Tag: shërbime

  • Ura e shembur lë pesë fshatra në Dropull pa rrugë dhe shërbime bazë

    Ura e shembur lë pesë fshatra në Dropull pa rrugë dhe shërbime bazë

    Kronikë E Premte, 21 Nëntor 2025 14:18
    Pesë fshatra në zonën e Rrëzës, Bashkia Dropull, kanë mbetur të izoluar që nga paradita e sotme, pasi ujërat e lumit Drino kanë nxjerrë jashtë funksionit urën e Glinës, e cila lidh komunitetet me rrugët kryesore të qarkut.
    Rreth 200 banorë shprehin shqetësimin e tyre për mungesën e shërbimeve bazë, duke përfshirë furnizimin me ushqime, ilaçe dhe shërbime mjekësore. Problem është regjistruar edhe në aksin Vrisera–Likomil, ku qarkullimi i automjeteve është vështirësuar ndjeshëm, duke penguar lëvizjen e banorëve dhe furnizimin e zonave fqinje.

    Situata e rënduar vjen pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit, që kanë sjellë rritje të prurjeve të lumenjve dhe përmbytje në zona të ulëta. Përveç urës së Glinës, disa segmente rrugore kanë pësuar dëmtime, duke krijuar rrezik për banorët dhe automjetet që kalojnë aty.

    Ndërkohë, situata në Pogon vazhdon të jetë e vështirë, ku shtatë fshatra janë izoluar për tre ditë radhazi, duke e bërë të pamundur lëvizjen dhe komunikimin e komuniteteve me qendrat administrative.

    Ekipet emergjente të bashkisë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile janë në terren, duke punuar për pastrimin e rrugëve, rivendosjen e shërbimeve dhe nisjen e punimeve për riparimin e urës së shembur. Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe shmangien e lëvizjes në zonat e rrezikuara deri në stabilizimin e situatës.
    Banorët shprehin shqetësim për qëndrimin pa shërbime bazë, ndërsa institucionet lokale po bashkëpunojnë me autoritetet qendrore për të siguruar furnizime emergjente dhe mbështetje për komunitetet e prekur.

  • ‘9.1 miliardë euro buxhet për të njëjtat shërbime skandaloze’, Teliti: Pse kemi Diellën kur…

    ‘9.1 miliardë euro buxhet për të njëjtat shërbime skandaloze’, Teliti: Pse kemi Diellën kur…

    Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Dorian Teliti, i ftuar në një studio televizive ka deklaruar se qeveria do të shpenzojë 9.1 miliardë euro nga taksat tona për të dhënë të njëjtat shërbime skandaloze.
    Teliti tha se buxheti nuk jep asgjë për arsimin, shëndetësinë dhe nuk adreson emigrimin.
    Për ekspertin e ekonomisë zgjidhja do të ishte dorëheqja e qeverisë dhe hapja e garës për zgjedhje të lira.
    “Qeveria do të shpenzojë 9.1 miliardë euro nga xhepat tanë për të na dhënë të njëjtat shërbime skandaloze. Qeveria ka bërë amnisti për të pandershmit si ata që kanë bërë evazion dhe u fal gjobat e 10 viteve, u thotë atyre që janë në proces ankimimi të tërhiqen nga gjykata që të përfitojnë. Buxheti nuk jep asgjë për arsimin, shëndetësinë dhe nuk adreson emigrimin.
    101 milionë euro do të jepen për Portin e Durrësit, 125 milionë euro kontratat PPP që janë në SPAK.
    Më shumë do të marrë “Sterilzimi” sesa bonusi i pensioneve.
    Vitin e ardhshëm administrata publike do të rrittet me 700 persona, a kemi Diellën?
    Kur vjen puna te infrastruktura, shkollat nuk ka investim.
    Pas dy javësh do të miratohet buxheti nen për nen.
    Zgjidhja e sotme është dorëheqja, hapja e rrugës për zgjedhje të lira e të ndershme dhe fitoftë më i miri. Kemi vetëm shumë material denoncues dhe kjo është fatkeqësi për një vend”, deklaroi Teliti.

  • Projektbuxheti 2026, ministrja Sala: Garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët

    Projektbuxheti 2026, ministrja Sala: Garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët

    Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, tha në Kuvend se projektbuxheti për vitin 2026 është një instrument që forcon reformën, modernizon sistemet tona, garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët.
    Fjala e ministres Evis Sala:
    Buxheti i vitit 2026 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është udhëhequr nga një parim i vetëm: “Forcimi i sistemit të kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies sociale, me në qendër pacientin, qytetarin dhe çdo individ në nevojë.”
    Qëllimi ynë është i thjeshtë dhe i panegociueshëm: shërbime më të mira shëndetësore dhe një sistem më i fortë, mirëqenie sociale për çdo shqiptar.Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka arritur përmirësime të dukshme në treguesit kryesorë të shëndetit.
    Sot:Ne jemi vendi me jetëgjatësinë më të lartë në Ballkanin Perëndimor (79 vjeç, në krahasim me 75 të mesatares në rajon) dhe shumë afër nivelit të Bashkimit Europian (81 vjeç).Mortaliteti i fëmijëve nën 5 vjeç ka rënë ndjeshëm: nga 20 për 1000 lindje në vitin 2005 në 9 për 1000 lindje në vitin 2023.
    Për të njëjtën periudhë, mortaliteti i nënave gjatë lindjes është përgjysmuar, nga 12 në 7 për 100 000 lindje.
    Gjatë dekadës së fundit, qeveria ka bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin të infrastrukturës shëndetësore, trajnimin e stafit, zgjerimin e skemës së sigurimit shëndetësor, përmirësimin e shërbimeve të specializuara dhe rritjen e pagave.Pavarësisht arritjeve, sfidat janë të shumta:Mosha mesatare në rritje e popullatës, ndryshimet demografike dhe zhvillimet socio-ekonomike po favorizojnë një rritje të sëmundjeve kardiovaskulare; tumorale, pulmonare apo ato neurologjike (si Alzheimer).
    Gjithashtu, përparimi i shpejtë në teknologji, dixhitalizimi i sistemeve dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale kërkojnë reformim të sistemit, për t’iu përgjigjur nevojave globale në shëndetësi.
    Buxheti i vitit 2026 është një fillim i mirë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të filluar adresimin e disa objektivave që mbeten gjithnjë të rëndësishme për qeverinë.
    Gjatë ditëve të fundit kam dëgjuar kolegë deputetë të thonë se ky buxhet nuk mjafton.Në të vërtetë, ky buxhet fillon të adresojë një prioritetesh të rëndësishme:rritja e pagave për mjekët dhe personelin mjekësor;rritja e fondit të dedikuar për barnat antitumorale;zgjerimi i paketave të shërbimeve shëndetësore, duke përfshirë nisjen e shërbimeve të munguara si: trombektomia, rikonstruksioni i gjirit për gratë e prekura nga tumori; transplantet e kornesë dhe ofrimi i paketës së stomës;si dhe mbulimin me shërbime sociale të integruara në 61 bashkitë, me një rritje prej 22% të Fondit Social.
    Duke u ndalur në shifrat konkrete, buxheti prej 108.8 miliardë lekësh për vitin 2026 financohet nga:buxheti i shtetit në masën 75% (ose 82.5 miliardë lekë)kontributet e sigurimeve shëndetësore në masën 25% (ose 26.3 miliardë lekë)
    Ky buxhet zë 12.3% të buxhetit të shtetit ose 3.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ka një rritje prej afro 4.2% krahasuar me vitin 2025.Të nderuar deputetë,Lufta kundër kancerit mbetet një nga sfidat tona më të mëdha. Në vitin 2026, për herë të parë, të gjitha barnat antitumorale do të rimbursohen plotësisht.
    Fondi prej 15 milionë euro shtesë për barnat antitumorale është një investim serioz për përballimin e kësaj sfide.
    Kemi një strategji të qartë për modernizimin e kujdesit onkologjik në gjithë ciklin: nga depistimi dhe diagnoza e hershme, te trajtimet më të avancuara.
    Po ashtu, po dixhitalizojmë tërësisht shërbimet onkologjike, duke i mundësuar çdo pacienti një dosje elektronike, e cila lidh të dhënat diagnostike, recetat online dhe ndjekjen terapeutike, duke garantuar planifikim më të mirë dhe monitorim të vazhdueshëm të cilësisë.
    Shqipëria 2030 do të ketë Institutin Kombëtar të Kancerit dhe Rrjetin Kombëtar të Kancerit, sipas modeleve më bashkëkohore.Këto mekanizma janë baza për standardizimin e protokolleve të trajtimit në të gjithë vendin dhe, mbi të gjitha, do të sigurojnë që çdo pacient, pavarësisht vendndodhjes gjeografike apo statusit socio-ekonomik, të ketë akses në kujdes onkologjik me cilësi të lartë.
    Përmes buxhetit të vitit të ardhshëm bëhet e mundur kryerja e një sërë shërbimesh të reja spitalore. Për herë të parë:Do të ofrohet shërbimi i trombektomisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
    Vajzave dhe grave të prekura nga kanceri i gjirit do t’u ofrohet rikonstrulsioni i gjirit përmes fondit të dedikuar.Një tjetër lajm pozitiv është transplanti i kornesë, duke zgjidhur një problem shumëvjeçar të pacientëve me probleme të shikimit.
    Në vitin 2026 nuk do të sjellim vetëm shërbime të reja, por do të zgjerojmë dhe standardizojmë shërbimet ekzistuese në mbarë vendin, duke rritur cilësinë dhe duke konsoliduar strukturat shëndetësore. Në këtë kuadër do të vijojë financimi për:Trajtimin e 322 mijë pacientëve në spitalet terciare, rajonale dhe bashkiake;Kryerjen falas të dializës;Mbështetjen për paketën e kardiologjisë;Mbështetjen për transplantet renale;Trajtimin e pacientëve me katarakt.
    Kujdesi parësor është shtylla kurrizore e çdo sistemi modern shëndetësor. Për vitin 2026 parashikohet mbështetja për:7.6 milionë vizita në kujdesin parësor, të financuara me 2.3 miliardë lekë;check-up mjekësor falas për qytetarët 35–70 vjeç;rimbursim të barnave për 400,000 pacientë, me një buxhet prej 13.5 miliardë lekësh, 7% më shumë se vitin e kaluar;vijimin e stripave falas për diabetikët mbi 65 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës.

  • Bie Cloudflare, mijëra website në mbarë botën ndalojnë së funksionuari

    Bie Cloudflare, mijëra website në mbarë botën ndalojnë së funksionuari

    FOTO ILUSTRUESE

    Një problem teknik në Cloudflare ka shkaktuar probleme në pjesë të ndryshme të internetit, duke lënë përdoruesit e shumë faqeve, edhe në Shqipëri, pa qasje. Cloudflare është një kompani kritike e infrastrukturës së internetit, që ofron shërbime thelbësore për mbrojtjen e faqeve nga sulmet kibernetike dhe për të siguruar funksionimin e tyre edhe gjatë flukseve të mëdha të trafikut.
    “Cloudflare është në dijeni dhe po heton çështjen që mund të ndikojë shumë klientë”, tha kompania në një përditësim të ri.
    Edhe faqja e monitorimit të ndërprerjeve DownDetector u prek nga problemet, por në momentet kur arriti të ngarkohej shfaqi një rritje të fortë raportimesh për ndërprerje. Ndërprerja ka krijuar kaos në internet për disa orë me radhë, duke ndikuar shërbime nga më të ndryshmet, nga portale informuese dhe platforma tregtie, deri te aplikacione biznesi dhe shërbime online që përdoren në përditshmëri.
    Cloudflare nuk ka dhënë një njoftim të qartë publik mbi shkaqet e incidentit, megjithëse ekipet teknike dyshohet se po punojnë për stabilizimin gradual të rrjetit./ZËRI

  • Skandal në politikën britanike/ Ish-deputetët britanikë nën akuzë, qindra hyrje në parlament për shërbime lobimi

    Skandal në politikën britanike/ Ish-deputetët britanikë nën akuzë, qindra hyrje në parlament për shërbime lobimi

    Ish-deputetë të Parlamentit britanik, të cilët pas humbjes së mandatit kanë kaluar në sektorin e lobingut, rezultojnë të kenë përdorur qasjen e tyre të privilegjuar në godinën e Westminster-it qindra herë, duke ngritur shqetësime serioze për abuzim të mundshëm të këtij privilegji.

    Sipas dokumenteve të siguruara nga The Times, ish-ligjvënës që sot punojnë për kompani lobimi ose firma që ofrojnë shërbime të tilla, kanë hyrë në parlament të paktën 373 herë që nga zgjedhjet e vitit 2024, pavarësisht se rregullat u ndalojnë përdorimin e kësaj karte për ndikim politik.
    Dy prej përdoruesve më të shpeshtë të kartave parlamentare janë:
    Anne-Marie Trevelyan, ish-ministre, sot në Fullbrook Strategies — 55 hyrje
    Nigel Evans, ish-zv.kryetar i parlamentit, gjithashtu në Fullbrook Strategies — 47 hyrje
    Të dy mohojnë të kenë bërë lobim, duke thënë se kanë përdorur kartën vetëm për takime shoqërore ose shërbime të brendshme.
    Edhe ish-ministra e deputetë të tjerë që punojnë për firma lobimi rezultojnë se kanë hyrë dhjetëra herë në godinë, ndonëse deklarojnë se nuk kanë ndërhyrë në proceset politike.
    Organizatat e transparencës paralajmërojnë se ekziston një “rrezik i lartë abuzimi”, pasi kompanitë ku punojnë ish-deputetët kanë klientë me ndikim të madh, përfshirë kompani të armëve, gjigantë farmaceutikë, investitorë ndërkombëtarë dhe grupe të huaja me interesa politike.
    Transparency International thekson se është “e vështirë për t’u besuar” që asnjë prej 373 hyrjeve nuk lidhej me interesa komerciale.
    Dhoma e Komunave deklaron se kartat u jepen vetëm ish-anëtarëve me arsye të vlefshme dhe se përdorimi për lobing është i ndaluar rreptësisht. Por kërkesat për një ndalim total të kartave për ish-deputetët lobistë po rriten.

    Top Channel

  • 82 miliardë lekë për shërbime të reja, ja si buxheti i 2026 ndryshon kujdesin shëndetësor për shqiptarët

    82 miliardë lekë për shërbime të reja, ja si buxheti i 2026 ndryshon kujdesin shëndetësor për shqiptarët

    Shëndetësia merr peshën kryesore në projektbuxhetin 2026 me 82 mld lekë, rreth 2 mld lekë më shumë se një vit më parë. Fondet mbulojnë të gjithë zinxhirin e shërbimit, nga kujdesi parësor te ai spitalor, me një bosht politikash që synon rritjen e kosto-efektivitetit të listës së barnave dhe pajisjeve të rimbursueshme, në mënyrë që çdo lek të kthehet në rezultat shëndetësor për pacientin. Pagesa buxhetore për kontratën e check-up ulet në 2026 dhe ndërpritet pas këtij viti, duke liruar hapësirë për shërbime thelbësore.
    Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndahet në zëra të veçantë: Përkujdesi Social zë 27.75 mld lekë, ndërsa Rehabilitimi i të Përndjekurve Politikë 1.55 mld lekë. Vetëm shëndetësia është 52.68 mld lekë, ndërsa 530 mln lekë I takojnë shpenzimeve administrative.
    Fondi për rimbursimin e barnave në projektbuxhetin 2026 është i planifikuar me tavan 13.5 mld lekë. Në trevjeçarin 2026–2028 synohet mbulim universal dhe rritje e volumit të përdorimit të shërbimeve. Për 2026, parashikohen 379 mijë check-up dhe rreth 400 mijë pacientë me recetë rimbursimi; politika për diabetin mban të financuara fishat e matjes, me synim 59 mijë përfitues deri në 2028. Te shërbimet e specializuara, paketa e kardiokirurgjisë/kardiologjisë rritet gradualisht, ndërsa dializa shkon nga 217 mijë seanca në 2026 në 223 mijë në 2028; analizat për Sindromën Down parashikohen për mesatarisht 1,250 pacientë/vit me 6.05 mln lekë/vit, ndërsa fertiliteti financohet me 37.5 mln lekë/vit për rreth 200 çifte.
    Dy ndërhyrje hyjnë për herë të parë në financim: rikonstruksioni i gjirit për rreth 350 gra/vit 70 mln lekë/vit dhe transplanti i kornesë për 50 raste/vit me 25 mln lekë/vit. Në parandalim, depistimi për kancerin e gjirit mbulon 5,000 gra/vit, ndërsa për kancerin e qafës së mitrës 12,500 gra/vit me 28 mln lekë/vit; vaksinimi sezonal i gripit synon rreth 300,000 persona çdo vit me 171 mln lekë/vit.
    Në tërësi, paketa 2026 i vendos prioritet aksesit, parandalimit, barnave të rimbursueshme më kosto-efektive dhe investimeve që afrojnë shërbimin te pacienti. Për infrastrukturën spitalore, totali i projekteve të listuara arrin rreth 2.372 mld lekë vetëm për spitale/maternitete (2.985 mld lekë nëse përfshihet edhe rrjeti parësor; 3.330 mld lekë nëse shtohet edhe ISHP-ja), duke synuar modernizimin e kapaciteteve.

  • Qeveria vendim për “KAYO”-n: Autorizohet të prodhojë dhe tregojë armë për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë

    Qeveria vendim për “KAYO”-n: Autorizohet të prodhojë dhe tregojë armë për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë

    Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave shoqëria “KAYO” është autorizuar që të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve të prodhuara apo të përshtatura në Shqipëri apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie. 

    Në vendim thuhet se qëllimi është t’u sigurohet subjekteve të përcaktuara në këtë vendim furnizimi me produkte apo shërbime. 

    “KAYO” duhet të dërgojë pranë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve që ofron vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj, minimalisht çdo gjashtë muaj. 

    Në vendim përcaktohen edhe rregullat që duhet të zbatohen kur kërkohet furnizim etj. 

    Vendimi i plotë 

    Vendim për Autorizimin e shoqërisë aksionare shtetërore  “KAYO”, sh.a., që, vetë ose nëpërmjet subjekteve të tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve  dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura  në territorin e republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie 

    Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave 

    V E N D O S I: 

    1. Objekt i këtij vendimi është:
    2. a) autorizimi i shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”,a., që, vetë ose nëpërmjet subjekteve të tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie;
    3. b) përcaktimi i rregullave, që zbatohen nga subjektet e përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike, për furnizimin me produkte të prodhuara apo të përshtatura në Republikën e Shqipërisë apo shërbime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”,a., ose subjekteve të tjera të krijuara prej saj.
    4. Qëllimi i këtij vendimi është që t’u sigurojë subjekteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, furnizimin me produkte apo shërbime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”,sh.a., apo subjekteve të krijuara prej saj.
    5. Shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”,sh.a., dërgon pranë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve, që ofron vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj,minimalisht çdo 6 (gjashtë) muaj. 
    6. Të gjitha autoritetet kërkuese, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, që gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre kanë të nevojshme furnizimin me produkte apo shërbime nga shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”,sh.a., detyrimisht i drejtohen me kërkesë kësaj shoqërie për të përfituar produktet apo shërbimet që ofron ajo, bazuar në listën e produkteve dhe shërbimeve që ofron vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj.
    7. Kërkesa, sipas pikës 4, të këtij vendimi, paraqitet në formë shkresore dhe shoqërohet me projektin për mallrat ose shërbimet e kërkuara. Në projekt përfshihen qëllimi i përdorimit, referencat ligjore, specifikimet teknike të mallrave ose shërbimeve, mënyra e zbatimit dhe vlera e projektit.
    8. Shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”,sh.a., shprehet për mundësinë e furnizimit, sipas kërkesës së administruar nga autoriteti kërkues, me produkte apo shërbime nga vetë kjo shoqëri ose shoqëri të krijuara prej saj.
    9. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”,sh.a., shprehet se nuk mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me specifikimet teknike apo projektin eparashturar, autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. 
    10. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”,sh.a., nuk shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës lidhur me mundësinë e realizimit të furnizimit, kërkesa konsiderohet e refuzuar dhe autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
    11. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”,sh.a., mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me kërkesën e paraqitur prej tyre, vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, autoritetet kërkuese hyjnë në negociata të drejtpërdrejta me këtë shoqëri për plotësimin e nevojave të tyre, në marrëveshje ndërmjet palëve.
    12. Ngarkohen shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”,sh.a., të gjitha strukturat, që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe organet e tyre të varësisë apo shoqëritë aksionare shtetërore të krijuara prej tyre për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 

    Çfarë është shoqëria “KAYO”? 

    Kompania u themelua në vitin 2024, duke trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan. 

    Ajo operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare. 

    Qëllimi është të krijojë një treg efikas dhe konkurrues për industrinë ushtarake, të integruar në tregjet rajonale dhe globale. 

    Objektivat kryesore të kompanisë janë disa, ndër to “ngritja, zhvillimi dhe forcimi i industrisë së prodhimit e të tregtimit të armëve, me qëllim sigurimin e nevojave të Forcave të Armatosura dhe ato të sigurisë në Republikën e Shqipërisë si dhe realizimit të fitimit ekonomik”. 

     

  • “KAYO” merr dritën jeshile për armët, Këshilli i Ministrave miraton vendimin

    “KAYO” merr dritën jeshile për armët, Këshilli i Ministrave miraton vendimin

    Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, shoqëria “KAYO” e administruar nga Ardi Veliu është autorizuar që të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve të prodhuara apo të përshtatura në Shqipëri apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie.
    Në vendim thuhet se qëllimi është t’u sigurohet subjekteve të përcaktuara në këtë vendim furnizimi me produkte apo shërbime.
    “KAYO” duhet të dërgojë pranë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve që ofron vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj, minimalisht çdo gjashtë muaj.
    Në vendim përcaktohen edhe rregullat që duhet të zbatohen kur kërkohet furnizim etj.
    Megjithatë, kujtojmë se për t’i hapur rrugë këtij projekti, disa televizione u larguan me dhunë nga godina ku ushtronin aktivitetin, për t’ia lënë vendin kësaj nisme.
    Ky zhvillim ka ngritur pyetje mbi transparencën dhe mënyrën si po zbatohen planet qeveritare për industrinë e mbrojtjes, si dhe çmimin që mund të paguhet në kurriz të lirisë ekonomike dhe mediatike.

  • Pas presioneve nga BE, qeveria rrit taksat për peshkaqenët e tenderave të AKSHI-t

    Pas presioneve nga BE, qeveria rrit taksat për peshkaqenët e tenderave të AKSHI-t

    Industria e prodhimit dhe zhvillimit të softuerit në Shqipëri do të hyjë në një regjim të ri tatimor nga 1 Janari 2026.
    Konkretisht, kompanitë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri, në fushën e zhvillimit të softuerit dhe që janë regjistruar para datës 17 maj 2023 do të vazhdojnë të përfitojnë nga norma e reduktuar prej 5 për qind e tatimit mbi fitimin deri më 31 dhjetor 2025.
    Pas këtij afati, të gjitha bizneset e kësaj fushe do të kalojnë automatikisht në normën standarde prej 15 për qind të tatimit mbi fitimin. Ky ndryshim prek veçanërisht kompanitë e teknologjisë së informacionit që prej vitesh kanë qenë pjesë e një skeme preferenciale fiskale, e cila synonte nxitjen e investimeve në sektorin IT dhe rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në tregjet rajonale dhe globale të teknologjisë.
    Sipas vlerësimeve të qeverisë, rritja e tatimit për këtë kategori biznesesh pritet të sjellë të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit gjatë viteve 2026 dhe 2027, të cilat janë llogaritur rreth 0.036 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto çdo vit. Edhe pse shifra duket modeste në nivel makroekonomik, efekti në sektor mbetet i rëndësishëm, duke marrë parasysh se një pjesë e ndjeshme e industrisë shqiptare të IT-së përbëhet nga kompani të vogla dhe të mesme.
    Ky ndryshim pritet të ketë ndikim në industrinë e teknologjisë, e cila deri tani ka përfituar nga mbështetje fiskale për të stimuluar rritjen, inovacionin dhe krijimin e vendeve të punës me vlerë të lartë. Në vitet e fundit, sektori i IT ka treguar rritje të shpejtë, është bërë një hallkë e rëndësishme për eksportet e shërbimeve dhe ka tërhequr investime nga kompani të huaja që operojnë përmes modeleve të outsourcing dhe shërbimeve të zhvillimit softuare për tregjet ndërkombëtare.
    Sipas të dhënave të tregut dhe raporteve ekonomike, në vend operojnë rreth 2,500 deri në 3,200 subjekte që ofrojnë shërbime IT, ku mbi 1,000 kompani fokusohen drejtpërdrejt në prodhimin dhe zhvillimin e softuerit, shërbime cloud dhe konsulencë teknologjike.
    Për sa i përket forcës punëtore, sektori llogarit më shumë se 20 mijë punonjës, ndërsa rreth 7,000 – 8,500 prej tyre janë të angazhuar në profile teknike si programues, inxhinierë softueri, specialistë të sigurisë kibernetike, DevOps dhe analistë të të dhënave. Për më tepër, vlerësohet se mbi 5,000 freelancerë shqiptarë ofrojnë shërbime teknologjike në tregun ndërkombëtar përmes platformave online, duke kontribuar në rritjen e eksportit të shërbimeve.
    Kontributi i sektorit IT në ekonominë shqiptare përllogaritet në rreth 2 për qind të PBB-së dhe Tirana mbetet epiqendra e aktivitetit, duke përqendruar rreth 80 për qind të bizneseve dhe forcës punëtore në këtë sektor.
    Sektori përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh teknologjike, ku më kryesoret janë: Zhvillim aplikacionesh ëeb dhe mobile; Shërbime softëare outsourcing për tregun europian; sisteme të menaxhimit të proceseve; Konsulencë IT dhe implementim sistemesh; Infrastrukturë IT dhe shërbime teknike mbështetëse Startup-e inovative dhe platforma SaaS, etj./Scan

  • Koncensioni për hemodializën! Braçe në KLSH: Spitali Amerikan ka marrë pagesën pa kryer shërbime, të kryhet auditim

    Koncensioni për hemodializën! Braçe në KLSH: Spitali Amerikan ka marrë pagesën pa kryer shërbime, të kryhet auditim

    Erion Braçe

    TIRANË-Gjatë raportit vjetor të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat (KLSH-së) për vitin 2024, deputetët i kanë kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit që të kryejë një auditim dhjetëvjeçar për tre koncesionet kryesore në shëndetësi, kontrollin bazë, hemodializën dhe sterilizimin. 
    Kontrata e koncesionit të hemodializës ofrohet nga Spitali Amerikan i biznesmenit, Klodian Allajbeu dhe për të deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se ka rezultuar me pagesa për shërbime të pakryera, konkretisht për 9241 raste nën projeksion dhe 1557 raste mbi projeksion, në vlerën 103.5 milionë lekë. 
    “Në raport thuhet se kontrata koncesionare për hemodializën ka rezultuar me pagesa për shërbime të pakryera, konkretisht për 9241 raste nën projeksion dhe 1557 raste mbi projeksion, në vlerën 103.5 milionë lekë. E njëjta sjellje përsëritet çdo vit. Duhet një auditim i plotë për 10 vitet e këtyre kontratave, nga dita e parë deri në fund, që Ministria e Shëndetësisë të vendosë nëse do t’i zgjasë apo t’i mbyllë”, deklaroi Braçe.
    Kontrata për shërbimin e hemodializës, e cila ofrohet nga Spitali Amerikan i biznesmenit Klodian Allajbeu, është një nga më të kontestuarat. Shkeljet në këtë kontratë u konfirmuan edhe nga kreu i KLSH-së, Arben Shehu, i cili kërkoi që qeveria të analizojë mundësinë e rikuperimit të dëmeve financiare.
    “Në kontratat koncesionare janë konstatuar shkelje të kritereve të financimit, mangësi në monitorim dhe në vlerësimin e efekteve buxhetore. Në disa raste janë bërë pagesa për shërbime që nuk janë kryer ose janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksionet. Shteti duhet të analizojë këto raste dhe të rikuperojë dëmin brenda afateve ligjore,” u shpreh Shehu.
    Këto koncensione marrin miliona euro çdo vit nga buxheti i shtetit dhe kontratat me spitalet janë drejt përfundimit të afateve./ZËRI