autori Elvis Shkambi-vitkima astrit kalaja
TIRANË- Rakip dhe Ervis Kurtaj (babë e bir), të cilët u plagosën brenda sallës së gjyqit, ku u qëllua për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja, kanë lënë Spitalin e Traumës një ditë pas ngjarjes së rëndë të regjistruar pranë gjykatës. Mësohet se të plagosurit, babë e bir, janë në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se Rakip dhe Ervis Kurtaj kanë dëshmuar përpara oficerëve të policisë gjyqësore në lidhje me ngjarjen, teksa kanë rrëfyer momentet e panikut që kanë përfshirë të pranishmit në sallë. Sipas dëshmisë së tyre, ngjarja ka ndodhur brenda pak sekondash. Ashtu sikurse u raportua edhe më herët, dëshmitarët kanë pohuar se pasi gjyqtari Kalaja lexoi vendimin që ishte kundër familjes Shkambi u duk se ishin të dy të pakënaqur. Më pas, në momentin që gjytari do dilte nga dhoma drejt koridorit, 30-vjeçari Elvis Shkambi nxori armën posht xhakete e mbushi me plumbat që kishte në xhep dhe qëlloi 3-4 herë drejt gjykatësit.
Mësohet se gjyqtari Kalaja është përpjekur të mbrohet por ka qenë e pamundur për shkak të ambientit të vogël. Bëhet fjalë për një nga sallat më të vogla të apelit, salla numër 3, ku autori ka qenë vetëm 5 hapa larg gjyqtarit. Pasi e ka qëlluar, autori i ka shkuar afër dhe i ka thënë “vetë e kërkove”, ndërsa më tej i është drejtuar edhe të pranishmëve në sallë dhe sekretares, por nuk ka pasur më plumba në pistoletë.
“Ndonse Kalaja u përpoq të mbrohej ishte e pamundur edhe për shkak të ambinetit të vogël por edhe se Elvisi i shkoi shumë afër dhe e qëlloi duke thënë “vet e kërkove”. Më tej ai na u drejtua edhe ne por nuk kishte më plumba, pastaj doli i qetë dhe mesa pamë edhe atë zonjën që mbante shënim (sekretaren) iu drejtua po shyqyr arma s’kishte më plumba. Ne u përpoqëm të ndihmonin gjyqtarin por ai nuk përmendej. Për punë minutash erdhi policia dhe ambulanca na mori. Kur dolëm jashtë ishte plot me polica që e morën dhe armën ja kishte lënë një punonjësi aty te dera e pam kur dolëm, ishte një armë shumëne vogël. Na erdhi shumë keq për gjyqtarin, po kjo punë edhe pritej ata kanë vite që na kërcënojnë dhe ishin thuajse të bindur që do na nxirnin nga banesat tona. Do ju hedhim në rrugë na thoshin sa herë takoheshim qoftë dhe kur na binte rruga rastësisht. Na janë kthyer në tmerr”, mësohet të kenë dëshmuar dy të plagosurit babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t’i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI









