PAMJE NGA NGJARJA
TIRANË-Uji tashmë nuk prodhon më vetëm protesta dhe tubime, por së fundmi edhe dhunë! Tensione dhe përplasje fizike janë raportuar në fshatin Shëngjergj të Tiranës, ku shkak është bërë një burim uji. Sipas banorëve burimi i Krullisë në fshatin Shëngjergj po merret me dhunë nga një individ me origjinë nga Puka që e shet ujin me emrin e fshatit.
Një banore e zonës denoncon se personat që po tentojnë të marrin burimin kanë nisur punën në mes të natës, duke shtyrë e goditur gratë dhe burrat e fshatit të cilët ruajnë burimin. Në pamjet e publikuara në JOQ, shihet teksa banorët përplasen në pyll me personat të cilët mbajnë në dorë materialet që ju nevojiten për të marrë ujin, duke mos i lejuar të kalojnë. Po ashtu në të njëjtën kohë shihet edhe një helikopter për të transportuar materialet që shërbejnë për marrjen e burimit të ujit, për të cilin pretendohet se është pajisur me leje.
Nuk dihet ende se kush po investon në këtë zonë dhe a do të ndërtohet sërish një hidrocentral apo fabrikë, por banorët thonë se personat në fjalë mbrohen nga pushtetarët lokalë dhe akuzojnë policinë për mbajtjen anës së tyre, ndërsa vetë fshatarët po qëndrojnë prej tre ditësh në pyll duke ruajtur burimin.
Sipas banorëve, shteti nuk po ofron ndihmë të nevojshme për zjarret, por në të njëjtën kohë sjell helikopterë për të transportuar materialet që shërbejnë për marrjen e burimit të ujit, për të cilin pretendohet se është pajisur me leje nga ministrat.
Rasti është vetëm një ngjarje e përsëritur ku prej kohësht tashmë banorët e shumë zonave në Shqipëri protestojnë kërkojnë ndalimin e hidrocentraleve. Një prej tyre është edhe ndërtimi i 4 hidrocentraleve të vegjël në Kaçinar të Mirditës, rast i cili është shoqëruar me protesta të vazhdueshme e përplasje mes banorëve dhe autoriteteve. Ata shprehen se ky projekt përbën një kërcënim serioz për jetën dhe mirëqenien e komunitetit, ndërsa denoncuan se janë dhunuar dhe kërcënuar me jetë.
Banorët e Kaçinarit paditën koncesionarin dhe zyrtarët e Bashkisë Mirditë që kishin dhënë lejet në Prokurorinë e Posaçme, por kjo e fundit regjistroi procedim penal për veprat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” dhe ia transferoi çështjen Prokurorisë së Lezhës.
Ndërkohë, rezistenca e banorëve të fshatit Suç për ndalimin e ndërtimit të një hidrocentrali në zallin e “Lusës” ka muaj që zhvillohet. Banorët kanë kërkuar ndalimin e ndërtimit dhe nisjen e hetimeve, pasi pretendojnë se ka paligjshmëri në dokumentat dhe punimet që kërkon të kryejë kompania. Por teksa përballen me mungesë uji dhe ndërtimin e Hec-ve, banorët e zonave të ndryshme nuk kanë marrë ende një zgjidhje.
