atë të kombinuarën, se atë sektor publik, sektor privat e kishim 322 dhe e kemi sot e kemi sot 830 euro. 830 euro është paga mesatare sot në Shqipëri e përgjithshmja. Ajo në sektorin publik është 1 mijë euro, si qenka njësoj. Po paga minimale? Paga minimale e kishim 157 euro e kemi 400 euro dhe me vendim siç e kam thënë edhe më parë në qershor do ta bëjmë 500 euro, që do të hyjë në efekt nga janari 2026 pagën minimale 500 euro. Ndërkohë që, shumica e kompanive, shumica e bizneseve e kanë shumë më të lartë pagën minimale. Çfarë të të të them. Kush nuk do të dëgjojë nuk dëgjon, është më shurdh sesa ai që realisht ka probleme e dëgjimin. Kush nuk do të shikojë është më i verbër se ai që ka probleme me shikimin, dihet kjo”.
-

“Dasma e Lunxhërisë” në 1874 shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri
Muzeu Historik Kombëtar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, përkujtoi fillimet artistike të teatrit në Shqipëri. Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi. Në materialin e Muzeut Historik Kombëtar thuhet se ajo u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër. “Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirëfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit””, thuhet nga Muzeu Historik Kombëtar.
Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: Andon Zako Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros“ (1906), etj. Muzeu Historik Kombëtar vijon më tej se teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë. “Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar”, thuhet në materialin e Muzeut Historik Kombëtar (MHK). Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios. -

Raporti: Stoku aktual i ndërtesave më i ulët se kërkesa, ja si rritja e shpejtë e turizmit ka shtuar nevojën për…
Në Shqipëri, sektori i ndërtimit ka pësuar një rritje të shpejtë, duke dhënë kontribut të konsiderueshëm edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Por, me rritjen e numrit të turistëve në Shqipëri, a mjafton kapaciteti aktual i apartamenteve për të përballuar kërkesën, apo duhet një valë e re ndërtimesh? Në raportin e Altax, krahasohet kapaciteti i stokut aktual i apartamenteve, me kërkesën. Sipas të dhënave të Altax, për 12-15 milionë turistë në vit, me një qëndrim mesatar praj 5 ditësh dhe një hapësirë mesatare prej 22 m2 për turist, përkthehet në një nevojë të lartë për sipërfaqe akomoduese, që tejkalon stokun bosh të apartamenteve në treg. Por cila është zgjidhja që mund të përballojë flukset turistike pa ndërtime të reja? Një ndër zgjidhjet, është përfshirja e banesave të shqiptarëve rezidentë, të diasporës dhe të huajve që kanë investuar në Shqipëri në pasuri të paluajtshme, gjë e cila do të mundësojë kërkesën për strehim e cila mund të mbulohet pa pasur nevojë për një bum të ri ndërtimesh.
Por aktualisht a mjafton stoku aktual i ndërtimeve për një fluks mujor mesatar hyrjesh deri në 1 milion vizitorë? Altax, vlerëson nëse stoku aktual i ndërtimit është i mjaftueshëm për të mbështetur një fluks mujor të pritshëm prej më shumë se 1 milion vizitorë, duhet të merren parasysh disa faktorë kryesorë, duke përfshirë kapacitetet e akomodimit, infrastrukturën dhe kërkesat për shërbime që do të ndodhin si pasojë e këtij fluksi. E kësisoj, stoku aktual i ndërtimit mund të jetë një bazë e dobishme për të mbështetur një fluks të madh vizitorësh, por do të jetë i pamjaftueshëm nëse nuk ka investime dhe zhvillime të shpejta për të krijuar më shumë kapacitete akomoduese dhe infrastrukturore. Për një fluks mujor prej deri në 1 milion vizitorë, do të duhet të zgjerohet ndërtimi dhe infrastruktura, të krijohen më shumë mundësi akomodimi dhe të sigurohen burimet e nevojshme për mbështetje të një fluksi kaq të lartë turistik. -

Begaj pret me ceremoni zyrtare homologun sllovak. Hera e parë që një president nga Sllovakia vjen në Shqipëri
Presidenti Bajram Begaj priti paraditen e sotme homologun e tij sllovak, Peter Pellegrini. Kreu i shtetit bën të ditur se kjo është hera e parë që një president nga Sllovakia vjen në Shqipëri.
Begaj e priti homologun e tij në Presidencë me një ceremoni zyrtare.“Sot, për herë të parë një President sllovak në Shqipëri. Mirë se erdhe në Tiranë, Peter Pellegrini!”, shprehet presidenti Begaj.
Pas takimit, Begaj dhe Pellegrini pritet që të zhvillojnë edhe një deklaratë të përbashët për shtyp. -

Ka lindur në Shqipëri, këngëtari: Jam grek! Nuk kam kujtime të mira nga atje
Këngëtari Christos Santikai, i cili ka lindur në vendin tonë, ka folur për periudhën kur u zhvendos nga Shqipëria në Greqi me familjen e tij.
Gjatë një interviste për mediat greke, këngëtari ka deklaruar se kujtimet e tij për Shqipërinë janë të pakta, si pushkatimet, për shkak të luftës civile. Reklama në FieriWeb – “VEGA GROUP”
Lidhur me vendimin për t’u larguar nga vendi i tyre, Christos Santikai ka shpjeguar se ai është marrë brenda natës, pasi nuk kishte zgjidhje tjetër.Reklama në FieriWeb – “VODAFONE ALBANIA”
“Kam lindur në vitin 1994 në Shqipëri dhe kam ardhur në Greqi në vitin 1997. Kam ardhur këtu në moshën e djalit tim, vogëlush. Nuk mendoj se jam larguar nga shtëpia sepse nuk e ndjej. Më duket sikur jam grek dhe jam rritur këtu. Të vetmet kujtime që kam janë të shtënat me armë zjarri, sepse ato kanë filluar edhe në qytetin tim”, ka thënë ai.
Reklama në FieriWeb – “PASTIÇERI “RUSTEMAJ”
-

Oferta delirante e Ramës për investitorët e huaj
Kryeministri Edi Rama ofertoi investitorë të huaj që të investojnë sa më shpejt në Shqipëri, pasi sipas tij, është një mundësi e artë që nuk do të përsëritet. E tha këtë në konferencën “Match-Maker Albania 2025”, me mbi 1000 pjesëmarrës nga 37 shtete “Është koha për të investuar në Shqipëri”, kumtoi Rama.
Por si e arsyetoi këtë thirrje?
“Është koha për të blerë qoftë edhe një gur në Shqipëri, sepse nesër mund të jetë vonë. Nesër të gjithë do të duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Kështu që çfarëdo doni të blini, blijeni tani. Është një moment kur Shqipëria nis të lulëzojë dhe ende nuk është plotësisht e njohur për potencialin që ka, por kur të gjithë ta marrin vesh, nuk do të jetë më aq e lehtë sa është sot”, u shpreh kryeministri.
E megjithatë, duket se realiteti ka tjetër gjuhë. Nivelet e shpopullimit të Shqipërisë janë bërë të frikshëm tashmë, duke shënuar fenomenin më problematik të pas-komunizmit, me pasoja në ekonomi, jetë sociale e shoqërore. /tesheshi.com/ -

Rama: TikTok u mbyll! Shqiptarët gjejnë “zgjidhje” me VPN, Berisha: E kam dhe unë! (REAGIMET)
TIRANË- “TikTok” nuk është më i aksesueshëm në shumicën e telefonave smart. Kështu të paktën bëri me dije sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë “takimit” të tij me qytetarët në rubrikën “Sy m’sy”. Që në mëngjes, Rama dha lajmin se aplikacioni nuk mund të përdoret më, duke kërkuar durim derisa “TikTok” të hapet në një moment të dytë. Lajmin e konfirmoi edhe Saimir Kapllani nga Drejtoria e Riskut dhe Kontrollit. Sot, aplikacioni nuk u hapet më atyre që kanë të lidhur shërbimin 4G apo 5G me kompanitë telefonike, por në të gjithë aparatet që kanë wireless, “Tik Tok” hapet pa problem.
“Mbrëmë në orën 12 të natës është finalizuar faza e parë në rrjetin mobile, faza e radhës është mbyllja në rrjetin fiks, në bashkëpunim me operatorët do implementojmë masa të tjera teknike.”
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK, tha për ZËRI-n se në bashkëpunim me entet rregullatore si Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe ofruesit e shërbimeve të internetit (ISP), po zbaton një strategji teknike për filtrimin e aksesit ndaj platformës “TikTok”.
“Kjo përfshin përdorimin e metodave të filtrimit të DNS, IP dhe SNI (Server Name Indication) për të bllokuar platformën TikTok. Procesi është duke u zbatuar në disa faza. Një pjesë e tij është tashmë në funksion, ndërsa fazat e tjera teknike po finalizohen. Implementimi teknik shfaq kompleksitet dhe mendohet që brenda pak ditësh bllokimi i aksesit të jetë implementuar në territorin e Republikës së Shqipërisë,”-shkruan AKSK në përgjigje për “ZËRI”.
Po ashtu, kreu i qeverisë, paralajmëroi qytetarët që përdorin aplikacione të tjera për të ndryshuar “VPN” që të kenë kujdes, pasi sipas tij, kjo mënyrë, është shumë e rrezikshme.
“Dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Rrini pa TikTok për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri dhe do të paraqesë planin për adoleshentët”.
I pari që duket se nuk e ka dëgjuar paralajmërimin e Ramës është kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit, në një konferencë për shtyp tha se ai vetë e ka shkarkuar një aplikacion për “VPN” dhe me të lundron si më parë në aplikacionin që tashmë është kthyer në të ndaluar në vendin tonë.“Kjo e imja (llogaria në TikTok) është në rregull, kam shkarkuar VPN dhe është në rregull. I ftoj të rinjtë të shkarkojnë VPN dhe të vazhdojmë betejën tonë kundër censurës. Nuk duhet t’i nënshtrohemi censurës, është një akt i shëmtuar,”- tha Berisha në konferencën për mediat.
Ndërkohë që nga masat e marra ka përfituar edhe kompania “ProtonVPN”. Pasi lajmëruan se përdorimi i ‘ProtonVPN’ në Shqipëri është rritur 1200%, vazhdojnë dhe bëjnë reklamë për veten në rrjetin “X”. Në një postim të pak ditëve më parë, shkruajnë: Lufta për lirinë e Internetit vazhdon në Shqipëri. Proton VPN-i është zgjidhja më e mirë falas për të rifituar qasje të hapur në internet. Shpërndaje këtë me njerëzit që e di se janë prekur nga faza e fundit e censurimit të internetit në Shqipëri.
Por që prej mëngjesit, shumë ekspertë kanë dalë në media dhe kanë këshilluar qytetarët që të mos përdorin VPN, për të ruajtur kështu të dhënat personale që kanë në celularë. Besmir Semanaj thotë se: Përdorimi i VPN maskon trafikun dhe vendndodhjen e personin që e përdor. VPN falas që ndodhet në Google dhe Apple e bëjnë edhe më të sigurt përdoruesin. VPN zyrtare ofrojnë edhe versione falas. Por kjo nuk do të thotë që të nxisim qytetarët që t’i përdorin.
Ndërsa Erion Demiri, ekspert IT, thotë se TikTok-u do të jetë sërish në telefonat e shqiptarëve edhe pa qenë nevoja e një VPN-je.
“Metoda më normale me të cilën mund të mbyllet një platformë është duke dhënë një sasi të madhe adresash për ISP-të e ndryshme, të cilat kanë për detyrë që të bllokojnë këto adresa. Për momentin, ofruesit e shërbimit të internetit dhe kompanitë telefonike po i bllokojnë manualisht këto adresa. Nuk është kjo mënyra që duhet të ishte zgjedhur. Kjo është mënyra më e vështirë dhe njëkohësisht më pak efikase, sepse platformat e mëdha si TikTok-u i ndryshojnë vazhdimisht adresat e tyre. Nëse ne arrijmë një rezultat, ato do ta ndryshojnë shumë shpejt adresën dhe do të kthehet në një lojë,”- shtoi eksperti.
Por, çfarë është VPN?
VPN (Virtual Private Network) është një aplikacion që fsheh adresën IP të përdoruesit dhe vendndodhjen e tij. Për këtë arsye, shumë përdorues po kthehen te përdorimi i VPN për të shmangur bllokimin e TikTok-ut në Shqipëri, pasi me VPN përdoruesit duket sikur e përdorin internetin nga një vend tjetër, duke i mundësuar aksesin në platformë. Por ekziston rreziku që disa VPN falas mund të mbledhin informacionin tuaj dhe ta shfrytëzojnë atë për qëllime komerciale, si shitjen e të dhënave personale te kompani të tjera. Kjo mund të rrezikojë privatësinë.
Pse u mbyll TikTok?
Vendimi për bllokimin e TikTok u mor nga qeveria pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Kryeministri Edi Rama tha se dhuna dhe gjuha e urrejtjes që shpërndahet në TikTok po ndikon për keq në shoqëri, ndaj pas një diskutimi me prindër dhe mësues, vendosën për mbylljen e TikTok. Por, pas vendimit ka pasur një reagim nga kompania mëmë, e cila bëri me dije se i mituri nuk kishte një llogari në aplikacionin e tyre, por në “Snapchat”. Këtë version e ka mbështetur edhe familja e Martin Canit. Megjithatë, duket se sqarimi i tyre nuk është marrë parasysh për vendimin final.
Ndërkohë, një ditë më parë, Asocacioni për Gazetarët Shqiptarë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen anti-kushtetues të vendimit të qeverisë shqiptare për mbylljen e platformës TikTok.
Kur do hapet TikTok?
Tashmë, kompania, e cila ka 1.5 milion përdorues shqiptarë, thuhet se është në diskutime me qeverinë Rama për të sjellë një paketë me masa sigurie. Nga kreu i qeverisë është bëre me dije se Ministria e Arsimit dhe Sportit së bashku me autoritetet rregullatore sektoriale pritet të komunikojnë dhe negociojnë me përfaqësuesit e platformës “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera online, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë. Ndërsa kryedemokrati Sali Berisha thotë se do ta rihapë TikTok më 12 maj, nëse fiton zgjedhjet parlamentare./ZËRI -

I rrezikohej jeta në Sierra Leone, riatdhesohet në Shqipëri 19-vjeçari
Një i ri shqiptar është riatdhesuar në atdhe, pasi ndodhej në rrezik në shtetit afrikan të Sierra Leone.
Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet F. T., 19 vjeç, teksa ka qenë e ëma e tij, e cila pak ditë më parë ka bërë denoncimin në Ministrinë e Jashtme dhe ka kërkuar ndihmë për djalin e saj.
Raportohet se pas komunikimit dhe mbështetjes nga autoritetet vendase dhe partnerëve ndërkombëtarë, është bërë e mundur që 19-vjeçari të riatdheshohet në Shqipëri në gjendje të mirë.
E ëma e të riu ka deklaruar se djali i saj ndodhej prej 5 muajsh në Afrikë, por nuk dihet arsyeja pse ai kishte shkuar në Sierra Leone.