Tirana ndezi mbrëmjen e sotme dritat e pemës gjigande të Krishtlindjes të vendosur në sheshin “Skënderbej”.
Sheshi qendror i kryeqytetit, u gjallërua edhe më tepër nga atmosfera e krijuar nga fëmijët me repertorin e këngëve festive si dhe me veshjet ngjyrë të kuqe.
Dritat e pemës u ndezën mes duartrokitjeve, pas numërimit mbrapsht të fëmijëve si dhe kryetares së komanduar të bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanit.
“Përpara se t’i ndezim dritat të lëmë disa detyra. Kush është sjellë mirë këtë vit? Kush ka bërë gabime? Kush nuk ka bërë asnjë gabim? Edhe ata që s’kanë bërë gabime, ka disa gjëra që mund t’i bëjmë pak më mirë”, u shpreh Ristani.
Pema, e lartë dhe e zbukuruar me mijëra drita shumëngjyrëshe festive, u bë qendra e vëmendjes së fëmijëve dhe të rriturve që kishin mbushur sheshin.
Dritat festive kanë nisur të zbukurojnë Tiranën, duke sjellë një atmosferë të gëzueshme në muajin dhjetor, gjatë të cilit festojmë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.









