Tag: shqipe

  • Dita e Alfabetit/ Rama ndan urimin: Fjala shqipe vazhdon të…

    Dita e Alfabetit/ Rama ndan urimin: Fjala shqipe vazhdon të…

    Nëpërmjet një postimi, kreu i qeverisë Rama, ka uruar Ditën e Alfabetit.
    “Gëzuar Ditën e Alfabetit, ditën që vulosi shqipen jo vetëm si kod gjuhësor, por si një univers identiteti, mendimi e kulturash në rrugën drejt së ardhmes ku fjala shqipe vazhdon të ndërtojë historinë e një kombi që shpirtin e ka te gjuha.” – shkruan Rama.

  • “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” në 1972,  tubim shkencor gjithëkombëtar i mbajtur në Tiranë  

    “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” në 1972,  tubim shkencor gjithëkombëtar i mbajtur në Tiranë  

    Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt në Tiranë nga 20 nëntor deri më 25 nëntor të vitit 1972. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë shprehet se “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” ishte një ngjarje me rëndësi të shumanshme mbarëkombëtare. IGJL sjell në vëmendje dhe një material përgatitur nga prof. dr. Emil Lafe, marrë nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar , Tiranë 2008. “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Tubim shkencor gjithëkombëtar i mbajtur në Tiranë nga 20-25 nëntor 1972. U thirr për të nxjerrë përfundimet e diskutimit të gjerë për drejtshkrimin, që kishte filluar më 1967, pas botimit të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” (projekt), për të caktuar parimet dhe vijat themelore të hartimit të drejtshkrimit në trajtë përfundimtare, si edhe për të vendosur për një varg çështjesh të tjera, të përgjithshme e të veçanta, të drejtshkrimit e të gjuhës letrare kombëtare në tërësi.
    Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Kosova, nga Shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni e në Mal të Zi dhe nga Arbëreshët e Italisë. Ndërmjet tyre kishte studiues dhe pedagogë të gjuhës shqipe, mësues, shkrimtarë, publicistë, botues, veteranë të arsimit dhe të kulturës e të tjerë”, thuhet në materialin e prof. dr. Lafes. Në kongres, vijon materiali i prof. dr. Emil Lafes u mbajtën një referat qendror me temën “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj” (Androkli Kostallari) dhe mbi 150 kumtesa e referime shkencore (gjithë materialet e Kongresit janë botuar në dy vëllime: “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe” I, II, Tiranë, 1973). “Kongresi bëri bilancin e gjithë punës së mëparshme për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
    Pas diskutimeve të gjera në seanca plenare dhe në dy seksione ai miratoi njëzëri “Rezolutën”, që është një sintezë e mendimit dhe e vullnetit të përbashkët të njerëzve të shkencës, të shkollës dhe të kulturës shqiptare. Duke bërë përgjithësimin shkencor të analizës së strukturës dhe të veçorive funksionale të gjuhës së sotme letrare shqipe, rezoluta pohoi për herë të parë se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”. Kongresi shënoi fillimin e periudhës së një gjuhe letrare të vetme të njësuar, e cila u mbështet edhe me vendimin e posaçëm të Këshillit të Ministrave “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” (nr. 50, dt. 08.03.1974)”, thuhet në materialin e prof. dr. Emil Lafes. Ndër të tjera në material prof. dr. Lafe thotë se Kongresi i Drejtshkrimit pati jehonë të gjerë në jetën shoqërore e kulturore të vendit. Një ditë më parë edhe Muzeu Historik Kombëtar kujtoi këtë tubim shkencor, i cili u kthye në një nga ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare.
     

  • 53 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

    53 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

    Sot mbushen 53 vjet nga hapja e punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

    Në Kongresin e Drejtshkrimit të 20 nëntorit 1972 në Tiranë të pranishëm ishin albanologë nga mbarë trevat shqiptare.

    Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, si dhe nga arbëreshët e Italisë.

    Qëllimi i Kongresit ishte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar. Gjuha letrare u krijua që shqiptarët të kuptoheshin më lehtë me njëri-tjetrin dhe të vihej një standard i përhershëm drejtshkrimor.

    Në unifikimin e standardeve të gjuhësh shqipe, rol të rëndësishëm ka luajtur delegacioni nga Prishtina.

    Kongresi u pasua pas një takimi me rëndësi që ishte mbajtur në Prishtinë, ku ishte vendosur për shumë standarde gjuhësore.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    FILMA TË SHKURTË NGA GJILANI VIJNË NË KINO ARMATA

  • Begaj në Gjirokastër: Gjuha shqipe, identitet kombëtar që duhet ta mbrojmë me përkushtim

    Begaj në Gjirokastër: Gjuha shqipe, identitet kombëtar që duhet ta mbrojmë me përkushtim

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Gjirokastër. Në kuadër të ditëve të shënuara të nëntorit, Presidenti Begaj u ftua nga shoqata atdhetare Labëria – Nder i Kombit në takimin mbarëkombëtar për gjuhën shqipe, një aktivitet i organizuar në bashkëpunim me universitetin “Eqerem Çabej”.
    Gjatë kësaj vizite Presidenti Begaj përcolli mesazhe të rëndësishme për sa i përket ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe.
    Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit vlerësoi domethënien e thellë të gjuhës shqipe si “shpirti dhe ashti i kombit shqiptar”, duke e lidhur aktivitetin me datat e shenjta të muajit të nëntorit në javën e alfabetit.
    Presidenti i Republikës vlerësoi kontributin e deritanishëm për ruajtjen, përcjelljen dhe pasurimin e gjuhës shqipe, ndërsa bëri apel për një strategji të re për mësimin shqip të fëmijëve që jetojnë jashtë.
    Presidenti Begaj theksoi kontributin e figurave të shquara gjirokastrite, si Eqerem Çabej dhe Ismail Kadare në studimin, pasurimin dhe lartimin e shqipes, duke përmendur shprehjen e Kadaresë se “Gjuha është atdheu”.
    Presidenti i Republikës u ndal veçanërisht në rolin historik të Kongresit të Manastirit në unifikimin e alfabetit shqip.
    “Kongresi i Manastirit i vitit 1908 mbetet një ndër momentet më të ndritura të historisë shqiptare. Pas Kuvendit të Lezhës dhe Lidhjes së Prizrenit, ishte Kongresi i Manastirit që përcaktoi rrugën e bashkimit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve përmes njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Me atë vendim u hodhën themelet e identitetit tonë modern dhe u ndez drita e një bashkimi që do të përgatiste pavarësinë”, – theksoi Presidenti Begaj.
    Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e mësuesve, prindërve, shoqatave kulturore dhe klerikëve që po mbajnë gjallë gjuhën amtare në Diasporë.
    “Ata janë ambasadorët e gjuhës sonë në botë dhe meritojnë mirënjohjen e përjetshme të kombit tonë”, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se përpjekjet e tyre kanë nevojë për mbështetje më të fortë, për një vizion të përbashkët e të qëndrueshëm.
    “Ne duhet të jemi kujdestarët e vetëdijshëm të gjuhës sonë, ta mbrojmë me dashuri dhe urtësi, duke e përditësuar dhe duke e përshtatur me kohën”, – u shpreh Presidenti Begaj.
    Në mbyllje, Presidenti i Republikës falënderoi organizatorët dhe universitetin “Eqerem Çabej” për kontributin në promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke theksuar se “ruajtja e shqipes është ruajtja e vetë atdheut”.
    Kreu i Shtetit u prit nga Kryebashkiaku Flamur Golemi dhe autoritetet vendore, e po ashtu zhvilloi vizita në Shtëpinë Muze të Ismail Kadaresë, në Obeliskun e Arsimit dhe në kalanë e Gjirokastrës.

  • Kur në Paris mësohej gjuha shqipe

    Kur në Paris mësohej gjuha shqipe

    “Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të premten e 31 marsit 1939, në faqen n°4, një shkrim në lidhje çeljen e një kursi të gjuhës shqipe në Paris, që, Aurenc Bebja e sjell për publikun shqiptar:

    Shoqëria për mësimin e gjuhëve të huaja në Francë

    “Shoqata për përhapjen e gjuhëve të huaja në Francë njofton çeljen e një kursi në gjuhën shqipe, i cili na duket interesant ta lajmërojmë jo vetëm për gjuhëtarët, por edhe për turistët që duan të shkojnë me pushime gjatë brigjeve të Adriatikut dhe kështu mund të përfitojnë nga njohja, madje edhe minimale e kësaj gjuhe, për të shkëmbyer me popullatën shqiptare.

    Regjistrimi bëhet në sekretariatin e Shoqërisë – Hôtel des Sociétés savantes, 28 rue Serpente, Paris.”

    ObserverKult

    LEXO EDHE:

    Çka shkruante shtypi francez për Mit’hat Frashërin më 1909?

  • Kujdes: Këto dy gabime po i bëjnë shumica, ja si duhet të shkruhen…

    Kujdes: Këto dy gabime po i bëjnë shumica, ja si duhet të shkruhen…

    Nga shumë problemet që has sot gjuha shqipe nga përdoruesit e saj (folësit dhe shkruesit), sjellim këtu dy prej tyre:

    1. Mospërdorimi i pjesëzës “të” të së ardhmes së dëftores (do të).Pjesëza “të” e kohës së ardhme të mënyrës dëftore (do të) sot është drejt zhdukjes dhe rëndom hasim: “Do shkojmë…” dhe jo “Do të shkojmë..” ose: “Do e shohim…” dhe jo “Do ta shohim…” Madje, është për të ardhur keq, që këtë formë shkurtimi e gjejmë pothuajse në gjithë librat artistikë, dokumente të rëndësishme etj., dhe jo vetëm në gjuhën e folur. Nuk ka pse të na duket e tepërt, kur kjo pjesëz ka rolin dhe rëndësinë e vet.

    2. Mospërdorimi i trajtës së shquar me mbaresat e saj përkatëse tek emrat dhe shkurtimet.Në shumë artikuj të ndryshëm, shkresa, dokumente, madje edhe tituj veprash, emrat e personazheve nuk lakohen në rasat përkatëse, kur e dimë se gjuha shqipe ka 5 rasa, me mbaresat e saj përkatëse. P.sh. hasim: Erdhi Aldo dhe Eno. Ndërkohë që duhet: Erdhi Aldoja dhe Enoja. Ose: Putin takoi Merkel., kur duhet: Putini takoi Merkelin. Ose: Kështu raportoi sot ATSH, kur duhet: Kështu raportoi sot ATSH-ja./S. Agolli

    ObserverKult

    ————————

    Lexo edhe:

    A DUHET TA RISHIKOJMË DREJTSHKRIMINJA SI SHKRUHEN SHKURT DISA NGA FJALËT NË FJALOR!

    Tabela e shkurtimeve është listë në një fletë të fjalorëve që jep shpjegime për shkurtimet e fjalëve dhe shenjave të përdorura në atë fjalorë.

    Zakonisht e gjeni në faqet e para apo të fundit të librit.

    Për fjalorët shqip-shqip zakonisht përdoret lista e shkurtimeve e paraqitur më poshtë. Po ashtu edhe për fjalorët tjerë d.m.th të kodeve në gjuhët tjera në shpjegimet në gjuhën shqipe përdoret një listë e tillë.

    ana. – term nga anatomia.antrop. – term nga antropologjia.arb. – fjalë a shprehje e arbëreshëve të Italisë ose të Greqisë.arkeol. – termë nga arkeologjia.arkit. – term nga arkitektura.art. – term nga arti ose artikullas. – emër i gjinisë asnjanëse; në gjininë asnjanëse.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU

  • Basri Çapriqi: Historia e letërsisë shqipe është shembulli më ekstrem ku historia gllabëron tërësisht letërsinë

    Basri Çapriqi: Historia e letërsisë shqipe është shembulli më ekstrem ku historia gllabëron tërësisht letërsinë

    Nga Basri Çapriqi

    Words, words, nothing but words… (fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë) është një frazë e shkëputur nga Shekspiri dhe e vënë moto e kongresit të PEN- it Ndërkombëtar, organizatës më të madhe të shkrimtarëve të të gjithë botës, organizuar sivjet në kryeqytetin e kulturës europiane të këtij viti në Linz të Austrisë. Një arsenal i fuqishëm vizuelo- teknik është përdorur për të dominuar kryeqytetin e kulturës europiane me këtë frazë të Shekspirit, për të tërhequr vëmendjen e lexuesit nga pushtetet e fuqishme tek pushteti i fjalës si dhe për të kthyer edhe një herë vëmendjen e krijuesit kah fuqia e fjalës. Kambana të këtilla që vihen në veprim gjithnjë e më shpesh janë sinjale që kërkojnë të aktivizojnë me tërë fuqinë mekanizmin e litararitetit, shpeshherë të rrezikuar apo të hedhur në plan të dytë, kur bëhet fjalë për artin letrar, prezantimin e librit dhe interpretimin e vlerave letrare, hartimin e historive të letërsisë dhe mësimin e letërsisë në sistemin shkollor.

    Historia e letërsisë si degë e shkencës së letërsisë, që në fillet e veta, këtu e 200 vjet më parë ka rënë në kthetrat e historisë dhe për fatin e keq të saj, asnjëherë nuk ka arritur të dalë përfundimisht nga pushtimi i saj. Shekulli XIX dhe shekulli XX janë dy shekuj ku historia e letërsisë kërkon identitet, kërkon objektin dhe qëllimin e saj të qartë dhe sipas të gjitha gjasave asnjëherë nuk është arritur të ftohen debatet kundërshtuese që kulmojnë me atë pyetjen: a mund të ketë letërsia histori. Fati i keq për artin letrar koincidon edhe me dominimin e metodës pozitiviste në hartimin e historive të letërsisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX e në disa vende edhe më vonë deri gati në fund të shekullit XX siç ndodh me letërsinë shqipe. Te shumë popuj, historitë e letërsisë, të kualifikuara si klasike janë hartuar gjatë kësaj kohe.

    Historia e letërsisë shqipe është shembulli më ekstrem ku historia gllabëron tërësisht letërsinë. E supozuar si një hulumtim dhe studim i veprave letrare dhe autorëve të tyre në një rrjedhë historike të krijimit dhe zhvillimit të saj, historia e letërsisë bëhet fushë ku lëvizin jo autorë veprash letrare po bartës të kauzës së kombit, të çlirimit e te përgatitjes së terrenit ideologjik ku do të zhvillohen betejat e mëdha të historisë. Historia ka imponuar vijat të cilat duhet t’i ndjekë me përpikmëri historia letërsisë gjatë procesit të periodizimit ku ka përputhur deri në absurditet shtrirjen e formacioneve letrare me kufijtë e epokave historike, me fillimet e revolucioneve politike apo me datat e formimit të të lëvizjeve kombëtare që kanë lëvizur fatet e kombit. Rrjedhimisht, periudhat letrare janë emërtuar me terme historike duke lejuar në këtë mënyrë dominimin total të historisë së letërsisë nga historia. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me letërsinë shqiptare sado që në rastin e letërsisë sonë herë herë, defektet marrin përmasa karikatureske. Sadoqë janë botuar histori të letërsisë me metodologji shumë moderne, nëpër vende të ndryshme, duke shkuar deri në shkëputje totale të çdo lidhjeje që ka prodhimi letrar me historinë dhe rrethanat shoqërore, historitë e letërsisë të quajtura klasike kanë vazhduar të mbajnë, për çudi, gjithë frenat e referencave mbi trashëgiminë letrare si dhe një pronësi në marketimin e vlerave letrare.

    Ndërrimet e epokave historike, sidomos në rastet kur ndërrohet një sistem politik i cili ka prekur drejtpërdrejt lirinë e fjalës dhe zëvendësohet me një tjetër ku liria e fjalës bëhet pjesë fundamentale e lirisë në përgjithësi, nuk ka se si të injorohet nga historianët e letërsisë. Kufijtë e epokës historike detyrimisht do të përputhen me kufijtë e periudhave letrare. Kjo që ka ndodhur në decenien e fundit të shekullit XX në Europën e Lindjes me rënien e komunizmit, ka prekur drejtpërdrejtë gjuhën e letërsisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kur shtetet e Europës së Lindjes u katandisën brenda një perandorie ku ndalimi i fjalës së lirë dhe censura bëhet fundament i filozofisë së stabilitetit të shtetit. Këto përmbysje sistemesh politike prekin drejtpërdrejt natyrën e artit, stilet letrare, metodat e studimit si dhe format e receptimit. Por, historianët e letërsisë, madje as nën presionin e këtyre thyerjeve të cilat detyrimisht përputhen edhe me ndërrimet e periudhave letrare nuk mund të lejojnë që tërë arsenali terminologjik politik të okupojë terminologjinë e shkencës së letërsisë.

    Historitë e letërsisë janë shndërruar në histori të ideve të mëdha të cilat lidhen me krijuesit e tyre, me shkrimtarët. Edhe historia e letërsisë shqipe është histori e gjithë ideve të mëdha që kanë lëvizur kombin në tërë historinë e zhvillimit të tij. Po a mund të mos jetë kështu. Hajdeger thotë se të gjitha idetë e mëdha kanë lindur në letërsi dhe pastaj janë zhvilluar diku tjetër. Prandaj nuk mund të bësh histori të letërsisë pa histori të ideve të krujuara nga vetë shkrimtarët dhe nga letërsia. Po Eliot ka mendimin se idetë që lindin në letërsi nuk kanë ndonjë peshë të madhe madje as ato që dalin nga veprat e Shekspirit. Janë fusha të tjera ku idetë marrin zhvillim me përmasat që arrijnë të lëvizin globin. Prandaj historia e letërsisë nuk mund të shndërrohet në regjistrues dhe as në katalog të ideve ashtu sikundër nuk mund ti konsiderojë idetë të pa peshe për letërsinë.

    Po kush janë autorët dhe si zënë ata vend në kierarkinë e e vlerave të përgjithshme? Historia e letërsisë shqipe njeh dy farë autorësh, deri në decenien e fundit të shekullit XX. Autorë si Vëllezërit Frashëri, De Rada,Migjeni, Fan Noli, Dritero Agolli, Gjerqeku, Esad Mekuli, Hivzi Sulejmani, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj apo Kadare të cilët përveçëse janë autorë të një pjese të trashëgimisë letrare që vlerësohet në të gjitha kohët e pakontestueshme, janë të vlerësuar dhe janë në paqë me shtetin. Me ta insiston të identifikohet shteti sa herë që i duhet të ketë dekore kulturore. Një gjë të këtillë e bën Mbretëria e Bashkuar me Shekspirin duke u identifikuar me trashëgiminë e tij si një trashëgimi mbretërore. Përmendet Teatri i Shekspirit ku luhen vetëm veprat e këtij kolosi gjatë tërë vitit dhe ku mbretëria shkëlqen në sfondin kulturor shekspirian. Kritikët akuzojnë Mbretërinë jo Shekspirin.

    Në anën tjetër janë autorët me të cilët shteti është në armiqësi si Gjergj Fishta, Koliqi, Camaj, Pipaj, Lasgushi, Konica,Trebeshina, Demaçi, Jusuf Gërvalla etj. Me këta shteti provon të identifikohet që nga decennia e fundit e këtej me një dozë revanshi ndaj të parëve. Historianët e letërsisë e kanë ndjekur si me inercion, për cudi, këtë trase që e skicon më parë historia. Edhe autorë si Lasgush Poradeci, Martin Camaj apo Anton Pashku, si tre nga shkrimtarët më apolitikë që ka njohur letërsia shqipe, si tre shkrimtarët më të paangazhuar që synonin një art të pastër, janë vendosur në taborrin e shkrimtarëve që medoemos bartin kauzën e kombit të angazhuar për të përmbysur pushtete. Të gjithë ata që i kanë ngritur mbi këtë piedestal nuk u kanë bërë ndonjë shërbim të mirë, i kanë vënë në piedestal të gabuar, aty ku ata nuk kanë synuar asnjëherë.

    Këto 20 vitet e fundit, kritikë, studiues, historianë të letërsisë, me synimin për të sanuar defektet e historisë të shekullit të mëparshëm ku shkrimtarë të shquar janë ekskomunikuar dhe përjashtuar nga historia e letërsisë si dhe nga jeta letrare e intelektuale në përgjithësi me mekanizma politike, shpeshherë me po ato mekanizma janë munduar t’i kthejnë në vendin e tyre. Meqë kanë pranuar të përdorin të njëjtin mekanizëm, pra joletrar, për tu dhënë vendin e vet të merituar e më parë të mohuar, ata nuk i kanë kontribuar shumë krijimit të një historie të letërsisë ku hierarkia ndërtohet me mekanizmin letrar. Për të hipur në rendin e parë të kësaj hierarkie, për çudinë e gjithë neve, nuk mjafton vepra letrare, qoftë edhe opuse grandiose titujsh. Me peshe ka një letër dërguar diktatorit. Disidenca bëhet mekanizmi kryesor që i hip dhe i zhdryp autorët letrarë në krye të hierarkisë. Përsëri një mekanizëm joletrar, sado fisnik e me vlerë është ky kapitull në fondin e aktivitetit qytetar të autorit.

    Andaj mendoj se është i dobishëm fakti që historianët shqiptarë të letërsisë nuk u morën vesh apo nuk arritën të bëjnë ndonjë histori të letërsisë nën këtë presion të madh të historisë. Tash pas 20 vitesh më duket se u thanë të gjitha, çduhej thënë dhe mbase, çnuk duhej thënë. U hoqën lavdet e shpifura vënë mbi disa autorë në të shkuarën dhe u shpifën lave të reja e u vunë mbi të tjerë. Është koha t’i bashkohemi motos që kanë vënë gjithandej shkrimtarët e botës me frazën e Shekspirit: Words, words, nothing but words…

    2009

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    BASRI ÇAPRIQI: DRITAREN LËRE HAPUR

  • Dokumenti i parë i gjuhës shqipe i shkruar 563 vite më parë në Mat

    Dokumenti i parë i gjuhës shqipe i shkruar 563 vite më parë në Mat

    Në Kishën e Shën Trinisë në Mat, 563 vite më parë është shkruajtur “Formula e pagëzimit”, dokumenti i parë i gjuhës shqipe.

    Më 8 Nëntor të vitit 1462, u mbajt një kuvend kishtar i kryesuar nga Arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, mik e bashkëpunëtori i ngushtë i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Pushtimi osman në viset shqiptare shkaktoi një shtyrje dhe çrregullime jo vetëm në organizimin fetar, por në tërësi në të gjithë fenë katolike.

    Kuvendi pati qëllimin kryesor të diskutohej dhe të merreshin vendime e urdhëresa të rëndësishme për të rregulluar gjendjen ekzistuese në të gjithë besimin katolik.

    Në kuvend morën pjesë një shumicë klerikësh të Shqipërisë së Mesme dhe Veriore, peshkopi i dioqezës Lisit, Andrea, parija e vendit dhe një mori e panumërt e popullsisë së kësaj zone. Ndër të tjera, krahas rregullave dhe urdhëresave që u miratuan në kuvend, Pal Engjëlli, la të shkruar në gjuhën shqipe formulën e pagëzimit, në mënyrë që të lexohej nga priftërinjtë gjatë pagëzimit të fëmijëve, në mungesë të priftërinjve të shqiptohej kjo formulë edhe nga prindërit e fëmijëve.

    Mbajtja e këtij kuvendi është e dokumentuar, brenda një regjistri prej 37 fletësh prej pergamene, që është gjetur në bibliotekën Laurentina të Firences në Itali në vitin 1916 nga studiuesi rumun Nikolla Jorga. Shtatë fletë të këtij regjistri përmbajnë vendimet, urdhëresat, rregullat e shpallura nga Pal Engjëlli si dhe formulën e pagëzimit në gjuhën shqipe që përkon edhe me dialektin matjan.

    Më konkretisht: “V’NTE PAGHEZONIT PREMENIT ATIT ET BIRIT ET SPERTIT SENIT”, dhe shqipërimi “UN TË PAGËZOJ PËR EMËNIT ATIT E T’BIRIT E T’SHPIRTIT SHENJT”.

    Formula e pagëzimit, edhe pse një fragment i shkurtër, përbën një rëndësi të veçantë pasi është një monument i shqipes së hershme mesjetare. Është një dëshmi e re mbi shkrimin e gjuhës shqipe në një datim më të hershëm se Meshari i Gjon Buzukut (vitit 1555), që ishte konsideruar si dëshmia e vetme dhe më e hershme e shkrimit të shqipes.

    E pra mbi këtë bazë mund të themi se Mati është vendi i shkrimit të parë të shqipes, i “Formulës së Pagëzimit”, dokumenti i parë të gjuhës shqipe i datuar në vitin 1462.

    Sot në rrënojat e Shën Trinisë, që gjenden në fshatin Dazjan të Matit, në Njësinë Administrative Macukull qëndron edhe një memorial kushtuar këtij kuvendi të rëndësishëm kishtar.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    UMBERTO EKO: SHUMICA PO E PRANOJNË SE ËSHTË MË MIRË TË JESH NJË HAJDUT I MIRËNJOHUR, SESA NJË I NDERSHËM I INJORUAR

  • Arbneshët e Kroacisë dhe veçantia e veshjeve të tyre tradicionale

    Arbneshët e Kroacisë dhe veçantia e veshjeve të tyre tradicionale

    Arbanasit janë një popullsi që flasin gjuhën shqipe dhe i përkasin kryesisht fesë së krishterë, katolike. Janë vendosur që prej vitit 1700 në rrethinat e Borgo Erizzo në qytetin e Zarës në Kroaci. Arbanasi i Kroacisë (Arbneshi) është vendbanimi në juglindje të gadishullit të Zarës. Sot pjesë e qytetit të Zarës.

    Ky vendbanim është krijuar në shek. e XVIII me ardhjen e shqiptarëve nga viset jugore të Liqenit të Shkodrës . Ishin tri faza të shpërnguljes (në vitin 1721, 1726-27 dhe 1733). Banorët e këtij vendbanimi e kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën e të parëve.

    Në vitin 1721 nga fshatrat rreth liqenit të Shkodrës, sidomos Ljarje dhe Shestan u shpërngulën disa familje shqiptare dhe u vendosën në fshatin Zarë të Dalmacisë.

    Lëvizja e tyre e padëshiruar, ishte e lidhur me shkaqe historike. Më të mundshmet ishin luftrat e shpeshta, sëmundjet e ndryshme, kërkesat e qeverisë osmane për nizamë. Por edhe kushtet e papërballueshme ekonomike, kërkesat e qeverisë osmane për t’u asimiluar në fenë myslimane.Familjet shqiptare u vendosën në Zarë, qytet kroat me një histori të lashtë 3 mijë vjeçare. Në literaturën historike njihet si qendër e fisit ilir të Liburnëve. Kolonitë shqiptare në brigjet Dalmate përbëjnë një rast të veçantë të ruajtjes së identitetit arbëror. Tek këto koloni pasqyrohen elemente të veçanta të identitetit shqiptar. Kolonia e parë që daton në vitin 1721, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e familjeve shqiptare që vërshuan në vitet e mëpasme drejt Kroacisë. Ato i strehuan dhe ndihmuar bashkëkombasit e tyre për të mbijetuar nga përndjekjet e pushtuesve turq ose nga shantazhet e fqinjëve sllavë. Nuk e harruan asnjëherë origjinën e tyre shqiptare. Nuk shkëputën lidhjet me tokën mëmë.

    Pas shpërnguljes së parë, kemi edhe shpërngulje të tjera masive në vitet 1726, 1727, 1733. Duhet theksuar se kolonitë shqiptare të Zarës në Dalmaci i kanë rezistuar rebeshëve të kohës. Ato nuk janë asimiluar nga fiset sllave. Kanë ruajtur gjuhën, doket, zakonet, emrat, mënyrën e jetesës.

    E pohojnë kurdoherë prejardhjen e tyre arbërore. Në përgjithësi flasin shqip, sidomos brenda familjes duke synuar të ruajnë dhe transmetojnë brez pas brezi gjuhën e tokës amë. Veç gjuhës, arbneshi i Zarës ka ruajtur edhe emrat e mbiemrat shqiptarë.

    Kështu, në Zarë takojmë emra të tillë si Gjon, Gjergj, Mark, Pjetër, Teutë. Ruajtën tradicionalisht mbiemrat e vendilindjes së tyre si Kamsi, Gjergji, Deshpali, Petani, Çoba, Nikpali, Luka, Gjini, Gjoni, Vuka, Nika etj,. Po ashtu edhe toponime me origjinë shqipe. Kështu, në Zarë takon emra vendesh si: Fusha e varreve, Fusha e Arbneshit, Gropa Shkamip, Kisha, Kullat etj, duke ruajtur kështu emërtime të pastra shqipe. Arbneshët e Zarës janë njerëz me kulturë, traditë dhe shije.

    Shkolla shqipe në Arbneshët e Zarës u hap në vitin 1901 dhe qëndroi e hapur për 17 vjet deri më 1918. Interesant është fakti se mësuesit e parë të saj kanë qenë prelatët e nderuar të fesë katolike si atë Shtjefën Gjeçovi, atë Pashk Bardhi, prof. Anton Paluca, prof. Pal Gjergji.

    Në fund të shek. XIX edhe arbëreshët e Zarës dhanë një kontribut të shquar në lëvizjen për çlirimin kombëtar. Idetë e tyre patriotike intelektualët arbneshë i publikuan përmes gazetës së tyre “Zani i Shqyptarit” që u botua në disa numra në Zarë.

    Katundi Arbnesh i Zarës në Dalmaci ishte një vend i bukur, plot jetë dhe dritë, ndërtuar nga duar mjeshtrash me origjinë shqiptare. Duke qenë një fis me tradita kulturore dhe atdhetare, nga arbneshët e Zarës dolën edhe figura të shquara që përfaqësuan denjësisht kulturën, artin dhe letërsinë arbneshe.

    Të tillë mund të përmendim Shime Deshpalin, Aleksandër Stipçeviç, Josip Rela, Zef Duka, Pal Gjergji etj. Kanë qenë të paktë ata studiues apo biografë që janë marrë me këta figura të shquara, prandaj mbetën gati të panjohura nga sfera të ndryshme të kulturës në vendin tonë. Sot në Kroaci jetojnë rreth 19 mijë shqiptarë që pushteti kroat ka synuar ti asimilojë, por ata kanë mbajtur gjithmonë traditën dhe karakterin e tyre shqiptar.

    Nga Ariola Prifti/diasporashqiptare

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    VUANTE PREJ KOHËSH NGA NJË SËMUNDJE E RËNDË, NDAHET NGA JETA PIKTORJA E NJOHUR SHQIPTARE

  • Next Verse 2025/ Shkodra,  vendtakim i poezisë dhe kulturës mbarëshqiptare

    Next Verse 2025/ Shkodra, vendtakim i poezisë dhe kulturës mbarëshqiptare

    Shkodra, qyteti i artit dhe kulturës, u bë për dy ditë me radhë qendra e fjalës poetike dhe e krijimtarisë letrare shqiptare, me zhvillimin e Festivalit Letrar Mbarëkombëtar “Next Verse – Ku Shkojnë Fjalët”. Kjo ngjarje kulturore u organizua nga Biblioteka Publike “Marin Barleti” në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, duke sjellë një program të pasur me lexime, diskutime dhe reflektime mbi letërsinë e sotme shqipe.

    Mbrëmja e 31 tetorit shënoi hapjen zyrtare të festivalit në hollin e katit të dytë të Teatrit “Migjeni”, ku organizatorët mirëpritën autorët pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

    Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, Ledia Dushi, theksoi rëndësinë e bashkimit të zërave letrarë nga hapësira mbarëkombëtare dhe vlerën që ky festival ka në forcimin e dialogut kulturor përmes fuqisë së fjalës.

    Pas saj, foli Xhahid Bushati, i cili vlerësoi larminë krijuese të autorëve pjesëmarrës dhe u ndal në rëndësinë e kontributit të secilit prej tyre në pasurimin e letërsisë bashkëkohore shqipe, duke e parë këtë festival si një dëshmi të gjallë të vitalitetit kulturor që bashkon trojet shqiptare.

    Në ditën e dytë e festivalit, më 1 nëntor, Teatri “Migjeni” u kthye në një skenë të gjallë ku fjala poetike mori jetë përmes leximeve autoriale të mysafirëve të ftuar.

    Në sesionin e parë, publiku ndoqi leximet autoriale të Blerina Rogova Gaxha, Stefan Çapalikut, Durim Taçit, Donika Dabishevcit, Fahredin Shehut, Ndue Ukajt dhe Lena Ruth Stefanović. Poezitë dhe tregimet e tyre përshkuan temat e identitetit, kujtesës, dashurisë dhe përjetimit njerëzor, duke e mbajtur publikun të përfshirë në një përvojë të thellë ndjesish dhe reflektimesh.

    Më pas, zërat e Nora Prekazit, Lulzim Hazirit, Mark Lucgjonajt, Andreas Dushit, Marsela Neni, Artur Bakut sollën një valë të re fryme e energjie krijuese. Poezitë e tyre lëviznin nga personalja në universalen, nga përvoja intime te përballja me realitetin bashkëkohor.

    Salla e Teatrit “Migjeni” u mbush me jehonën e fjalës së gjallë, duke dëshmuar se letërsia shqipe vazhdon të ketë zëra të fuqishëm e të ndryshëm, që dialogojnë fuqishëm me publikun.

    Programi i festivalit pastaj vazhdoi me një vizitë në Varrezat e Rrmajve, një udhëtim ky për të nderuar personalitetet e kulturës që prehen në Shkodër, aty ku fjala jeton përtej kohës. Drejtues i këtij udhëtimi dhe folës ishte akademik Stefan Çapaliku.

    Aktiviteti pati karakter reflektues dhe kulturor, duke sjellë një ndalesë mbi historinë, arkitekturën dhe rëndësinë e këtyre hapësirave të kujtesës, si pjesë e traditës dhe identitetit të qytetit. Vizita u kthye në një moment përkushtimi dhe meditimi mbi lidhjen mes kujtesës, kulturës dhe vazhdimësisë së fjalës.

    Në mbrëmje, vëmendja u zhvendos në sallën “Koliqi” të Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, ku u zhvillua paneli diskutim me temën “Letërsia shqipe pas viteve ’90”. Studiuesit Prof. Dr. Anton Berishaj, Dr. Brikena Smajli dhe Dr. Fabio M. Rocchi sollën analiza të thelluara mbi transformimet e letërsisë shqipe në periudhën post-tranzicion, ndikimin e globalizimit në krijimtarinë bashkëkohore dhe rolin e autorit shqiptar në kontekstin e sotëm kulturor. Diskutimi u shoqërua me pyetje dhe komente nga publiku, duke e kthyer panelin në një forum të hapur mendimesh dhe vizionesh për të ardhmen e letërsisë shqipe.

    Që të gjitha këto sesione u moderuan nga poetja e njohur shkodrane Arjola Zadrima.

    “Next Verse – Ku Shkojnë Fjalët” nuk ishte vetëm një ngjarje letrare, por një rrugëtim shpirtëror dhe intelektual që bashkoi gjithë hapësirën shqiptare në një të vetme, përmes fuqisë së fjalës.

    Me këtë edicion, Shkodra forcoi rolin e saj si një prej qendrave më të gjalla të kulturës shqiptare, ndërsa festivali la pas një ndjesi të thellë bashkimi, frymëzimi dhe vazhdimësie.Në fund, fjalët e poetëve duket se gjetën përgjigjen e tyre: ato shkojnë atje ku dëgjohen, ku ndahen dhe ku prekin zemrën e tjetrit. Dhe për dy ditë, ato gjetën shtëpinë e tyre në Shkodër.

    ObserverKult