Tag: shkencore

  • Kush ishte Antoine Lavoisier, babai i kimisë moderne

    Kush ishte Antoine Lavoisier, babai i kimisë moderne

    Më 26 gusht shënohet përvjetori i lindjes së Antoine-Laurent de Lavoisier (1743 – 1794), një nga figurat më të shquara të shkencës botërore, i cilësuar si “babai i kimisë moderne”.

    Lavoisier, i lindur në Paris, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës duke i dhënë fund teorive të vjetra mbi natyrën e materies dhe duke vendosur bazat e një shkence të re. Me eksperimentet e tij, ai vërtetoi se djegia dhe frymëmarrja janë procese të lidhura ngushtë me oksigjenin, duke rrëzuar përfundimisht teorinë e flogistonit që mbizotëronte deri atëherë, shkruan KultPlus.

    Një nga arritjet e tij më të mëdha ishte formulimi i ligjit të ruajtjes së masës, i cili sot mbetet themel i kimisë dhe i shkencave natyrore: “Asgjë nuk krijohet, asgjë nuk zhduket, gjithçka shndërrohet.” Ky parim hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të kimisë si disiplinë eksakte.

    Përveç punës së tij kërkimore, Lavoisier kontribuoi edhe në sistematizimin e elementeve kimike dhe në hartimin e një terminologjie shkencore të qartë, e cila përdoret edhe në ditët e sotme. Ai ishte një shkencëtar me vizion të gjerë, duke kombinuar eksperimentin me analizën e rreptë shkencore.

    Megjithatë, jeta e tij pati edhe një fund tragjik. Gjatë Revolucionit Francez, Lavoisier u akuzua si pjesë e sistemit financiar të monarkisë dhe në vitin 1794 u ekzekutua me gijotinë. Vdekja e tij la boshllëk të madh në botën shkencore, por trashëgimia e tij vazhdon të jetë frymëzim për gjeneratat e reja.

    Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, Antoine Lavoisier kujtohet si shkencëtari që i dha kimisë një gjuhë të re dhe e ngriti atë në nivelin e një shkence moderne./KultPlus.com

  • Foto e Rrallë: – Kisha e Gomsiqes, kabinet pune kërkimore shkencore e Shtjefën Gjeçov Kryeziut

    Foto e Rrallë: – Kisha e Gomsiqes, kabinet pune kërkimore shkencore e Shtjefën Gjeçov Kryeziut

    Nga: JAHO BRAHAJ

    Gazeta Bota Sot, Prishtine.

    24 Tetor 2022

    Kisha e Gomsiqes, ishte kthyer në kabinet pune kërkimore shkencore të Shtjefën Gjeçov Kryeziut.

    Qendër e përpjekjeve e bazë e luftëtarëve për Pavarësi Kombëtare në fillimvitet e shek. XX.

    Faik Konica e quante “Vend i Shenjet”.

    Këtu e ka zanafillën puna për mbledhjen e kodifikimin e “Kanunit Shqiptar”.

    Këtu u shkrua manifesti për Trashëgiminë Kulturore të Etnisë Tonë, vepra “Agimi i Gjytetnisë”, këtu u shkrua vepra madhore historiko-kulturore e prejardhjes së shqiptarëve “Trashëgime Pellazgjesh”, këtu u lëshua thirrja e Gjeçovit për aksionin e mbledhjes dhe dokumentimin e “Ciklit të Kreshnikeve” me 1907, këtu u mblodhën gojëdhëna, tregime historike, legjenda etj.

    Nga këtu u nisen shkrime gjuhësore e historike për tu botuar në “Albania” te Konicës në Bruksel. Këtu u hartuan thirrje për kryengritje dhe korrespodenca me patriotë e ideologë të Rilindjes tonë Kombëtare.

    E publikojmë këtë foto të rrallë në kuadrin e “TAKIMEVE TË GJEÇOVIT” që organizohet në Zym të Hasit, Kosovë, ditën e shtunë, më 29 tetor 2022.

  • Origjina shqiptare e boshnjakëve të Rozhajës, është teori shkencore edhe e vetë studiuesve malazezë!

    Origjina shqiptare e boshnjakëve të Rozhajës, është teori shkencore edhe e vetë studiuesve malazezë!

    Sipas një hulumtimi etnografik, të kryer mes viteve 1950-1960 nga studiuesi malazez Milisav Lutovac, Rozhaja dhe rrethi i saj kishte 2097 shtëpi. Prej tyre, 1409 ishin me origjinë nga Kuçi, Kelmendi, Hoti, Rugova, Malesia dhe Rrafshi i Dukagjinit, derisa 687 tjera nga ajo pjesë që në literaturën ballkanike njihet nën emrin “Brda” ku komponenta shqiptare është mjaft e fuqishme.

    Në këtë kontekst, origjina shqiptare e boshnjakëve të kësaj krahine nuk është hipotezë e ngritur në mënyrë subjektive nga studiuesit shqiptarë, por teori shkencore e ardhur fillimisht nga vetë studiuesit malazezë. Në një kohë kur ne nuk shkruanim e flisnim asgjë mbi këtë çeshtje.

  • Mënyra se si e pleqëroi rastin Xhemajl Abria, aq e afërt me metodën shkencore të ADN’së!?

    Mënyra se si e pleqëroi rastin Xhemajl Abria, aq e afërt me metodën shkencore të ADN’së!?

    Xhemajl Abria kishte cilësitë e një parandjenësi dhe gjeniu popullor. Shembulli më i mirë është ndihma që i dha në një pleqni Rexhë Hysenit të Bellopojes së Istogut.

    Mënyra se si e pleqëroi rastin, është aq e afërt me metodën shkencore të ADN-së.Rexhë Hyseni i Bellopojës, pleqnar i njohur, i kërkou ndihmë për ta zgjidhur ngatërresën mes disa familjeve, rreth trashëgimisë së pronës. Nuk mund të konstatohej më i afërmi, për ta trashëguar pasurinë. Xhemajl Abria, e udhëzoi Rexhën:

    Çelne vorrin e t’deknit. Merreni ni asht t’tij. Thirrne ka ni mashkull pej dy palë t’ngatrueme. Merrnjau ka ni pikë gjak e qitni n’asht. Atin si ja pin ashti pikën e gjakut, jepjani hisen e t’deknit, se e ka ma t’ngatë.Vërtetë, zgjidhje për të menduar. Çfarë ngjashmërie me metodat shkencore të ADN-së, të cilat morën hov zhvillimi në SHBA vetëm në vitet pesëdhjetë, ndërsa sot aq suksesshëm po përdoren për identifikimin e të vrarëve shqiptarë nga policia dhe ushtria serbe në Luftën Çlirimtare të viteve 1998/99.Shkëputur nga libri: Xhemajl Abria Pleqnar i Kosovës nga Xhemajl Bajrami /InforCulture.info

  • Cvijiq: Peshterasit janë të gjatë, vital, elastik, sy shqiponjë , sojit të bukur …!

    Cvijiq: Peshterasit janë të gjatë, vital, elastik, sy shqiponjë , sojit të bukur …!

    Në librin e tij, studimet antropogjeografike Cvijiq trajton aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve mes mjedisit gjeografik me kulturën shpirtërore dhe materiale në Ballkan.

    Në librin e tij, studimet antropogjeografike Cvijiq trajton aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve mes mjedisit gjeografik me kulturën shpirtërore dhe materiale në Ballkan. Cvijiq në vitin 1905 ishte një nga profesorët e parë të rregullt në Universitetin e Beogradit. Në analizat shkencore që iu ka bërë veprave të Cviji-it, Akademik H. Islami vjen në përfundim se   Cvijiq “ishte jo objektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”.

    Ndër studiuesit më të dalluar në shkencën sllave, i cili ka dhënë një kontribut të dalluar në fushën shkencore, është Jovan Cvijiq (1865-1927).[1] Ky autor serb në studimet e veta antropogjeografike ka ardhur në përfundim se popullsia shqiptare është me origjinë iliro-pellazge dhe është një ndër popujt indoevropianë më të vjetër në Ballkan dhe autokton. Në konstatim të këtillë kanë ardhur edhe autorë të tjerë sllavë të cilët do t’i përmendim më vonë.

    Megjithatë, konstatimet e këtilla nuk kanë qenë në interes të politikës sllave, posaçërisht të asaj serbomadhe, në veçanti. Borgjezia serbe e kohës së Cvijiqit, ka udhëhequr një politikë kryekëput ekspansionistë – gllabërues. Qëllimi i saj, duke u dhënë rëndësi faktorëve natyrorë, ka qenë që t’i okupojë ato vende të cilët mundësojnë dalje në det, dhe që kanë rëndësi gjeostrategjike. Për të arritur këtë qëllim, është dashur në fillim vendi të çlirohet nga okupuesi osman, e pastaj, sa më tepër që është e mundur, të merr vend nga trojet e popujve të tjerë. Që të arrihej objektivi i caktuar, qeverisë serbe, më vonë edhe asaj jugosllave, para dhe pas LDB, duhej t’i vinin në ndihmë edhe punëtoret e shkencës në krye me Akademinë e shkencave.

    Pikërisht, për këtë qëllim, Cvijiqi, mbështetësit e tij të kohës dhe pasuesit e mëvonshëm, duke harruar atë që kanë konstatuar më parë, filluan të plasojnë teza të reja për çështjen shqiptare të paqëndrueshme në fushën shkencore, që ju kanë shërbyer interesave të politikës shtetërore gllabërues. Këto teza të Cvijiqit gjejnë mbështetje edhe në kohët e mëvonshme nga autorët sllavë.

    Shkolla gjeografike e drejtimit antropogjeografik të cilën e themeloi Jovan Cvijiqi, dallohej me dy cilësi: e para, mbështetet në sqarimet parciale dhe në shtrembërimin e fakteve që flasin për autoktoninë e shqiptarëve, dhe, e dyta, ka pasur qëllime kryekëput politike.

    Në analizat shkencore që iu ka bërë veprave të Cviji}-it, ky studiues i dalluar në fushën shkencore, vjen në përfundime mjaft korrekte. Në interpretimet e informacioneve dhe të dhënave nga terreni, Cvijiq “ishte jo objektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”, nënvizon akademik Hivzi Islami.

    Në vijim po japim pjesë të shkrimeve të autorit në fjalë, të cilat  kanë të bëjnë me mjedisin gjegjësisht Sanxhakun ku takohen popullsia sllave dhe Shqiptare.

    Në aspektin gjeografik fiset më të forta etnografike të Gadishullit Ballkanik[2] janë banorët e Kodrave të Malit të Zi, pjesët e Hercegovinës, Peshterit dhe viset e Shqipërisë veriore. Banorët e këtyre trevave i kanë ruajtur formën e vjetër të vëllazërisë fisnore, gjinive- fiseve edhe organizimin e tyre. Këta, kryesisht janë shumë të gjatë, vital, elastik dhe kurrsesi të trashë, fytyrë me  plotë shprehje, sy shqiponjë: sojit të bukur /racës në gadishullin Ballkanik, të gjithë, edhe Shqiptarët mysliman, siç i quan ai Arbanasët muhamedan. Në jetën e përditshme janë shumë të përmbajtur, në të shumtën e rasteve nuk konsumojnë as njëlloj pije alkoolike, ndërsa duhan dhe kafe shumë rrallë. Pothuajse nuk ka individ me të meta fizike, të degjeneruar siç thotë ai. Ata e kanë ruajtur moralin e fort malor, shpesh me veçori bujare, me ndjenja të thella për bashkësinë familjare dhe flijimin e cila nuk mungon as pran viktimave më të çmuara. Nga këto veçori rrjedhin veçori të shumta etnografike dhe antropogjeografike. Këto veçori janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kulturën dhe zakonet e popujve bizantin dhe cincar. Për Arbanasët (Shqiptarët) Toskë në jug, thotë se kanë shumë tipare bizantine dhe cincare, pak edhe në dukje janë të tillë.

    Në pjesët veri-perëndimore të viseve të Serbisë[3] blegtoret i quajnë “Arnautin” por, ky është emri që nuk tregon njeriun e pasur me bagëti, por tani njerëzit e këtyre rajoneve gjegjësisht banorët e Sjenicës dhe Peshterasit i quajnë Arnaut ( shqiptarë). Ndërsa banorët e trevës së Novi Pazarit dhe të Senicës të cilët në masë të madhe i kanë banuar trevat e Stari Vllah dhe Shumadinë, thuhet se kanë ardhur nga Arnautllaku( Shqipëria). Shumë fshatra në Shumadinë e ulët quhen treva të arnautëve (shqiptarëve). Siç janë: Rogaci, Babana etj. Mandej edhe Uzhiqasët të cilët kanë zbritur për të jetuar në Jadar dhe Maçvë njerëzit a tyre vendeve i kanë quajtur Arnaut (Shqiptarë). Banorët e Kragujevcit të cilët kanë ardhur nga trevat e Rashkës (Sanxhakut) i kanë quajtur Arnaut (Shqiptarë).

    Në Serbinë lindore nuk është emri i pazakontë Arnaut dhe është i lidhur me imigrantët nga rrethina e Rashkës (Sanxhakut), ku janë në numër të madh. Kështu, lagjet e fshatrave i kanë quajtur lagje Arnaute, ndërsa lumi që kalon nëpër qytetin e vogël të Bolevacit quhet Arnaut, siç kemi rastin edhe me shumë vorbulla.

    Shumica e të ardhurve në Serbi[4], nëpër qyteza ku janë përqendruar Cincarët, rryma më e madhe për nga numri i të ardhurve janë nga Hercegovina, Kodrat e Malit të Zi, trevës së Novi Pazarit, Bosnjës, kryesisht në Shumadi, por ka edhe Arbanasë (Shqipatrë).

    Në Sanxhakun e Novi Pazarit[5] në mesin e të ardhurve në trevën e Sanxhakut ka Vasojeviq, dhe një numër i madh i fisit Kuç, sidomos përgjatë luginës së lumit Lim.

    Cvijiq në veprën e tij përveç tjerash shkruan: “Procese të rëndësishme etnografike kanë ndodhur në ato vise ku janë takuar popujt sllav dhe ai shqiptar në Mal të Zi.[6] Arbanasët janë serbizuar edhe në Mal të i Zi. Të origjinës së tillë janë një pjesë e fisit Kuç dhe Piper, përveç asaj Vasojeviqët  janë zgjeruar në kurriz të Klimentëve. Të njohura janë traditat gojore të origjinës së përbashkët të Vasojeviqëve, Piperëve dhe Ozriniqëve me Hotin dhe Krasniqin[7] dhe afërsitë në mes tyre. Për fiset në Mal të Zi thuhet se i kanë asimiluar popullsinë e vjetër Bukumir, Kriçkë dhe Potarje, dhe në mesin e tyre edhe fiset fqinje Shqiptare”.

    [1]  https://sh.wikipedia.org/wiki/Jovan_Cvijic

    [2] Јован Цвијић – Антропогеографски проблеми Балканског полуострва, Faqe 30, 31,

    [3] Po aty faqe 137

    [4] Po aty 187

    [5] Po aty194

    [6] Po aty faqe 6

    [7] Po aty faqe 222.

  • Iliriku (Illyricum), i tërë, jo i përgjysmuar

    Iliriku (Illyricum), i tërë, jo i përgjysmuar

    Abdulla Mehmeti

    Iliriku historik nuk ka nënkuptuar vetëm territoret e gadishullit të sotëm të Ballkanit, por edhe territore të tjera me popullsi ilire.Historikisht, në bazë të burimeve, ky gadishull ka nënkuptuar dy pjesët e tij të pandara, sipas shtrirjes gjeografike:ILIRIKU PERËNDIMOR (Illyricum Occidentis), ka përfshirë provincat: Rhetia, Noricumi, Pannonia, Dalmatia, Istria, Etruscia etj., pjesën perëndimore të gadishullit Ilirik dhe Gadishullin e Apenineve, me masivin malor të Alpeve dhe ishujt e detit Tirren).Ky territor ka përfshirë në lashtësi, Italinë, Zvicrën, Austrinë, Slloveninë, Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi etj.Termi Ballkani Perëndimor, i cili përdoret aktualisht, nënkupton term politik, jo term gjeografik, të Ilirikut Perëndimor historik, dhe i përfshin një pjesë të shteteve të sotme nga ky rajon: Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbinë, por jo edhe pjesët e tjera të këtij rajoni gjeografik, siç janë njohur historikisht.Pavarësisht se çfarë nënkuptojnë studiuesit e sotëm me këtë, si termi përdoret gjerësisht në literaturën shkencore dhe në përdorim të përditshëm (medie).ILIRIKU LINDOR (Illyricum Orientis), ka përfshirë provincat: Moesia Prima (Superior), Prevalis, Dardania, Dacia Mediterra, Moesia Secunda (Inferior), Scythia minore, Thracia, Hemimontus, Rhodope, Europa.Ky territor ka përfshirë në lashtësi, Rumaninë, Bullgarinë, Moldavinë, pjesën evropiane të Turqisë, pjesën lindore të Greqisë së sotme.Termi Ballkani Lindor, nuk përdoret aktualisht, as si term gjeografik dhe as si term historik.Pavarësisht se çfarë nënkuptojnë studiuesit e sotëm me këtë term, nuk përdoret gati aspak në literaturën shkencore dhe në përdorim të përditshëm (medie), për shkak të një censure të ashpër në dy shekujt e fundit, nën ndikimin dhe presionin e propagandës Rusomadhe ndër popujt dhe vendet ballkanike, si edhe në qarqet politike dhe shkencore të Europës.Arsyet tanimë dihen. Por, studiuesit shqiptarë dhe të tjerë, sidomos historianët dhe gjuhëtarët, nuk duhet të bien pre e kësaj propagande, përderisa këto janë fakte historike të pakundërshtueshme, të cilat sot nuk mund të përdoren për qëllime politike, por që ta thonë të vërtetën shkencore. Për këtë çështje nuk duhet të ketë asnjë kompromis nga studiuesit dhe shkenca.(22 tetor 2023)

  • A ka baza teoria pellazgjike e prejardhjes së shqipes?

    A ka baza teoria pellazgjike e prejardhjes së shqipes?

    Nga Prof. Dr. Mimoza Kore

    Në shekullin e kaluar, pyetjes se cilët kanë qenë stërgjyshërit e shqiptarëve, pati studiues që iu përgjigjën me tezën e paprovuar shkencërisht, se shqiptarët ishin stërnipër të pellazgëve dhe shqipja bijë e pellazgjishtes-ilirishtes. Sot kjo tezë është zbehur, madje nuk përmendet në qarqet shkencore, por është gjallëruar midis “studiuesve patriotë”, të cilët herë e identifikojnë atë me indoeuropianishten, duke shkuar pastaj drejtpërdrejt te shqipja e herë duke u nisur nga pellazgjishtja te ilirishtja e në etapë të fundit, te shqipja.

    Me emrin pellazg bota u njoh nëpërmjet grekëve. Pellazgët, në burimet greke e romake, përmenden si një shtresë etnike paragreke, por jo ekzistuese në periudhën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. Ata i venduan në zonën e Detit Egje, kryesisht në Thesali, me përhapje më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël në Kretë e në ishujt e tjerë të Egjeut. Në shkrimet e autorëve antikë paraqiten si popull gati në kufi të legjendës, i mbuluar me një tis mistik. Nga shtrija që paraqitëm më sipër, pellazgët dhe gjuha e tyre duhet të përbëjnë një problem për helenistikën dhe jo aq për albanologjinë. 

    Po, me sa duket, duke qenë se përveç greqishtes e makedonishtes (e cila më vonë u sllavizua), edhe shqipja përfaqëson të folurit e fiseve indoeuropiane të Ballkanit antik, e cila paraqitet si vijë e pandërprerë e zhvillimit të njërës nga gjuhët e lashta të familjes indoeuropiane, ajo tërhoqi vëmendjen e studiuesve. Pellazgët në Albanologji, kur ajo po shkëputej nga tezat romantike, përmenden në veprën e G.von Hahn-it (Studime shqiptare 1854). Po si e shtroi Hahni këtë çështje që mjaft ithtarë të tezës pellazgjike, në emër të mbrojtjes së lashtësisë së popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe e citojnë dhe e mbajnë si tezën mbështetëse më autoritare sot? Teza e G.von Hahnit konsiston në këto pika kryesore:

    – Epirotët dhe Maqedonët edhe në kohën e Strabonit ishin barbarë ose jogrekë;

    – Epirotët, Maqedonët dhe Ilirët janë farefis ndërmjet tyre, dmth. të afërt nga pikëpamja etnike; – Ka shumë shenja që Epirotët dhe Maqedonët përbënin thelbin e fisit tireno-pellazgjik;

    – Ilirishtja (d.m.th gjuha nga e ka prejardhjen shqipja) është gjuhë pellazgjike në kuptimin më të gjerë të fjalës.Pellazgët për Hahnin ishin një popullsi paleoballkanike (popullsi e Ballkanit të Lashtë), që qëndronte më vete, të ndryshëm nga grekët e vjetër. Me këto teza Hahn-i i sheh shqiptarët jo vetëm si pasardhës të Ilirëve, po edhe të Epirotëve e të Makedonëve dhe të gjithë këta popuj i mban si të ardhur nga Pellazgët. Sipas vlerësimit të E. Çabejt, disa nga tezat e Hahn-it (1, 2) në përgjithësi qëndrojnë dhe janë mbështetur nga dija e mëvonshme. Por teza se Epirotët dhe Maqedonët përbënin thelbin e fisit tireno-pellazgjik në një kuptim më të gjerë nuk ka gjetur mbështetje nga shkenca gjuhësore serioze.[1]

    Gjuhëtari rumun I. Russu, i cili si shumë të tjerë etnogjenezën e rumunëve e sheh të lidhur me atë të shqiptarëve, është më i ashpër në kritikën ndaj Hahnit;

    “…elementi më konfuz, bizar deri në absurd janë të ashtuquajturit ‘pellazgë’, me të cilët amatorë të historisë dhe të arkeologjisë, diletantë dredhanë, kanë ‘vepruar’ dhe vazhdojnë në të gjitha zonat dhe fazat e pre- dhe të protohistorisë europiane dhe mesdhetare”.[2]

    Përsëri nga bota shkencore erdhi një tjetër përcaktim për shqipen. Kjo ndodhi në veprën e August Schleicher-it (1861-62) nxënësit të F. Bopp-it, i cili njihet në gjuhësi si themelues i teorisë së Drurit Gjenealogjik (Stammbaumtheorie) në të cilin autori paraqet me anë të një skeme në formë të një peme gjuhët e familjes indoeuropiane. Trungu i pemës paraqet gjuhën bazë, ndërsa degët e saj paraqesin grupet dhe gjuhët e veçanta të familjes gjuhësore indoeuropiane që janë shkëputur shkallë-shkallë nga gjuha bazë (trungu). Pa hyrë në detajet e kritikës ndaj kësaj skeme, që u mbështet në ligjet e shkencave të natyrës, autori, shqipen e kishte vendosur në të si një degë më vete midis latinishtes dhe greqishtes, midis atij që e quajti çiftit pellazgjik çka do të thoshte se në bazë të të dy gjuhëve ka një trashëgimi gjuhësore të stërlashtë. Pelasgisch për Schleicher-in do të thoshte arkaik. Është e provuar që greqishtja e latinishtja nuk kanë lidhje të afërta midis tyre e po kështu dhe shqipja me to.

    Këto teori u përqafuan nga përfaqësuesit e Rilindjes sonë Kombëtare të cilët donin të rrisnin në popull ndjenjën kombëtare, krenarinë për rrënjët e hershme. Ishte koha kur në vendet ballkanike po krijoheshin shtetet që ishin rezultat i proceseve identifikuese kombëtare, i veçimit sa te ishte e mundur nga të tjerët. Ithtarë të kësaj teze u bënë veçanërisht arbëreshët, si: N. Keta, E. Mashi, Gj. Krispi, J. de Rada, V. Dorsa. E vendosur në kontekstin e asaj kohe teoria pellazgjike pati impakt pozitiv, por me përparimet shkencore shpejt u zbeh.

    Shqipja me tiparet e saj dhe trashëgiminë u përcaktua si gjuhë indoeuropiane. Dy historianë, si Gustave Glotz e Robert Cohen[3] na sigurojnë në vëllimin e parë të veprës së tyre se “Pellazgët s’kanë qenë popullsi indoeuropiane”. Teoria e tyre u mbështet dhe nga të tjerë. Edhe në se ka ekzistuar, një mundësi e rrjedhjes prej saj mendohet për baskishten apo etruskishten, e cila ndryshonte shumë nga gjuhët e gadishullit Apenin (latinishtja, venetishtja e oskoumbrishtja). Shqipja jo vetëm bën pjesë në familjen indoeropiane, por duhet theksuar se ajo për shkak të tipareve në sistemin zanor, shkon me gjuhët e Veriut të kësaj familjeje, çka e shkëput një herë e mirë nga i quajturi çifti pellazgjik, në të cilin të dy gjuhët si greqishtja dhe latinishtja hyjnë në grupin e gjuhëve jugore. 

    Gjuhësia krahasuese me rregullat e saj fonetike ka provuar se fjalën natë shqipja e trashëgon nga PIE. Një *ŏ e shkurtër dha a në gjuhët veriore dhe u shkri me refleksin e *a të shkurtër, shembuj: PIE. * nekʷ-(t-), nokʷ-t-s natë, lat. nox, noctis, irl. vj. i-nnocht, sll. e vj. нoшть, lit. nak-tìs, gjerm. Nahts, ind. e vj. Nak. Ky reflektim gjendet edhe në disa fjalë të tjera të trashëguara. Kështu shqipja shkon me gjuhët baltosllave e gjermanike të Veriut të Europës. Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të shqiptarëve me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor që mund të quhej, me shumë rezervë, pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze e vërtetësi shkencore një birëri pellazge të popullit shqiptar.

    Në se do të na duhet të pohojmë prejardhjen e shqipes e të shqiptarëve duke bashkëlidhur me to dhe çështjen themelore, autoktoninë, do të ishte e mjaftueshme identifikimi me një nga popullsitë e Antikitetit e nuk është ndërmarrje e lehtë e as e nevojshme të shtyhemi drejt mugëtirës më të thellë që s’na ofron fakte shkencore. Historianët, arkeologët, gjuhëtarët dhe etnografët shqiptarë kanë shfuqizuar përfundimisht tezën intuitive e romantike të etnogjenezës shqiptaro-pellazge që sundonte deri në çerekun e tretë të shek. XIX dhe përforcuan pikëpamjen e gjuhëtarit të shquar Gustav Meyer, i cili pohonte që në fund të shek. XIX se gjuha shqipe ishte vazhdim i një prej dialekteve të ilirishtes së vjetër. 

    Kjo u bë dalëngadalë, sepse kishte zënë vend të qëndrueshëm madje shkenca historike gjuhësore iu kundërvu tezës pellazgjike, duke përballuar edhe kritika nga rrethe zyrtare të periudhës komuniste që e kishin për zemër këtë tezë.[4] Ithtarët e tezës pellazgjike, e kemi fjalën për ata të cilët pa drojë, pa mbështetje i japin flatra fantazisë së shfrenuar, duke u përpjekur me argumente qesharake të imponohen duke e vendosur shqipen në bazën e familjes së gjuhëve indoeuropiane, madje ta njëjtësojnë me gjuhën parake të kësaj familjeje, bëjnë një dëm të jashtëzakonshëm, sepse shpien ujë në teza antikombëtare. 

    Teza e prejardhjes pellazgjike, me të drejtë vëren S. Mansaku[5],  e lidhur me origjinën e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve, më shumë se kujtdo tjetër i ka shërbyer politikës asimiluese greke ndaj arvanitasve të Greqisë në radhë të parë, por edhe më gjerë. Propagandimi i idesë se shqiptarët dhe grekët kanë të njëjtën origjinë dhe të njëjtin besim ka bërë që arvanitasit të mos e ndjejnë të nevojshme të bëjnë përpjekje për të ruajtur identitetin e tyre etnik e gjuhësor.

    Albanologjia ka pranuar si tezën më të mbështetur atë që gjuhësisht shqipja vjen prej ilirishtes, por në të gjendet dhe një komponente trake. Ajo është e hapur për rezultate të prurjeve të rejave shkencore në këtë drejtim, por gjithmonë larg teorive romantike e të pabazuara.

    [1] Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë, 1976.

    [2] I. Russu 1995  ”unde elementul cel mai confuz, bizar pînă la absurd sînt aşa-numiţi ‘Pelasgi’, cu care amatorii de istorie şi arheologie, diletanţi impostori au ‘operat’ şi continuă în toate zonele şi fazele pre-şi protoistoriei europene şi mediteranene” në: Obârşia tracică a românilor şi albanezilor. Clarificări comparativ-istorice şi etnologice, Vluj-Napoca, ed. Dacia, 1995:24.

    [3] Gustave Glotz -Robert Cohen Des Origines Aux Guerres Mediques (Histoire Ancienne, Histoire Grecque, Tome Premier ). Published by Presses Universitaires De France,  I HGR 1948, 634 Pp., 1948

    [4] S. Mansaku, ”Objektivitet shkencor dhe qëndrim kombëtar në veprën e Eqrem Çabejt” në Studime albanologjike, Universiteti i Tiranës – Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë, 2008, 30-36.

    [5] S. Mansaku, po aty.

  • Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër, kurajozi i zëshëm i demokracisë, arketip i jokonformistit

    Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër, kurajozi i zëshëm i demokracisë, arketip i jokonformistit

    Nga Albert Vataj

    Asht pak me than, se Arshi Pipa mbetet nji prej figurave ma t’njimendta të vetëdijes dhe veprimit demokratik. Ai ishte shumë e shumë më shumë se kaq. Ai ishte dhe mbeti nji za i kurajshëm i vlerave. Ndoshta do ta kishit t’pamujtun për me e gjet nji personifikim të të përsosunes së disidentit në jetë dhe në vepër. Tue e kërkua e tue dasht me nxjerr prej kohet e sprovave, shtjellave përpirëse dhe zemëratave të diktaturës komuniste e mbas, e tash ja ku mundet pa droje me e gjithëpranu, ai asht Arshi Pipa. Punoi me mish e me shpirt, lufto me thonj e me dhëmbë për me mujt me dishmi njat univers t’përsosun t’ngadhnjimtarit, dishepullit të dijes e nxanjes, kreshtës së kushtrimeve e kumtimit, kungimit dhe krijimit. Tançka në të e me të kishte mujt me u ngjiz e me marr hov me u jetësu si një Ante antik, në çdo puls, në çdo mendim, në çdo dashtuni e veçanti shprehëse.

    Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920- Washington, 20 korrik 1997), ç’nuk ishte, çmos bani e gjithqysh diti dhe mujti, ai u rrek e i’a doli për me ken nji poet kushtrues e nji lirik i tamëlt; nji gjuhëtar i zoti dhe gladiator i paepun i arenave t’gegnishtes; kritik, ndoshta me pak shokë mbas vedi, për nga thellësia dhe larmi e trajtesës; përkthyes dhe pedagog gjithëpoaq gjurmlans në trashigiminë tonë kombëtare. E tan jeta e tij ishte e mbushun me përpjekje, me vuajtje e me sfida, me gjithëçmos qi mujti me marr prej tij ma t’mirën vepër, ma t’vyemën vlerës, t’përgjithmonshmen dëshmi të shpirtit triumfues.

    Nga jeta

    Leu në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhe Lloshit. Arshiu qe me prejardhje libohovite nga i ati dhe nga e ëma shkodrane me origjinë dibrane. I ati qe jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit. E ëma, Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye.

    Kishte vëlla nga i ati Muzaferin, dhe katër motra të një barku: Nedreti, Fehimja, Bedrija dhe Bedi.

    Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës në ndarjen me profil klasik më 1938. Me përkujdesjen e të atit për formimin në traditën fetare të familjes tyre, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë “Në lamën e luftës” fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u laureua më 1942 me dizertacionin “Morali dhe feja tek Bergson”.

    Kthehet në Shqipëri dhe nga viti 1941 deri më 1946 jep mësim ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit. Kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Merr pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi S. Luarasi. Më vonë i kërkohet të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë lexon “Këngën e Pleshtit” të Goethes duke thumbuar kështu Sh. Totozanin, i cili u bë shkak që Pipën ta zhvendosnin me punë në Durrës. Atje lexon një tjetër poezi të titulluar “Bushtra”, dhe pas një tjetër mbrëmjeje poetike në Tiranë ku në krah kishte N. Spirun që nuk e njihte arrestohet me 27 prill 1946 dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet – dhe gjatë marrjes së dënimit merr vesh vdekjet e të vëllait – më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i një grupi social-demokrat bashkë me P. Kaçinarin, H. Ballhysën dhe P. Gjeçin. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

    Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959.

    Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.

    Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

    Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.

    Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

    Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

    Veprat

    Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

    Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

    Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

    Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.

    Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

    Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

    Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.

    “Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

    Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

    Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.

    Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

    Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

    Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).

    Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

    Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

    Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

    Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

    Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

    Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.

    Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

    Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

    Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

    Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

    Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

    Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

    Arshi Pipa vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

    Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

    Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme. /KultPlus.com

  • Kush ishte Rosalind Franklin, shkencëtarja që ndihmoi në zbulimin e ADN-së

    Kush ishte Rosalind Franklin, shkencëtarja që ndihmoi në zbulimin e ADN-së

    Më 25 korrik 1920, lindi Rosalind Franklin, një shkencëtare britanike e cila bëri një kontribut të jashtëzakonshëm në zbulimin e strukturës së ADN-së, por që, për një kohë të gjatë, nuk mori meritat e plota për rolin e saj.Franklin, e cila ishte një eksperte në përdorimin e difraksionit të rrezeve X, realizoi një fotografi të famshme, e njohur si “Photo 51”, e cila tregon strukturën e dyfishtë të heliksit të ADN-së. Ky imazh ishte thelbësor për James Watson dhe Francis Crick, të cilët përdorën atë për të ndërtuar modelin e tyre të famshëm të ADN-së – një model që ishte çelësi për kuptimin e pasur të gjenetikës dhe biokimisë, shkruan KultPlusEdhe pse Watson dhe Crick fituan Çmimin Nobel për këtë zbulim në vitin 1962, Rosalind Franklin nuk u përfshi në këtë vlerësim, pavarësisht se kontribuoi në mënyrë thelbësore për të arritur në atë përfundim. Franklin nuk pati mundësinë të shihte rezultatin e punës së saj, pasi ajo vdiq tragjikisht në vitin 1958, në moshën 37 vjeçare, nga një sëmundje e kancerit të vezoreve.

    Kontributi i Franklin në shkencëRosalind Franklin ishte një nga pionierët në fushën e biokimisë dhe biologjisë molekulare, dhe zbulimi i strukturës së ADN-së është një nga arritjet më të mëdha shkencore të shekullit të 20-të. Përveç punës së saj në ADN, Franklin gjithashtu ka kontribuar në studimin e virusëve dhe strukturave të tjera biologjike, duke përdorur teknika të sofistikuara të difraksionit të rrezeve X.Përveç punës shkencore, ajo ishte gjithashtu një grua e fuqishme në një fushë të dominuar nga meshkujt, duke e bërë të vështirë për të të merret seriozisht në atë kohë. Rosalind Franklin ishte një nga gratë e para që krijoi një ndikim të madh në një fushë shkencore që shpesh ishte e mbyllur për to, dhe kjo ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm për gratë që do të pasonin.

    Njohja e vonuarPër shumë vite pas vdekjes së saj, Franklin u harua nga shoqëria dhe komuniteti shkencor për kontributin e saj. Pas kritikave dhe kërkesave për njohjen e merituar, më vonë janë bërë përpjekje për të nderuar emrin dhe trashëgiminë e saj. Franklin është përkujtuar si një nga emrat më të rëndësishëm në shkencën e ADN-së dhe është nderuar pas vdekjes me një numër çmimesh dhe memorialesh, si dhe është përmendur në shumë libra dhe filma.

    Simbol i grave në shkencëSot, Rosalind Franklin njihet si një simbol i grave në shkencë, duke treguar se çdo shkencëtare, pavarësisht pengesave që mund të hasë në karrierën e saj, mund të kontribuoni në mënyrë të jashtëzakonshme në përparimin e njohurive shkencore. Ajo është një nga figura që vazhdon të inspirojë breza të tërë shkencëtarësh dhe shkencëtareve për të sfiduar normat dhe për të kërkuar njohjen e merituar.Kjo histori tregon se rezultatet e mundshme të shkencës dhe rëndësia e punës kërkimore shpesh mund të jenë shumë më të mëdha se sa të paraqitura dhe se individët që kontribuojnë mund të mbeten të pa njohur për një periudhë të gjatë. Për Franklinin, vonesa e njohjes për rolin e saj është një kujtesë e fuqishme se gratë e shkencës shpesh duhet të luftojnë për të marrë njohjen e merituar.Duke festuar ditëlindjen e Rosalind Franklin, ne kujtojmë trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme dhe e nderojmë atë si një figurë kryesore të shkencës moderne./KultPlus.com

  • Testamenti i Eqrem Çabejt

    Testamenti i Eqrem Çabejt

    Më 13 gusht 1980, në një spital të Romës, mbylli sytë Eqrem Çabej, një nga lisat më të lartë të shkencës, arsimit dhe të kulturës shqiptare, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Mësues i Popullit.

    Vdekja i ndërpreu punën në veprën “Studime etimologjike në fushë të shqipes” dhe të punëve të tjera që kishte nëpër duar. E. Çabej ka lënë një trashëgimi shkencore të pasur e të shumanshme me mbi 200 tituj veprash, artikujsh e tekstesh mësimore. Kontributin më të shënuar e ka dhënë në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera indoeuropiane e ballkanike. Duke iu mbajtur parimit se historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet atë gjuhë, ai ka përfshirë gjerësisht në studimet e veta edhe kulturën materiale e shpirtërore të Shqiptarëve në shfaqjet më të larmishme të saj, kështu që në personalitetin e tij shkencor janë shkrirë në një gjuhëtari, etnologu e folkloristi dhe historiani.

    Prof. Emil Lafe

    Vepra shkencore e E. Çabejt, me gjithë gjerësinë e shumanshmërinë e saj, është e përqendruar në disa probleme themelore të historisë së gjuhës dhe të popullit shqiptar. Me njohjen e thellë të gjuhës shqipe dhe të dialekteve të saj, me forcën e analizës e të sintezës shkencore, me objektivitetin dhe logjikën e rreptë që përshkon veprën e tij, dhe me mprehtësinë e vëzhgimit e të arsyetimit që e karakterizonte, E. Çabej argumentoi një varg tezash themelore për burimin dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe, për gjenezën e popullit shqiptar, për karakterin autokton të këtij populli në trojet e sotme të tij, për rolin aktiv e dinamik të Shqiptarëve në marrëdhëniet historike me popujt e tjerë, për njësinë e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare, për pasurinë e fjalorit të shqipes dhe mundësitë e pashtershme zhvilluese të tij. Në të gjitha këto fusha ai solli kontribute vetjake origjinale me rëndësi të madhe kombëtare dhe për gjuhësinë indoeuropiane e ballkanike.

    Çabej është i pari dijetar shqiptar që trajtoi në nivelin e shkencës bashkëkohore probleme të tilla të rëndësishme të albanologjisë, të cilat më parë kishin qenë fushë pune vetëm e albanologëve të huaj. Mendimi i tij edhe sot është autoriteti shkencor më i lartë në albanologji.

    Vepra mjeshtërore e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes” prej shtatë vëllimesh përbën një sintezë të dijeve të thella e të gjera dhe të përvojës së gjatë që kishte fituar në gjurmimin e burimit të fjalës shqipe e të historisë së saj. Kjo vepër, që shënon një etapë të re në studimet historike për shqipen, përbën njëkohësisht një kontribut me vlerë të gjithanshme për studimin e historisë së gjuhëve të Ballkanit, për indoeuropianistikën dhe për teorinë e përgjithshme të etimologjisë. Autori nuk arriti të kryejë pasurimin dhe redaktimin përfundimtar të gjithë kësaj vepre të hapët. Vetëm vëllimi i dytë doli në gjallje të tij (1976) dhe ai arriti të përgatitë e të çojë në shtyp vetë edhe vëllimin e parë, që përmban hyrjen studimore. Vëllimet e tjera u përgatitën për botim me kujdesin e gjuhëtarëve Seit Mansaku e Anila Omari dhe të së bijës së tij, Brikena Çabej. Urojmë që Instituti “Eqrem Çabej” i themeluar kohët e fundit dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ku prof. E. Çabej punoi gjithë jetën, të ndërmarrin një botim të plotë akademik të veprës shkencore të tij.

    TESTAMENTI I GJUHËTARIT TË MADH

    Çabej u nda nga jeta para se të arrinte në atë moshë kur dijetarë të tjerë kanë përgjithësuar përvojën e jetës e të punës dhe kanë shkruar testamentin shkencor. Ne që e kemi njohur nga afër dhe jemi ushqyer nga vepra, nga këshillat dhe nga shembulli i jetës së tij, kemi brenda nesh edhe testamentin e tij shkencor e qytetar. Unë po marr guximin të shpreh disa pika të këtij testamenti të pashkruar.

    Pika e parë është pa dyshim përgjegjësia që kemi ndaj Atdheut dhe Kombit. Eqrem Çabej i takon një brezi intelektualësh që u ul në bankat e shkollës kur Shqipëria sapo ishte bërë, me mundime të mëdha, dhe kishte mbijetuar përmes rreziqeve të shumta të Luftës së Parë Botërore. Brezit të E. Çabejt i ra detyra për ta mëkëmbur këtë Shqipëri, për ta vënë në udhën e zhvillimit e të europianizimit. Ky ishte një brez intelektualësh atdhetarë të frymëzuar nga idealet e Rilindjes Kombëtare dhe nga idetë përparimtare të kohës. Ashtu si dhe shokët e tij të shkollës e të jetës E. Çabej zgjodhi të mbetej qytetar i vendit të vet, i shërbeu shkollës shqipe nga Shkodra në Gjirokastër, dhe u rikthye në atdhe në një kohë kritike (gusht 1944), kur intelektualë të tjerë që nuk patën një shtyllë kurrizore si të tijën, merrnin rrugën e mërgimit.

    Për Gjirokastrën kishte mall dhe dashuri të veçantë. Ndonëse në të vërtetë kishte lindur në Eskishehir të Turqisë, si vendlindje shënonte gjithnjë Gjirokastrën. Herë pas here kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës.

    Si është e mundur që këta intelektualë shqiptarë, të larguar nga vatrat familjare shumë herë në një moshë fare të njomë, që dinin më mirë gjuhët e shkollave të tyre sesa gjuhën e nënës, u kthyen përsëri për t’i shërbyer vendit të vet? Përgjigjen për këtë na e jep Fan Noli me atë që tregon për rastin e vet (1). Që në moshën më të njomë familja dhe shoqëria shqiptare i kishte mëkuar këta djem me dashurinë për vendin, me ndjenjën e krenarisë dhe të dinjitetit kombëtar. Këto tipare mbetën të përhershme në karakterin e tyre, sido që rrodhi jeta dhe u gërshetuan rrethanat. E. Çabej ishte një nga intelektualët e atij brezi që e mëkëmbën Shqipërinë dhe që përgatitën brezin tjetër, i cili e mbajti atë më këmbë. Shqipëria për atë nuk ishte vetëm shteti shqiptar, po gjithë hapësira ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë.

    Eqrem Çabej ishte një dijetar që përvetësoi dhe zbatoi metodën moderne të kërkimit shkencor, ku analiza e gjithanshme dhe e kombinuar e fakteve dhe rrethanave historike, të brendshme e të jashtme, është parakusht për të ndërtuar hipoteza e teza rreth problemeve të shqyrtuara. Ai na thoshte se një tezë gjykohet si e vlefshme, kur i qëndron kritikës, d.m.th. kur argumentet mbi të cilat mbështetet kjo tezë janë më të forta, më bindëse sesa kritika që i bëhet asaj. Në këtë kuptim ai e ka quajtur të vlefshme e të qëndrueshme tezën e autoktonisë së Shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dhe tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Dihet se në Ballkan, po edhe në vise të tjera, problemet e autoktonisë kanë qenë dhe mbeten të lidhura ngushtë me diskutimet territoriale ndërmjet shteteve. Ka mjaft shembuj kur studiuesit kanë ecur pas hullisë së politikës dhe janë përpjekur të provojnë me çdo kusht atë që u kanë diktuar interesat politikë të vendit të tyre. E. Çabej nuk shkau në këto pozita. Parimi i tij, që na e përsëriste shpesh dhe që po e rendit si një pikë tjetër të testamentit të tij, ka qenë: Në kërkimin shkencor të jemi objektivë, por jo indiferentë. Të jesh objektiv do të thotë të ndjekësh logjikën e fakteve dhe të dëshmive historike, t’i marrësh parasysh ato, t’i interpretosh me një metodë shkencore, të mos i shtrembërosh e të mos i lësh në harresë “për të provuar” diçka të paracaktuar. Të mos jesh indiferent do të thotë që, kur të tjerë përhapin teza e pikëpamje të paargumentuara, në kundërshtim me faktet dhe me të vërtetën (qoftë nga mungesa e metodës shkencore, qoftë me qëllime të caktuara), duhet të përgjigjesh për t’i vënë gjërat në vend.

    Jo rrallë Shqiptarët janë paraqitur nga disa studiues të huaj si një popull barinjsh shtegtarë e luftëtarë, që mjeshtërinë e bujqësisë dhe dijen e morën prej të tjerësh. Duke shqyrtuar tërë fjalorin e gjuhës shqipe, ku pasqyrohet vetë jeta e historia e popullit, E. Çabej arrin në përfundimin se gjuha shqipe, si pasqyrë e jetës dhe e historisë së popullit, nuk është e pasur vetëm me fjalë të sferës baritore e të kulturës materiale, po edhe me fjalë të sferës abstrakte-mendimore. Dhe prej kësaj ai formulonte në mënyrën e tij të figurshme pohimin se Shqiptarët në histori të tyre kanë qenë një popull jo vetëm i kërrabës e i shpatës, po edhe i parmendës e i pendës. Nga analiza e gjithanshme e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje dhe mbi bazën e dëshmive historike ai është shprehur se hapësira e sotme e shtrirjes së Shqiptarëve në Ballkan nuk është rezultat i një zgjerimi a i një shpërthimi demografik nga një trevë e ngushtë, po përkundrazi rezultat i një ngushtimi dhe se Shqiptarët dikur kanë luajtur një rol më të madh në këtë gadishull sesa në kohët më të reja.

    Eqrem Çabej, si dijetar i brumosur me parimet e kërkimit shkencor, nuk u josh nga teoritë e mjegullta pellazgjike, as nga hipotezat romantike (që vijojnë edhe sot) për gjuhën shqipe si çelës të gjuhëve të lashta të Mesdheut (2). Ai gjithmonë ndërtonte mbi një truall të qëndrueshëm, prandaj vepra e tij do të jetë jetëgjatë. Në çështjen aq komplekse të autoktonisë, ai nuk shkonte përtej periudhës antike, d.m.th. rreth 3000 vjet më parë. Për periudha më të hershme shkenca tani për tani nuk është në gjendje të hedhë dritë të mjaftueshme. Ai i jepte rëndësi të dorës së parë metodës dhe parimeve të studimit. Pa këto nuk mund të ketë kërkim shkencor. Kjo është një pikë tjetër e testamentit të tij shkencor.

    Rreth një vit para se të ndahej nga jeta, E. Çabej mbajti një fjalë në asamblenë e Akademisë së Shkencave (9 janar 1979), e cila u botua së pari te gazeta ”Mësuesi” dhe te numri i parë i revistës “Gjuha jonë” me titullin “Për pastërtinë e gjuhës”. Ky shkrim në njëfarë kuptimi mund të vështrohet edhe si një testament i tij, si një plotësim i një amaneti të Aleksandër Xhuvanit, me të cilin bashkëpunoi ngushtë shumë vjet dhe ruajti për të gjithmonë një nderim mallëngjyes. Për të dy këta dijetarë gjuha është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj; shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet kombëtare kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare është dhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona, duke depërtuar në shkrimet shkencore dhe letrare, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht edhe kombëtare, = shprehet E. Çabej. = Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, Shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin (3). Bashkë me porosinë për mbrojtjen e gjuhës, ky dijetar na kujton kështu edhe një tipar moral e qytetar të Shqiptarëve: mungesën e ndjenjave shoviniste. Kjo do të thotë që jo vetëm të qëndrojmë në këtë traditë të lavdërueshme tonën, po edhe të mos lejojmë që të na përflasin të meta që nuk i kemi. Pra, duke mos qenë shovinistë, të mos jemi indiferentë ndaj shfaqjeve të shovinizmit.

    Duke u rikthyer te çështja e gjuhës, e quaj të nevojshme të përmend se me propozimin e Eqrem Çabejt në Asamblenë e Akademisë së Shkencave në shkurt 1979 Këshilli i Ministrave nxori pas dy muajsh një vendim të posaçëm për krijimin e Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. (4) E. Çabej propozoi të themelohej edhe një revistë me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”. Në të vërtetë dolën dy revista simotra: “Gjuha jonë” në Tiranë (1981) dhe “Gjuha shqipe” në Prishtinë (1982), por për fat të keq ai nuk arriti t’i shohë. (5)

    Kujdesi për gjuhën është një pikë themelore jo vetëm në testamentin e E. Çabejt, po edhe në testamentet e shkruara e të pashkruara të gjithë atyre që hodhën në kartë fjalët e kësaj gjuhe të zjarrtë. Akademia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë janë përpjekur të rindërtojnë në kushtet e sotme atë veprimtari që shtjelloi komisioni i propozuar nga E. Çabej. Me kërkesën e gjuhëtarëve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë te neni 59 përcaktohet se “shteti synon kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.” Por aktet nënligjore të nevojshme nuk kanë dalë ende!

    Sigurisht masat organizative kanë rëndësinë e vet, por krahas tyre është e nevojshme bindja për rëndësinë dhe dobinë e punës, vështrimi drejt së ardhmes. “Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë, do t’i përdorin vetvetiu. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë.” Kështu shkruante E. Çabej në artikullin e përmendur. (fq. 47)

    Çabej e vlerësonte lart gjuhën popullore, duke e cilësuar si “rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtur gjuhën e shkrimit; ligjërimi popullor është i caktuar të jetë një gurrë e gjallë, ku përtërihet vazhdimisht gjuha e literaturës”. Rruga e parë për pasurimin e gjuhës shqipe është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm (6). Në këtë kuptim ai shprehet se gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe (7), d.m.th. nuk duhet të ketë frikë se mos fjalët e të folmeve të ndryshme që do të merren për ta pasuruar a për të zëvendësuar fjalë të huaja, do të ndihen si mish i huaj në të. Vetë ai i dha gjuhës së shkrimit fjalën vjetar (vjetari statistikor), të formuar jo nga forma normative e sotme vit-i, po nga një formë e gegërishtes veriore vjetë – vjeta, po ashtu fjalën mjedis, që është një formë dialektore e emrit midis, dhe pikërisht për këtë dallim fonetik u mor si një fjalë e re e përshtatshme për të zëvendësuar huazimin ambient. Sot kjo është bërë një fjalë zyrtare deri te emërtimi Ministria e Mjedisit.

    Çabej qe jo vetëm një dijetar i madh, po edhe një mësues i madh, një Mësues i vërtetë i Popullit. Te shumë nga studentët e tij koha tashmë i ka mjegulluar njohuritë për fonetikën historike e për historinë e gjuhës shqipe, por ata ruajnë të gjallë figurën e ndritur të profesorit dhe atë përmasë shpirtërore e intelektuale që ai përçonte te të tjerët në një mënyrë të vetvetishme.

    Shënimet:

    (1) Si ndodhi që Fan Noli, i cili bëri shtatë vjet në shkollën plotore greke dhe katër vjet në gjimnazin grek, mbeti një djalë fshatar shqiptar në kundërshtim me të gjithë arsimin grek? Ka shumë arsye pse Fan Noli doli prej atyre ujërave greke dhe i shkundi ato si rosa. Arsyeja e parë mund të gjendet në një anekdotë që tregohet për pedagogun e mirënjohur zviceran J. H. Pestaloci (1746-1827): Njëherë një nënë zvicerane e pyeti nëse do të kishte mundësi t’i jepte të birit të saj atë edukatë që predikonte ai. Pestaloci e pyeti nënën: “Sa i madh është djali?” Ajo u përgjigj: “Pesë vjeç.” Pestaloci tha: “Shumë vonë.” Ajo që deshi të thoshte ai, ishte se edhe në moshën pesëvjeçare fëmija ka marrë një edukatë në shtëpi, të cilën është vështirë t’ia ndryshosh. (Fan S. Noli, Autobiografia, Vepra 6. Tiranë, 1996, f. 247).

    (2) Gjuhëtari austriak Gustav Meyer (1850–1900) e kishte ndarë përfundimisht gjuhën shqipe nga afria e supozuar prej disa dijetarëve me gjuhët klasike, veçanërisht me greqishten, që u shfrytëzua nga qarqe të caktuara edhe për të ushqyer pikëpamjen e një burimi të përbashkët të Shqiptarëve me Grekët e lashtë. Në parathënien e Fjalorit etimologjik (1890), me një mprehtësi të rrallë parashikuese, ai shkruan ndër të tjera: “Nuk besoj se Shqiptarët patriotë dhe Grekët nevojtarë aneksimesh, të cilëve dogma për një lashtësi të thellë të çdo fjale shqipe u duhet si mbështetje për teorinë e tyre pellazgjike ose për çfarëdo teori tjetër, do të ndiejnë ndonjë gëzim të madh … po të marrin ndonjëherë në dorë librin tim.” Me gjithë të metat objektive e subjektive të këtij fjalori (të vëna në dukje veçanërisht nga E. Çabej), gjuha shqipe aty paraqitet si një gjuhë indoeuropiane më vete, po pa ndonjë stërlashtësi që ta vendoste te rrënjët e ndonjë gjuhe tjetër të Mesdheut.

    (3) “Gjuha jonë”, 1981, nr, 1, f. 37 (botuar së pari te gazeta “Mësuesi”, 28.3 dhe 4.4.1979).

    (4) Vendim nr. 82, datë 7.4.1979 “Për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”.

    (5) Shqetësimet dhe problemet në përdorimin e gjuhës letrare janë sot edhe më të mëdha se më parë, por mjerisht revista “Gjuha jonë” e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës, e krijuar pikërisht për të trajtuar e përballuar këto probleme, u ndërpre në vitin 2009, sepse drejtuesit e Qendrës së Studimeve Albanologjike nuk ishin të interesuar për ruajtjen dhe ngritjen e kulturës gjuhësore, po për “politika të guximshme gjuhësore” , d.m.th. për ndryshimin gjuhës letrare që sanksionoi Kongresi i Drejtshkrimit me pretekstin se kjo kishte ndodhur në kohën e diktaturës.

    (6) “Për pastërtinë e gjuhës”, “Gjuha jonë”, 1981, nr, 1, f. 38.

    (7) Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes. “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20 – 25 nëntor 1972”, vëll. I, Tiranë, 1973, f. 256.

    ObserverKult

    ——————————————————

    Lexo edhe:

    EQREM ÇABEJ: PSE BOTA NA QUAN ALBANIA? ORIGJINA E EMRIT SHQIPËRI