Tag: shërbimeve

  • Rama: 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online, kursehen 650 milionë euro në total

    Rama: 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online, kursehen 650 milionë euro në total

    Kryeministri Edi Rama në eventin për çeljen e Programit për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike në partneritet me Mastercard Europe, tha se është e rëndësishme, që revolucioni dixhital të thellohet edhe për thjeshtësimin e pagesave në vend.
    Rama u shpreh se 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online dhe kursehen 650 milionë euro në total tek qytetarët.
    Rama: Më vjen mirë, se kapitalistët e mëdhenj nuk shquhen për mbajtjen e fjalës, por këtë herë e mbajtën, këta të Mastercard-it e mbajtën këtë fjalë. Por mesa duket ka edhe një përqindje ADN-je këtej nga Ballkani dhe ja ku është, u kthye për të realizuar këtë dhe e mbajti fjalën.

    Për ne është e rëndësishme që Mastercard hyn në Shqipëri, edhe për faktin se e gjen tregun shqiptar të gatshëm për të adoptuar me produktin e gatshëm. Edhe për ne është e rëndësishme, që revolucioni dixhital të thellohet edhe për thjeshtësimin e pagesave në vend. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme me shërbime online, 95% e tyre bëhen online, nuk kemi arritur ende të bëjmë online martesën, se na duhen dëshmitarët, të dashuruarit etj. etj., nuk e kemi arritur, por mbase një ditë do e arrijmë.
    Por ka edhe si ato me gjurmët e gishtërinjve, ku kërkohet prania e personit. 650 mln euro të kursyera nga ky program i shërbimeve online. Kemi të dhëna masive negative për sa i përket masivitetit të cash-it dhe pak me pagesa bankare. Nga 30% të personave me llogari bankare, tani kemi në 80% të qytetarëve me llogari bankare.
    /vizionplus.tv

  • Pogradeci vuan për punëtorë, më i prekur sektori i shërbimeve dhe turizmi

    Pogradeci vuan për punëtorë, më i prekur sektori i shërbimeve dhe turizmi

    Pogradeci në dy vitet e fundit eshte perballur mungesë të theksuar të fuqisë punëtore e cila reflektohet më shumë në sektorin e prodhimeve dhe shërbimeve
    Altin Pojanaku i cili ka një furrë në qytet thotë se nuk gjen dot njerëz per ti punesuar ndaj I duhet të punojë vetëm me bashkëshorten e tij.
    Mungesa e fuqisë punëtore haset edhe në sektorin e transportit.

    Mungesa e fuqise punetore duket se do te reflektohet edhe ne turizem vecanerisht gjate sezonit veror.
    /vizionplus.tv

  • Burger King solidarizohet me konkurentët: “Të mbështesim njëri-tjetrin!”

    Burger King solidarizohet me konkurentët: “Të mbështesim njëri-tjetrin!”

    Situata e pandemisë globale ka patur një ndikim të thellë në ekonomitë familjare, duke ulur numrin e të punësuarëve dhe të ardhurat nga bizneset familjare në sektorin e shërbimeve. Kjo ka qenë arsyeja pas një veprimi të paprecedent solidariteti, që Burger King në Shqipëri ka ndërmarrë ndaj konkurentëve të tij.
    Në lajmërimin e publikuar ditën e djeshme në kanalet e tyre në rrjetet sociale, stafi I Burger King Tiranë i bën thirrje klientëve të kryejnë porosi edhe tek operatorët e tjerë të industries së ushqimit të shpejtë apo restorante, si shenjë solidariteti dhe ndihme shumë të nevojshme, për të gjithë ata të rinj e të reja familjarë të punësuar në këtë industri, në këtë periudhë të vështirë.
    “…E çuditshme sa mund t’ju duket që kjo kërkesë të vijë nga ne, njejtë si Burger King që punëson shumë të rinj, të reja e familjarë, edhe restorantet e tjera në vend kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen tuaj!
    Ndaj, nëse doni të jepni kontributin tuaj, vazhdoni të porositni përmes shërbimeve delivery apo të ‘merre-me-vete’…”
    Kështu shprehet stafi i Burger King në deklaratën e tyre, duke krijuar një precedent të ri dhe frymëzues për të gjitha industritë e biznesit në Shqipëri, në një moment kaq delikat për ekonomitë e shumë familjeve.
    E ardhmja është e përbashkët, edhe kur ajo duket e vështirë.
    Ky është mesazhi që Burger King ka zgjedhur “të ushqejë” në tregun shqiptar, si një nxitje për të ndihmuar edhe bizneset e vogla lokale, në mënyrë që ky dimër pandemie të jetë i ngrohtë për të gjithë.

  • Forumi për inovacionin dhe shërbimet financiare, Sejko: Pranimi i Shqipërisë në SEPA dhe “Open banking” pika kryesore

    Forumi për inovacionin dhe shërbimet financiare, Sejko: Pranimi i Shqipërisë në SEPA dhe “Open banking” pika kryesore

    Banka e Shqipërisë dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë organizojnë forumin e biznesit me temë, “E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni shërbimet financiare shqiptare në 2025”
    Në fokus të këtij forumi kanë qenë diskutimet mbi inovacionet financiare në tregun shqiptar, një temë kjo mjaft aktuale dhe e rëndësishme për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
    Në fjalën e tij guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u ndal në dy momente kryesore ku është përqëndruar vëmendja për adoptimin e standardeve më të mira në rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare.
    Sejko u shpreh se këto dy momente janë pranimi i Shqipërisë në në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA si dhe“Open banking” që tashmë është një realitet.
    “Sot, dua të ndalem në dy momente kryesore, ku kemi përqendruar vëmendjen tonë për adoptimin e standardeve më të mira në rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare. Sikurse jeni në dijeni, më 21 nëntor 2024, Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) mori vendimin për të pranuar Shqipërinë në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA. Ky vendim shënon një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian.
    Së dyti, kam kënaqësinë të ritheksoj se “Open banking” është një realitet, për të cilin renditemi po ashtu ndër vendet e para në rajon. Tashmë dhe në Shqipëri bankat nuk janë të vetmet kontrolluese të të dhënave financiare të klientëve. Falë iniciativave të Bankës së Shqipërisë dhe  pas disa zhvillimeve të njëpasnjëshme ligjore dhe rregullative, të dhënat financiare të klientëve të bankave ndahen me palë të treta”, u shpreh Sejko.

    Fjala e plotë e Guvernatorit Gent Sejko:
    Kam kënaqësinë të jem pjesë e këtij forumi, për të diskutuar së bashku mbi inovacionet financiare në tregun shqiptar, një temë kjo mjaft aktuale dhe e rëndësishme për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
    Të gjithë jemi dëshmitarë të një transformimi thelbësor për mënyrën se si ofrohen, konsumohen dhe kuptohen shërbimet financiare. Risitë teknologjike po ndryshojnë peizazhin financiar në Shqipëri, duke nxitur zgjerimin e shërbimeve dhe përfshirjen financiare, si dhe duke ofruar mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët. Inovacioni nuk është më një luks apo diçka që i përket së ardhmes. Ai është një realitet i domosdoshëm që po revolucionarizon mënyrën se si mendojnë bankat për pagesat, kreditë, investimet dhe më tej.
    Më lejoni t’ju risjell në vëmendje se ekosistemi i pagesave ka përjetuar transformime të rëndësishme në dy dekadat e fundit në nivel global. Teknologjitë e reja kanë transformuar produktet dhe shërbimet e ofruara në tregun e pagesave me vlerë të vogël, ndërkohë që ekosistemi është zgjeruar me aktorë të rinj, të cilët janë kthyer në hallka të rëndësishme në zinxhirin e vlerës së pagesave.
    Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend. Transformimi digjital ka sjellë mundësi të reja për rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare dhe rritjen e përfshirjes së popullatës në financë. Një nga ndikimet më të dukshme të inovacionit në shërbimet financiare të Shqipërisë është transformimi digjital i pagesave dhe i bankingut. Vendi ynë po përjeton një rritje të shërbimeve bankare digjitale, duke i bërë shërbimet financiare më të përshtatshme, më të sigurta dhe më të aksesueshme. Falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, internetit dhe promovimit të produkteve inovative, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare dhe mund të menaxhojnë financat e tyre, të transferojnë para, të paguajnë faturat, në mënyrë elektronike.
    Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015. Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015. Infrastruktura për pranimin e instrumenteve digjitale të pagesave gjithashtu ka njohur rritje të përshpejtuar. Instrumente të reja, si pagesat nëpërmjet portofoleve elektronike, po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë, duke u shtrirë edhe në popullsi ku aksesi bankar është më i rrallë.
    Banka e Shqipërisë ka qenë pararojë në revolucionin që po riformëson mënyrën se si ne aksesojmë dhe ndërveprojmë me shërbimet financiare. Nga njëra anë, ne kemi qenë aktivistë të promovimeve teknologjike në treg, dhe nga ana tjetër kemi siguruar mbrojtjen e nevojshme rregullatore për konsumatorin, stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e subjekteve financiare.
    Shqipëria ishte vendi i parë në rajon, i cili transpozoi kuadrin evropian të shërbimeve të pagesave të njohur si PSD2. Kjo paketë rregullatore i hapi rrugën aktorëve të rinj fintech për ofrimin e produkteve të pagesave të përshtatura sipas nevojave të klientëve, me kosto më të ulëta dhe lehtësisht të përdorshme. Ajo solli dhe një koncept të ri, atë të “open banking”, duke nxitur konkurrencën në treg. Gjithashtu, kemi siguruar ofrimin e infrastrukturave të reja të pagesave, siç është sistemi AIPS Euro, i cili ka mundësuar shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi përmes bankave korrespondente. Operimi i këtij sistemi ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, të cilat përllogariten në rreth 100 milionë euro. Vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë në vitin 2020, konsumatorëve dhe bizneseve u janë kursyer përafërsisht 700 milionë lekë.
    Sot, dua të ndalem në dy momente kryesore, ku kemi përqendruar vëmendjen tonë për adoptimin e standardeve më të mira në rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare.
    Sikurse jeni në dijeni, më 21 nëntor 2024, Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) mori vendimin për të pranuar Shqipërinë në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA. Ky vendim shënon një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian. Miratimi i aplikimit evidentoi nivelin e lartë të pajtueshmërisë ligjore të vendit tonë me atë të Bashkimit Evropian në fushën e pagesave dhe mbikëqyrjes financiare. Përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në SEPA pritet të reflektohen në uljen e komisioneve ndërkufitare në euro, në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, në zgjerimin e investimeve të huaja në vend etj.
    Komisionet për kryerjen e transaksioneve SEPA pritet të jenë ndjeshëm më të ulëta sesa ato aktuale. Vlerësojmë se vetëm nga ulja e komisioneve, kryerja e transaksioneve nëpërmjet  skemave SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin e parë. Këto përfitime do të jenë të prekshme, pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA. Banka e Shqipërisë po udhëheq procesin e aderimit të çdo institucioni financiar, duke vepruar si urë lidhëse komunikimi dhe informacioni dhe duke monitoruar plotësimin e kritereve përkatëse. Institucionet shqiptare pritet të nisin aplikimet pranë EPC-së duke nisur nga muaji prill 2025. Bankat vendase janë angazhuar maksimalisht për plotësimin e kritereve teknike dhe ligjore, ku duhet të them, disa prej tyre kërkojnë investime të konsiderueshme financiare. Megjithatë, mbetemi besimplotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare do të mund të kryejnë transaksione SEPA duke nisur nga muaji tetor.
    Së dyti, kam kënaqësinë të ritheksoj se “Open banking” është një realitet, për të cilin renditemi po ashtu ndër vendet e para në rajon. Tashmë dhe në Shqipëri bankat nuk janë të vetmet kontrolluese të të dhënave financiare të klientëve. Falë iniciativave të Bankës së Shqipërisë dhe  pas disa zhvillimeve të njëpasnjëshme ligjore dhe rregullative, të dhënat financiare të klientëve të bankave ndahen me palë të treta.
    Klientët shqiptarë mund të autorizojnë palët e treta të transferojnë fondet nga llogaritë e tyre bankare për të kryer pagesa dhe për të marrë shërbime të ndryshme. I gjithë ky proces realizohet në mënyrë të sigurt, nëpërmjet ndërfaqeve të aksesit të standardizuara. Këto risi burojnë nga ligji për shërbimet e pagesave (që transpozoi PSD2) të vitit 2020 dhe nga aktet nënligjore që pasuan, të hartuara dhe të implementuara brenda harkut kohor 2021-2024.
    Deri më sot, janë autorizuar për të kryer veprimtarinë e ofruesit të shërbimit të inicimit të pagesave dhe atë të informimit të llogarisë, 2 institucione të parasë elektronike dhe 4 të tjera janë në proces shqyrtimi dhe vlerësimi. Sikurse jeni në dijeni, janë shënuar dhe transaksionet e para të suksesshme, ai i inicimit të pagesës dhe i informimit të llogarisë, ndërmjet një banke dhe një institucioni të parasë elektronike, të cilat presim të rriten në volume dhe të shtrihen në më shumë subjekte.
    Padyshim që vënia në jetë e Open Banking kërkonte një bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve financiare banka dhe atyre jobanka, agjencive qeveritare dhe ofruesve të teknologjisë, të cilat gjej rastin t’i falënderoj. Bankat dhe subjektet e licencuara Fintech kanë kryer investime të konsiderueshme, kanë përmirësuar sistemet e tyre të TI-së dhe kanë marrë certifikimet e nevojshme  për të lehtësuar shkëmbimin e sigurt të të dhënave ndërmjet palëve. Nuk mund të lë pa përmendur dhe Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, e cila pati një rol të rëndësishëm në testimin dhe integrimin e këtyre shërbimeve sipas standardeve më të fundit evropiane të sigurisë.
    Ne jemi besimplotë se “bankingu i hapur” do të ulë kostot e shërbimit, rrisë shpejtësinë e pagesave elektronike, si dhe përmirësojë përvojën e përdoruesve në një sektor të avancuar bankar. Përtej sa rendita më sipër, kemi kontribuuar dhe në rritjen e ndjeshme të konkurrencës, dhe vijojmë të jemi në linjë me prioritetet e tjera të Bankës së Shqipërisë, atë të rritjes së përfshirjes financiare dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
    Ndarja e të dhënave financiare në një shkallë më të gjerë krahasuar me banking-un tradicional patjetër që përtej përfitimeve shoqërohet edhe me rreziqe të mundshme. Për këtë arsye, kuadri ligjor dhe rregullativ aktual, krahas lehtësimit të kryerjes së pagesave elektronike, përfshin rregulla për mbrojtjen e konsumatorit, sigurinë e tij dhe mbrojtjen kundër mashtrimit. Krahas rritjes së popullaritetit të bankingut të hapur, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me kujdes dhe në kohë reale zhvillimet në këtë drejtim në vendet e Bashkimit Evropian.
    Në përfundim, më lejoni ta mbyll duke cituar temën e këtij forumi: E ardhmja është tani, dhe inovacioni është në qendër të transformimit të shërbimeve financiare në Shqipëri. Roli ynë si rregullator, politikëbërës dhe udhëheqës i industrisë është të sigurojmë që këto ndryshime të përqafohen me përgjegjësi dhe në mënyrë të qëndrueshme. Teksa ecim përpara, është e domosdoshme të krijojmë një mjedis që nxit përparimin, duke mbrojtur interesat e të gjithë aktorëve dhe duke synuar të ndërtojmë një sistem financiar që jo vetëm i përgjigjet nevojave aktuale, por gjithashtu hedh themelet për një të ardhme më të begatë dhe gjithëpërfshirëse.