Tag: shërbimeve

  • Vetëm 10% e fëmijëve nën moshën 3 vjeç janë në çerdhe publike, 18 bashki nuk kanë fare shërbim

    Vetëm 10% e fëmijëve nën moshën 3 vjeç janë në çerdhe publike, 18 bashki nuk kanë fare shërbim

    foto ilustruese

    TIRANË- Shqipëria ka nevojë urgjente për forcimin e Edukimit dhe Kujdesit në Fëmijërinë e Hershme si një formë e mbështetjes së zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe pjesëmarrjes në tregun e punës.
    Në dokumentin e fundit të rishikimit të financave publike në Shqipëri, i Bankës Botërore nënvizohet se pavarësisht rritjes së shpenzimeve publike për këtë zë, ato mbeten ende të ulëta në raport me standardet ndërkombëtare. Raporti vëren se Shqipëria po pëson rritje të kërkesës për këto shërbime pavarësisht tkurrjes demografike.
    “Përshpejtimi i përpjekjeve për përmirësimin e financimit të qeverisjes vendore mund të përmirësojë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve të EKFH. Aksesi në shërbimet EKFH është i kufizuar dhe i pabarabartë: vetëm 10 për qind e fëmijëve nën moshën tre vjeç janë të regjistruar në çerdhe publike, ndërsa 18 bashki nuk ofrojnë fare shërbime të tilla. Variacionet në tarifat prindërore dhe mungesa e një kuadri të qartë rregullator për ofrimin privat të shërbimeve përkeqësojnë më tej pabarazitë në akses” thuhet në raport.
    Sipas Bankës Botërore sfidat në bashkërendimin institucional midis ministrive dhe njësive të qeverisjes vendore fragmentizojnë ofrimin e shërbimeve, ndërsa boshllëqet në të dhëna pengojnë planifikimin dhe shënjestrimin efektiv.
    Raporti vëren se megjithëse reformat për përmirësimin e formulave të transfertave dhe aplikimin e granteve të bazuara në performancë janë në proces, përshpejtimi i përpjekjeve për forcimin e menaxhimit financiar, praktikave të buxhetimit dhe mbikqyrjes së ofrimit të shërbimeve në nivel vendor është thelbësor për të arritur një efikasitet më të lartë fiskal.
    Një tjetër element që sjell në vëmendje ky dokument është ai i rritjes së efikasitetit të financimit dhe përfshirja në një rol më të gjerë e partneritetit me privatët në këtë fushë.
    “Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë si rritje të investimeve publike ashtu edhe një qasje më strategjike në alokimin e tyre. Rritja e efikasitetit të financimit – përmes granteve të mirë shënjestruara, sistemeve të përforcuara të menaxhimit financiar vendor dhe kornizave të qarta rregullatore – është thelbësore për maksimizimin e ndikimit të burimeve të kufizuara. Zgjerimi i partneriteteve me ofrues privatë, nxitja e kujdesit ndaj fëmijëve të mbështetur nga punëdhënësit dhe mobilizimi i fondeve ndërkombëtare mund të ndihmojnë gjithashtu në mbylljen e hendeqeve infrastrukturore” thuhet në dokument./Monitor

  • Kripto-asetet, gati projektligji për rregullimin e tregjeve, ja si do funksionojë

    Kripto-asetet, gati projektligji për rregullimin e tregjeve, ja si do funksionojë

    Qeveria synon të rregullojë tregjet e kripto-aseteve për mes një projektligji të nxjerrë tashmë për konsultim i cili është në fakt një përafrim i plotë me direktivën përkatëse të Bashkimit Europian sa i takon ushtrimit të veprimtarisë dhe emetimit të kripto-aseteve si dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to.
    Sipas relacionit që shoqëron këtë dokument “projektligji ka si qëllim të rregullojë subjektet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike si dhe veprimtaritë e ndërmjetësimit të kripto-aseteve të tilla si operimi i një platforme tregtie, këmbimi, kujdestaria, marrja dhe transmetimi i urdhrave, ekzekutimi i urdhrave, hedhja në treg, transferta, këshillimi dhe administrimi i një portofoli kripto-asetesh”.
    Relacioni sqaron se kërkesat rregullatore ndaj këtyre subjekteve përfshijnë mbajtjen e një kapitali minimal, kërkesa mbi qeverisjen e korporatave, konfliktin e interesit, sigurinë kibernetike dhe operacionale, masa për mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e abuzimit me tregun, si dhe zbatimin e politikave për parandalimin e pastrimit të parave.
    Kuadri rregullator për kripto-asetet është i përafërt me atë të Direktivës 2014/65/EU “Markets in Financial Instruments” (MIFID II) dhe Direktivës 2009/110/EC “On the taking up, pursuit and prudential supervision of the business of electronic money institutions” (EMD2), dhe u parashtron emetuesve dhe ofruesve të shërbimeve të lidhura me kripto-asetet të njëjtat kërkesa rregullatore sikurse emetuesve ose ofruesve të shërbimeve të lidhura me instrumente financiarë dhe para elektronike.
    “Në të njëjtën kohë, projektligji synon garantimin e standardeve më të larta të mbrojtjes së investitorëve dhe integritetit të tregut, përmes kërkesave prudenciale, rregullave dhe politikave të qeverisjes korporative, menaxhimit të konfliktit të interesit, masave të sigurisë kibernetike dhe operacionale, transparencës së dokumentit informues (ëhitepaper), rregullave të marketingut, si dhe mekanizmave kundër abuzimit me tregun dhe në përputhje me politikat e parandalimit të pastrimit të parave.
    Zbatimi dhe mbikëqyrja e këtyre standardeve, sipas projektligi është parashikuar të kryhet, sipas fushës së përgjegjësisë, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë, gjë që rrit besimin e konsumatorit dhe garanton stabilitetin e sistemit financiar.
    Së fundi, kuadri i propozuar përqafon teknologjitë e reja dhe krijon një mjedis mundësues për bizneset inovative shqiptare, duke u ofruar atyre rregulla të qarta, të qëndrueshme dhe të barabarta me ato të BE-së, me qëllim që ofruesit vendas të operojnë pa pengesa në tregun e përbashkët evropian, duke synuar nxitjen e konkurrueshmërisë, tërheqjen e investimeve cilësore dhe lehtësimin e integrimit gradual të ekosistemit vendas të kripto-aseteve në zinxhirët evropianë të vlerës, duke mbajtur ekuilibrin midis mbrojtjes së konsumatorit dhe nxitjes së inovacionit” thuhet në relacion./Monitor

  • Interneti dominues/  Përdorimi i shërbimeve celulare përmirësohet

    Interneti dominues/ Përdorimi i shërbimeve celulare përmirësohet

    Përdorimi i shërbimeve celulare shfaqi një përmirësim të dukshëm në tremujorin e dytë të këtij viti. Interneti po bëhet gjithnjë e më dominues në mënyrën se si shqiptarët e përdorin aparatin celular, por megjithatë në tremujorin e dytë të këtij viti u vërejt një rritje edhe në trafikun e thirrjeve.
    Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), trafiku total i internetit nga rrjetet celulare u rrit me 13.2% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Konsumi mesatar i internetit për çdo përdorues arriti në 9.84 GB (gigabyte) internet në muaj, në rritje me 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
    Përveç përdorimit të internetit për qëllime informimi, pune apo zbavitjeje, edhe thirrjet dhe mesazhet e shkruara po përcillen më shumë nëpërmjet aplikacioneve, si whatsapp, duke ulur gradualisht përdorimin e shërbimeve tradicionale. Kjo po bën që kapacitetet transmetuese të internetit të jenë gjithnjë e më të rëndësishme në ofrimin e shërbimeve celulare.
    Megjithatë, trafiku i thirrjeve e frenoi tendencën rënëse, karakteristike prej disa vitesh.
    Trafiku i thirrjeve dalëse u rrit me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, numri i mesazheve të shkruara pësoi rënie vjetore me 1.9%.
    Çdo abonent e përdori mesatarisht celularin për 143 minuta në muaj, 10.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
    Ndërsa, numri i mesazheve të shkruara ishte 13 për përdorues në muaj, me një rënie të lehtë prej 0.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
    Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare (që në fakt matet si numër i kartave SIM ose i numrave celularë aktivë) shënoi përsëri në tremujorin e dytë të vitit, me 1.1% më pak krahasuar me një vit më parë.
    Ulja e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare duket të jetë edhe një tendencë afatgjatë. Në harkun e një dekade, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ka rënë me gati 30%.
    Kjo mund të shpjegohet me faktorë të brendshëm të tregut, por ndoshta edhe me faktorë demografikë.
    Numri i operatorëve celularë është ulur nga katër në dy, ndërkohë që është gjithnjë e më pak e përhapur që një përdorues të mbajë më shumë se një numër celular. Kjo tendencë ishte mjaft e përhapur afërsisht deri para një dekade, para të ndalohej diferencimi i çmimeve për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.
    Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar numrin e përdoruesve në vitet e fundit është edhe marrëveshja për heqjen e tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se një pjesë e mirë e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, ata tashmë nuk e kanë më të nevojshme për të përdorur numra shqiptarë për komunikimin e tyre, gjatë kohës që ndodhen në Shqipëri. Gjithmonë në horizontin afatgjatë, edhe tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund ta shpjegojnë pjesërisht rënien e numrit të përdoruesve aktivë.

  • Situata nga përmbytiet: Flet Jolio Dine, Drejtor i Sherbimeve Publike Sarandë

    Situata nga përmbytiet: Flet Jolio Dine, Drejtor i Sherbimeve Publike Sarandë

    Drejtori i Drejtorisë së Sherbimeve Publike në Bashkinë Sarandë, Jolio Dine, në prononcimin për mediat jep një panoramë të situatës.

    Në Çukë të Sarandës po vijon puna me intensitet pët riparimin e dëmeve në argjinaturën e basenit të Lumit Bistrica. Bashkia Sarandë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë angazhuar të gjitha forcat për riparimin e dëmeve në gjatësinë 150 metra në argjinaturën 1.7 km.

    Ndërkohë Bashkia Sarandë dhe Drejtoria e Rezervave të Shtetit kanë shpërmdarë ushqime dhe çadra për 23 familje si dhe koncentrat për kafshët.

    Dëmet në bagëti të imta llogariten në rreth 700 krerë të ngordhura, rreth 2000 pula si dhe 15 magazina me ushqim për kafshët të përmbytura.

  • Pagesat me kartë, çdo biznes do të jetë i detyruar të ketë të paktën një…

    Pagesat me kartë, çdo biznes do të jetë i detyruar të ketë të paktën një…

    Çdo biznes do të jetë i detyruar të ketë të paktën një terminal POS, që t’i ofrojë klientit të tij mundësinë për të kryer pagesat me kartë.
    Në Forumin Connect të Pagesave Digjitale, të organizuar në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u shpreh se është përgatitur një plan konkret masash për reduktimin e cash-it, i cili javën e ardhshme do të diskutohet me sektorin bankar, aktorët fintech, institucionet publike dhe të gjithë ata që janë pjesë e zinxhirit të pagesave.
    “Një nga masat konkrete që ne kemi parashikuar që është pjesë e paketës fisklale që do të prezantohet sot në parlament është pikërisht detyrimi për tregtarët që të kenë të paktën një POS dhe brenda vitit 2026 në mënyrë të shkallëzuar, ne do të kemi të gjithë tregtarët që do të jenë të detyruar të kenë të paktën një mjet elektronik të pagesave. Besojmë që ky është një hap i parë drejt punës së përbashkët që kemi për të bërë në mënyrë që të arrijmë objektivat tona të përbashkëta, të arrijmë që Shqipëria të reduktojë nivelin e cash-it, e cila do të ndikojë në reduktimin e informalitetit dhe do të ndikojë gjithashtu në përmirësimin e performancës së inovacionit në vend”, tha Ibrahimaj.
    Sipas Ibrahimajt, Shqipëria ka digjitalizuar pjesën më të madhe të shërbimeve publike, por duhen digjitalizuar më shumë edhe pagesat, me qëllim që të reduktohet përdorimi i parasë fizike, shkruan A2 CNN.
    “Ne sot kemi de facto 98% të shërbimeve që ofrohen online. Nga ana e shërbimeve publike, Shqipëria është pararojë për sa i përket gjithë vendeve të BE, në vendin e 8-të për ofrimin e shërbimeve publike dhe digjitale. Në botë është në njëzetshen e parë. Pra, ne kemi bërë shumë në drejtim të digjitalizimit, por nëse digjitalizimi nuk lidhet me digjitalizimin e pagesave për reduktimin e cash-it, asnjëherë ekonomia jonë nuk do të arrijë të marrë maksimumin nga ky digjitalizim”, u shpreh Ministrja.

  • Moti i keq përfshin vendin/ Ministria e Shëndetësisë harton plan masash për menaxhimin e situatës

    Moti i keq përfshin vendin/ Ministria e Shëndetësisë harton plan masash për menaxhimin e situatës

    Ministria e Shëndetësisë ka aktivizuar një plan të posaçëm masash për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë disa zona të vendit që prej mbrëmjes së kaluar. Siç bëhet me dije përmjes një njoftimi për mediat, strukturat në varësi të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) janë në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë dhe po monitorojnë situatën në kohë reale.
    Sipas njoftimit zyrtar, janë ndërmarrë një sërë masash parandaluese dhe reaguese në institucionet shëndetësore për të garantuar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve për qytetarët. Këto masa përfshijnë:
    -Monitorim i vazhdueshëm i situatës nga operatorët rajonalë të kujdesit shëndetësor & njësitë vendore
    – Verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave të medikamenteve
    -Koordinim i ngushtë me pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave civile
    -Aktivizim i plotë i shërbimeve spitalore të urgjencës
    Po ashtu spitalet rajonale e bashkiake raportojnë se rezervat kritike (medikamente, material mjekësor, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë) janë të siguruara dhe gati për përdorim.
    Zonat më të prekura nga reshjet e dendura përfshijnë Kurbinin, Matin, Lezhën, Shkodrën, Malësinë e Madhe, Tropojën, Kukësin dhe Hasin. Megjithatë, sipas raportimeve nga terreni, aktualisht nuk ka problematika në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në këto zona dhe strukturat funksionojnë normalisht.
    OSHKSH mbetet në komunikim të pandërprerë me të gjitha njësitë për çdo rast emergjent që mund të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme, duke garantuar një reagim të shpejtë dhe të koordinuar në çdo skenar të mundshëm.
    Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të kontaktojnë shërbimet e urgjencës në rast nevoje.

  • Rënia e ‘Cloudflare’, reagon Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike: Rrisni vigjilencën..

    Rënia e ‘Cloudflare’, reagon Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike: Rrisni vigjilencën..

    Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka reaguar lidhur me ndërprerjen që ndodhi këtë të marte të platformës ndërkombëtare “Cloudflare”. AKSK thekson se ndërprerja erdhi nga një problem i brendshëm që ndikoi drejtpërdrejt në disponueshmërinë e shërbimeve. 

    AKSK ne reagim thekson për rritje të vigjilencës për përdoruesit që kanë shërbime në këtë platformë, si dhe kryerje të kontrollit të vazhdueshëm për disponueshmërinë e tyre. 

    “Cloudflare” Sipas raportimit zyrtar të platformës ndërkombëtare “Cloudflare”, më datë 18 nëntor 2025, ndodhi një incident me ndikim global që shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme të shërbimeve të kompanisë, përfshirë rrjetin global të Edge, API-të dhe disa komponentë të tjerë kritikë të platformës. 

    Problematika filloi rreth orës 12:48 dhe u shkaktua nga një problem i brendshëm që ndikoi drejtpërdrejt në disponueshmërinë e shërbimeve. Ndikimi u reflektua edhe në vendin tonë, ku disa institucione dhe sektorë patën vështirësi në aksesimin e faqeve dhe shërbimeve digjitale. 

    Rreth orës 15:42 Cloudflare ka raportuar se kjo problematikë është e përkohshme dhe se kompania është duke punuar për kthimin e të gjitha shërbimeve në normalitet. Për sa më sipër, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) rekomandon rritje të vigjilencës për përdoruesit që kanë shërbime në këtë platformë, si dhe kryerje të kontrollit të vazhdueshëm për disponueshmërinë e tyre. 

    Gjithashtu, rekomandohet identifikimi i shërbimeve të prekura për ndonjë problematikë pas ndërprerjes. Për më tepër, sigurimi i mekanizmave që lejojnë të paktën funksionimin bazë dhe në rast se shërbimet e ofruara nga Cloudflare nuk janë aktive, do të ulte rrezikun e prekjes nga kjo ndërprerje. AKSK mbetet i angazhuar për të garantuar sigurinë e infrastrukturave të informacionit në vend dhe për të informuar publikun në kohë reale mbi çdo rrezik të mundshëm,” thuhet në reagim. 

     

  • Industria e softuerëve dhe shërbimeve të IT-së  pati rritje nga janari në shtator

    Industria e softuerëve dhe shërbimeve të IT-së pati rritje nga janari në shtator

    Industria e softuerëve dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit (IT) në Kinë regjistroi një rritje dyshifrore të të ardhurave në nëntë muajt e parë të vitit, treguan të dhënat zyrtare.
    Të ardhurat e kombinuara të sektorit të softuerëve u rritën me 13 për qind në baza vjetore në 11.11 trilionë juanë (rreth 1.57 trilionë dollarë amerikanë) gjatë kësaj periudhe, ndërsa fitimet totale u rritën me 8.7 për qind në 1.44 trilionë juanë, sipas Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, citon “Xinhua”.
    Gjatë kësaj periudhe, eksportet e këtij sektori arritën në 45.94 miliardë dollarë amerikanë, një rritje prej 6.6 për qind në baza vjetore.
    Të ardhurat totale të sektorit të shërbimeve të teknologjisë së informacionit u rritën me 14.3 për qind në baza vjetore në rreth 7.64 trilionë juanë, duke kontribuar me 68.8 për qind të të ardhurave totale të kësaj industrie.
    Të ardhurat e shërbimeve të “cloud computing” dhe të të dhënave të mëdha u rritën me 13.7 për qind në baza vjetore në 1.16 trilionë juanë.

  • Kreshnik Bajraktari në krye të DPSHTRR, Balluku: Drejtues mbështetës dhe me vizion

    Kreshnik Bajraktari në krye të DPSHTRR, Balluku: Drejtues mbështetës dhe me vizion

    Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot drejtuesin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Kreshnik Bajraktarin, duke vlerësuar punën e deritanishme të institucionit dhe transformimin që ka pësuar ndër vite. Ajo shtoi se inovacioni u bë baza e çdo shërbimi publik në DPSHTRR, duke e kthyer institucionin në një shembull të suksesit për mënyrën si duhet të ofrohen shërbimet ndaj qytetarëve.
    Ministrja kujtoi situatën e vështirë të viteve të para të reformës, veçanërisht në arkiva dhe zyrat rajonale.
    “Në vitin 2020 vizitova arkivën e Fierit, ku tavani i katit të parë ishte i harkuar nga pesha e dokumenteve, dhe në Laç uji arrinte deri në një metër. Vendosëm të nisnim një proces të gjatë për të ndërtuar asetet e duhura logjistike dhe për të ruajtur dokumentacionin siç duhet,” theksoi ajo.
    Balluku nënvizoi se falë reformës, DPSHTRR ka dyfishuar mbulimin territorial, me 17 zyra të reja shërbimi dhe dy poligone model në Vlorë dhe Fushë-Prezë.
    Në krahasim me vitin 2018, janë ofruar 424 mijë shërbime më shumë, ndërsa numri total i shërbimeve është nëntëfishuar.
    Reformat kanë sjellë edhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, 21 milionë kilometra të kursyera në udhëtime, 1.4 milionë litra karburant më pak të konsumuar, dhe 260 milionë lekë më pak shpenzime.
    Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës, sipas Ballukut, është siguria rrugore dhe riritestimi i drejtuesve që humbasin pikët e patentës.
    “Kemi nisur një proces rigoroz për rikualifikimin e drejtuesve të mjeteve që humbasin pikët. Deri tani janë kryer 2,359 riregjistrime, dhe vetëm 13.4% kanë kaluar testin, duke garantuar që në rrugë të kthehen vetëm drejtues të disiplinuar,” tha ministrja.
    Ajo shtoi se kontrolli teknik i automjeteve mbetet një tjetër komponent kyç i mirëmenaxhimit dhe sigurisë në qarkullim.
    Balluku përfundoi duke theksuar se reforma në DPSHTRR është një nga më të thellat në sektorin e shërbimeve publike, dhe se qeveria do të vijojë të mbështesë këtë model suksesi në institucione të tjera të vendit.