Nga Johana Lubonja
“Nëse ka një libër që ti do që ta lexosh, por që ende nuk është shkruar, ulu dhe shkruaje atë” (Toni Morrison)
Fatos Tarifa është një nga intelektualët e njohur shqiptarë, me një kontribut të gjerë në fushat e sociologjisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kritikës sociale.
Ai ka botuar një sërë librash që trajtojnë çështje të ndryshme shoqërore, politike dhe kulturore.
Disa nga librat e tij më të rëndësishëm janë: “Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë”, “Fati i një shekulli”, “Shkencat e shoqërisë”, “Arsim i lartë për një shoqëri të hapur”, “Imagjinata sociologjike dhe bota jonë sociale”, “Hakmarrja është imja: Morfologjia sociale dhe gramatika morale e gjakmarrjes”, “Fjalor i paradokseve”, “Për të mirën publike”, “Amerika dhe rendi i sotëm botëror”, “Afrimi i madh” etj. Një vëllim (Fistchrift) i titulluar “Sociologjia shqiptare dhe profili i studiuesit Fatos Tarifa” (2011) ekspozon kontributet e shumta dhe origjinale të Prof. Tarifës në fushën e sociologjisë politike e kulturore dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në këtë intervistë në DITA, flasim pikërisht për botimet e tij.
Prof. Tarifa, si po i kaloni këto ditë të nxehta korriku?
Me durim dhe me punë. Çdo ditë duke punuar. Deri dje duke u dhënë leksione në gjeopolitikë një klase Masteri në UNYT, por vazhdimisht duke lexuar e shkruar.
Në fakt, unë s’mund t’ju mendoj dot juve pa punuar, pa shkruar e pa botuar. Arsyeja e kësaj interviste, në fakt, u bë një libër i juaji, titulluar “Drejt Pavarësisë”, botuar më 1985, pra 40 vite më parë! E gjeta rastësisht te një nga shitësit ambulantë të librave këtu pranë zyrave të redaksisë së gazetës sonë. A është ky libri i juaj i parë?
Pothuajse. I pari, në fakt, ka qenë një libër tjetër, botuar në vitin 1980. Titullohej Kritikë pikëpamjeve të revizionistëve jugosllavë mbi partinë dhe shtetin proletar. Një libër me përmbajtje të theksuar ideologjike, edhe pse një analizë e argumentuar dhe e shkruar mirë. Atëherë unë isha vetëm 26.
26 vjeç? Dhe keni botuar librin tuaj të parë në një moshë kaq të re!
Nëse do të ishte një vëllim me poezi ose me tregime nuk do ju kishte bërë përshtypje. Sot ka shumë letrarë të rinj që botojnë krijimtarinë e tyre në një moshë edhe më të re se kjo. Por, keni të drejtë, ishte një moshë shumë e re për të botuar një libër polemik në fushën e politikës, mbështetur në koncepte teorikë të huazuar nga Marksizmi. Sot do të ishte një herezi, për të mos thënë një marrëzi; në atë kohë ishte një gjë krejt normale. Madje, e vetmja gjë “normale” për një studiues të ri të politikës e të filozofisë.
Ishte normale të shkruaje mbi një subjekt të tillë, por jo në një moshë aq të re.
Kjo mund të jetë e vërtetë, pasi unë nuk njoh ndonjë prej kolegëve të mi, moshatarë me mua, që të ketë botuar librin e tij të parë në të njëzetat, me përjashtim, ndoshta, të njërit. Libri i tij i parë, gjithashtu, kishte një përmbajtje të rënduar ideologjike. Veçse, në dallim prej tij, unë asnjëherë nuk e kam fshehur dhe nuk e mohoj që e kam shkruar një libër të tillë. Ai libër, si çdo gjë tjetër që kam botuar, është pjesë e biografisë sime intelektuale. Sot, pas 45 vitesh nga botimi i tij, unë mund të argëtohem me ato çfarë kam shkruar kur isha 26, por nuk kam asnjë kompleks pse e kam shkruar e botuar dhe titullin e atij libri nuk e kam fshirë nga CV-ja ime.
Ai libër ka qenë, në fakt, sprova ime e parë në academe. Dhe duhet të ketë qenë një punë e mirë në rrethanat e asaj kohe, përderisa ambasadori jugosllav në Tiranë në atë ato vite, Branko Komatina, siç kam mësuar më vonë nga z. Reis Malile, që ishte zëvendësministër i Punëve të Jashtme, iu drejtua me një notë proteste Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme lidhur me përmbajtjen e atij libri dhe autorin e tij, i cili, si për ironi të fatit, dy dekada më vonë do të bëhej ai vetë ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.
A nuk është për të qeshur? Një studiues i ri, 26 vjeçar, “tronditi” marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë! Mos e merrni seriozisht këtë që sapo thashë. Por, me atë libër sot më lidh vetëm ky kujtim argëtues.
Por, nëse librin e parë e keni botuar 45 vite më parë, dhe sot, mesa di unë, jeni 70, lista e librave të botuar nga ju duhet të jetë shumë e gjatë, ndaj edhe, natyrshëm, ju pyes: Sa libra keni botuar deri më sot?
Shumë. Më shumë se sa numri i viteve që kanë kaluar qysh nga ajo kohë.
Pra, më shumë se 45 libra?
Po.
Unë, natyrisht, jam njohur me shumë prej tyre dhe me kënaqësi kam lexuar disa. Madje, në gazetën Dita kemi botuar, herë pas herë, edhe ndonjë fragment prej tyre, ose ndonjë koment të shkruar nga të tjerët për ta. Mund të thoni për lexuesit tanë se cilët prej librave tuaj ju vetë i çmoni më shumë?
Ju mund të prisni nga unë përgjigjen klishe se, ashtu si një prind i do njëlloj të gjithë fëmijët e tij, ashtu edhe një autor, pavarësisht fushës së krijimtarisë së tij, i çmon njëlloj të gjitha veprat e tij.
Nuk ndodh kështu. Janë gjëra krejt të ndryshme. Ka libra që më kanë munduar më shumë, kanë kërkuar më shumë punë e studim, kanë marrë më shumë kohë për t’u shkruar dhe kanë sjellë një kontribut të ri në studimet shqiptare në fusha të caktuara, siç ka edhe të tjerë që janë shkruar në një kohë më të shkurtër dhe me më pak mundim. Ka libra, fjala vjen, që janë studime të mirëfilltë e seriozë, të cilët më kanë marrë 10, 15 ose 17 vite punë e studime, por ka edhe libra që, mund t’i quaja ese sociologjike, që janë shkruar në 2, 3 ose 4 javë.
Ju kuptoj! Mund të na thoni se cilët libra ju kanë marrë një kohë më të gjatë nga konceptimi deri në botimin e tyre?
Në rend kronologjik do të ishin këta: The Quest for Legitimacy and the Withering Away of Utopia, botuar fillimisht (më 1997), si artikull në një revistë sociologjike amerikane shumë të rëndësishme, siç është Social Forces (sot botohet nga Oxford University Press), një variant i zgjeruar i të cilit u botua më vonë, më 2001, si libër me të njëjtin titull në Hollandë. Në fakt, ai studim është një pjesë e disertacionit tim doktoral, i mbrojtur në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill (SHBA), më 1998. Puna për atë studim më mori afërsisht 3 vite. Ky libër është botuar i përkthyer në shqip (Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë) në vitin 2002 nga Globus R. dhe më 2009 nga UET Press. Unë e konsideroj ndër studimet e mia më të rëndësishëm e më origjinalë.
Po në Shtetet e Bashkuara, më 2008, kur punoja si profesor i sociologjisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Miçiganit Lindor, botova librin Vengeance is Mine: Justice Albanian Style, një studim sociologjik mbi gjakmarrjen nga këndvështrimi fuksionalist. Ky libër më ka marrë mbi 10 vite punë (sigurisht me ndërprerje të gjata), por, një variant shumë më i zgjeruar i tij, tri herë më i madh në vëllim, botuar në Tiranë nga Onufri, më 2014, nën titullin Hakmarrja është imja: Morfologjia sociale dhe gramatika morale e gjakmarrjes, më mori edhe 3 ose 4 vite të tjerë punë intensive. Unë do të thoja se ky studim është ndër më të rëndësishmit që kam shkruar deri më sot dhe i tillë është vlerësuar edhe nga disa studiues të huaj.
Për të mos u zgjatur, libri që më ka marrë më shumë kohë për ta shkruar, rreth 17 vite, është Afrimi i madh, botuar po nga Onufri më 2023. Po kaq kohë duket se do më marrë edhe studimi që kam në dorë Erosi dhe demokracia, për të cilin kam 12 vite që punoj.
Nëse këta libra ju kanë marrë kaq shumë kohë, sa kohë ju kanë marrë 40 apo 50 librat e tjerë? Sepse koha është ajo që është.
Askush nuk e di se ç’është koha. Përveç kësaj, ose pikërisht për këtë shkak, koha nuk është e njëjtë për të gjithë. Varet çfarë bën me të. Sa e çmon. Si dhe përse e përdor.
Ju do të pyesni se ku e kam gjetur kohën për të shkruar pjesën më të madhe të librave? Një pjesë e mirë e tyre janë shkruar në pak ditë, ose në pak javë. Të tillë janë: Europa e pabashkuar (2009), Kalorësit e humbur të kryqëzatës anti-Kadare (2010), Pamundësia e projektit europian (2013), Dinamika e modernitetit pluralizues (2014), Fjalor i paradokseve (2019), Koha e shkurtër e lirisë në diktaturë (2020), Europa, një subjekt për të gjithë (2021) dhe, më së fundmi, Humori dhe e qeshura si ekologji sociale e gjirokastritëve (2025).
Mjafton ta kesh të qartë idenë apo subjektin për të cilin do të shkruash, të jesh mjaftueshmërisht i informuar për atë subjekt, të kesh lexuar e të njohësh mirë çfarë është shkruar më parë (dhe nga kush kryesisht) për atë subjekt, si dhe ta disiplinosh veten të ulesh e të punosh—dhe Rome shall fall, nëse huazoj këto fjalë Lord Bajronit.
Kryesoret janë formimi solid në një disiplinë dhe formimi i gjerë kulturor, përvoja jetësore dhe, pa dyshim, përvoja e të shkruarit, e cila fitohet përmes të ushtruarit vazhdimisht. Për shumë njerëz, të shkruarit është një torturë, ose një gjë gati e pamundur. E tillë duhet të ketë qenë për ta (një torturë, një gjë e pamundur, ose e padëshiruar) edhe leximi në moshë të re. Për të tjerë, të shkruarit—dhe çdo veprimtari krijuese në letërsi e në arte—është jo vetëm një ushtrim intelektual dhe profesionalisht i lehtë, por edhe një gjë tepër argëtuese. Të tillë janë për mua leximet dhe librat apo artikujt që shkruaj,
Kujt ia dedikoni veprat tuaja?
Askush s’ma ka bërë një pyetje të tillë dhe më vjen mirë që ma bëni ju. Sepse, kushdo nga ne u detyrohet shumë njerëzve të tjerë. Librat e mi ua kam dedikuar njerëzve që kam çmuar dhe çmoj më shumë në jetë. Fjala vjen, librin Acrimonies of Transition (botuar në SHBA më 2007), ia kam dedikuar “Kujtimit të nënës sime”, ndërsa librin Europe Adrift on the Wine-Dark Sea (botuar po në SHBA dhe po më 2007), ia kam dedikuar “Familjes dhe miqve të mi në Shtetet e Bashkuara).
Librin Saga e dy kontinenteve, edhe ky botuar ne vitin 2007, ia kam dedikuar një grupi studentësh francezë, me të cilët u njoha nga afër dhe u miqësova kur këta studionin në Universitetin e Miçiganit Lindor në kohën kur unë jepja mësim në atë universitet.
Librat Jeta shoqërore si eksperiencë sociologjike (2007) dhe Europa e pabashkuar (2009) ua kam dedikuar “Djemve të mi të shtrenjtë, Sidritit dhe Jonit”.
Librin Amerikanofobia dhe anti-amerikanizmi europian (2008), ua kam dedikuar “Miqve të mi Peter Lucas, Ambasadorit David Funderburk dhe Betty Funderburk, profesorëve Barbara Heyns, Glen Elder, Jay Weinstein, Judith Blau, Craig Calhoun, Anthony Oberschall, Raymond Rosenfeld dhe Raouf Hanna, me mirënjohje të thellë për gjithçka me të cilën e kanë pasuruar jetën time dhe për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë gjatë katërmbëdhjetë viteve që kam jetuar familjarisht dhe kam studiuar e punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Librin Ftesë në sociologji: Imagjinata sociologjike dhe jeta e përditshme (2008), ia kam dedikuar “Sevos, babait tim të shtrenjtë, me tërë mallin e shpirtit, dashurinë dhe respektin më të thellë”, ndërsa vëllimin Shkencat e shoqërisë (2013), me parathënie nga Anthony Giddens, ua kam dedikuar “Prindërve të mi me dashuri e mirënjohje të thellë”.
Librin Hakmarrja është imja: Morfologjia sociale dhe gramatika morale e gjakmarrjes (2014), si dhe botimin e tij origjinal në anglisht Vengeance is Mine: Justice Albanian Style (2008), ua kam dedikuar “Miqve dhe kolegëve të mi Barbara Heyns, Judith Blau dhe Jay Weinstein, për përpjekjet e palodhura dhe kontributin e tyre të shquar në fushën e sociologjisë, si dhe për miqësinë, mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të çmuar gjatë çerekshekullit të fundit”.
Librin Politika si gramatikë dhe metaforë (2014) ua kam dedikuar “Brezit më të ri të familjes Tarifa dhe prindërve të tyre, nipërve e mbesave të mia të dashura, Alketit, Orianës, Arbrit dhe Enedës”.
Librin Imagjinata sociologjike dhe bota jonë sociale (2014) ua kam dedikuar “Studentët e mi të sociologjisë në Universitetin Europian të Tiranës, të cilëve u mësova sociologjinë dhe prej të cilëve kuptova pse kjo shkencë ka një të ardhme në Shqipëri”.
Librin Koha e shkurtër e lirisë në diktaturë (2020) ia kam dedikuar “Kujtimit të Kastriot Gjinit dhe shokëve të brezit tim”.
Librin Scripta manent (2020), ua kam dedikuar “Ish studentëve të mi doktorantë në Universitetin e Tiranës, në Universitetin Europian të Tiranës dhe në University of New York Tirana me shpresë dhe me dëshirën që bashkëpunimi ynë i gjatë dhe studimet e tyre të mëtejshme t’i kontribuojnë zhvillimit të shkencave shoqërore në Shqipëri!”.
Librin Amerika dhe rendi i sotëm botëror, botuar me kolegun tim K. Krisafi më 2021, një vit pas vdekjes së Moikom Zeqos, ia kemi dedikuar “Kujtimit të mikut tonë Moikom”.
Librin EUropa, një subjekt për të gjithë (2021) ua kam dedikuar “Nipit tim Heru dhe mbesës sime Olivia Sofia, dhuratat më të bukura që më kanë bërë djemtë e mi”, ndërsa librin Afrimi i madh (2023), ua kam dedikuar “Sofisë, nënës sime të shtrenjtë që u nda nga jeta vetëm pak javë para se qeveria e Shqipërisë ta emëronte djalin e saj ambasador, dhe Sevos, babait tim të dashur, i cili, 25 vite më vonë, u nda nga jeta vetëm pak javë para se ky libër të shihte dritën e botimit”.
Nuk kam fjalë të them, veçse të pohoj se dedikime të tilla dëshmojnë një afeksion të sinqertë e të thellë njerëzor për ata njerëz që, si për cilindo nga ne, kanë bërë vend në jetët tona dhe kanë ndikuar që ne të bëhemi këta që jemi. Me fjalë të tjera, dedikimet tuaja shprehin mirënjohjen tuaj të thellë për ta dhe, më lejoni të përsëris një klishe, edhe pse ju nuk i keni qejf klishetë, mirënjohja është institucioni më i rëndësishëm moral në shoqëri.
Kjo është një shprehje klishe që më pëlqen.
Një pyetje e fundit: Përveç “Erosit”, botimin e të cilit publiku i informuar ka kohë që e pret, ç’libra të tjerë presim nga ju? Apo preferoni t’i mbani surprizë titujt e tyre?
Surpriza më e mirë për një autor është nëse librat e tij lexohen e pëlqehen. Jo, nuk i mbaj sekret punët që kam në duar. Dy libra janë gati për botim dhe pritet të dalin këtë vjeshtë: Arsimi dhe Shteti dhe Time Over. Erosi do të duhej të ishte botuar këtë vit, por duket mbetet të shohë dritën e botimit vitin e ardhshëm. Kam nisur të shkruaj, si bashkautor, një libër që e titullojmë Objektiviteti i njohjes dhe parashikimi në shkencat sociale. Është edhe ndonjë tjetër, por, tani për tani, vetëm si një ide që pritet të lindë, si Minerva nga koka e Jupiterit. /DITA/