bledi cuci dhe bruna mersini
VLORË- Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Blendi Çuçi, është shfaqur i pashqetësuar nga pjesëmarrja tejet e ulët në zgjedhjet e pjesshme lokale, veçanërisht në qytetin e bregdetar. Në fjalën e tij krah Brunilda Mersinit, pas shpalljes së fitores së kësaj të fundit për Bashkinë Vlorë, ai u shpreh:
“Pjesëmarrja nuk është mesazh për PS, nga përqindja e votave u pa se shumica e votuesve ishin socialistët. Pjesëmarrja varet nga shumë faktorë, kjo mes të tjerash varet edhe nga fakti që nuk kishim një kundërshtar të fortë, është si në futboll që kur nuk ke një kundërshtar të fortë dhe dihet rezultati, stadiumi mbetet bosh. Kjo u vu re edhe në bashkitë e tjera. Gara në të gjitha bashkitë kishte ulje të pjesëmarrësve. Kjo nuk më shqetëson. Jam i lumtur që për herë të parë kemi në krye të Bashkisë Vlorë një grua”.
Në Vlorë, pjesëmarrja ishte rreth 12%, numri më i ulët i regjistruar ndonjëherë në vend. Pas mbylljes së numërimit, Bruna Mersini u shpall fituese me 15672 vota, e përkthyer në përqindje 78.44%. I dyti u rendit Dionit Sota dhe në vendin e tretë Gjergji Nika.
Me këtë rezultat, Mersini është zyrtarisht kryetarja e re e Bashkisë së Vlorës, duke shënuar një moment historik si gruaja e parë që merr drejtimin e këtij qyteti./ZËRI






