Në një reagim në Facebook, Ilirjana Kucana ka komentuar ngjarjen e vrasjes së gjyqtarit, Astrit Kalaja duke theksuar se kjo nuk është thjesht një ngjarje tragjike, por pasqyrë e një sistemi që ka humbur shpirtin.
Sipas saj, vrasja është rezultat i atmosferës së krijuar nga mesazhet publike të Kryeministrit, të cilat kanë përçuar urrejtje, përçarje dhe dhunë.
“Kur shefi i qeverisë thotë ‘rrasjani në lule të ballit’ apo ‘hëngshi kokat e njëri-tjetrit’, populli e dëgjon. Ky model shoqëror që po ndërtohet është i arrogancës, i dhunës dhe i humbjes së çdo vlere njerëzore. Ne kemi humbur respektin për jetën, drejtësinë dhe shtetin,” shkruan Kucana, duke bërë një thirrje për reflektim mbi gjendjen e shoqërisë dhe institucionet e drejtësisë.
Postimi i plotë:
Pse u vra gjyqtari?
Sepse vetë Kryeministri ka bërë disa herë thirrje publike për urrejtje, përçarje dhe dhunë.
Sepse kur shefi i qeverisë thotë “rrasjani në lule të ballit” apo “hëngshi kokat e njëri-tjetrit”, populli e dëgjon.
Sepse modeli i shoqërisë që po ndërtohet është ai i arrogancës, i dhunës dhe i humbjes së çdo vlere njerëzore.
Sepse kemi humbur respektin për jetën, për drejtësinë dhe për shtetin.
Kjo nuk është më thjesht një ngjarje tragjike është pasqyra e një sistemi që ka humbur shpirtin.