Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpjegoi programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Librazhd dhe Belsh duke iu bërë apel qytetarëve që me votën e tyre të ndryshojnë qeverisjen në Shqipëri.
Berisha premtoi se prioriteti i qeverisë pas 11 majit do të jetë lufta kundër varfërisë duke vendosur brenda 3 muajve të parë minimumin jetik prej 200 eurosh.
“Me programin tonë ne do u kthejmë paratë qytetarëve shqiptarë dhe se çdo pensionist, në këtë rreth, në këtë qark, në Shqipëri, brenda 100 ditëve të para nuk do ketë kurrë një pension nën 200 euro”, tha Berisha.
Përtej shpjegimit të programit, Berisha në Librazhd akuzoi Suel Çelën, i cili është shpallur në kërkim për vrasje, trafik droge e disa vepra penale, se po mbledh vota për një prej kandidatëve të PS. Sipas Berishës, Suel Çela është përplasur edhe me një prej bashkëpunëtorëve të ministrit Taulant Balla.
“E morët vesh besoj, para dhjetë ditësh, Sueli ia bëri për spital shoferin. Dhe Tao e qepi gojën si i paqenë, si ushtar i Suelit. Turp të ketë. Tao Burreci e qepi gojën ndaj njeriut që e kishte pasur vite shofer. Ia theu kockat sepse nuk mbështeti Sara Milen”, u shpreh ai.
Berisha paralajmëroi krimin e organizuar të mos përfshihet në fushatë elektorale.
“Qytetarë të Librazhdit, jeni njerëz të lirë, duhet të ndëshkoni këtë bandë me votën tuaj. Dhe u garantoj ju se Suelin dhe Suelët si ai, do shpallen terroristë me datën 12 maj”, tha kryedemokrati.
Një paralajmërim të ashpër për krimin e organizuar artikuloi edhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Tomor Alizoti.
“Nëse prekni demokratët, nëse vini mina, do ju ndjekim, s’do t’ju ndahemi kudo që të jeni. Do t’ju hamë të gjallë! Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj! Doktor jepi sepse ty të kanë më shumë frikë!”, tha Tomor Alizoti.
Lideri i opozitës, Berisha, paralajmëroi se për çdo votë që tjetërsohet, përgjegjësit do të dënohen me një vit burg.
/vizionplus.tv