Tag: shkrimtarët

  • Shkrimtarët e mëdhenj që donin ta vrisnin njëri-tjetrin… ja pse nga miq u bënë armiq!

    Shkrimtarët e mëdhenj që donin ta vrisnin njëri-tjetrin… ja pse nga miq u bënë armiq!

    Letërsia ka pasur gjithmonë fushëbetejat e saj. Ushtarë me stilolaps në dorë, gati për t’u përballur me njëri-tjetrin, jo me teh shpate e as me arkebuz, por me fjalë të mprehta si thika.

    Zënka letrare, sepse me këtë kemi të bëjmë sot, të cilat jo rrallëherë ndizen në urrejtje kokëforta dhe armiqësi të helmuara. Mosmarrëveshje të destinuara të zgjasin, në një mënyrë apo në një tjetër, gjatë gjithë jetës.

    Një koment i pakëndshëm për një libër të ri, një kritikë e rastësishme (ose e qëllimtë), që shfaqet në faqen kulturore të kësaj apo asaj gazete dhe befas fillon shiriti, lufta shpallet menjëherë brenda natës.

    Në të vërtetë, historia e letërsisë spikat me përplasje mes titanëve. Përballje të ashpra, që gjenitë letrarë kanë zhvilluar mes tyre, të aftë për të revolucionarizuar idenë e vetë romanit në “esprit d’un matin” (“fryma e një mëngjesi”).

    Marsel Prusti dhe Zhan Loreni

    Një mosmarrëveshje, që përfundoi me një konflikt të vërtetë. Në fakt, Marsel Prusti dhe Zhan Loreni e sfiduan njëri-tjetrin në duel. Pistoletat, falë zotit, nuk goditën asnjërin dhe që të dy dolën të padëmtuar. Pa as gërvishtjen më të vogël.

    Nga buronte arsyeja e kaq shumë trazirave? Poeti i kishte kritikuar “Kënaqësitë dhe ditët”, duke nënkuptuar, në mënyrë të pashmangshme, se Prusti kishte një lidhje me djaloshin Lucien Daudet.

    Lord Bajroni dhe Xhon Kits

    Mesa duket këta dy gjigantë të poezisë angleze, nuk e kanë dashur shumë njëri-tjetrin. Bajroni, me titull dhe poshtërues, e konsideronte Kitsin një poet të kokni (dialekt i Londrës), të aftë për të shkruar vetëm vargje pa vlerë, kurse Kits, nga ana e tij, shprehte dyshimet e veta për talentin e kolegut të tij. 

    Një talent që ishte një mashtrim i vërtetë, i bazuar vetëm – këmbëngulte poeti i “Odë bilbilit” – në prestigjin shoqëror të familjes dhe te një dozë e mirë sharmi personal, që s’kishte të bënte me poezinë, transmeton ‘Konica.al’.

    Virxhinia Ullf dhe Arnold Benet

    Një duel fjalësh, recensione të hidhura dhe parodi që vunë përballë Virxhinia Ullfin, një nga penat më të mëdha të shekullit XX, dhe Arnold Benetin, shkrimtarin e njohur, por i ankoruar në bindjet e vjetra letrare.

    Shkak i mosmarrëveshjes qe një recension i shkruar nga Benet, mbi librin “Dhoma e Jakobit”. Në fillim, Ullf e humbi durimin dhe iu përgjigj mjaft ashpër, më pas e kaloi në një lojë shumë më delikate, duke e qesëndisur me elegancë kolegun e saj.

    Beneti i prekur qëndroi në heshtje, por nuk ia fali kurrë fyerjen dhe vazhdonte ta shigjetonte kundër të gjitha veprave të reja të koleges së shquar.

    Gore Vidal dhe Truman Kapot

    Mosmarrëveshja filloi në një festë të organizuar nga Tenesi Williams. Pikërisht gjatë një pritjeje të tijën, dy shkrimtarët filluan të ngacmonin njëri-tjetrin. Vidal e akuzoi Kapot për kopjimin e “Carson McCullers” dhe “Eudora Welty”, ndërsa Kapot iu përgjigj me përbuzje, se Vidal, sipas të gjitha gjasave, e kishe marrë frymëzimin nga një gazetë si “Daily News”.

    Një shkëndijë e vogël, që shpejt u shndërrua në zjarr. Kohë më pas, autori i “Me gjak të ngrirë” i hodhi benzinë zjarrit, duke deklaruar publikisht, se Vidal ishte flakur jashtë Shtëpisë së Bardhë i dehur dhe shqetësues.

    Sigurisht, Gore Vidal depozitoi menjëherë ankim. Padija bëri xhiron e botës dhe, mjerisht, që të dy vijuan ta shihnin përgjithmonë vrazhdë njëri-tjetrin.

    Vladimir Nabokov dhe Edmund Uillson

    Një miqësi prej më shumë se njëzet vjetësh, që u hodh në erë për përçarje politike dhe disa recensione, që, në fakt, vuri përballë njëri-tjetrin dy shkrimtarët e njohur. Nabokov nuk ia fali kurrë Uillsonit kritikat që ky i fundit kishte shprehur për “Lolitën”, veprën e tij më të famshme.

    Gjërat nuk u përmirësuan, kur Uillson sulmoi edhe përkthimin rusisht të kryeveprës së Pushkinit: “Eugjen Onjegini”. Një mosmarrëveshje e kapur nga gazetat dhe që përfundoi (qartësisht) me përgojime në analet e letërsisë.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    CIKËL POETIK NGA ARBEN PRENDI: MES SHIUT TË NATËS TOKËSORE

  • Nismat e socrealizmit asgjësues në Shqipëri: Shkrimtarët e pushkës kundër shkrimtarëve të mendjes

    Nismat e socrealizmit asgjësues në Shqipëri: Shkrimtarët e pushkës kundër shkrimtarëve të mendjes

    Nga: Albert Gjoka

    Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri konflikti për mbështetjen ose jo të rezistencës së armatosur kundër nazi-fashizmit u shtri jo vetëm në qarqet politike, por edhe në mjediset intelektuale dhe kulturore të kohës.

    Shkrimtarët që kishin marrë pjesë me armë në luftë, të mbështetur edhe nga strukturat politike, e vazhduan luftën e tyre për të realizuar edhe përmbysjen e sistemit letrar, me parimin e qartë se “letërsi është vetëm letërsia e Partisë”.

    Fillimisht, përplasja shfaqej si një konflikt mes të resë dhe të vjetrës; mes përparimit dhe regresit.

    Këto debate zunë vend në media, në forume të ndryshme, por u bënë edhe pjesë e vetë artit. Ja se çfarë shkruhej në poezinë “Ku ishe ti” “neutralëve poetë” të autorit Dhimitër Shuteriqin:

    “Ku ishe tikur unë kërkoja t’çilej qielli?Ku ishe tikur unë kërkoja drit’n e diellit?-Isha mbi re,isha në qiell dhe kërkojaqi të gris retëe bashkë me diellin të ndirçojapër ty të shkretë”dhe në strofën e fundit:

    “Ku ishe tikur dheu sërish u ri në mot?Ku ishe tikur thanë se dita e par asht sot?Ku ishe ti,kur leu ndadhnimi qi s’ka mort?Ku ishe ti,ku ishe ti,Poet?/

    – Isha nën dhetë!

    (Revista “Literatura”, 1947, nr. 1)

    Teksa zhvillohej ky debat, ishte krijuar edhe Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë më 25 nëntor 1945, një organizatë e cila u lansua si përfaqësuese e vlerave letraro-kulturore të momentit. Ajo u ndërmor nga një “komisjon iniciator: Imzot Vinçenz Prendushi, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Prof. Skënder Luarasi, Dr. Lazgush Poradeci, Dr. Dhimitër Pasko, Selim Shpuza, Sterjo Spasse, Dhimitër S. Shuteriqi, Shevqet Musaraj” (Arkiva personale e Dhimitër Shuteriqit).

    Në momentet e lansimit, në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte vendosur vetëm një kusht për praninë në organizatë, i përcaktuar në nenin 4, ku thuhet: “Nuk pranohen në këtë LIDHJE ata shkrimtarë, publicistë dhe gazetarë që i kanë shërbyer me veprat e tyre okupatorit, në mënyrë direkte dhe deri në fund tue u ba armiq të popullit”(Revista “Bota e Re”, nr. 1, 1945).

    Përplasja ideore nisi organet e sapo krijuara, të cilat u shndërruan shumë shpejt jo thjeshtë në një “media” për përcjelljen dhe promovimin e arritjeve letrare, por në një arenë dhe më pas në një armë ideologjike.

    Revista e parë “Bota e re” doli në korrik të vitit 1945, si vijim i “Bota e re”, e Korçës, për të mbështetur “traditat pozitiviste dhe progresive të Rilindjes kombëtare” (Bota e Re, nr. 1); “me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural”, me përkrahur të “gjitha energjive mendore që e duan lirinë dhe përparimin”, dhe për të “mbështetur talentet e reja”(Bota e Re, nr. 1).

    Drejtuesit e revistës, të cilët ishin njëherësh edhe drejtues të Lidhjes, e paralajmëruan misionin e vështirë për të qenë një shesh për zhvillimin lirisht të mendimit shqiptar si forcë reale e përparimit. Në të gjithë numrat e saj, por edhe në shkrimin hapës të Lame Kodrës, “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”, shihet qartë se misioni i kësaj reviste i tejkalonte pasqyrimin e aktivitetit letrar në vend, por ishte një “shesh” kulturologjik dhe politik, dhe për rrjedhojë do ta mbyllte aktivitetin e saj shumë shpejt duke ia lënë vendin revistës tjetër, “Literatura jonë”, e cila e nxori numrin e parë në mars të vitit 1947, me staf të rinovuar, e fokusuar kryesisht te letërsia dhe me mision të ri, i cili do të “tribuna ku do të shtrohen problemet e literaturës s’onë, kritika letrare dhe sidomos nxitja për një prodhim letrar sa më të gjerë dhe sa më të mirë. Por sa i madh është problemi i të prodhuarit në fushën letrare aq ësht edhe ay i drejtimit letrar, i një drejtimi të ri i cili do të japë asaturën literaturës s’onë të nesërme”. Në këtë numër të revistës u botua jo rastësisht fjala e A. Fadejev “Fjala e Shokut A. A. Zhdanov dhe detyrat t’ona më urgjente” mbajtur më 2 tetor 1946 në Moskë përpara mbledhjes së shkrimtarëve sovjetikë. Edhe në numrin pasardhës u botua shkrimi “Realizma Socialiste” e L. Timofejev-it. Edhe në numrat në vijim vijnë artikuj të Maksim Gorkit dhe autorëve të tjerë rusë, duke botuar gjithnjë e më pak nga autorë perëndimorë.

    Një pjesë e mirë e autorëve shqiptarë që bashkëpunuan me “Bota e re” nuk shihen tek “Literatura jonë” me krijime apo artikuj kritikë. Kronikat për ngjarjet letrare flasin për një përafrim të madh me letërsinë dhe autorët rusë dhe instalimit gradual të letërsisë së realizimit socialist sipas praktikës ruse. Ky diskurs kulturologjik është sjellë i plotë edhe në librin “Semiopragmatika e realizimit socialist”, me autor Ilir Yzeirin.

    Viti 1947 shënoi momentin kritik të konfliktit mes “shkrimtarëve të pushkës” dhe “shkrimtarëve të mendjes”, para se të finalizohej projekti që u aprovua në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt më 9-12 tetor 1948. Këtë e dëshmon më së miri dokumenti që po paraqitet në këtë punim, me titull “Literatura shqiptare në periudhën e Luftës Naçional-Çlirimtare”(F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 185).

    Ky dokument është ruajtur në arkivin personal të Dhimitër Shuteriqit, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, një nga drejtuesit kryesor të grupit për kodifikimin e metodës së realizimit socialist në Shqipëri. Në vitin 2009, ky dokument bashkë me materiale të tjera janë dorëzuar në Arkivin Qendror të Shtetit. Dokumenti ka 13 faqe të shtypura me makinë shkrimi, me dialekt të theksuar toskë, dhe mban datën 13 korrik. Me shkrim dore është shënuar viti “1947”. Po me shkrim dore është shkruar edhe autori i pretenduar i materialit, Behar Shtylla (Arkiva e PPSH, Dosja nr. 356), i diplomuar në Itali për letërsi, cili asokohe ka qenë zyrtar i lartë i Partisë Komuniste dhe më vonë ka punuar në fushën e diplomacisë.

    Në Arkivën Qendrore të Shtetit ky dokument është regjistruar pa datë të saktë. Behar Shtylla ka përfunduar tre vjet studimet për letërsi në Itali dhe ka punuar gjatë vitit 1941 në revistën “Shkëndija”. Ky punim nuk synon të merret me autorësinë e materialit, por konstatohet lehtësisht se për përgatitjen e tij, bashkë me autorin e shfaqur, pra Behar Shtyllën, kanë bashkëpunuar edhe shkrimtarë, të cilët ishin pjesë e grupit nismëtar për instalimin e metodës socrealiste në Shqipëri.

    Materiali bën një skanim të plotë të gjendjes letrare në Shqipërinë së vitit 1947 dhe bën një klasifikim të grupeve, parë në një këndvështrim të fortë ideologjik. Këtu shfaqet koncepti i ri ideologjik për letërsinë: “Edhe procesi letrar shkon paralel me procesin e përgjithshëm, është pjesë e tij e pandarë; edhe trathtarët kanë literaturën e tyre profashiste, populli në luftën kundër tyre krijon literaturën e tij të luftës antifashiste” (F. “Dhimitër Shuteriqi”, AQSH., Nr. 826, Dosja Nr. 185). Pra, këtu theksohet se “literatura ësht literature klase” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Në këtë dokument bëhet klasifikim në shkrimtarë antifashistë dhe fashistë.

    Grupi i dytë ndahet në: Shkrimtarët kriminelë lufte dhe Shkrimtarët e kompromisit.(shih tabelën). Ky klasifikim bëhet duke i konsideruar grupimet kulturore si organizime të cilët kanë një drejtues, kanë anëtarët dhe mbështetësit e tyre. Referuar dokumentit, shkrimtarët e pasluftës u klasifikuan si më poshtë:

    Siç shihet edhe nga tabela, për klasifikimin e shkrimtarëve është ndjekur një kriter ideologjik, ku në grupin “shkrimtarët fashistë” janë përfshirë shkrimtarët e konsideruar nacionalistët, ata që morën pjesë në qeverisjen fashiste dhe grupimi i intelektualëve të “neoshqiptarizmës”. Në grupimin e tyre, tek “shkrimtarët e kompromisit”, janë përfshirë ata që ishin afër kreut të Ballit Kombëtar, Lumo Skëndo dhe, në grupin e tretë, te shkrimtarët antifashistë janë përfshirë të gjithë shkrimtarët që mbështetën luftën.

    Sipas dokumentit, “shkrimtarët që bien në prehrin e fashizmit, bëhen kasnecët e shërbëtorët e tij ose pajtohen me situatën e okupacionit dhe shkruajnë në këtë situatë, janë të gjithë njerës të lidhur në një mënyrë ose në tjetrën me klasën e bejlerëvert, të bajraktarëve, të tregtarëve e të priftërinjvet, në klasën që sonte në kohën e Turqisë, që sundonte në kohën e Zogut, që sondonte nën fashizmin, janë shkrimtarë të kapitalit e të pronës private, të fryrë me ndienja shoviniste për Shqipërinë e madhe kundër shkjaut, kundër grekut, me konceptin e hierarkisë së klasave e të elitës, së parisë që gëzon të gjitha privilegjet dhe sundon mi masat….” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185). Ndaj tyre dhe krijimtarisë letrare paralajmërohet qartë masa ekstreme,- zhdukja e tyre, – ashtu siç ndodhi në të vërtetë:

    “Vepra e tyre. Prodhimi letrar i ketyre njerezve ne pjesen me te madhe ka pare drin perpara okupacionit dhe vlen te studjohet ne ate periudhe. Ne kohen e luftes Nacional Çlirimtare keta miren qe te gjithe aktivisht me politik ne favor te okupatorit, kunder popullit. Shkrimet e tyre te kohes kan karakter publicitar – demagogji e nxitje per lufte vella-vrasese, per lufte grabitqare kunder vendeve fqinje, glorifikojne okupacionin, meren me literature dhe politike fashiste, me literaturen italiane per te ngulur kulturen fashiste e italiane ne Shqiperi. Vepra e tyre duhet shdukur?” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Për grupin e “shkrimtarëve të kompromisit” thuhet: “këta dallohen nga të parët për një aktivitet politik më pak të dukshëm. Vetëm kjo i ndan pse shtresa e tyre, shpirti dhe edukata e tyre i lidh me të parët” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Kundër grupit të shkrimtarëve profashistë vihen shkrimtarët antifashistë, si letërsia e re kundër së vjetrës, një letërsi që lindi dhe u zhvillua tok me luftën ndërsa vepra e tyre përfshinte “fjalime, trakte dhe artikuj politik, gazeta, revista, broshura, vjersha, novella, drama” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Në fund të këtij dokumenti thuhet: “Literatura e re ka t’ardhmen përpara. Ajo është e huaj kjo ësht e jona. Në periudhën e re të luftës për ndërtimin e socializmit shkrimtarët t’anë të mësojnë mi literaturën e luftës Nacional Çlirimtare e të perfeksionojnë artin e të shkruarit për popullint’onë në konditat e reja të luftës, në problemet dhe aspiratat e tij aktuale, mbi marrëdhëniet e reja politike, ekononomike e shoqërore të krijuara në Shqipëri” (F. Dh. Shuteriqi”, Dosja Nr. 185).

    Ja sesi e argumentonte Dhimitër Shuteriqi qëdrimin e disa shkrimtarëve që u klasifikuan në të ashtuquajturin grupi i “shkrimtarëve fashistë”: “Fishtën etj. i kemi goditur si fashist e kolaboracionist më 1950 kur në tërë botën kishte raste të tilla (Erza Paundin e shëtitën në një kafaz hekuri, nëse e di saktë; Brazijakun e pushkatuan, dhe Celini nuk hyri dot në Francë për 2-3 dekada, por jetoi i mërguar, që di saktë); tek ne vepruan ndryshe, nuk i futën në tekstet shkollore, nuk i ribotuan …”( F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 9). Ndërsa për Mitrush Kutelin shprehej: “Në Maj 1944, – gjente dhe ditën! Se me 1 maj!, – te ‘Gazeta Letrare’ që botonte në Tiranë, Kuteli merrte nëpër gojë ‘shkrimtarët me kobure’ që kishin vënë kokën në torbë kundër nazistëve. Ja budallëqe mbi budallëqe! Përse? Si guxonte? Shevqet Musaraj sapo botonte ‘Epopeja e Ballit Kombëtar’. Tani jo K. (Kuteli, – shën. red.), po dhe kalamanjtë e shihnin se si po precipitonte falimenti nazist: si po guxonte K. të delte e të përgojonte ‘shkrimtarët me kobure’ që luftonin nazizmin? K. duhej të besonte si dhe disa bashkëpunëtorë të gazetës në fjalë, se Lufta nuk do të mbaronte me fitoren e partizaneve, po me fitoren e Ballit që aleatët ‘pseudo’ të komunistëve do t’i sillte në fuqi!” ( F. “Dhimitër Shuteriqi”, Nr. 826, AQSH, Dosja Nr. 9).

    Duke iu referuar të gjithë burimeve të historisë së letërsisë shqipe të pasluftës, duket qartë se ky dokument vjen në një moment kritik të debateve mes grupeve të shkrimtarëve dhe artistëve për fatin e letërsisë dhe kulturës shqiptare pas çlirimit. Pikërisht në kohën kur nuk ishte vendosur ende kahja në të cilën do të zhvillohej kultura kombëtare shqiptare asokohe, dokumenti parapriu atë që do të ndodhte me gjithë procesin letrar dhe me fatin e shkrimtarëve në vitet në vijim.

    Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipnisë, e zhvilluar më 9-12 tetor 1949, u shoqërua me debate të ashpra gjatë tre ditëve të zhvillimit të saj. Në të u përvijuan dy grupimeve: Mbështetësit e metodës realizimit socialist, të përfaqësuar nga Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Mark Ndoja, Kol Jakova, dhe grupimi që kishte rezerva: Sejfulla Malëshova, Skënder Luarasi dhe Ymer Dishnica: Në diskutimet treditore PPSH kishte përfaqësuesin e saj, Bedri Spahiu, i cili hapi dhe mbylli debatet e kësaj konference.

    Në finalizimin e konferenca sanksionoi drejtimin që do të merrte letërsia shqipe, metodën e re të realizimit socialist sipas modelit sovjetik, riorganizoi Lidhjen dhe ndryshoi e statutit që ishte miratuar në vitin 1945,“pastroi” e radhëve të saj, teksa u pozicionua ndaj traditës letrare dhe bërë seleksionimin e saj, përcaktoi rolin e ideologjisë në letërsi, përzgjodhi rreptësisht temat që duhet të trajtonte letërsia, përzgjodhi formën nacionale dhe përmbajtjen socialiste të letërsisë, mënyrën e formimit të talenteve të reja letrare, rolin që duhet të ketë kritika dhe autokritika dhe çështjen e përkthimit të letërsisë së huaj, ku u vendos që të vinte në shqip kryesisht letërsi sovjetike” (“Konferenca e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë 9-12 tetor 1949, Botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë, 1950).

    Në botimin e bërë enkas për Konferencën e Tretë vetëm diskutimet e Sejfulla Maleshovës jepen të përmbledhura, ku ai del kundër “linjës së demarkacionit” në letërsinë shqipe.

    Pas këtij momenti, letërsia që u zhvillua në Republikën e Shqipërisë u zhvendos jashtë shtratit të saj të natyrshëm historik, duke instaluar metodën e re të realizmit socialist, të importuar nga Bashkimi Sovjetik. Përgjatë viteve të mëtejshme, letërsia socrealiste formësoi morfologjinë e saj, si një tërësi rregullash të cilat duhet të zbatoheshin nga shkrimtarët, të cilat përfshinin të gjithë elementet që kishin të bënin me autorin, veprën dhe lexuesin.

    Ky fakt që po sjellim për lexuesin dëshmon një bashkëpunim të strukturave politike dhe grupimeve të shkrimtarëve që morën pjesë në luftë, për të ndërhyrë mbi sistemin letrar, me synimin për të asgjësuar një pjese të mirë të prodhimtarisë artistike dhe ndëshkimin e disa prej shkrimtarëve kryesor modernist të asaj kohe. Vendosja e metodës së realizimit socialist në Shqipëri nuk u bë e mundur përmes një procesi të mirëfilltë debatesh teorike apo ideologjike për një letërsi të angazhuar, – siç kishte ndodhur në shumë vende të Lindjes, apo siç kishte nisur në vitet ’30; apo siç vijoi në vitet 1945-45 (përmes qëndrimeve të Sejfulla Malëshovës), – por përmes mekanizmave të imponimit ekstraletrar, përmes politikës së regjimit të ri. Këtë e dëshmon fakti se në krye të grupit të shkrimtarëve antifashistë u vendos Enver Hoxha, Nako Spiro dhe Qemal Stafa. Duke e konsideruar edhe letërsinë si “letërsi klase”, të ashtuquajturit shkrimtarët e luftës antifashiste asgjësuan shkrimtarët e tjerë dhe një pjesë të atyre që konsideroheshin si “shkrimtarët e kompromisit” i imponuan gradualisht që të përqafonin “letërsinë e re”, pra të përqafonin metodën e realizimit socialist.

    Në këtë mënyrë nisi rrugëtimin e vet asgjësues letërsia e realizimit socialist, e cila shënoi një prej eksperimenteve më të rënda, me kosto të jashtëzakonshme jo vetëm mbi energjitë krijuese të shkrimtarëve por edhe në atrofizimin e vlerave të mirëfillta letrare dhe në bjerrjen e shijeve letrare të lexuesit deri në rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. /Revista “Palimpsest”/

  • Lazër Shantoja: Shkrimtarët e rij zakonisht urrejnë fushën. Fillojnë mejherë me u kacavjerrun malit…

    Lazër Shantoja: Shkrimtarët e rij zakonisht urrejnë fushën. Fillojnë mejherë me u kacavjerrun malit…

    Nga Lazër Shantoja

    Shkrimtarët nuk janë porsi shishet e vênës. Këto, sikur dihet, sa mâ të vjetra të jenë, aq janë mâ të mira. Përkundrazi, zbatue shkrimtarve, adjektivat «i rí, i vjetër» nuk shênjojnë kurrnji cilsí vlere. Këtu due vetëm të përshkruej disa symptoma të cilat e dajnë në shêj shkrimtarin qi vêhet me shkrue së parit e qi prandej po e quejmë «të rí». Tue pasë qênë un vetë dikur i tillë, mund të shkruej mbi ta.

    Shkrimtarët e rij zakonisht urrejnë fushën. Fillojnë mejherë me u kacavjerrun malit. Nuk âsht nevoja me thânë se ky mal âsht ai i Parnazit. E mbasi ndër sa cilsí të bukra qi ka ky mal i famshëm âsht edhe ajo, me bâ rrimë me kalin me flatra të poetve, Pegazin, qe se shkrimtarët e rij i shohim mâ të shumen e herës në shpinën e ksaj shtaze fisnike e heroike. Ec e ndali mandej. N’at mal legjendar at s’shohin tjetër por lila e zymbyla e karajfila, malle e valle e shtojzavalle, agime, kërcime e defrime. Nuk e harroj kurr çasin kur, kalamâ 12 vjetsh, i u ngjita dhe un atij mali. M’a xêni besë, tue u shprishë kâmbësh e duerësh… Sidomos duerësh…; pse 12 vargjet e atyne trí strofave të shkreta qi kjenë stacjonet e para e asaj shetije, ishin të matuna me gishtat e duerve. Nuk kam marre t’a thom. Por ec e fol me mue se! As mos me të shkue mâ buka, as mos me të marrë gjumi i natës. Këndo e rikëndo ato vargje të shkreta, qi për mue ishin at herë quintessenzae poezís. Nuk e besoj se Madame Récamier âsht qênë qyrë në pasqyrat e sallonit të saj t’Abbaye-aux-Bois me nji vetkënaqsí mâ të madhe se un në vjerrshën e parë t’eme. Të rijt qi nuk kan bâ a nuk bâjnë si un, të më shajnë!

    Por kjo âsht gjymsa e së keqes: me shkrue vjerrsha! Halli âsht se shkrimtarët e rij nuk kanë duresë. Duen me dalë ne mejdan. Vjerrshat për ta janë si simitat, e këta duhen hangër të xehtë. Vrap prandej me i botue. E vaj halli me bâ me pasë guximin me u a qitë në kosh! U ké marrë nderën! E bân pse dron konkurrencen e gjeníve të rij! Nuk din ça âsht arti. Duhet me ju falun nderës Zotit qi të dashunit e zânave Ky nuk na i ka stolisë mâ të shumën e herës edhe me trimní, pse, qe besa, për nji vjerrshë të qitun në kosh të nji redakcjoni, këta nuk kishin pritue me qitë pushkë në redaktorin.

    Shkrimtarët e rij të më ndigjojnë mue. Ase mâ mirë të ndigjojnë Horacin. Nji kângë popullore e malsinave t’ona thotë: «mbas ndandë muejsh bân vasha djalin» e Horaci kërkon jo ndandë muej por ndandë vjet për me botue prodhimet e zânave t’ona. Un kam botue pak fort vjerrsha, por më kënaqin sod mâ fort ato qi nuk kam botue. Pse? Pse sod ato s’më duken vjerrsha mâ, por vetëm vargje. Pse me u koritë kot e botnisht?

    Théophile Gautier na thotë se nji artist i rí do të shkruej së paku 50.000 vargje për ushtrim, para sé me botue nji të vetëm.

    Ushtrim pra, ushtrim i gjatë, e kur të shohim se me gjith ushtrim vargjet çalojnë, të zdrypim në fushë e t’ecim në kâmbë. Fusha e prozës ka me i diftue nji artisti të vërtetë se âsht mbushë dhe ajo me poezí e jo me mâ të lehten!

    Tue këndue këta vjett e fundit disa prodhime shkrimtarësh të rij të botueme andej e këndej ndër rivista të ndryshme kam konstatue nji gjâ shum të ngushllueshme. Nji stil 1937! Due methanë nji stil me perjudha të shkurta, të caktueme, të këputuna, të dallueme. Nji stil kristal qi sot quhet stil frêng. Sod sikur nuk veshet kush mâ me modene shekullit 15. (jashta ndër shqena theatrore a në ndoj proçesjon kanivalesh) kështu edhe  nuk shkruen mâ kush n’at mënyrë. Në Shqipní un njoh dy vetë, nji të vjetër e nji të rí, qi shkruejnë gjithnji me perjudha të gjata as me qênë brêza dibranësh… Perjudhat e mëdhaja nuk bâjnë në shekullin t’onë shkrimtarët e mëdhaj e kështu mbasi kush nuk i njeh, s’po due me u a përmendë emnin. Por tjerët? Me t’u kënaqë shpirti me i këndue! Shkruejnë shqip, por në veshë moderne. 

    «Çë ferk, Emzot, ka ndërmjet tënji malsori e të nji zadrimori?» pyette tash ka disa vjet nji mik i emi, Emzot ai vetë sot, të parin e vet. Ky ngurron me përgjegjë. At herë pyetsi i a bân:«Qe, Emzot! Me bâ me i ra pushka nji malsorit, plumbi kishte për t’i përshkue tirqët e tij tue bâ: tak, tak! Perkundrazi me pasë për t’i ra plumbi nji zadrimorit, ai kishte me shkue tue bâ llapallapa nëpër brakesha… Ndiç… Kastil malsorësh e stil zadrimorësh, stil tirqish e stil brakeshash. Shkrimtarëte mirë, të rij e të vjetër, veshen me tirqë.

    «L’art d’être ennuyeux, c’est de toutdire», thotë nji shkrimtar frêng. Masë pra. Duhet me lânë dhe lexuesin me mêndue, me bashkpunue me né. Vetëm at herë ka m’u zgjue kureshta e tij, ka me na ndjekë, nuk ka m’u merzitë. E për mos me e mërzitë, këtij nuk do t’i falim klishe të lame e të stërlame, por fytyra të reja e origjinale. Aty rri arti i vërtetë e nji artisti qi meriton kët emen. Sikur kur marr me këndue nji libër të Fishtës un këndoj Fishtën e vetëm Fishtën, kështu edhe kur të marr me këndue librin e nji shkrimtari X. duhet të këndoj ça shkruen e si shkruen shkrimtari X. e jo të këndoi shkrime qi kanë erë Fishte, erë Mjede a erë Koliqi. Shkrimtarët  qi shkruejnë mbi falsarigen e huej janë si ata pleq të shkretë qi ecin me terfurksa, gjindë qi sillen gjithmonë ne e huejen, pa fytyrë e fizionomí të veten. Kopista e jo shkrimtarë.

    Për me i a mbërrijtë këtij origjinaliteti në shkrim duhet nji send i vetëm. Mos me ndërrue fytyrë. Stili âsht nji me njerín e sikur nuk ka dy njerz qi të kenë tamam nji fytyrë kështu natyrisht nuk do t’u gjindshin dy vetë qi të shkruejnë krejt në nji mënyrë. S’âsht çashtje gramatike e syntaksi këtu. Âsht çashtje mendimesh, ase ma fort formulimit mendimesh. Gazetarët e mëdhaj e mund të thomi përgjithësisht shkrimtarët e mëdhaj dallohen n’origjinalitetin e formulimeve të tilla. Qe dy fjalë qi sqarojnë të tanë nji situatë. Ai qi nuk din me shkrue, mbushë dỳ fletë me thânë po at send e kurrkush s’e merr vesht e kurrkuj fjalët e tija s’i bâjnë përshtypje. Por ky origjinalitet ky art me gjetë fjalën e shprehjen e duhun, përfytyrimin e nji fyshqete, frazën qi bâhet e mbetet popullore, paradokset e shkëlqyeshme e të gëzueshme, âsht fryti i nji vërejtjeje të gjatë e të padame të jetës, i nji studimi e të përmbledhuni të përmbrendshëm, âsht takti e delikatesa shpirtnore, âsht pasunija e patrashigueshme e artistave. Shkëndija e gjenit? Këta janë të rrallë. Edhe për shkrimtarë shkon fjala popullore qi Turqit kanë për njerzit e mëdhaj: Fati xên marak në njerin e aftë.

    Shkrimtarët e rij prandej të punojnë e mos të lodhen. Ka ndër ta sod asish qi munden me mësue të vjetrit. Na të vjetrit i shtrëngojmë dorën me gzim e mundohemi me ecë me ta. Kur të kujtohemi se bukurín e artit e përdorin me përshkrue e këndue sende qi nuk janë të bukura e kemi me detyrë me u ngrehë veshin. 

    S’do të na idhënohen. Asë?

    Botue s’parit tek e përkohshmja Cirka, 18 Korrik 1937

    (L. Shantoja, Vepra, Botime françeskane, Shkodër 2005).

    *Titulli i origjinalit: “Shkrimtarët e rij”

    Lexo edhe:

    DOM LAZËR SHANTOJA, KLERIKU I PARË MARTIR SHQIPTAR

  • Zija Çela: Zot, ruaji shkrimtarët, por sidomos ruaje lexuesin…

    Zija Çela: Zot, ruaji shkrimtarët, por sidomos ruaje lexuesin…

    Zija Çela

    Nga Zija Çela

    Atë ditë kisha lexuar një roman anemik, që e lavdëronte me zë të lartë një kritik. Në mbrëmje dukem i heshtur në gjendjen që përcjell kjo foto. Por, në të vërtetë, jam duke folur me vete nën zë. E po thosha:“Zot, ruaji shkrimtarët, por sidomos ruaje lexuesin nga anemizmi në letërsi! Megjithëse, po të duash, këtë lëngatë mund ta dallosh lehtë, është si luga e zbrazët në jetë.”Dhe menjëherë më erdhën ndër mend pyetjet e hershme, ato të thjeshtat, që shpesh i referohen autorit, kur marr në dorë një libër. Një: Zotëri, a keni gjë për të thënë? Dhe dy: Nëse po, si e keni thënë?Në dy përgjigjet fshihet një botë e tërë, universi i letërsisë.

    * Titulli i origjinalit: “Me vete flisja”

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    MARTIN CAMAJ: E VETMJA DASHUNI IME…