Tag: shprehet

  • Durrësi nis sezonin turistik/ Turoperatorët: Presim më shumë pushues se vjet

    Durrësi nis sezonin turistik/ Turoperatorët: Presim më shumë pushues se vjet

    Muaji Maj shënon nisjen e sezonit turistik në Durrës, duke sjellë me vete jo vetëm ditët me diell, por edhe vizitorët e huaj.
    Atmosfera pranverore, bashkë me përgatitjet e bizneseve lokale dhe operatorëve turistikë, e kanë kthyer tashmë qytetin në një prej destinacioneve më të kërkuara në bregun shqiptar.
    “Grupi i parë i turistëve nga ardhur nga Austria, të cilët kanë preferuar që pushimet e tyre t’i bëjnë në pranverë”, shprehet Blerim Norja, operator turistik.
    “Këtë vit sezoni turistik ka nisur më herët, pra në muajin Prill. Kemi prenotime. Kemi turistë nga e gjithë bota. Në periudhën Mars-Prill, ka pasur frekuentime nga britanikë, gjermanë dhe francezë”, shprehet Eduart Xhepa, operator turistik.
    Turistët thonë se Durrësin e zgjedhin jo vetëm për pushimet buzë detit, por edhe për pasuritë historike dhe trashëgiminë kulturore që ofron.
    “Jam nga Finlanda dhe vij për herë të parë në vendin tuaj. Unë jap mësim në universitet në Finlandë për zhvillimin e turizmit dhe është mbresëlënëse të shoh se si po zhvillohet turizmi këtu. Mendoj se njerëzit janë mjaft miqësorë dhe shumica flasin anglisht, por edhe ata që nuk dinë, mundohen të gjejnë mënyra të tjera komunikimi.”, shton turistja.
    “Ne jemi nga Islanda dhe vijmë për herë të pare në Shqipëri. Do të shkojmë për të parë amfiteatrin, xhaminë Fatih dhe plazhin. Kemi ardhur të kalojmë disa ditë pushime”, shprehet turisti.
    ”Kemi ardhur për pushime në Durrës. Mendojmë se është çdo gjë mirë, ne fakt prisnim më shumë diell dhe mot më të ngrohtë, por për fat të mirë sot kemi diell”, tha turistja.
    Durrësi po përgatitet të presë një numër edhe më të madh vizitorësh sesa vjet.
    “Duhet të jemi me një shërbim me standarde dhe cilësi, që këta turistë që vijnë të kënaqën dhe të ikin me mbresa të mira nga Shqipëria”,tha Eduart Xhepa.
    “Parashikohet që çmimet të jenë po të njëjta ose të ketë një rritje, po themi 5-10%”, tha Blerim Norja.
    Investimet në infrastrukturë dhe promovimi i vlerave kulturore po e pozicionojnë Durrësin si një destinacion të vizitueshëm jo vetëm në verë, por gjatë gjithë vitit.
    Tv Klan

  • 1 Maji gjen plazhet plot në Durrës, dita e pushimit sjell shumë vizitorë në breg të detit

    1 Maji gjen plazhet plot në Durrës, dita e pushimit sjell shumë vizitorë në breg të detit

    Ndryshe nga simbolika e 1 Majit si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, në Durrës, kjo ditë është kthyer në një moment çlodhjeje, me plazhet që janë mbushur me pushues vendas dhe turistë të huaj.

    “Jam nga Padova, Itali dhe kam ardhur për pushime me familjen. Po kënaqemi. Hera e parë në Durrës. Më pëlqejnë njerëzit, janë paqësorë dhe miqësorë”, shprehet turisti italian.
    “Jemi nga Belgjika me pushime. U befasuam që këtu është i ndaluar TikTok. Nuk e dinim, po nuk është keq. Duhet një pushim dhe prej tij”, shprehet turisti tjetër.
    “Do të qëndrojmë 5 ditë dhe erdhëm se këtu është lirë. E dëgjuam në TikTok”, kështu shprehet turisti tjetër.
    Turistja nga Argjentina thotë  “Jemi nga Argjentina. Shumë bukur këtu.”
    Edhe shumë qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar këtë ditë pushimi, që përkon edhe me hyrjen në fuqi të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve.
    “Kosovë – Shqipëri nuk ka kufij. Pse me pas kufij?! Nuk ka pas nevojë përveç serbëve që e kanë vënë me dhunë kufirin. Ia ka vlejt kjo marrëveshje dhe lufta në Kosovë”, tha një shtetase kosovare.
    Për shumë familje, kjo ditë është një mundësi për të pushuar, pertej simbolikës që 1 Maji mbart.
    “E shfrytëzuam këtë dhe si ditë pushimi. Normal 1 maji duhet me qenë ditë proteste, por te ne, në Shqipëri dhe Kosovë, është ditë pushimi. Keq, po kjo është e vërteta”, shprehet një tjetër pushuese nga Kosova.
    “Po e shfrytëzojmë 1 majin të kënaqim edhe fëmijët. Më mirë pushim se protest. Të kënaqim fëmijët më shumë se veten”, thotë një qytetare nga Tirana.
    Pavarësisht debatit mes pushimit dhe protestës, Durrësi këtë 1 Maj i ngjante një destinacioni ndërkombëtar, me zëra, ngjyra dhe gjuhë të ndryshme që e kthejnë këtë cep të Adriatikut në një pikë takimi të pushuesve nga e gjithë bota.
     

    Top Channel

  • PD ankohet për votat e diasporës/ Përfaqësuesit demokratë: Në Kretë po bëhet krim zgjedhor. SPAK ta hetojë

    PD ankohet për votat e diasporës/ Përfaqësuesit demokratë: Në Kretë po bëhet krim zgjedhor. SPAK ta hetojë

    Procesi i votimit nga jashtë nuk gëzon besimin e plotë të opozitës.

    Jozefina Topalli, drejtuese politike e Partisë Demokratike për Diasporën renditi problemet e procesit që  në vlerësimin e saj cenojnë integritetin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
    “Një ndër problematikat është mos shkuarja në adresë përkatëse për të tërhequr zarfin siç është marrëveshja, ka patur raste që ka munguar fleta e votimit. Ka patur raste që zarfet janë hedhur në oborr ose e ka marrë komshiu që nuk është e ligjshme”, shprehet Jozefina Topalli, drejtuese politike e PD për diasporën.
    Juristët e Partisë Demokratike pranë KQZ kanë konstatuar se në  shtetin helen po kryhet krim zgjedhor për të cilin SPAK duhet te nisë hetim penal.
    “Problem Greqia, më konkretisht në Kretë ka ndodhur dhe po ndodh krim zgjedhor pasi individ që janë përfaqësues të OJF aty po pohojnë në rrjete sociale që kanë pasur marrëveshje me DHL për të tërhequr zarfet, presim që SPAK të ketë nisur hetim në të kundërt do të bëjmë ne kallëzim penal”, shprehet Franci Nuri.
    Por shkeljet që kane konstatuar , nuk janë të tilla  që Partia Demokratike të kontestojë procesin, duke u mjaftuar me thirrje ne adresë të  Komisioni Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar problematikat në kohë.
    “T’i kërkojë DHL-së që të përmbushë detyrimet ligjore dhe logjistike. Thyerja e afateve dhe standardeve të vendosura në ligj është një cenim i votës dhe cenon integritetin e zgjedhjeve”, shprehet Topalli më tej.
     
     

    Top Channel

  • Ilir Meta: Shqipëria Madhështore është shumë pranë

    Ilir Meta: Shqipëria Madhështore është shumë pranë

    Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehet i bindur se fitorja e 11 majit është më pranë se kurrë.
    Në një postim në rrjete sociale, teksa ka ndarë një video të drejtuesit politik të qarkut të Beratit, Lefter Maliqi dhe disa qytetarëve, ai shpreh mirënjohjen për mbështetjen e tyre.

    “Mirënjohje të thellë për mbështetjen e dhënë nga qytetarët e Qarkut të Beratit, me banim në Tirane, për të votuar Ilir Metaj si deputet. Përshëndetjet më të përzemërta dhe falenderime për punën e jashtëzakonshme, anëtarëve dhe mbështetësve tanë në Qarkun e Beratit dhe deputetit tonë të ardhshëm, të palodhurit, Lefter Maliqi, për fitoren e “PD-ASHM” dhe largimin e Narkoqeverisjes. Shqipëria Madhështore është shumë pranë. Fitorja po troket fuqishëm.
    VOTO ILIR METAJ – Qarku Tiranë”, shprehet Meta.
     

  • Kandidatja e PD në Mat denoncon investimet elektorale, Vata: Ku është task – forca e prokurorisë për Dibrën

    Kandidatja e PD në Mat denoncon investimet elektorale, Vata: Ku është task – forca e prokurorisë për Dibrën

    Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Mat Denisa Vata ka denoncuar sërish punimet e organizuara nga Bashkia e Matit në periudhë elektorale.

    Jemi në fshatin Zenisht shprehet Vata në një postim në faqen e saj në facebook, ku janë makineritë e bashkisë duke punuar në rrugët e bashkisë.

    “Nuk kishin kohën rilibdja 12 vjet që të bënin ndonjë punë”, shprehet Vata.

    Kandidatja e opozitës i bën thirrje task – forcës së prokuroirisë që është krijuar për të hetuar krimet elektorale dhe shkeljet e ligjit, që të ndërhyjnë.

    E gjithë bashkia e Matit edhe pse Agron Malaj është dorëhequr, vazhdon të jetë nën urdhrat e tij.  

  • Beteja e partive të reja! Shehaj, Lapaj dhe Qori shkelin çdo cep të Shqipërisë për të hyrë në parlament

    Beteja e partive të reja! Shehaj, Lapaj dhe Qori shkelin çdo cep të Shqipërisë për të hyrë në parlament

    11 subjekte zgjedhore për garën e 11 majit, mes tyre edhe parti të reja të krijuara.

    Si po e zhvillojnë fushatën këto forca politike dhe a do të arrijnë ato të bëhen pjesë e Parlamentit të ri?
    -A e njihni Adriatik Lapajn?
    Qytetari: Jo, goxha kundra politikës.
    Adriatik Lapaj: Kundër, por politika merret me të nga mëngjesi deri në darkë.
    Qytetari: Po e ndryshuan të rinjtë, faleminderit zotit.
    -A e njihni Agron Shehajn? Qytetari: Nëpërmjet televizorit, më duket shumë i djathtë.
    Shehaj: Duhet të jetë i majtë.
    Qytetari: Populli është i majtë.
    Shehaj: Se ndjek fare politikën? Qytetari: Për kë të votoj? E njoh por s’dua asnjë!
    Qytetari: I drejtë,  I ri, aktiv duhet ti ndëshkosh.
    Si kryetarë për herë të parë në një fushatë zgjedhore parlamentare, Adriatik Lapaj i Shqipëria Bëhet, Agron Shehaj i Partisë Mundësia dhe Arlind Qorri i Lëvizja Bashkë bashkohen në mënyrat e komunikimit me zgjedhësit: duke i kërkuar në çdo qoshe të territorit shqiptar; ndryshe nga mitingjet e mëdha të organizuara nga PS dhe PD.
    “Mbështetja që po gjejmë është disa herë më e lartë. Po shkojmë në cdo cep të Shqipërisë, nëpër qytete, fshatra. Po ju biem dyerve të njerëzve, po flasim me qytetarë të thjeshtë, tregtarë, pensionistë, të rinj, punëtorë, gjithëkënd që gjejmë në rrugë. Strategjia jonë është që të shkojmë ne te populli, jo të presim të vijnë ata te ne. Bisedojmë, marrim problemet që ata na japin. Nuk ju kërkojmë votën drejtpërdrejtë, por maksimumi ju them: Na dëgjo”-shprehet Arlind Qori.
    “Çdo ditë takime, 2-3 ka ditë edhe 4 takime në zona të ndryshme të vendit. Njerëzit po na presin goxha mirë, kini parasysh që jemi subjekt i ri edhe mbështetësit presionohen nga i gjithë enturazhi i vjetër politik. Ne po ndajmë programin, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje. Ndërkohë po zhvillojmë aktivitet në rrjete sociale, me live bashkëbisedime”-shprehet Lapaj.
    “Ne mendojmë që të gjithë e kanë mendjen te politika, pjesa më e madhe nuk do tia dijë fare për politikë. Kemi stenda të tilla për informim program 6 në Tiranë, plus nga 1 për cdo rreth. Sidomos jemi aty ku janë qytetarët. Ka shumë gjasa që ky të jetë hapi më i vështirë dhe e i ngadaltë, të hyjmë në Parlament”-shprehet Shehaj.
    Veç luftës me partitë e mëdha, fokusi i tyre mbetet edhe forcimi i opozitës dhe tërheqjen e elektoratit gri.

    Top Channel

  • Konferenca e Katërt Ndërqeveritare, Spiropali: Hap frymëzues për Shqipërinë 2030 në BE

    Konferenca e Katërt Ndërqeveritare, Spiropali: Hap frymëzues për Shqipërinë 2030 në BE

    Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali ka përshëndetur hapjen e grup-kapitullit të 2-të të negociatave.

    Spiropali shprehet se çelja e negociatave për grupkapitullin “Tregu i Brendshëm” është një tjetër hap frymëzues për Shqipërinë 2030 në BE.
    “Çelja e negociatave për grupkapitullin “Tregu i Brendshëm” është një tjetër hap frymëzues për Shqipërinë 2030 në BE. Përgëzoj pjesëtarët e ekipit negociator, institucionet dhe gjithë kontribuesit në këtë sukses të ri!
    Ylli i Shqipërisë po bashkohet me yjet e Europës, edhe prej përkushtimit të tyre.
    Do të vijojnë të kenë mbështetjen e pakursyer të Kuvendit, që jo thjesht të shpejtojmë, por të vrapojmë drejt bashkimit me familjen tonë europiane.”-shprehet Spiropali.

    Top Channel

  • Turistët në Shqipëri/ Ja qytetet që përbëjnë më shumë atraksion për të huajt

    Turistët në Shqipëri/ Ja qytetet që përbëjnë më shumë atraksion për të huajt

    Janari nisi me rritje 14.5% të numrit të shtetasve të huaj në vendin tonë, në raport me janarin e një viti më parë, një sinjal ky që interpretohet pozitivisht për ecurinë e turizmit.

    Raportimet në tërësi nuk kanë qenë uniforme, ku disa rajone raportojnë për një rritje të frekuentimit e të tjerë për ecuri më të zbehtë, por duke e lidhur këtë më shumë me kategorinë e turistit që po na viziton dhe interesat e tij.

    Gjatë muajve të dimrit, por edhe në pranverë, ata që shihen më shpesh në grupe masive apo edhe si udhëtarë të vetëm, në familje apo grupe shoqërore të vogla, janë kureshtarët e kulturës.

    Përgjithësisht sipas operatorëve vihet re një tendencë e europianëve për të udhëtuar në formë individuale drejt Shqipërisë si pjesë e jehonës që destinacioni vijon të ketë, pushimeve të dimrit, të cilat janë të konsiderueshme por edhe për shkak të biletave me kosto të ulët që arrijnë të gjejnë përmes disa linjave ajrore.

    Porta kryesore hyrëse e turizmit është Rinasi, ashtu sikurse edhe ajo dalëse, jo vetëm për shqiptarët por për rajonin.

    Por cilat janë në fakt destinacionet që po vizitojnë turistët këto kohë?

    Operatorët turistikë vlerësojnë se pjesën kryesore e zënë vizitorët e lokalizuar në Tiranë, por me një interes për ture ditore në zona të afërta si Durrësi apo Kruja, por nuk mungojnë ata që shpenzojnë më shumë ditë për të shkuar drejt destinacioneve të tjera si Berati apo Gjirokastra.

    Tirana, nga kuzhina te vizitat në muze, një paketë e plotë

    Kryeqyteti është epiqendra që zgjon interesin e turistëve gjatë muajve të parë të vitit. Shumica parapëlqejnë që fjetja të jetë pikërisht në Tiranë teksa axhenda e tyre ditore mund të ndryshojë.

    Ajo që turistët duket se pëlqejnë më së shumti është gjallëria që ka qyteti si për jetën e natës, ashtu edhe numrit të lartë të restoranteve dhe kuzhinave që ofrohen.

    Alternativat e larmishme, nga ato më ekonomike deri tek ato më të shtrenjta është një tjetër pikë plus ku secili gjen veten sipas buxhetit.

    Lidhur me vendet më kryesore për të vizituar, sipas vlerësimeve të lëna në janar-shkurt 2025 në Tripadvisor dhe Google Review, duket se gjithçka nis nga Sheshi Skënderbej.

    Diana. M, italiane, thotë se është mirë që qyteti ka një hapësirë të tillë që duket se ofron mundësi për organizim eventesh dhe është pikënisja për të vizituar pjesën tjetër të qytetit.

    Shtëpia e Gjetheve, një muze brenda qytetit që pasqyron periudhën e komunizmit, duket se është një tjetër pikë mjaft e pëlqyer.

    Turistët, kryesisht britanikë, që kanë lënë komentet e tyre mbi këto vizita, kanë shprehur rezerva lidhur me mosfunksionimin e elementeve grafikë që tregojnë këtë periudhë teksa të tjerë, si për shembull JnVSydney nga Australia shprehet se ia vlen vizita për të kuptuar jetën e njerëzve në periudhën e komunizmit dhe masën ekstreme të spiunazhit që përdorej për t’i kontrolluar nga 1944 deri në vitin 1991.

    Objektet e kultit janë gjithashtu pjesë tërheqëse e Tiranës. Fanny, turiste që vizitoi Xhaminë e Et’hem Beut në datë 2 mars, tha se është e mrekullueshme dhe vizitorët nuk është e nevojshme të mbulohen.

    Edhe Stefano, që vizitoi këtë objekt po në datë 2 mars sipas Google Review shprehet se është e bukur për një vizitë të shkurtër dhe mbi të gjitha, hyrja është pa pagesë, por si në çdo xhami duhet të hyni pa këpucë.

    Një tjetër vend që ka marrë vëmendje është Kisha Ortodokse Autoqefale. Valerie Locht, nga Franca, shprehet se ka një pamje goditëse nga jashtë dhe është mjaft e bukur.

    Agnes Schwaier gjithashtu shprehet se është një objekt i mrekullueshëm për t’u vizituar në fundjavë.

    Kruja fiton zemrën me Muzeun dhe panoramën

    Qyteti i Krujës mbetet një nga destinacionet e zgjedhura nga turistët ditorë që qëndrojnë afër Tiranës. Shumica e vizitorëve janë të impresionuar me qytetin, kulturën dhe Muzeun e Skënderbeut. Duke mos ulur vlerën që ka aspekti kulturor, infrastruktura për të shkuar aty bëhet herë pas here pjesë e kritikës së turistëve.

    “Vizita jonë në Kalanë e Krujës ishte paksa aventurë. Udhëtimi atje ishte mjaft stresues pasi mbështeteshim në Google Maps, që na çoi nëpër rrugë jashtëzakonisht të pjerrëta dhe të ngushta duke u ndier krejtësisht jashtë rrugës.

    Përfundimisht ia dolëm të mbërrinim, por nuk ishte një përvojë e këndshme. Nëse nuk jeni të sigurt për itinerarin, unë patjetër do t’ju rekomandoja të pyesni vendasit për udhëzime”, – shprehet Peter Hovenac.

    “Na pëlqeu shumë kalaja, ajo ofron pamje mahnitëse dhe shëtitja nëpër pazar ishte një përvojë fantastike! Pika kryesore për ne ishte Xhamia e Muhamed Al-Fatih dhe u befasuam që hyrja ishte falas” thotë Etidal Alëazani.

    Një tjetër turiste franceze shprehet se për shkak të mjegullës nuk mund të shijoje plotësisht pamjen që ofron panorama nga kalaja, por muzeu është interesant, me pjesë të menduara mirë të cilat flasin për historinë e Skënderbeut, një figurë interesante e Shqipërisë.

    Marta, një tjetër turiste, thotë se Kruja ofron gjithçka si në aspektin e kulturës ashtu edhe në atë të natyrës. Nëse do që të bësh një ecje në natyrë dhe të gjesh peizazhe të bukura është e lehtë, por e vetmja gjë që lë për të dëshiruar janë mbetjet që i sheh kudo në Shqipëri.

    Yasmin D shprehet se ia vlen një vizitë për të parë kalanë dhe kështjellën dhe pamjet që mund të kesh para syve janë mahnitëse.

    Durrësi, mes kontrasteve që çudisin turistët dhe problemit të parkimit

    Në Tripadvisor janë një sërë pikash që rekomandohen për t’u vizituar në Durrës të tilla si Amfiteatri, Kulla Veneciane, Muzeu Arkeologjik, Sfinksi. Nëse secilën prej tyre e kërkon për vlerësime në Google duket se turistët kanë qëndrime të ndryshme.

    Disa shprehen të çuditur për kontrastin që kanë ndërtimet e kohës së sotme ngjitur me ndërtime që u përkasin periudhave më të hershme. Kjo vihet në duke sidomos për Torrën Veneciane që i takon shekullit XV.

    Henrik Puttetrer, nga ana tjetër, edhe pse ka vizituar Durrësin, shprehet se e ka të pamundur që të vizitojë Torrën për shkak se nuk ka askund vende parkimi të lira, madje as në ditë jave.

    Milena Maria Cristina Strano shpreh keqardhje që një “thesar” nuk ka marrë vëmendjen e duhur në të shkuarën për mënyrën sesi është ndërtuar. E njëjta përshtypje vlen edhe për Amfiteatrin. Carolina C thotë të njëjtën gjë për ndërtimet.

    “Fatkeqësisht, nga jashtë nuk duket mbresëlënëse, për faktin se është betonuar çuditshëm dhe me ndërtime përreth. Hyrja gjithmonë e më në brendësi tregon pa dyshim anën e saj më interesante. Një amfiteatër i fshehur mes ndërtesave të banimit.

    Në pjesën e sipërme, kur ecni poshtë ballkoneve, kujdesuni për kokën, nga uji që mund të bjerë nga larja. Kimberly, nga ana tjetër, e cilëson këtë si “një pjesë historie në mes të jetës së përditshme”.

    Një pjesë e vizitorëve shprehin rezerva se nuk është shumë i mirëmbajtur apo se si një pikë atraksioni e vetme në Durrës ndoshta nuk do të ngjallte kureshtje për ta vizituar nëse nuk do të ishte pjesë e një pakete vizitash të ndërthurura me të tjera atraksione.

    Berati merr vlerësimet maksimale për qetësinë dhe arkitekturën

    Qyteti i një mbi një dritareve është një nga destinacionet interesante që po vizitohet gjatë muajve të parë të vitit. Turistët pëlqejnë arkitekturën e qytetit, që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, kalanë e qytetit, Muzeun.

    “Vizitova Kalanë e Beratit sot dhe m’u duk mahnitëse – një xhevahir i vërtetë i historisë dhe një kënaqësi për syrin. Vendi është i ruajtur mirë, me një mjedis që të lë pa frymë me pamje nga i gjithë Berati dhe malet e bukura përreth. Një vizitë e domosdoshme për adhuruesit e historisë dhe këdo që vlerëson pamjet e jashtëzakonshme. Rekomandohet shumë”, shprehet Jenny që vizitoi qytetin në 1 mars.

    Rachel shprehet se kalaja është mjaft e bukur dhe një tur përreth qytetit do të ishte i rekomandueshëm, por ka pak informacione në anglisht sipas saj që e kufizojnë disi eksperiencën.

    “Atraksion që duhet parë. Ne bëmë një udhëtim ditor këtu nga Tirana, i cili mori pjesën më të madhe të ditës, por nuk u zgjat shumë. Shumë zona për të shëtitur përreth dhe ju me të vërtetë e ndjeni kudo.

    Kaq shumë mundësi të mira për foto dhe pamja nuk zhgënjen. Gjithashtu ka zona të këndshme për t’u ulur dhe për të pirë diçka gjatë soditjes së ambientit. Ne pamë disa shtëpi mikpritëse, kështu që ju mund të kaloni edhe natën në këtë vend shumë të qetë.

    Duhet të keni kujdes për shtigjet dhe këmbët pasi është një vend historik dhe ka disnivele të theksuara vende-vende” tregon Jessie.

    Turistët mbeten të befasuar nga arkitektura e qytetit dhe lagjet e tij Goricën dhe Mangalemin, duke nënvizuar se ka një organizim të mirë, vende të këndshme për të konsumuar diçka por jo shumë gjallëri si gjatë ditës, ashtu edhe në mbrëmje.

    Gjirokastra, qyteti i gurtë “vjedh” zemrat edhe në dimër

    Në Gjirokastër nuk kanë munguar turistët as gjatë muajve të ftohtë të vitit. Si pjesë e kulturës së përgjithshme të udhëtarëve globalë “vlerësimet” janë një formë e qartë për të shënjuar këto vizita dhe për të udhëhequr të tjerët drejt eksperiencave më të përmirësuara.

    Mjaft të shohim vlerësimet që janë bërë në javët e fundit për qytetin dhe pikat kryesore të tij ku në krye qëndron Kalaja e Gjirokastrës. Shumica vlerësojnë se nga aty mund të shquash çdo pamje mbresëlënëse të qytetit dhe përtej.

    “Mund të kisha kaluar ditë të tëra këtu, por ka orar normal pune. Më pëlqeu artileria dhe muzeu brenda ishte i jashtëzakonshëm. Sidomos burgu i vjetër i fshehur brenda kështjellës.

    U befasova dhe e shijova kohën time këtu” shprehet Anthony Nork pas vizitës në kala. Një tjetër turiste, Mana Bianconi, shprehet se ky është një vend që ia vlen. “Zakonisht nuk paguaj për kështjella, por më dukej se ia vlente.

    Ia vlen ta vizitosh në një ditë me diell për disa pamje të mira. Shkoni sapo të hapet për ta shijuar me më pak njerëz. Harqe të bukura dhe sinjalistikë e dobishme. Brenda tualete falas. Në brendësi avion amerikan dhe topat britanikë.

    Vetëm 400 lekë për të hyrë” tregon ajo. Pazari është një tjetër pikë për të cilën turistët flasim pozitivisht dhe që e vlerësojnë në tërësi përvojën me 4 apo 5 yje nga pesë të mundshme./Monitor