Shfaqja “Zullulandia” mbështetur mbi motivet e Faik Konicës dramatizuar dhe përshtatur nga Endri Çela ka për subjekt një ngjarje krejt të veçantë, e dhënë në plan satirik. Vepra teatrore shënoi këto ditë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, por regjisori Endri Çela në intervistën për gazetën “SOT” rrëfen punën për t’a sjellë në skenë dhe çfarë i përcjell ajo publikut. Regjisori tregon se dëshira që fjala kritike e Faik Konicës dhe mendimi i tij euridik të ketë më shumë zë, ka qenë shtysa e tij për të kthyer në vepër teatrore disa pjesë të veprës së tij letrare dhe kryesisht asaj publicistike. Ai shprehet se vjen në skenë një shfaqje që kritikon me humor dembelizmin, fallcitetin dhe i bën thirrje publikut për reflektim. Rolet në vepër vijnë nga kastë e zgjedhur aktorësh, por si regjisor Endri Çela shprehet se është i kënaqur që sëbashku ata kanë krijuar një shfaqje me nota të bukura satirike, me një humor të mprehtë që të fton ta ndjekësh. Ndër të tjera regjisor Endri Çela ndalet dhe te teatro sot, çfarë ndodh me mungesën e kritikës në fushën e artit, etj. Regjisori thotë se si drama si komedia, duhet të lërë gjurmë dhe t’i flasë aktualitetit. Shfaqja “Zullulandia” mbështetur mbi motivet e Faik Konicës vijon këtë fundjavë dhe në datat 24, 25 maj.
-Në skenën tonë teatrore premiera më e re quhet “Zullulandia” e punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës. Vepra erdhi premierë me regji dhe dramatizim nga ju, pse zgjodhët këtë herë të sillni për publikun “Zullulandia”?
Qasja ime me gjithë veprën e Faik Konicës ka qenë e hershme. Dëshira që fjala e tij kritike dhe mendimi i tij euridik të ketë më shumë zë, ka qenë shtysa ime për të kthyer në vepër teatrore disa pjesë të veprës së tij letrare dhe kryesisht asaj publicistike. Dhe, duke qenë se fjala e tij, e thënë një shekull më parë, vazhdon të jetë aktuale – në mos më shumë se kurrë pikërisht në këto muajt e fundit – zgjodha për ta dramatizuar dhe për ta përpunuar me materiale të realitetit të sotëm në mënyrë që të gjeja mënyrën e duhur për ta ngritur në skenë.
-“Zullulandia” e punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar. Ngjarjet dhe personazhet flasin për Afrikën, por për nga problemet dhe shqetësimet që trajton, ka për paralelizëm Shqipërinë. Çfarë mund të na thoni më shumë për vënien në skenë të kësaj vepre, ajo që përcillet përmes saj?
Vepra flet për një popull të prapambetur që kërkojnë më shumë të drejta nga Evropa dhe i kanë sytë drejt saj. Zullutë nuk e pranojnë të shohin nga vetja, t’i zgjidhin problemet me vetveten, të kuptojnë se ç’duhet bërë, të ndalen e të reflektojnë, por zgjedhin të mbeten në vend, të pinë kafe e cigare e të merren me kotësira. Gjendje kjo, e cila shfrytëzohet nga politika që, për interesa të ulta personale, e çon popullin akoma edhe më mbrapa. E parë në këtë vështrim kam krijuar një shfaqje që sjell një festë të madhe, por që festohet diçka që nuk kuptohet. Një shfaqje me një humor të hidhur dhe elegant, siç i ka hije Faik Konicës, duke demaskuar politikën, rininë neglizhente, fodullëkun e një populli që nuk e pranon mendimin kritik dhe përparimtar dhe mbetet në zonën e komfortit të kafes e cigares. Një shfaqje që kritikon me humor dembelizmin, fallcitetin dhe i bën thirrje publikut për reflektim. Shfaqja flet me një estetikë moderne dhe komunikon në mënyrë direkte me publikun, duke e përfshirë publikun në festën zulluliane. Gjatë shfaqjes shpërndahet tortë e pihet shampanjë; ftohet gjithsecili edhe të flasë e të bisedojë me aktorët mbi problematikat tona aktuale.
-Gjashtë aktorë në role janë në këtë vepër teatrore, si ka qenë ky bashkëpunim, dhe si i keni parë në personazhet që ata luajnë në skenë?
Është kënaqësi të punosh me aktorë që të kuptojnë dhe me të cilët arrin të ndash gjuhën tënde teatrore. Neritan Liçaj dhe Sokol Angjeli kanë skalitur role të bukura në këtë shfaqje. Adriana Tolka dhe Katerina Fili i kanë dhënë akoma më shumë ngjyra shfaqjes dhe Brendi Bega e Anxhelo Dauti e kanë pasuruar me role interesante. Jam i kënaqur që sëbashku kemi krijuar një shfaqje me nota të bukura satirike, me një humor të mprehtë që të fton ta ndjekësh shfaqjen për 1 orë e 10 minuta. Që të argëton dhe, sigurisht, të bën që të reflektosh në fund të saj.
-Kjo shfaqje është një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Sa do të vijojë këtë sezon në skenë dhe a do jeni dhe në skena të tjera jashtë Tirane?
Do të jemi për publikun këtë fundjavë dhe fundjavën tjetër. Më pas ende nuk e dimë saktësisht kalendarin artistik për shkak të sezonit veror i cili, kuptueshëm, e bën teatrin më pasiv. Por shfaqja do të ketë rrugëtim të gjatë. Do të rikthehemi edhe sezonin e vjeshtës. E rëndësishme është që deri tani është pritur mirë dhe kjo na gëzon.
-Ju jeni regjisor i teatrit, dhe këtë vit në maj shënohet dhe 80-vjetori i Teatrit Kombëtar. Çfarë ka përfaqësuar ky teatër në jetën artistike?
Në këndvështrimin tim teatri është mënjanuar nga jeta artistike këto vitet e fundit. Uroj shumë që të kthehen sytë dhe të drejtohet drejt rrugës së duhur; drejt kthimit të tij në një tempull të mendimit elitar dhe të një estetike bashkëkohore.
-Kemi shfaqje, premiera te ndryshme ne skena, por sipas artistëve ndihet mungesa e kritikës profesionale në art. Për ju si ndikon kjo, çfarë sjell mungesa e saj?
Është e vërtetë që nuk kemi kritikë. Siç nuk kemi kontrolle në ushqimet që hamë, siç nuk po dimë ç’mjek po na kurojnë, apo ç’mësues po edukojnë brezat e ardhshëm, nuk kemi as kritikë që të thonë në ç’drejtim po e argëtojmë dhe edukojmë shoqërinë. Pra, hasim realisht me një problematikë madhore. Ka artistë që luajnë dhe vendosin shfaqje vetëm për lekë, ose për të qenë të dashur me publikun duke i dhënë publikut vetëm argëtim momental. Unë zgjedh të mos e gënjej publikun me një “u çu kënaqëm nga kjo shfaqje, qeshëm, tani hajde të ikim në shtëpi e të shohim Big Brotherin”. Unë dua që publiku të dali nga shfaqja i trazuar. Që shfaqja t’i ketë lënë gjurmë. Që të reflektojë. Si drama si komedia, duhet të lërë gjurmë dhe t’i flasë aktualitetit. Artisti duhet të punojë për ta përmirësuar shijen estetike dhe mendimin përparimtar.
-Si regjisor këtë vepër teatrore për të rritur tani premierë në skenën e teatrit e sollët pas asaj me titull “Lule Sajza”. Çfarë mund të na thoni më shumë mbi këtë shfaqje me regji nga ju, por që vijoi në skena të ndryshme teatrore, si edhe në festivale?
“Lule Sajza” ka qenë një reflektim mbi gabimet tona të së shkuarës, të cilat duhen të mësohen nga të rinjtë dhe të mos mbeten në harresë për të tjerët, pasi po përsëriten në një formë tjetër edhe në të tashmen tonë. Ka qenë një shfaqje e vlerësuar nga kritika botërore për shkak të pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombëtar të Showcase, nëntorin e vitit 2024, dhe një vlerësim për punën time që më motivoi për të vazhduar punën me Faik Konicën tani.
Intervistoi: Julia Vrapi
Çfarë ndodh te “Zullulandia”?
Shfaqja “Zullulandia” mbi motivet e Faik Konicës, regjia dhe dramatizimi Endri Çela. “Zullulandia” është një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar. Zullulandia, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Europa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen.Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lëvdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’i hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Europës mbi Zullulandian. Në role aktorët Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti. Skenograf Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, koreografe Semela Skënderasi, kompozitor Petrit Jakupi.