Adriatik BALLA
Derbi i madh anglez i Mançesterit, midis Junajtid dhe Sitit, përfundoi në “paqe”, pra me rezultat të barabarta, me rrjeta të paprekura 0-0. Ishte një ndeshje e bukur, e rivalizuar, por në fund pa fitues, ku të dyja skuadrat morën nga një pikë që nuk i ndihmon shumë për objektivat e tyre. Po në kampionatin anglez, në ndeshjet e luajtura dje në kuadër të xhiros së 31-të, Çelsi barazoi me Brentford 0-0, kurse Totenhemi shkatërroi Sauthemptonin me shifrat 3-1. Një ndeshje interesante ishte dhe ajo mes Fulhamit dhe Liverpulit, që u fitua nga Fulham me shifrat 3-2. Kampionati anglez, Premier League, udhëhiqet nga Liverpuli me 73 ikë, ndjekur në vend të dytë nga Arsenali me 62 pikë, më pas është Notingham Forest me 57 pikë dhe top-4 mbyllet me Çelsin që ka 63 pikë. Ndërkohë, Barcelona nuk e ka shfrytëzuar gabimin e Real Madridit për t’i ikur në krye të tabelës në La Liga.
Barça barazoi 1:1 me Real Betisin në shtëpi të shtunën mbrëma. Kjo ndeshje i takoi javës së 30-të. Reali u mposht nga Valencia me rezultatin 2:1 më herët të shtunën. Gavi e kaloi në epërsi Barçën në minutën e shtatë. Mysafirët shifrat i barazuan në minutën e 17-të. Natan realizoi për 1:1. Barcelona mbetet lidere me 67 pikë. Reali është një pozitë më poshtë me katër pikë më pak. Betisi e zë vendin e pestë me 48 pikë. Ndërkohë, për sulmuesin kryesor të skuadrës, Rafinja, situata doli jashtë kontrollit pas fishkëllimës përfundimtare. Në një video të publikuar nga tifozët në rrjetet sociale, që tregonte skenat pas përfundimit të ndeshjes, Rafinja shihet duke reaguar me zemërim ndaj gjyqtarit. Ai pati përplasje edhe me disa lojtarë të Betisit, madje gati sa nuk u konfliktua fizikisht me shokun e tij të skuadrës, Mark-Andre ter Shtegen, pranë zonës së pankinës. Sipas gazetës “Mundo Deportivo”, janë zbuluar detaje mbi arsyen e zemërimit të Rafinjës, i cili ishte i drejtuar ndaj gjyqtarit Jezus Gil Manzano dhe njërit prej asistentëve të tij. Ylli brazilian thuhet se i ka thënë këtij të fundit: “Ti nuk më thua mua të mbyll gojën”,pas një shkëmbimi fjalësh mes tyre në minutat e fundit të ndeshjes. Hansi Flik dhe Ter Shtegen u përpoqën ta qetësonin Rafinjën, ndërsa edhe Robert Levandovski shihet duke i kërkuar që të largohet nga situata.
Duke qenë se zemërimi i tij ishte shumë i dukshëm, Barcelona mund të jetë e shqetësuar për ndonjë ndëshkim të mundshëm. Megjithatë, në raportin e gjyqtarit nuk përmendet asgjë për sjelljen e Rafinjës, gjë që nënkupton se nuk do të ketë pasoja disiplinore. Rafinja nuk e nisi titullar ndeshjen ndaj Betisit, pasi trajneri Flik zgjodhi të ruante disa lojtarë për sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Borusia Dortmund, që zhvillohet po në Estadi Olimpik të mërkurën. Braziliani u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Ferran Torres, i cili pati një ndeshje të qetë përveç asistit për golin e Gavit.