Tag: shaljanit

  • U proceduan për punësimin e paligjshëm të Muçi Shaljanit në AMP/ Gjykata rrëzon akuzat ndaj dy efektivëve të Komisariatit nr. 3

    U proceduan për punësimin e paligjshëm të Muçi Shaljanit në AMP/ Gjykata rrëzon akuzat ndaj dy efektivëve të Komisariatit nr. 3

    Muçi Shaljani

    TIRANË- Gjykata Penale e Tiranës ka rrëzuar masat e sigurisë të vendosura ndaj dy efektivëve të Komisariatit nr. 3, Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, të cilët u arrestuan pak ditë më parë në lidhje me procedurat e paligjshme të punësimit të Muçi Shaljanit në AMP. Arrestimi i tyre erdhi pas atentatit mafioz në aeroportin e Rinasit, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Gilmando Dani dhe u plagos punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani, i cili humbi jetën mbrëmjen e kaluar, pas ndodhej prej 4 ditësh në intubim në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.
    Prokuroria kishte kërkuar ndaj dy policëve masën “detyrim paraqitje”, si dhe ndalimin e daljes jashtë vendit deri në përfundimin e hetimeve. Por trupi gjykues i hodhi poshtë këto kërkesa, duke i cilësuar masat si të pabazuara. Cara dhe Zajmi vijojnë të jenë nën hetim nga AMP, pasi dyshohet se kanë lëshuar një vërtetim pune për Shaljanin në kundërshtim me procedurat zyrtare. Gjykata pritet të vijojë shqyrtimin e plotë të çështjes për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.
    Si Muçi Shaljani “i futi këmbët” në AMP?
    Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Muçi Shaljani u bë pjesë e AMP-së gjatë muajit shtator, kur ky institucion drejtohej nga Artjol Saliasi pas shkarkimit të Florjan Sulejmanit. Drejtori i ri i kësaj strukture, Eduart Merkaj, me marrjen e detyrës, kishte kërkuar rishikimin e një sërë kontratash që ishin nënshkruar me agjentët, përfshirë dhe Shaljanin. Dëshmia e tij do të ishte me vlerë të madhe për hetimin e ngjarjes, por Shaljani nuk arriti të mbijetonte. 40-vjeçari rezulton gjithashtu që të jetë pronar i një hoteli në Tiranë.
    Në lidhje me atentatin dy oficerë: një efektiv i komisariatit numër 3 në Tiranë dhe një polici i zonës. Nënkomisari Bruno Cara me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor Ashim Zajmi, me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Ata dyshohet se kanë favorizuar të plagosurin Shaljani, që të bëhej pjesë e AMP-së, ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për Muçi Shaljanin.
    Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, pas atentatit. Hetimet vijojnë si për komandimin e Muçi Shaljanit si agjent i AMP-së, gjithashtu edhe për kapjen e atentatorëve./ZËRI

  • Ekzekutimi i Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit/ Autoritetet shqiptare i kërkojnë informacion Spanjës për zbardhjen e…

    Ekzekutimi i Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit/ Autoritetet shqiptare i kërkojnë informacion Spanjës për zbardhjen e…

    Policia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht Spanjës për të zbuluar lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit për qëndrimin e tyre 4 ditor në Barcelonë.
    Deri më tani, autoritetet e huaja nuk i kanë kthyer përgjigje policisë shqiptare. Që pas atentatit, policia ka kryer kontrolle në disa zona të ndryshme, Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë-Krujë.
    Kontrolle u ushtruan në godina të braktisura dhe te persona të skeduar më herët. Deri tani nuk është gjetur asgjë me vlerë për hetimin. Janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht familjarë të viktimës dhe të plagosurit.
    Ekspertiza paraprake nga morgu i Tiranës, ka nxjerr se Gilmando Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja. Në Spitalin e Traumës, vijon të jetë i intubuar Muçi Shaljani, i cili mori 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë.