Autoritetet shëndetësore europiane paralajmërojnë për një valë të hershme të gripit këtë sezon, me shqetësime të veçanta për përhapjen e virusit AH3N2, i njohur si “gripi australian”. Italia ka ngritur alarmin për ndikimin e mundshëm në të gjithë kontinentin, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në vendin tonë, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) raporton një rritje të ndjeshme të infeksioneve respiratore, me rreth 12 mijë raste në javë. Megjithatë, deri më tani nuk janë izoluar raste të konfirmuara me grip.
“Kemi 12 mijë raste në javë, por nuk kemi kapur grip”, deklaroi specialisti i ISHP-së, Artan Simaku. Ai theksoi se në qendrat shëndetësore ka fluks pacientësh me simptoma të ngjashme me gripin, si temperaturë e lartë, kollë, bronkit dhe shpesh otit viral. Mungesa e testimit dhe hezitimi për të kërkuar ndihmë mjekësore mund të ndikojnë në mosreflektimin e rasteve reale në statistika.
Simaku nënvizoi se në Europë po qarkullojnë viruset AH1N1 dhe AH3N2, dhe se vaksina e gripit që ofrohet në Shqipëri përmban shtame të këtyre viruseve. Ai apeloi për vaksinim sa më herët, për të shmangur komplikacionet e mundshme.
Situata është veçanërisht e ndjeshme tek fëmijët nën 5 vjeç, ku përveç gripit dhe virozave të zakonshme, v irusi respirator sinsicial po rëndon më tej gjendjen shëndetësore.










