Deputeti democrat Luciano Boçi ka akuzuar kandidaten e PS për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, duke e cilësuar atë si ‘plagjiaturiste’.
Sipas Boçit, një kontroll i thjeshtë në një program ndërkombëtar për verifikimin e plagjiaturës mjaftoi për të nxjerrë në pah se 91% e punimit të doktoraturës së Manastirliut rezulton i kopjuar.
Ai publikon edhe rezultatet e analizës dhe ironizon faktin që Manastirliu, dikur Ministre e Arsimit, kishte marrë përsipër luftën kundër plagjiaturës në universitete.
Screenshot
Postimi i plotë i Luçiano Boçit:
PLAGJIATURISTJA KANDIDATE E TIRANËS
Mjafton të check-osh në internet me një program antiplagjiaturë për të kuptuar nëse një punim është grabitur e vjedhur apo është autentik.
Manastirliu është akuzuar shpesh për këtë dhe m’u desh t’i hidhja një sy doktoraturës së saj.
Ishte shumë e lehtë të gjeje gjurmët e plagjiaturës, sikurse dhe “gafa” shkencore.
Por për t’u bindur ia dorëzova konkluzionin një faqeje të posacme që identifikon shkallën e plagjiaturës (Plagiarism checker).
Rezultati:
Vetëm një pjesë e skanuar e Hyrjes dhe 91% e punimit del e kopjuar.
Zonja në fjalë që ishte dhe Ministre e Arsimit do luftonte plagjiarizmin me demek.
Nuk po futem tek përmbajtja e temës, se ajo tregon qartë gjëmën që i bënë këta të gjithë bashkë me Manastirliun SHARRËS me inceneratorin.
Tag: shkencore
-

‘91% e kopjuar’/ Akuza e fortë e Boçit: Manastirliu me plagjiaturë shkencore (FOTO)
-

Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, gjuhëtarët mblidhen në një tryezë shkencore
Gjuha shqipe dhe drejtshkrimi mblodhi gjuhëtarët në një tryezë shkencore në Akademinë e Shkencave. Departamenti i Gramatikës dhe i Historisë së Gjuhës, organizoi tryezën shkencore mbi parimin themelor të drejtshkrimit, ku morën pjesë përfaqësues të Akademisë së Shkencave, kërkues shkencorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, profesorë me një kontribut në studimet për gjuhën shqipe, si dhe studiues e pedagogë të institucioneve të arsimit të lartë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të pranishëm në sallë ose përmes platformës zoom. ASH shprehet se pas fjalës së hapjes nga drejtuesja e departamentit, në emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave, përshëndeti akad.
Gëzim Hoxha, i cili vlerësoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të diskutimeve të vazhdueshme shkencore për çështje themelore të gjuhës shqipe. “Ligjëratën kryesore me temën “Parimi themelor i drejtshkrimit” e mbajti prof. asoc. Aristotel Spiro. Ai argumentoi se debati mbi drejtshkrimin e shqipes nuk mund të japë rezultate të qëndrueshme pa përcaktimin e qartë të parimit themelor. Prof. Spiro nënvizoi se përveç parimit fonologjik, në drejtshkrimin e shqipes veprojnë edhe parime dytësore, si parimi fonetik, ndërsemiotik dhe simbolik, të cilët duhen parë në ndërveprim me njëri-tjetrin”, thuhet nga ASH. Gjatë veprimtarisë pati pyetje dhe diskutime nga të pranishmit mbi praninë dhe peshën e këtyre parimeve në gjuhën shqipe, të cilat pasqyruan interesin e lartë të studiuesve dhe nevojën për të vijuar debatin shkencor rreth kësaj çështjeje.
Tryeza shkencore që u zhvillua këto ditë nga Departamenti i Gramatikës dhe i Historisë së Gjuhës është në vijim edhe të veprimtarive të tjera që janë zhvilluar më parë. -

Identiteti kulturor dhe fetar në trojet shqiptare, historianët mblidhen në konferencë shkencore
Konferenca shkencore me temën “Identitete religjioze në trojet shqiptare nga mesjeta e vonë deri në rënien e Perandorisë Osmane” kishte si qëllim një panorame të plotë dhe shumëdimensionale mbi historinë e religjioneve, mbi institucionet fetare dhe mbi fenomenet e ndryshme të jetës shpirtërore në hapësirat shqiptare, nga mesjeta deri në fillim të shekullit XX. Veprimtaria u mbajt në datën 29 shtator në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga Instituti i Historisë, Departamenti i Mesjetës dhe i Rilindjes, ASHSH, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë. ASH shprehet se një nga boshtet kryesore të konferencës ishte identiteti kulturor dhe fetar, i lexuar përmes simboleve dhe shenjave që mbijetuan në kujtesën popullore.
“Një bllok i rëndësishëm i punimeve shkencore lidhej me strukturat kishtare dhe institucionale. Diskutimet u përqendruan te Ipeshkvia e Drishtit, duke u mbështetur në burime historike dhe në dëshmi arkeologjike, si edhe te organizimi i jetës kishtare sipas statuteve të Kapitullit të Katedrales së qytetit mesjetar të Drishtit. Një hapësirë e veçantë iu kushtua Urdhrit Françeskan, duke ndriçuar veprimtarinë e tij në trojet shqiptare gjatë mesjetës dhe periudhës osmane, si edhe kontributet konkrete në shek. XVII dhe gjysmën e parë të shek. XVIII. Krahas kësaj, u shqyrtuan edhe përpjekjet e Argjipeshkvit të Tivarit, Fran Leonardi, për bashkimin (uniatizmin) me Kishën Ortodokse, të cilat pasqyrojnë dimensionin ekumenik të sfidave kishtare të kohës”, thuhet nga ASH.
Më tej në konferencë kumtesat mbi rolin e ortodoksisë në Kosovë gjatë Mesjetës shtuan një dimension tjetër të rëndësishëm në kuadrin e pluralizmit fetar. Një pjesë e konferencës u ndal mbi arkitekturën dhe kulturën materiale fetare, ku spikati analiza e xhamisë monumentale të Sofi Sinan Pashës në Prizren me arkitekturën dhe dekoracionet e saj, si dhe shqyrtimi i fenomenit të shndërrimit të mesxhideve në xhami gjatë shekujve XVII-XVIII si tregues i procesit të islamizimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua strukturave shoqërore dhe elitave fetare. Së fundi, konferenca i kushtoi hapësirë periudhës së re moderne, duke shqyrtuar lëvizjen protestante në vilajetet shqiptare nga fundi i shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX. -

“Alfabetizime dhe kundrime të reja në albanologji” mbledh studiuesit në tryezë shkencore
Tryeza shkencore “Alfabetizime dhe kundrime të reja në albanologji” solli prezantime të kumtesave të studiuesve, që ishin pjesë e saj. Në ambientet e Bibliotekës së Institutit të Arkeologjisë (ASHSH), Departamenti i Leksikologjisë, Terminologjisë dhe Gjuhësisë së Zbatuar organizoi tryezën shkencore që u hap nga përgjegjësi i departamentit, z. Artur Lama. Në parashtresën e tij me titull “Udhëhapjet e alfabetizimeve të reja si nxitje për më shumë studime bashkëkohore”, Lama argumentoi se alfabetizimet e reja dhe gjuhësia përfaqësojnë një ndërthurje të rëndësishme mes zhvillimeve teknologjike, sociale dhe teorike në mënyrën si kuptojmë, mësojmë dhe përdorim gjuhën sot.
Ndryshe nga alfabetizimi tradicional, që përqendrohet në aftësinë për të lexuar dhe shkruar, alfabetizimet e reja zgjerojnë pikëvështrimin dhe mundësojnë forma të ndryshme komunikimi, si dhe një larushi kompetencash gjuhësore të lidhura me kontekstin digjital, mediatik, vizual dhe kritik. PhD (kandidate) Rafaela Marteta kumtoi me temën “Perspektiva plurale e ligjërimeve: nga gjuha në alfabetizimet e reja”. Prof. dr. Tomorr Plangarica paraqiti kumtesën “Bashkëpunimi mes studiuesve dhe institucioneve shkencore në vendet e Europës Juglindore – premisë për institucionalizimin konjitiv, intelektual dhe social më të shpejtë të dijeve dhe disiplinave shkencore”.
Ndër të tjera Prof. Plangarica theksoi nevojën për krijimin e një departamenti të veçantë në IGJL, të titulluar “Departamenti i Historisë së Gjuhës Shqipe dhe Ballkanistikës”, si një hap strategjik për zhvillimin e studimeve rajonale. Në vijim prof. as. dr. Evalda Paci prezantoi kumtesën “Çështje të njohjes së elementeve përfaqësuese në veprat e letërsisë së vjetër shqipe”, paraqitur në gjuhën frënge në Kongresin XIII të AIESEE-së. Prof. as. dr. Aristotel Spiro kumtoi me temën “Brengat filologjike të motrës së Kostandinit të vdekur në udhëtimin e saj përmes tri gjuhëve -Kënga e Garentinës”. Në vijim prezantuan kumtesat dhe dr. Valbona Sinanaj, akad. prof. dr. Valter Memisha e prof. dr. Artur Lama. Sipas ASH tryeza u mbyll me diskutime dhe propozime për krijimin e njësive të reja shkencore, në kuadër të reformimit dhe perspektivës së Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë për vitet në vijim. -

“Brigitte është grua”, Macron do ta vërtetojë me prova shkencore në gjykatë
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, planifikojnë të dorëzojnë prova fotografike dhe shkencore në një gjykatë në SHBA për të dëshmuar se zonja Macron është grua, ka bërë të ditur avokati i tyre.
Çifti presidencial ka paditur për shpifje influencuesen e krahut të djathtë, Candace Owens, e cila ka promovuar pretendimin se Brigitte Macron ka lindur mashkull. Ekipi ligjor i Owens ka paraqitur një kërkesë për hedhjen poshtë të padisë.
Avokati i familjes Macron, Tom Clare, tha për BBC se zonja Macron e ka përjetuar këtë pretendim si “jashtëzakonisht shqetësues” dhe se sulmet ndaj familjes janë bërë një shpërqendrim i panevojshëm për presidentin francez. Ai shtoi se do të ketë “dëshmi shkencore nga ekspertë”, duke theksuar se Brigitte është e vendosur të bëjë gjithçka për të hedhur poshtë këto akuza.
“Është e dhimbshme të mendosh se duhet t’i nënshtrohesh një procesi të tillë publikisht, por ajo është e gatshme ta bëjë për të vendosur rekordin në vend”, tha Clare.
Ai konfirmoi gjithashtu se do të paraqiten fotografi që tregojnë Brigitte Macron shtatzënë dhe duke rritur fëmijët e saj.
Owens, e cila ka miliona ndjekës në rrjetet sociale, ka përsëritur shpesh pretendimin se zonja Macron është mashkull. Ajo madje ka deklaruar se do ta vinte “në lojë gjithë reputacionin e saj profesional” mbi këtë akuzë. Teoria ka qarkulluar prej vitesh në hapësira të margjinalizuara online dhe u bë virale pas një videoje të vitit 2021 nga dy blogere franceze, Amandine Roy dhe Natacha Rey.
Fillimisht, familja Macron fitoi një proces për shpifje kundër Roy dhe Rey në Francë në vitin 2024, por vendimi u rrëzua në apel në vitin 2025 mbi bazën e lirisë së shprehjes. Çifti presidencial ka apeluar vendimin.
Në korrik, ata ngritën padi kundër Owens edhe në SHBA, duke e akuzuar për shpërfillje të provave të besueshme dhe për promovimin e teorive konspirative. Në raste të tilla, ligji amerikan kërkon që paditësit të provojnë se ka pasur “keqdashje të qëllimshme”.
Macron e ka shpjeguar vendimin e tij për të ndërmarrë veprime ligjore.
“Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e nderit tim. Këto janë marrëzi. Është dikush që ka ditur se po përhapte informacione të rreme, me qëllim dëmtimi, në shërbim të një ideologjie të lidhur me figura të së djathtës ekstreme”, tha ai.
Ndërkohë, avokatët e Owens pretendojnë se çështja nuk duhet të zhvillohet në Delaware dhe kanë kërkuar hedhjen poshtë të saj, duke argumentuar se do të ishte barrë financiare dhe operative e padrejtë.
Owens më herët ka deklaruar se ajo beson në atë që thotë dhe se “nuk ka gjë më amerikane sesa liria e shprehjes dhe e drejta për të kritikuar”. -

Profesor Nexhip Merkuri: Gjuhëtari dhe edukatori
(Nga një studim monografik në proces botimi)
Nga Begzad Baliu
1. Në vend të biografisë
Në një kohë që shumë nga gjuhëtarët shqiptarë me përvojë të gjatë kërkimi e kurorëzimi të veprimtarisë shkencore, po i përmbyllin sintezat e tyre shkencore me thërmia përsiatjesh shkencore apo përmbledhje të teksteve të periudhave të hershme, Profesor Nexhip Merkuri, së fundi po i kurorëzon arritjet e tij shkencore me sinteza të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare dhe madje ballkanike. Të kësaj natyre janë edhe tekstet shkollore e universitare për mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë shqipe, me interes për didaktikën e mësimnxënies në shkollat shqipe, me të cilat ai ka sjellë përvojën e tij prej disa dekadash në arsimin fillestar dhe universitare.
Nexhip Mërkuri (Këlcyrë, 4 shkurt 1955), mësimet e para i ka bërë në vendlindje dhe ato universitare në Tiranë, ndërsa kontributin e tij prej mësimdhënësi, gjuhëtari e drejtuesi në fushë të mësimdhënies e ka dhëni në vendlindje, qytetin e Përmetit, Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan dhe Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”.
I specializuar për Gjuhësi të përgjithshme, Leksikologji të përgjithshme, Gjuhë frënge dhe ruse në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Tiranë; i specializuar, me grada shkencore e thirrje universitare për gjuhë shqipe në qendrat më të larta akademike e universitare të Tiranës, si: Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Tiranë (1996 – 2004); i doktoruar në gjuhësi (1996); Profesor i asociuar (2004); Profesor i rregullt (2011) Profesor Nexhip Merkuri ndërtoi një karierë të rregullt e të plotë të arritjeve të tij universitare, madje si rrallë të tjerë, që nga nivelet të ulëta të mësimdhënies deri te shkallët më të larta universitare e pasuniversitare.
Le të thuhet këtu në hyrje se pjesë e angazhimeve të tij qytetare, intelektuale, pedagogjike, kulturore e shkencore janë edhe projektet: 1. Kualifikim për metodat e reja në lëndët gjuhë shqipe dhe lexim letrar për mësuesit pa arsimin përkatës (Tiranë, 1996), të cilin e hartoi dhe drejtoi me shumë sukses; 2. Projekti Trashëgimia kulturore e Lumit të Vlorës (2005-2006), në të cilin ishte bashkëhartues; projektit ndërkombëtar Interventi di informacione dell’immagine dell’Albania (2006-2008), në të cilin ishte bashkëdrejtues, si dhe projekti nacional i vlerësuar për hartimin dhe angazhimin e suksesshëm Fjala krahinore dhe prirja në gjuhën standarde, realizuar brenda Universiteti “Ismail Qemali”, 2009.
Përfundime
Profesor Nexhip Mërkuri është njëri prej studiuesve të brezit më të dytë që ka krijuar shkolla shqiptare e viteve ’90 e këndej. Ashtu si edhe pjesa më e madhe e studiuesve të brezit të tij, që vinin nga qendrat Universitare të rretheve: Ali Jashari (Korçë), Valter Memushaj (Gjirokastër), Petrit Kotrri (Shkodër) etj., fillimisht provoi përgjegjësinë e të qenit mësimdhënës në qytetet dhe shkollat e zonave anësore. Profesor Mërkuri kësaj zeje madje nuk ju nda deri në fund, në shkallët e Universitetit të Vlorës, duke u bërë gjithashtu njëri prej bartësve të mendimit didaktik në mësimdhënien e këtij shekulli. Me mendimin teoriko-pedagogjik të mësimdhënies, me tekstet didaktike të shkollave fillore dhe të mesme, me punën prej edukatori në shkolla dhe në universitet, si dhe me diskutimet e tij për sillabusët e gjuhës shqipe, Profesor Mërkuri e ka përmbushur shumanshëm portreti i tij prej edukatori.
Kërkimet e tij shkencore Profesor Mërkuri i ka filluar në rrethana të një shoqërie në tranzicion, duke marrë nga ajo që ka trashëguar në sinorin kombëtar të gjuhësisë dhe duke vjelë arritjet më të mira të gjuhësisë bashkëkohore. I përkushtuar në kërkimet e zonës së tij të lindjes e të punës prej mësimdhënësi në Përmetit me rrethinë, ai nuk pushoi së kërkuari në teren gjithë pasurinë leksikore e frazeologjike.
Kërkimet shkencore të tij si asnjë studiues i kësaj natyre në fushë të gjuhësisë ai i ka hulumtuar e studiuar në disa rrafshe: në rrafshin leksikor, semantik e frazeologjik; në rrafshin dialektologjik (fonetik, morfologjik, sintaksor e tekstor); si dhe në rrafshin onomastik (antroponimik e toponimik). Përmasa e kërkimeve të tij shkon nga tekstet deskriptive e studimet e thelluara shkencore te monografitë e specializuara e Fjalorët. Nëse studimet janë kryesisht projekte të interesimeve të tij shkencore edhe për paraqitje në konferenca shkencore dhe botime në revista akademike, monografitë e tij përfaqësojnë sinteza të një përvoje të tij të gjata në kërkimet shkencore në projekte të përmasave kombëtare. Nuk është e rastit që studimet e tij teoriko-gjuhësore, historiko-gjuhësore e krahasuese, ai i ka përfshirë në vëllime të veçanta, ndërsa sintezat e specializuara në monografi të fushave përkatëse.
Le të thuhet më në fund se Profesor Nexhip Merkuri, me jetën dhe me veprën, me përkushtimin prej edukatori e prej hulumtuesi, me veprën didaktike dhe me veprën shkencore, gjatë një gjysmëshekulli pune në institucionet shkollore e akademike dhe në tryezën e tij shkencore, e ka përmbushur gjithanshëm portretin e tij prej edukatori e shkencëtari.
Prishtinë, gusht 2024
ObserverKult
Lexo edhe:
REGJISORI DHE SKENARISTI SHQIPTAR FITON ÇMIM NË FESTIVALIN E 48-TË TË FILMIT NË GREQI
-

Tragjedi në Itali/ Kërkuesja shkencore përplaset për vdekje nga një automjet ndërsa kalonte rrugën
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Trieste, ku një 25-vjeçare humbi jetën pasi u përplas nga një automjet, mbrëmjen e së premtes.
Viktima është identifikuar si Marta Giannelli, një kërkuese shkencore e re me origjinë nga Melzo, në provincën e Milanos.
Ajo ishte duke kaluar rrugën në Via Fabio Severo, një zonë e ndriçuar dhe e afërt me kampusin universitar, kur u përplas me forcë nga një mjet ‘Jeep’. Sipas dëshmitarëve, mjeti nuk ka frenuar fare dhe trupi i vajzës është hedhur disa metra larg, ndërsa automjeti ka përfunduar mbi ndarësen mes dy korsive, duke rrëzuar barrierat metalike.
Në drejtimin e makinës ndodhej një punonjës i Bashkisë së Triestes, i cili rezultoi negativ në testin e alkoolit. Viktima, ndërkohë, ishte vajza e dy prindërve juristë.
E para që i ka ardhur në ndihmë Martës ishte një mjeke që po kalonte rastësisht pranë vendit të aksidentit. Ajo nisi menjëherë manovrat e ndihmës së shpejtë, të cilat u vijuan edhe nga ekipi i emergjencës së shërbimit 118, por përpjekjet për ta mbajtur në jetë rezultuan të pamjaftueshme.
Marta Giannelli kishte përfunduar studimet në degën e Kimisë pranë Universitetit Shtetëror të Milanos në shkurt 2024, dhe prej një viti ishte zhvendosur në Trieste pasi kishte fituar një konkurs për një bursë kërkimi shkencor.
Ajo punonte si kërkuese pranë Departamentit të Shkencave Kimike dhe Farmaceutike, nën drejtimin e profesoreshës Barbara Milani, e cila është shprehur e shokuar për humbjen e parakohshme të studentes së saj.
“Marta ishte një vajzë e shkëlqyer, plot pasion dhe ide. Ishte e talentuar në laborator, me shumë nisma dhe dëshirë për të përparuar. Po planifikonte një eksperiencë jashtë vendit dhe ishte shumë e lumtur për këtë perspektivë. Nuk mund të vdesësh në këtë mënyrë, jo në moshën 25-vjeçare. Është e papranueshme”, deklaroi profesorja për gazetën lokale Il Piccolo.Top Channel
-

Vaji i lashtë që premton mrekulli në mediat sociale, kur ai bëhet i rrezikshëm?
Nëse hapni TikTok ose Instagram sot, ka të ngjarë të shihni një sërë videosh të panumërta që lavdërojnë vajin e ricinit.
Disa e konsumojnë atë për të luftuar kapsllëkun, të tjerë e aplikojnë me shpresën për të zbërthyer dhjamin, ndërsa nuk ka mungesë të atyre që betohen se i bën flokët dhe qerpikët të rriten më gjatë.
Por sa nga këto pretendime (mbresëlënëse) kanë një bazë shkencore?
Vaji i ricinit nuk është thjesht i ri. “Është një nga ilaçet më të vjetra”, thotë Stefan Offermanns, profesor i farmakologjisë në Universitetin Goethe dhe drejtor i Institutit Max Planck për Kërkime të Zemrës dhe Mushkërive, sipas National Geographic.
Vaji nga farat e bimës së ricinit u gjet në varret egjiptiane që datojnë rreth vitit 4000 para Krishtit, ndërsa në tekstet mjekësore shfaqet si një trajtim për sëmundjet e lëkurës dhe të syve – madje edhe si një mjet për të nxitur lindjen.
Që atëherë, shkenca ka konfirmuar të paktën një përdorim: Vaji i ricinit vepron si një laksativ i fuqishëm. Dr. Offermanns studioi se si acidi ricinoleik (përbërësi i tij kryesor) stimulon receptorin EP3, duke shkaktuar tkurrje në zorrë, por edhe në qafën e mitrës. Ky veprim shpjegon si lehtësimin e kapsllëkut ashtu edhe fuqinë e tij për të nxitur lindjen.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e ka miratuar vajin e ricinit vetëm si laksativ. Për induksionin e lindjes, provat shkencore janë të paqarta dhe nuk është miratuar. Megjithatë, ekspertët sot nuk e rekomandojnë atë as për kapsllëk, pasi ka laksativë më efektivë me më pak efekte anësore, të tilla si të përziera dhe të vjella. Përveç kësaj, abuzimi mund të çojë në inflamacion dhe dëmtim të zorrëve.
Dhjami i “zhdukur”
Në rrjetet sociale flitet shumë se fërkimi i vajit të ricinit në bark do të djegë dhjamin dhe do të “detoksifikojë” trupin tuaj. “Për fat të keq, shumica e këtyre pretendimeve janë thjesht anekdotike, pa bazë shkencore”, thotë Lindsey Wohlford, një dietologe e regjistruar.
Vaji i ricinit, shpjegon ai, nuk absorbohet përmes lëkurës në një mënyrë që ndikon në organet e brendshme. Prandaj, ai nuk mund të tresë yndyrën ose të “shërojë” tumoret, siç pretendojnë disa.
Si hidratues, vaji i ricinit mund të ketë një vend në kujdesin e lëkurës. “Përfitimi më i madh është hidratimi”, vëren Nina Botto, një profesoreshë e asociuar e dermatologjisë në Universitetin e Kalifornisë. Ai gjithashtu ka veti të buta antimikrobike dhe është më pak irritues se vajrat e tjerë.
Megjithatë, në lëkurën e prirur ndaj akneve, mund të bllokojë poret dhe ta përkeqësojë gjendjen. Në të njëjtën kohë, nuk ka prova që zvogëlon rrudhat ose ka efekte anti-plakje.
Një praktikë tjetër e zakonshme është përdorimi i tij në sy për të përmirësuar shikimin ose për t’i bërë qerpikët më të gjatë. Ekspertët janë të qartë: “Nuk ka prova që vaji i ricinit mund të ndihmojë me probleme si glaukoma ose të përmirësojë shikimin”, thotë Saba Al-Hashimi, një profesoreshë e asociuar e oftalmologjisë në UCLA.
Në fakt, aplikimi i vajit josteril direkt në sy mund të shkaktojë infeksione serioze. Disa grupe kërkimore po e shqyrtojnë vajin e ricinit si një përbërës në pikat speciale për sytë e thatë, por këto janë produkte rreptësisht mjekësore dhe jo “ilaçe shtëpiake”.
Pavarësisht idesë së përhapur se është një “mrekulli natyrore”, vaji i ricinit ka përdorime shumë të kufizuara, të provuara shkencërisht. Është një laksativ i fuqishëm, por me efekte anësore të konsiderueshme, dhe mund të ketë një vend në produktet e specializuara për sytë ose lëkurën. Çdo gjë tjetër, nga humbja e yndyrës deri te anti-plakja, mbetet një mit. Prandaj, në çdo rast, është gjithmonë më e sigurt të konsultoheni me mjekun tuaj para se ta përdorni, veçanërisht nëse jeni duke marrë ilaçe.
-

Mirosllav Kërlezha: Kuptimi i poezisë
Nga Mirosllav Kërlezha
Ritmi i gjërave. Në qoftë se lëvizja është karakteristika themelore e materies, kurse “lëvizja” organike ngritja e saj më e lartë, arti është pasqyrimi ritmik i kësaj bredhjeje. Rreth njeriut dhe në të lëviz gjithçka. Në rrymimin e sasive jashtëzakonisht të mëdha organike dhe anorganike, në këtë vibracion të kuptueshëm por njëkohësisht edhe të pakuptueshëm të së gjallës dhe së pagjallës, kalojnë përjetshmëri të tëra të vogla të njohjes njerëzore. Pikërisht kjo si zhvillohen dhe zhduken gjërat e pasqyron me fjalë, imazhe dhe muzikë këtë melankoli të vdekjes dhe gëzim të shkrirjes së qarqeve të reja. Ritmi i gjërave dhe Logosi. Arti flet me valëzimin e imazheve dhe të tingujve. Duke u shqetësuar me ritmin e jetës, ai kalon si rëra nga klepsidra, për ndryshim nga Logosi, që rri i qetë në dinjitetin e hieroglifeve të veta.Ritmi dhe arti. Ritmi i gjërave dhe i ngjarjeve reflektohet në njeriun me fuqinë e vetë rrjedhjes, shfaqjes së verbër dhe lucide në të njëjtën kohë, sikurse gjithçka rreth njeriut, që është e qartë dhe e turbullt duke marrë parasysh mjetet e varfëra të mendjes së tij. Arti i ka zbuluar që moti, qysh në fillim, imazhet e gjalla dhe të bindshme të të folurit njerëzor dhe kështu ua ka kaluar njohjeve të arsyes.Në rrugën e njeriut arti është paraqitur si pantera misterioze e Dantes. Duke ecur para njerëzimit, në këtë rrugë ende djallëzore të ngjarjeve njerëzore, arti me lëvizjet zigzake të egërsirës orientohet nën yje dhe midis vullkaneve.
Ritmi dhe fantazia. Parimet shkencore e hutojnë përherë artin, por në esencë para shkencës sipas ligjit të fantazisë, fjalët nuk janë të qarta por përputhen me ligjin e ritmit, me këtë shpallje themelore të natyrës si të tillë. Nihilizmi i shkencës. Pas jashtëzakonisht shumë kthesave në zhvillimin e gjërave, në bazë të morisë së madhe të përvojave jetësore në fushën e gëzimeve të ndryshme jetësore, pengesave dhe sëmundjeve, shkenca bashkëkohëse ka arritur deri në njohjen se disa organizma, në kuadrin e ndonjë plani ideal, nuk kanë ndonjë kuptim as qëllim të veçantë. Sipas njohjes shkencore bashkëkohëse , gjithçka që ekziston bredh sipas parimit të ngathtësisë së paqëllimtë dhe të verbër të lëvizjes. Se dukuritë as një nga një as sipas llojeve nuk kanë më arsyetim, shihet edhe nga fakti se plani organik i bredhjes së ngathët dhe të verbër ritmike të masës është ndërtuar në bazë të zhdukjes reciproke. Shkenca liberale ka konstatuar se trupi, ëndrrat dhe arsyeja nuk duhet të mendohen si shema ideale, të ndara nga toka. Gjithçka që quhet “shpirtërore” ose e “shpirtëzuar” shkenca disteleologjike e ka interpretuar në bazë të kushteve materiale, si janë renduar dhe si kanë vdekur qytetërimet e ndryshme, e pastaj në bazë të ndërtimit fizik të brezeve njerëzore (bastarde). Sipas ligjeve fizike, që zotërojnë dukurinë e tij, njeriu është pjesë përbërëse e natyrës, si predikonin shumë qartë edhe poetët e Indisë dhe të Heladës.Fati i njeriut. Duke e vështruar konstitucionin e trupit të njeriut, shkenca e deteologjizuar ka ardhur në përfundim se fenomenet shpirtërore dhe fizike janë korrelacione dhe se nuk mund të ndahen. Fati i njeriut, ky është skeleti i trupit të tij, kështu na mëson mjekësia bashkëkohëse. Fati i tij është gjithashtu edhe politikë, si na mëson prapë diagnoza historiko-materiailiste, e vërtetuar në mënyrë aq tragjike nga historia e shekullit të fundit.
Relativiteti i njohjes shkencore. Arti depërton gjatë “shekujve” nën diktatin e paqartë, të pakuptueshëm, e shpeshherë edhe nervoz të imponueshëm të së ashtuquajturave të vërteta shkencore. Hipotezat shkencore ndryshojnë në mënyrë tekanjoze gjatë shekujve dhe vetëm në kohën tonë, brenda disa dhjetëvjetëshave të fundit, pas autokratizmit të formulave kimike, vetëdijen shkencore e zotëroi një seri e tërë hipotezash të reja: prej Lukrecit e deri te Planku formulat shkencore e përcjellin në mënyrë ritmike lojën e forcave të verbëra dhe shkatërruese, për të cilat poezia që moti ka pasur pamjen e vet melankolike.
Domethënia e artit. Cili është kuptimi i njohjes artistike? Nga perspektiva e hipotezave shkencore bashkëkohëse, një varg i tërë formulash të shekullit të kaluar janë sot naive, kurse gjatë njëqind a dyqind vjetëve kemi frikë se do të bëhen naive hipotezat e panumërta nga perioda jonë bashkëkohëse, kurse afreskat e Altamirës dhe të Laskos do të bëhen njësoj dinjitoze, sikurse kanë qenë atë ditë kur shikimi melankolik i lopës është pasqyruar për herë të parë në vetëdijen artistike të njeriut.
Rruga e mendjes. Mendja e njeriut është ngritur mbi ngathtësinë e verbër të materies deri në një shkallë shumë të lartë. Me urinë e vet, të ndërtuar në vështrimin e çmueshëm, ajo po zotëron shumë disfunksione në lëndën trupore të njeriut. Ajo po largon shumë pengesa organike she shpirtërore me matoda të rafinuara: trupin e sëmurshëm dhe të brejtur të njeriut ajo e ngrit deri në formulën ideale të shëndetit, ajo i zotëron klimat dhe ligjet e stinëve të vitit, rrethet e ditës dhe të natës, forcat magnetotelurike, largësitë e mëdha planetare dhe interplanetare. Shkenca e ka vënë në plan të parë problemin e vullnetit individual të njeriut. Ajo është zhytur thellë në jetën misterioze të gjëndrave dhe, duke përpunuar arkitektonikën e lëndës qelizore, ajo po depërton deri te ligjet e vetorientimit dhe të ekuilibrit të marrëdhënieve të çrregulluara qelizore, deri te rezistimi autonom ndaj pengesave të jashtme, deri te ajo zona e fundit, ku disa stacione qelizore tashmë u nënshtrohen dhe u përulen ligjeve të natyrës anorganike.Në syrin e qelqtë të shkencës edne shfaqet pyetja naive dhe njësoj magjike e formulës bioorganike, kësaj kuadrature analfabetike, që i ka lindur të gjitha religjionet në këtë rruzullin tonë.
Rreziku nga arsyeja. Vetëdija shkencore është ngritur mbi problemin e brengave dhe të sëmundjeve të ndryshme njerëzore: ftohtjes, skarlatinës, lisë, fruthit, kollës së mirë dhe turbekulozit. Me thikën e vet ajo ka filluar të presë zemrën e njeriut, ajo u ka shpallur luftë pleshtave e mizave vdekjeprurëse, këpurdhëzave dhe bacileve të dëmshme, ajo lundron nëpër të gjitha detet, ajo po shfrytëzon depërtimin teologjik në brendinë e tokës, por është krejtësisht e pafuqishme përballë politikës. Njeriu ka arritur të mbrojë trupin e vet nga shqipet e Zeusit dhe peshqit e Biblës; ai ka arritur ta ruajë me pëlhurë e pullaz ngrohtësinë e vet trupore nën këtë qiell aq të pakëndshëm për njeriun. Ai është pastruar nga zgjebja dhe kandrat, i ka zotëruar rrufetë, ujin dhe zjarrin.Ai e ka mundur një varg të tërë forcash shkatërruese, por që ta ruajë veten dhe brezet e veta nga kobalt-bomba , kjo ende nuk i ka ardhur për dore. Duke larguar fruthin e diarenë dhe inflamacionin e mushkërive me iniektimin e mikrobëve infektues, ai, nga ana tjetër, po e rrezikon ekzistencën e vet me shpikjet “antibiotike” shumë me të rafinuara, duke humbur rrugën deri në atë masë sa, pa e tepruar, mund të thuhet se arsyeja është bërë rreziku më i madh për jetën e njeriut.
Mossukssi i religjionit. Me shartim zbutet molla, kurse krematoriumi është mjet i zhdukjes së fisit njerëzor në bazë ideologjike dhe raciale në një period asodore të përvojës historike, kur është vërtetuar se asnjë religjion nuk ka pasur sukses në fisnikërimin e njeriut as të botëkuptimeve të tij.Kuptimi i poezisë. Kuptimi i forcës shkatërruese dhe vrasjes në botëkuptimet dhe bindjet bashkëkohëse njerëzore ka marrë pamjen e nevojës së pashmangshme stihike dhe njeriu, duke jetuar sot nga vdekja dhe nga vrasja si dy forca të egra në natyrën e pazbutshme, harron se është bërë njeri pikërisht në atë moment, kur me vështrimin poetik të gjërave është ngritur mbi gëlltitjen primitive dhe të verbër.Bukuria dhe morali. Kuptimin e bukurisë në tmerrin e ngjarjeve kozmike njeriu e ka vërejtur në atë çast kur është bërë poet. Kuptimi i jetës është në atë që gjithçka që jeton është –shtazë, kurse njeriu i jep kuptim jetës njerëzore me atë që, duke u shfaqur si Orfeu në mesin e bishave, ka pushuar të jetë shtazë.Me këtë uvertyrë orfeike ngritet perdja para pyetjes themelore: problemi i artit nuk është vetëm çështje e lojës ritmike sipas ligjit të ngathtësisë së verbër të materies. E fshehta e artit është ajo që nën velin e tij fshihet frymëzimi moralo-intelektual për të gjitha ato përpjekje që njeriun e kanë bërë njeri.Kjo nuk është vetëm çështje e mënyrës dhe e shkathtësisë së shprehjes, por gjithashtu edhe çështje e fizionomisë morale të njeriut dhe të ekzistencës së tij nën yjet.Çështja e moralit është çështje e së mirës dhe e së keqes, e së bukurës dhe e së shëmtuarës, e së vërtetës dhe e së rrejshmes , e së drejtës dhe e së padrejtës. Nga antika e deri te beletristika bashkëkohëse nuk ka pasur poezi që nuk ka qenë e ndërtuar në këto kontranocione. Modat letrare kanë bredhur shumë gjatë rrugëve të ndryshme të parrugë, duke shfaqur me mjete të veta, relativisht të varfëra këto kontradikta në natyrë dhe në mendjen njerëzore. Perënditë i likuidojnë titanët, engjujt dhe Prometetë (për shkak të komplotit ateist me dykëmbëshat), kurse njerëzit, prapë, kur pushojnë ta durojnë në mënyrë pasive dhunën e gjaksorëve të mbinatyrshëm, i rrëzojnë perënditë sipas ligjit të forcës dhe të rezistencës. Tiranët i sundojnë turmat, kurse turmat, kur ta zotërojnë ligjin e ngathtësisë së shpirtit dhe të vetëdijes i rrëzojnë tiranët, për shkak të ngritjes së dinjitetit të vet vetjak. Marrëzia lufton kundër mendjes me forcën diluviale, por njeriu, megjithatë, përkundër të gjithave, e ka ndezur dritën e vet dhe kurrfarë forcash nuk do ta zotërojnë vullnetin e tij, pasi të ketë vendosur të ngadhënjejë mbi të gjitha ato që paraqesin negacionin e së vërtetës dhe të drejtësisë.Letërsia është pasqyrim ritmik i kësaj bredhjeje të mendjes dhe të përvojës njerëzore në realitetin që e quajmë histori, kurse ritmi i këtyre kontrasteve historike ka qenë i vetmi frymëzim i poezisë deri sot.
“Pjesë nga “Referati në plenumin e lidhjes së shkrimtarëve”, 1954, shkëputur nga libri i Mirosllav Kërlezhës: “Ese”
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
UMBERTO ECO: ASGJË NUK E MBUSH ZEMRËN ASHTU SI DASHURIA
-

Mali i Zi përgatitet për ekspeditë shkencore në Antarktidë, qeveria miraton fondet
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar planin për financimin e kërkimit dhe pjesëmarrjen e shkencëtarëve malazezë në ekspeditat shkencore në Antarktidë, raportoi sot RTCG. Sipas njoftimit, planifikimi për ekspeditën është në proces dhe pritet të realizohet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Në kuadër të këtij projekti, është vendosur bashkëpunimi midis Institutit të Biologjisë Detare dhe Institutit Bullgar të Kërkimeve Antarktike, duke synuar forcimin e lidhjeve shkencore dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore.
Për të mbështetur këtë iniciativë, Ministria ka siguruar 20 mijë euro, të cilat do të përdoren për përmirësimin e kushteve të punës së shkencëtarëve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Me këtë hap, Mali i Zi po i bashkohet komunitetit shkencor ndërkombëtar, i cili po hulumton një nga ekosistemet më të ndjeshme në planet”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Ky zhvillim shihet si një moment historik për shkencën malazeze, duke e përfshirë vendin në rrjetin global të studimeve për mbrojtjen e biodiversitetit dhe klimës.