Fëmijët kanë qenë duke ruajtur bagëtitë dhe së bashku me një familjare të tyre kishin hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe mungesa e sigurisë bënë që ata të mos arrinin të dilnin më në breg. Paraprakisht raportohet se viktimat janë vëllezër 7 dhe 9 vjeç.
Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës që mbërritën aty u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht, trupat e pajetë të të miturve u gjetën pak më vonë në një kanal të lumit më poshtë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.
Familja Bica dhe zona e Labinot Fushës në Elbasan është në shok nga ngjarja shumë e rëndë dhe tragjike. Kjo pasi pasditen e sotme, dy fëmijë të mitur të kësaj familjeje u mbytën në lumin Shkumbin. Një i afërm i familjes ka treguar për mediat detaje nga ngjarja e rëndë, ku dhe ka treguar se dy vëllezërit janë gjetur nga roja i një hidrocentrali aty pranë, në një grop të krijuar në ujë në formë prite.
”Isha te puna, pash policinë, pash që po vinin me vrap. Një zotëri që punon te hidrocentrali, njërin fëmijë kishte në krah. Pash të ëmën që po përplasej këtej, të atin nuk e di nga ikte më. I njoh, i kam njerëzit e mi, u turra dhe unë me vrap. Kanë bagëtitë, i nxjerrin këtej zallit, me ato mbahen. Prindërit mbajnë lopët, këta mbajnë bagëtitë e imëta, delet”, tha ai.









